Agostinelli i zhgënjyer, Ramadani “arriti” objektivin

February 7, 2016 12:12

Agostinelli i zhgënjyer, Ramadani “arriti” objektivin

I zhgënjyer me rezultatin. Ky ishte imazhi i Andrea Agostinellit, pas barazimit me Flamurtarin. Raste të shpërdoruara, një gol i dyshimtë i paakorduar dhe një shtyllë. Por, trajneri i Partizanit e ka të qartë se rruga drejt titullit, në këtë kampionat me shumë rivalitet, nuk do të jetë e lehtë.

“Mendoj se meritonim të fitonim. Sulmuam nga fillimi e deri në fund të ndeshjes. Kishim shumë raste për shënim, goditëm një shtyllë, goli i Kalarit m’u duk i rregullt. Këto janë ndeshje që nëse nuk shënon rrezikon të humbasësh. Futbolli kështu e ka. Flamurtari ka ndryshuar shumë lojtarë dhe tregoi se është një skuadër e mirë. Një ekip luftarak dhe teknik. Kampionati nuk është i lehtë për askënd, si për ne ashtu edhe për Skënderbeun.”

Megjithë gabimin në momentin e golit të pësuar, tekniku italian u shfaq përgjithësisht i kënaqur nga ekipi, ndërsa lë të hapur mundësinë e përforcimeve të tjera.

“Gabuam në disa lëvizje dhe erdhi gabimi i golit. Për fat të keq, kur luan ndonjëherë edhe vetëm një gabim të ndëshkon. Por, luajtëm të kthjellët, Sukaj shënoi edhe zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer. Torasa luajti për herë të parë me Partizanin dhe më la përshtypje të mira. Për momentin jam i kënaqur me përforcimet në ekip. Merkato është e mbyllur, por do të bisedojmë me qetësi me klubin e ndoshta mund të afrojmë ndonjë lojtar pa skuadër.”

Në anën tjetër, trajneri i Flamurtarit, Ramadani, u shpreh i kënaqur me pikën e marrë përballë kryesuesve të Superiores.

“Nuk e ndjej veten të zhgënjyer. Para ndeshjes ishim të kënaqur me një barazim. Ai ishte objektivi kryesor dhe e arritëm. Pavarësisht se si erdhi loja, dhe faktit që mbetëm me një lojtar më pak, të marrësh barazim ndaj Partizanit, natyrisht që duhet të kesh kualitet.”

Me trajnerin e ri, mentaliteti dhe paraqitjet e vlonjatëve kanë ndryshuar. Ramadani e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë Flamurtari.

“Flamurtari po vjen. Synimi është të krijojmë një lojë të tonën. Nëse imponojmë lojën, pikët do të vijnë. Mbijetesa diskutohet? Aspak. Më bëhet qejfi që i gëzuam tifozët dhe shpresojmë që tifozët të jenë të shumtë në stadium, ku kemi edhe dy ndeshje në shtëpi.”

February 7, 2016 12:12
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*