Ahlin-Meta: Suedia mbështetje të fuqishme integrimit evropian të Shqipërisë

February 23, 2016 14:04

Ahlin-Meta: Suedia mbështetje të fuqishme integrimit evropian të Shqipërisë

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta i shoqëruar prej deputetëve Arta Dade, Agron Duka dhe Kejdi Mehmetaj u pritën sot në një vizitë zyrtare në Parlamentin e Suedisë nga Kryetari i Riksdag, Urban Ahlin.

Dy delegacionet parlamentare zhvilluan bisedime mbi marrëdhëniet dypalëshe, intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe mbi zhvillimet e fundit në rajonin e Ballkanit dhe në BE.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e pakursyer të Suedisë ndaj zhvillimit ekonomik, social dhe integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se marrëdhëniet e shkëlqyera politike duhet të reflektojnë një nivel më të lartë shkëmbimesh ekonomike e tregtare, ku dy parlamentet mund dhe duhet të luajnë një rol kyç dhe parësor në intensifikimin e kontakteve.

Meta vuri në dukje se Shqipëria është e vetëdijshme që duhet punuar më fort për krijimin e një klime më të besueshme biznesi, dhe në këtë drejtim po vërehet progres përmes një axhende ambicioze reformash, ku pas reformimit të ndarjes administrative e territoriale të vendit, fokusi është në përfundimin brenda pranverës së reformës thelbësore të sistemit të drejtësisë, si reformë parësore e kyçe për suksesin në luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, për forcimin e sundimit të ligjit dhe për krijimin e një ambienti më tërheqës për investimet e huaja.

Në këtë kontekst, Meta nënvizoi se Shqipëria si një vend stabël dhe me peshë specifike në rajon, përfaqëson një potencial të rëndësishëm për investitorët suedezë, të cilët sjellin në vend një ekspertizë dhe kulturë pune që mbetet model jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tjera të Evropës Juglindore.

February 23, 2016 14:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*