Ahmet Zogu? Në gjurmët e gjyshit… Njihni Xhelal Pashë Zogollin

August 14, 2017 00:14

Ahmet Zogu? Në gjurmët e gjyshit… Njihni Xhelal Pashë Zogollin

 

 

 

Azis Gjergji

Gjatë qeverisjes së Matit nga kajmekami i trashëgueshëm i familjes feudale Zogolli, Xhelal Beut, gjyshi i Ahmet Zogut, Princ Danilo i Malit të Zi hodhi ushtrinë e tij në sulm kundër postblloqeve kufitare osmane rreth e rrotull Liqenit të Shkodrës. Ishte viti 1852.  Në përgjigje të sulmeve malazeze, sulltan Abdyl Mexhid i shpalli mobilizimin e përgjithshëm të redifëve (turq: rezervistë), mustafëzve (turq: forca territoriale) e bashibozukëve (turq: reparte të çrregullta) të sanxhakëve të Shkodrës, Prizrenit, Ohrit e Janinës.

Xhelal Bej Zogolli mobilizoi në Mat rreth 1.500 redifë, mustafëz e bashibozukë dhe u nis drejt frontit në Tuz e Podgoricë, ku trupat osmane mundën t’i ruanin karakollet kufitare, pavarësisht humbjeve në njerëz dhe materiale. Në atë luftë Xhelal Bej Zogolli fitoi gradën e Pashait (Gjeneralit Osman) dhe postin e kajmekamit të Sanxhakut të Dibrës. (Sadullah Brestovci, Disa momente të marrëdhënieve shqiptaro–serbe–malazeze 1856–1862, revista “Gjurmime albanologjike”, Seria e shkencave historike, 1974–1975, IV–V, Prishtinë 1976, f. 105–106)

Xhelal Zogolli

Ndërkohë, fitoret e Perandorisë Ruse në Luftën e Krimesë (1853–1856) i nxitën politikanët serbë, grekë e malazez të nënshkruanin marrëveshjet e njohura ushtarake për dëbimin e trupave osmane nga Ballkani dhe ndarjen midis tyre të territoreve të çliruara. Në këtë kohë Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Principatës së Serbisë, Ilija Garashanin (Garašanin), autor i platformës politike shoviniste “Naçertanie” (Nacertanije) dhe promotor i Lidhjes së Parë Ballkanike, realizoi me sukses aleancat politike e ushtarake me Principatën e Malit të Zi (1866), Mbretërinë e Greqisë (1867) dhe Mbretërinë e Rumanisë (1868).

Sipas marrëveshjeve, “Serbia e Madhe” do të aneksonte Bosnjën, Hercegovinën dhe Shqipërinë e Veriut, deri në rrjedhjen e djathtë të lumit Shkumbin, ndërsa “Greqia e Madhe” do të shtrihej nga rrjedha e majtë e Shkumbinit në drejtim të Thesalisë, Maqedonisë, Trakisë dhe ishujve të Egjeut; Principata e Malit të Zi do të shtrihej në trojet shqiptare deri në krahun e djathtë të Lumit Drin, duke përfshirë brenda kufijve të saj edhe qytetin e rëndësishëm të Shkodrës. Projektet e copëtimit të trojeve etnike shqiptare do të vazhdonin me Traktatin greko–serb të Vërsllaut (Voerslau) në Vjenë (26 gusht 1867), vendimet e Konventës Ushtarake të Athinës (28 shkurt 1868) etj. (Shkëlzen Raça, Marrëdhëniet shqiptaro–greke 1829–1881, Prishtinë, 1990, f. 91 Shkëlzen Raça, Marrëdhëniet shqiptaro–greke 1829–1881, Prishtinë, 1990, f. 91)

Në lidhje me popullin autokton shqiptar në shekuj, historia e popujve të Ballkanit është dëshmitare e faktit se politikanët më të lartë serbë, grekë e malazez nuk e shtruan kurrë, qoftë edhe formalisht, çështjen e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, por kërkuan lidhje individuale me pashallarë, bejlerë apo krerë fisesh shqiptarë të pakënaqur nga trajtimi i sulltanit. Një nga këta individë të pakënaqur ishte edhe Xhelal Pashë Zogolli, i tërhequr në Stamboll nga Sulltani Abdyl Aziz, pasi dyshohej për lidhje të fshehta me agjenturën serbe në Dibër.

Sipas historianit Sadulla Brestovci, lidhjet e Xhelal Pashë Zogollit me qeverinë serbe gjenden në një letër të tij dërguar Princit Mihajllo Obrenoviç në pranverë të vitit 1866, me anën e njëfarë Naum Sido nga Reka e Dibrës. Konsulli serb në Stamboll Jovan Ristiç do t’u raportonte eprorëve të tij në Beograd se Xhelal Pashë Zogolli pretendonte se ishte pasardhës i Skënderbeut dhe premtonte 15.000 luftëtarë në rast të një lufte të ardhshme kundër Perandorisë Osmane.

Në letrën e tij, Ristiç shton se “përfaqësuesi rus i kishte dhënë pashait në fjalë 1.000 lira nga të hollat e veta”. (Sadulla Brestovci Qëndrimi i Serbisë ndaj shqiptarëve dhe lëvizjes së tyre kombëtare të viteve 1862–1868, revista “Gjurmime albano-logjike”, Seria e shkencave historike, nr. 6, 1976, Prishtinë, 1977, f. 13, 15–16, 25–26, 33 (Arkivi i Serbisë, F. Ilija Garashanin, br. 1580–1581, str. 35, Beograd 15 maja; Pera, 9 juna dhe 29 XII 1866)

Në datën 6 prill 1866, përfaqësuesi rus në Stamboll Nikolla Pavlloviç Ignatiev i dërgoi Ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Ruse, Aleksandër Mihailloviç Gorçakov në Shën Petersburg një relacion prezantues “top sekret” për  Xhelal Pashë Zogollin. Ai e përshkruan  Pashain e Zogollëve si një “prijës shqiptar dhe pinjoll i njërës nga familjet myslimane më me influencë në Shqipërinë e Veriut”.

Xhelal Pashë Zogolli kishte zgjedhur t’i drejtohej Perandorisë së Rusisë, pasi e konsideronte “kurdoherë mbrojtëse e interesave të vërteta të gjitha kombësive nën sundimin turk”. Ai dëshironte t’i bënte të ditur qeverisë ruse gjendjen e rëndë të Shqipërisë, me shpresë që më vonë “të kishte përkrahjen morale të saj në këshillin e shteteve europiane”.

Xhelal Pashë Zogolli e kishte siguruar ambasadorin rus, se kishte mbështetjen e “20.000 burrave, të gatshëm të fillojnë kryengritjen me thirrjen e tij të parë dhe ishte i sigurtë se, më vonë, do të bashkohej me të një pjesë e Arnautllëkut (Shqipërisë)”. Ambasadori Ignatiev i kishte marrë Xhelal Pashë Zogollit një garanci me shkrim, ku pashai matjan zotohej se nuk do të bënte asgjë pa pëlqimin e qeverisë cariste.

“Duke vënë veten dhe të gjithë ndjekësit e tij në dispozicion të plotë tonin,” shkruan ambasadori Ignatiev, “Xhelal Pasha më deklaroi se nuk do të bëjë asgjë pa u këshilluar me ne dhe se të gjitha shpresat e tij për lehtësimin e fatit të popullit shqiptar i ka mbështetur vetëm në simpatinë dhe në mëshirën e Carit të Rusisë”. Nga ana tjetër, Ignatiev e kishte këshilluar Xhelal Pashën “të mos bënte asgjë para kohe dhe në çdo rast të mos vepronte vetëm, i shkëputur prej atyre kombësive interesat e të cilave ishin identike me ato të Shqipërisë”.

Për këtë arsye, ai e porositi Xhelal Zogoll Pashën “të hynte në marrëdhënie direkte me qeverinë serbe”. (Kristo Frashëri, Ahmet Zogu (Vështrim Historik), f. 15-16 (sipas Arkivit të Shtetit Rus, S. Petersburg. Fondi: Ministria e Punëve të Jashtme, Misioni perandorak rus në  Stamboll. Dok. Nr. 1151).  

Në fund të dhjetorit 1866, kur u emërua nga Porta e Lartë në postet e kajmekamit dhe të komandantit të trupave të çrregullta në Hercegovinë, Xhelal Pashë Zogolli u takua menjëherë me konsullin Ristiç në Mostar dhe u lidh me titullarët e Principatës së Serbisë. Pas takimit, Ristiç i raportoi Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Ilija Garashanin, se Xhelal Pashë Zogolli ishte zotuar t’i jepte çdo ndihmë Serbisë në Hercegovinë dhe në Shqipëri, me kusht që pas fitores së luftës të njihej prej tyre si “Mbret i Shqipërisë”.

Në një nga gjashtë letrat e ruajtura në arkivin e Serbisë në Beograd, shkruar prej Xhelal Pashë Zogollit më 16 shkurt 1869 dhe dërguar ish-Kryeministrit serb, Ilija Garashanin (Garašanin), ndër të tjera i thotë: “Unë jam duke pritur vetëm urdhrat tuaja dhe për mua është detyra e parë dhe e shenjtë që t’u nënshtrohem.”

Meqenëse lidhjet e tij me shërbimin e fshehtë rus e serb u zbuluan nga agjentët e Portës së Lartë të Stambollit, më 5 mars 1869, Xhelal Pashë Zogolli, i pajisur me pasaportë ruse me emrin “Stanko Ivanov” dhe i shoqëruar nga ndihmësi i tij me emrin “Avram”, u arratis në Zyrih të Zvicrës. Rroga e “Stanko Ivanovit” ishte 120 dukatë në muaj, por ajo nuk i mbulonte shpenzimet e tij. “Ivanovi” do t’i dërgonte MPJ të Serbisë 5 letra rresht, ku kërkonte me këmbëngulje një shtesë rroge. (Sadullah Brestovci, Marrëdhëniet shqiptaro–serbo–malazeze (1830–1878), Prishtinë: 1983, f. 190)

Shtatë muaj më pas, “Stanko Ivanov” udhëtoi deri në Shën Petërsburg, ku u takua edhe me Car Aleksandrin II të Rusisë. Në lidhje me këtë udhëtim, në vitin 1933, Zogu Mbret i ka rrëfyer Ministrit të Plotfuqishëm të SHBA-ve në Shqipëri, Herman Bershtain (Bernstein), se “pas marrjes së detyrës së guvernatorit, ai udhëtoi për në Rusi, ku u prit nga Cari pas shtatë muajsh të kërkesës së tij. Rusia kishte në atë kohë një ndikim të madh mbi çështjet turke dhe Cari i premtoi se do ta përdorte ndikimin e tij në favor të Zogut [Zogollit].

Prandaj, ai u kthye në Konstandinopojë, ku, një dekret e emëroi guvernator të gjithë Shqipërisë dhe Epirit. Por në ditën kur dekreti u firmos,  Zogu u helmua nga turqit. (King Zog Tells his Story to Herman Bernstein, former United States Minister to Albania. Chapter one: his forefathers: “After assuming the governorship, he traveled to Russia, where he was received by the Tsar after waiting seven months. Russia had at that time a great amount of influence over Turkish affairs, and the Tsar promised to use his power on Zogu’s behalf. He therefore returned to Constantinople, where a decree was signed appointing him governor of all Albania and Epirus. But on the day the decree was signed, Zogu was poisoned by the Turks.”

Emërimi i Xhelal Pashë Zogollit “guvernator të gjithë “Shqipërisë” dhe “Epirit” është një gënjeshtër me bisht e Zogut Mbret, pasi bie ndesh me të vërtetën historike. Qysh nga ajo kohë e deri sa Perandoria Osmane u shemb, trojet shqiptare mbetën pjesë e katër vilajeteve të njohur të Shkodrës, Kosovës, Manastirit e Janinës. Në të vërtetë, Sulltani e emëroi Xhelal Pashën Vali (turq: mëkëmbës į Sulltanit) në Bitlis. “Por një ditë përpara se të nisej për detyrën e re,” thotë biografi Dako, “Xhelal Pasha ndërroi jetë pa prit e pa kujtue”. (Christo A. Dako, “Zog the First, King of the Albanians. (A sketch of his life and times)”,  Tiranë, shtypur nga Kristo Luarasi, 1937, sipas botimit të parë, i arkivuar në BK, Tiranë, p.  29)

Në vitet e shkollimit në Stamboll, Ahmeti i ri shkonte  te guri i varrit të gjyshit Xhelal Pashë në varrezën “Haxhi Badem Uskunda” (Haji Badem Uskanda) dhe kujtonte me dhimbje ndërprerjen e ëndrrës së gjyshit të vet për t’u bërë “Mbret i Shqipërisë”. Por tek ëndrra e gjyshit e frymëzonte për ta çuar deri në fund atë që ishte bërë edhe ëndrra e jetës së tij. Thuhej se gjyshit të Ahmet Bej Zogollit i kishin hedhur helm në kafe.

Çatin Saraçi dëshmon: “Zogu e pinte kafen pa sheqer. Në kafen me sheqer nuk mund ta ndiesh kurrë helmin, ashtu siç ka gjasë të ndodhë kur kafja është pa sheqer, ngaqë zeheri ndihet aty për aty. Kjo qe arsyeja që Zogu nuk e pinte kafen asnjëherë të ëmbëlsuar edhe në shtëpinë e vet.” (Çatin Saraçi, Zogu i Shqiptarëve (Një histori e jetuar), Tiranë: 55, 2006, f. 47-48)

 

 

 

 

August 14, 2017 00:14
Komento

1 Koment

  1. ELIOT August 15, 11:02

    TE ENDERROSH SIC E BERI ZOGU NUK ISHTE KRIM … DHE GJYSHI I VET PASKA QENE NJE PATRIOT …MEGJITHES PAK NAIVE .. QE I KA BERE BESIM CARIT … RUSET ISHIN GJITHMONE PER NJE SERBI TE MADHE DHE KESHTU ATO BOLSHEVIKET RUSE DO TE KISHIN DORE NE DREJTIMIN E BALLKANIT … DHE SHQIPTARET SE DINE QE KUR RUSET CLIRUAN BALLKANIN NGA TURQIT ..ERDHEN DERI NE KUFIJTE TANE TE SHQIPERISE DHE NDALUAN ..THANE SE SDO TE HUMBASIN USHTARE PER ALBANEZET .. QE NUK FLASIN RUSISSHTE DHE SJANE RRACE SSSLAVE …… DHE PRANDAJ NE U CLIRUAM ME VONE NGA TURQIT … DHE KESHU SERBET GREKET KISHIN KOHE TE NA SULMONIN TE PREGATITESHIN PER TE NA VJEDHE TOKAT TONA NE MAQENDONIN NE GREQIE DHE KOSOVEN DH NE MALIN E ZI …

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*