Agolli: Rama, një drejtues i provuar. PS t’i ruhet rrezikut të shndërrimit në parti-shtet

Redaksia Online June 29, 2013 08:44

Agolli: Rama, një drejtues i provuar. PS t’i ruhet rrezikut të shndërrimit në parti-shtet

Shkrimtari Dritëro Agolli shprehet se nuk e priste një fitore kaq të madhe të së majtës. Agolli thotë se e priste fitoren e së majtës, por me një rezultat më të ngushtë.

“Unë i ndoqa zgjedhjet deri vonë natën, sepse edhe diskutimet ishin shumë. Prisja edhe ato pak gazeta që dilnin në orën 12:00, dhe mendoja pa u hapur kutitë, se do të kishte një diferencë të vogël. Nuk do të ishte një hapësirë kaq e madhe e ndryshimit. Megjithatë, siç thonë nga Kosova, “u ba”, domethënë fitoi e majta, por ma merr mendja që fitoi edhe e djathta. Fitoi e majta që të kryhet rotacioni, i thonë tani, ne dikur i thonim qarkullimi, por e njëjta gjë është. Po ta përsëris fjalën ‘qarkullimi’, kam frikë se do të thonë, ‘ky komunist’ dhe po e them ‘rotacion’… (shpjegon kuptimin e fjalëve). Por më ka bërë përshtypje një gjë, që këto zgjedhje ishin shumë të qeta dhe të kulturuara. Nuk kishte konflikte të mëdha. Nuk kishte një frikë si në të gjitha zgjedhjet e mëparshme, frikë për të ruajtur që të mos vidheshin votat ose që të mos ndodhte ndonjë rrahje apo dhunë tjetër. Vetëm kjo ngjarja e Laçit, ishte një gjë që prishi atë atmosferë të asaj dite, aq më tepër që ai që u vra ishte një emigrant që erdhi për një gjë të mirë, për të votuar në vendin e tij. Por, nuk mori përmasa të tjera, që të ndodhte ndonjë akt i ngjashëm me këtë. Zgjedhjet kaluan mirë dhe unë e thashë që për të dyja palët është mirë dhe është pozitive, sepse do të nisë një frymë e re, ma merr mendja. Të majtët do të drejtojnë më mirë, se do të mësojnë nga të metat dhe arritjet e këtyre 8 vjetëve që e drejtoi koalicioni i djathtë, dhe do të ecin më përpara. Edhe nga të metat, edhe nga përparimet njeriu mëson, por të dy palët do të mësojnë. Kjo nuk është humbje. Është një rotacion”, pohon Agolli.

“Populli, me votën e tij, tregon se duhet të drejtosh më mirë dhe fiton ai që e respekton demokracinë. Kështu që, duhen respektuar, si demokracia, si liria. Po i respektove, i nderove këto, atëherë fiton. Po i more nëpër këmbë, atëherë humb. Po të hedhësh flutura në livadh kur je kandidat për deputet dhe kur bëhesh deputet hedh miza kali, nuk është mirë. Ndaj njerëzit maten mirë kur vënë kandidaturën, por edhe partitë maten shumë, sepse nuk duhet që në fillim të hedhësh flutura të kaltra apo të kuqe apo ngjyra të tjera, – sepse fluturat janë shumëngjyrëshe, – dhe pastaj të hedhësh miza kali”, thotë ai.

Agolli thotë se e PS-ja duhet t’i ruhet rrezikut të shndërrimit në një parti-shtet.

“Partia Socialiste duhet të ruhet kur të marrë qeverinë, nga partia-shtet, sepse kjo është shumë e lehtë. Kalohet shumë kollaj. Të rrëmben ai entuziazmi i partisë që drejton dhe bëhesh parti-shtet. Ne e kishim partinë-shtet që e rrëzuam. Pse do të ngremë prapë disa parti-shtet?! Kjo është diçka që nuk funksionon mirë”.

Për shkrimtarin dhe socialistin Agolli, Edi Rama është një drejtues i provuar, i cili di të përkushtohet në punën e tij.

“Unë mendoj që Edi Rama si drejtues është i përkushtuar, është i zoti dhe  i di problemet, dhe është njeri që lexon, jo vetëm libra zbavitës, por edhe libra të tjerë ekonomikë, të brendshëm e të huaj. Ai u provua edhe kur ishte  kryetar i Bashkisë së Tiranës. Ai bëri një punë të madhe . Ai i filloi ndryshimet. Edhe Ilir Meta është provuar tashmë  që prej vitit 1992. Ai do të jetë kryetar i Kuvendit, dhe unë e vlerësoj si njeri të  gjallë dhe të qetë  atëherë kur duhet”, shprehet Agolli për GSH.

 

Redaksia Online June 29, 2013 08:44
Komento

1 Koment

  1. ivani i madh June 29, 10:58

    Po per Lulken sna the gje se kemi hall se mos i mbetet hateri .Kaluan 2 vjet e lame cdo na thuash si jane dukur grumbullimi ne leminjte e tu e te tij te dashur. Apo histori 3 dit zgjat dhe harohet kur te tute pasurohen Se keto kohe per fituesit ke thene gjithmone mire se ata ja shtojne fitimet familjes jo se je objektive i sakte. ne keto qe thua..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim