Ahmet Durmish Xhafaj dhe ndihmesa e tij për Pavarësinë

November 29, 2017 11:27

Ahmet Durmish Xhafaj dhe ndihmesa e tij për Pavarësinë

 

Nga Xhevat Zenjelaj*

Kalimi i dekadave dhe zbehja e figurave që kanë dhënë për kombin nuk do të thotë që dikur të mos hidhet dritë mbi veprimtarinë e tyre atdhetare. Me Ahmet Karbunarin ka ndodhur e njëjta gjë si edhe për shumë të tjerë që e vërteta po ndriçon faqen e tyre dhe të historisë kohë pas kohe. Sipas autorëve Bardhosh Gaçe dhe Enver Memishaj, Ahmeti ka lindur më 1872 në Karbunar të Vlorës. Shkollën e mesme dhe të lartë i kreu në Stamboll. Në vitet 1898-1900 kreu detyrën e Sekretarit të Beledies (Bashkisë) në Bolus të Turqisë.

Në këtë vend ai u njoh dhe u frymëzua nga kontaktet me Vëllezërit Frashëri, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Shahin Kolonjën etj dhe mbante kontakte me Shoqërinë Shqiptare te Egjiptit.

Kur erdhi në Vlorë në fillim shekullin e XX-të u përfshi në lëvizjen për përhapjen e librave dhe gjuhës shqipe. Kapet dhe burgoset në Berat në vitet 1901-1903 së bashku me patriotë të tjerë si Mulla Xhafer Drashovica, Abas Kanina Jorgo Koleka. Fisi dhe familja e tij ishin të kamur dhe zotëronin kapitale të konsiderueshme për kohën. Këto pasuri ishin në fshatin e tij Karbunar, ne Vlorë e gjetkë, si toka e ullinj, vreshta, blegtori, dyqane, hotele etj, të cilin Ahmeti e vuri në shërbim të mbështetjes morale e materiale të Ismail Qemalit dhe Pavarësisë. Në vitin 1908 ai shoqëroi Ismail Qemalin në Europë dhe në takimet me Arbëreshë të Italisë, në Korfuz e kudo. Në përkrahje të Ismail Qemalit për deputet, Ahmeti ishte një nga 39 anëtarët e Komisionit Elektoral dhe organizoi takime në Karbunar dhe zona të tjera të Labërisë në mbështetje të Plakut të Vlorës. Së bashku me patriote të tjerë u caktua nga Ismail Qemali në komisionin për organizimin e pritjes së delegatëve nga e gjithë Shqipëria më 28 Nëntor 1912.

Ahmet Durmishi, Napoli, 1908

Pas shpalljes së Pavarësisë, në dhjetor 1912, u  caktua Prefekt i Vlorës, duke qenë kështu zyrtari i parë më i lartë në Vlorë, për rrjedhojë edhe në shtetin e ri shqiptar pas 500 viteve robëri.

Në mars 1913 drejtoi komisionin e marrjes në dorëzim dhe shpërndarjen e pasurisë nga administrata turke. Nga gushti i vitit 1913, kur u caktua Prefekt Feim Leskoviku, Ahmeti ishte zëvendës-prefekt. Në vitin 1914, së bashku me patriote të tjerë si Hasan Sharrën dhe Xhezo Balon shoqëruan Ismail Qemalin në Nisë të Francës.

Aktiviteti i tij nuk rresht edhe në organizimin e Luftës së Vlorës. Duke qenë një familje fisnike dhe përkrahës i Pavarësisë ai e mbështeti ekonomikisht atë dhe Ismail Qemalin sa që për shumë vite ishte edhe kujdestari dhe financieri i tij. (Foto me I.Qemalin dhe patriotë të tjerë vlonjatë).

Përveç këtyre, është me vlerë të vihet në dukje edhe lidhja familjare e Ahmet Durmishit me Ismail Qemalin. Në vitin 1919 vajza e Ahmet Durmishit, Ylvia, u martua me djalin e Ismail Qemalit, qe quhej Qamil Beu. Pinjoll i kësaj lidhje është edhe nipi i saj Darlingu, sot shkrimtar e publicist i nderuar.

Ahmeti mbështeti edhe Fan Nolin dhe si rrjedhojë nuk shkeli në Shqipëri deri sa u fik kandili i tij në vjeshtën e vitit 1937.

Për veprimtarinë e tij atdhetare Ahmet Durmishi është nderuar me dekoratën: “Për shërbime të shquara shtetërore e shoqërore”. Në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë është shpallur “Qytetar Nderi i Qarkut Vlorë” dhe një rrugë në qytetin e Vlorës mban emrin “Ahmet Durmishi”.

Shënim: Të dhënat historike janë marre nga monografia e autorit Bardhosh Gaçe “Rilindasi i Vlorës Ibrahim Avdullahu” 2009, faqe 24, 34-35 etj. Libri i Enver Memishaj-Lepenica “Prefektët e Qarkut të Vlorës”2013, faqe 36-39. Bisedë me nipin e tij Albert Xhafaj i cili siguroi edhe fotot përkatëse.

*- Mbledhës dhe shkrues i Historisë së fshatit Karbunar të Vlorës     

 

November 29, 2017 11:27
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*