Ahmetaj i përgjigjet opozitës me shifra: Fondet për ndihmën ekonomike janë rritur me 10 mln dollarë

March 15, 2018 18:38

Ahmetaj i përgjigjet opozitës me shifra: Fondet për ndihmën ekonomike janë rritur me 10 mln dollarë

 Në seancën plenare të ditës së sotme një nga pikat kryesore ka qenë mocioni me debat me kryeministrin Rama për heqjen nga skema e ndihmës ekonomike të 20 familjeve shqiptare.

PD akuzon qeverinë se përjashtimi i shumë familjeve nga kjo skemë është bërë në mënyrë abuzive. Sakaq Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ka thënë se ndihma ekonomike nuk është shpëtimi i familjeve të varfra dhe se fondet për ndihmën ekonomike janë rritur me 10 milionë dollarë më shumë.

Fjala e plotë e Ministrit Ahmetaj

Ky është një diskutim që ia vlen koha, ia vlen mundimi, ia vlen dhe emocioni, ia vlen dhe retrospektiva, sepse po flasim për shtresën më në nevojë të popullsisë shqiptare, shtresë që në hall të vet i kthehet 54 mijë lekëshit të ndihmës ekonomike.

Do të duhet që të bënim një analizë të reformës dhe besoj që është e shëndetshme, dhe do të duhet t’i ktheheshim çfarë është standardi që ne po përdorim dhe pse lindi nevoja për këtë standard. Është shumë e rëndësishme për të kuptuar dhe debatin që ka kërkuar opozita. Pra, opozita ka ardhur e kërkon një debat mbi një standard të cilin e ka kaluar vetë vite më parë. Pyetja fare e thjeshtë do të ishte: Pse ju sot dilni kundër atij standardi që keni kaluar me vendim qeverie para shtatë vitesh?

Këtu përgjigja gjithashtu është e thjeshtë, këtë e bëni vetëm për arsye politike. Situata e opozitës është ditë e zezë. Nuk ka kauzë, vjen këtu, e po të dëgjoni kryetarin e opozitës, që është monumenti i paaftësisë dhe korrupsionit, momument i paaftësisë dhe korrupsionit që në CV e tij ka gërhitje, ka 21 janarin, besoj që e mbani mend që si kapiten i parë i Gardës, doli mbi çatinë e Kryeministrisë, kryetari i opozitës; Ka 300 milionë të Rrugës së Kombit dhe së fundmi ka një aferë të pastrimit të parave dhe të influencës ruse në kurriz, pra që është i deligjitimuar. Në konceptin e tij, nuk u fut kurrë në standardin e aprovuar nga qeveria e tij shtatë vite më parë. Vazhdon me logjikën 7×7 bëjnë 42, me atë logjikë vazhdon.

Është shumë e rëndësishme t’i kthehemi disa shifrave që kanë të bëjnë me ndihmën ekonomike. Është reformë, patjetër. Po pse është reformë? Sepse në finale, kur diskutojmë për të varfrit nuk e mendojmë dhe nuk duhet ta mendojmë ndihmën ekonomike si shpëtimin. Ndihma ekonomike është një moment në jetën e atyre njerëzve në nevojë, është një moment kalimtar. E politika shqiptare, majtas apo djathtas nuk ka rëndësi, do të duhet të mendojë se si ta shkurtojë kohën që ata qytetarë, ato familje shqiptare që përfitojnë nga ndihma ekonomike, të dalin sa më shpejt jashtë varfërisë dhe të bëhen të punësueshëm. Ky është qëllimi.

Nuk është qëllimi të diskutojmë hynë 20 e dolën 20. Po mirë, ato 20 mijë familje që nuk ri-aplikuan për ndihmën ekonomike, çfarë ka ndodhur me ato? Ato familje në praktikë kanë një mundësi punësimi ose janë punësuar, dhe hynë familje të reja në skemë, të cilat realisht e meritojnë, në bazë të pikëzimit, i cili është shumë më shumë transparent.

A e mendoni dot që sot pikëzimi nuk bëhet më emocionalisht nga persona të përfshirë me politikën, por nga një sistem i cili është jashtëzakonisht shumë kirurgjikal në adresimin e familjeve që kanë më shumë nevojë. Kjo është dhe arsyeja pse Banka Botërore në këtë material që unë e kam me vete, sepse flisni për Bankën Botërore, 70% janë përjashtuar etj., nuk është e vërtetë Tritan, ti gënjeve këtu në podium. Gjeje atë material. Duhet të marrësh deklaratën e Bankës Botërore që e kundërshton atë që ti thua. Banka Botërore thotë që sistemi ka përmirësuar targetimin e familjeve në nevojë. Pra, gjithë qaramanëria juaj politike është komplet jashtë kontekstit dhe do të përdorë të varfrit në gjithë betejën e vet politike.

Po ju bëj një pyetje. Vini këtu dhe do flisni me orë të tëra për të varfrit. U ngrit kryetari i opozitës dhe filloi me emra, po e dini që ka nga ata emra që kanë një jetë që marrin ndihmë ekonomike?! Një jetë. Çfarë është ndihma ekonomike? Është instrument që t’i lërë aty pa promovuar? Është lëmoshë, çfarë është? Jo. Ka një përqasje tuajën të gabuar sepse do të ishte ndryshe në qoftë se do të vinit këtu dhe do thoshit: “po, varfëria luftohet me një, dy, tre reforma. Çfarë reformash bëtë? Çfarë reformash bëmë? Prandaj jemi dy botë të ndryshme.

A t’ju kujtoj një instrument shkatërrues për njerëzit në nevojë dhe për klasën e mesme, dhe për atë klasë që ka të ardhura të ulëta? Taksën e sheshtë. Pse e harroni taksën e sheshtë? Taksa progresive, sot e pranuar nga të gjithë dhe nga institucionet ndërkombëtare, është ndihmë e drejtpërdrejtë për shtresën që ka të ardhura të ulëta. Pse? Sepse në llogari ka kthyer 120 milionë dollarë mbrapsht në xhepat e tyre. Kjo është reformë.

Vazhdojmë historinë me varfërinë. Ju duhet të dilni këtu dhe të jepni llogari pse në vitin 2012 varfëria arriti kulmin. Duhet ta keni këtë kurajo. Një forcë politike e cila kalon në opozitë, kërkon shpëlarje dhe refleksion. Ju nuk bëni as shpëlarje, ju nuk bëni as refleksion. Ju vini me të njëjtat argumente ndërkohë që në kurrizin tuaj keni 2012-ën që është kulmi i varfërisë. Jepini llogari shqiptarëve çfarë bëtë ju në 2009, 2010, 2011.

A e dini që sot është dita e Gërdecit. E dini? A e dini? Pse ngrihet këtu kryetari i opozitës dhe lexon emra njerëzish në nevojë? Pse nuk lexon emrat e atyre që u vranë në Gërdec dhe të fëmijëve të tyre të lënë jetim? Pse nuk e bën këtë? Kujt ia shet këto? Shqiptarëve ua shet?

Sistemi është dinamik dhe transparent, sepse njëri nga ju me të drejtë tha duam transparencë. Patjetër, se ajo është logjika, transparencë. Është dinamik, që do të thotë që mund të hysh sot në sistem, del muajin tjetër për shkak se u punësove apo sepse për shkak të pikëzimit, ti ke kaluar në një nivel më të lartë në atë koncept bazë të platformës që është konsumi, e për shkak të një arsye tjetër që të ul në pikëzim, ti mund të hysh sërish. E ka lejuar, nuk është më bllok sistemi, që e paskan bllokuar forcat politike që të fusin kë të duan.

E dyta që është shumë e rëndësishme, sistemi vërtet targeton, ashtu siç e thotë dhe Banka Botërore, familjet më në nevojë. A mund të ketë ndjeshmëri të tjera në terrenin lokal? Po patjetër që mund të ketë dhe i është lënë 6 për qind fond bashkisë, që do të thotë se bashkia ka mundësi të menaxhojë ndjeshmëri lokale me këtë fond 6%, siç diku po bëhet, të adresojë pikërisht atë që sistemi nuk e ka kapur në pikëzim. Ky fond ishte 3%, ndërsa sot është bërë 6%.

Doni një shifër tjetër që të krahasojmë botët? Keni harxhuar për ndihmën ekonomike 3.8 miliardë lekë. Harxhojmë 4.8 miliardë lekë. 10 milionë dollarë më shumë se ju. Nuk është për t’u mburrur. Nuk është as për t’u qarë. Këtu vihet vetëm me propozime për reforma. Atëherë mund ta vendosni një qeveri, po deshët ju, dhe me shpatulla pas murit. Nuk dhatë një propozim.

Po si ka mundësi që vini këtu lexoni emra të të varfërve dhe nuk lexoni emrat e të gjithë atyre personave me aftësi të kufizuara, që nuk iu dhatë 44 milionë dollarë bukën e gojës. Pse nuk i lexoni ato emra? Pse nuk i lexoni ato emra që i latë pa bukë? Sepse përveç që i latë pa bukë, nuk i dhatë as alternativë, e madje i taksuat edhe sëmundjen, e mbani mend.

E dini ju që janë 118 milion dollarë mbështetje për shtresat e varfra? Janë 68 milionë dollarë, 6.8 miliardë lekë kompensim për të ardhura minimale, që ju nuk i kishit. Janë kompensim për ngarkesën familjare 1.6 milion dollarë; janë kompensim për energjinë elektrike (sepse i latë copë-copë) 3.7 miliardë lekë, 37 milionë dollarë, i numëroni ju këto? Jo, nuk i numëroni, sepse ju doni ta përdorni ndihmën ekonomike si një instrument politik. Pra ju vazhdoni që të ndiqni variantin tashmë të konsumuar të Saliut: “Unë do vij pasi vendi është në gërmadhë”.

Ju ëndërroni që vendi është në gërmadhë dhe ju të vini ta “shpëtoni” siç e “shpëtuat” me Gërdecin, me 21 Janarin dhe me krizën ekonomike. Pastaj vini këtu, edhe pa pikë turpi ndonjë nga ju që kupton edhe shifrat (se “7×7, 42” nuk e marr seriozisht), dhe thoni që janë mbyllur kaq ndërmarje. Shikojeni Qendrën Kombëtare të Biznesit, futuni në uebsite nga celularët tuaj, qytetarët dhe gazetarët, të shohim se sa kompani të reja janë hapur neto në janar dhe në shkurt. Mbi 3.500, edhe të huaja madje!

Për më tepër, a e dini se e latë papunësinë me 17.6% dhe doli pardje papunësia 13.4%?

Tha këtu “7×7, 42-shi”që kanë ikur shqiptarët, prandaj është ulur papunësia. Po mësoje mo shef Mondi që llogaria është mbi rezidentët dhe 13.4% do të thotë që është rritur pjesëmarrja në punë. Kush është dobët, hajde të peshohemi. Dhë në fund të të tjerave, vjen këtu secili nga ju dhe thotë që vendi është në krizë ekonomike! Kaq qejf e keni t’i bëni shqiptarët e t’i keni të vuajtur?! Si ka mundësi që nuk vini me një propozim?! Keni 7 muaj këtu në opozitën e re dhe nuk vini me asnjë propozim as për taksa, as për politika ekonomike, as për politika sociale, e vetmja gjë që dini të bëni është “droga, krimi, droga, krimi” se ju mendoni se varianti i vjetër i Saliut do funksionojë. Tani shqiptarët e kanë parë dhe e dinë, diferenca është tjetër gjë.

Ne marrim përgjegjësi për atë që kemi trashëguar dhe për atë që është. E shohim varfërinë me sy. Ta shohësh varfërinë në sy, do të thotë të bësh reforma për t`a adresuar. A ka të varfër në Shqipëri? Po, patjetër! Kur ka të varfër në Amerikë, patjetër që ka edhe në Shqipëri se Shqipëria është akoma një vend i varfër. Por nuk është më aq i varfër sa 2013 dhe ka dhe një diferencë midis para 2013 dhe pas 2013.

Para 2013, vetëm i ngarkonit, i taksonit sëmundjen dhe me taksën e sheshtë jua merrnit bukën nga tryeza. Këtë bënit. Dhe ata 156 mijë invalidë apo persona me aftësi ndryshe, i linit dhe pa bukë, nuk iu jepnit paratë e muajit.

Diferenca pas 2013, është që vendi ka në krye një maxhorancë të përgjegjshme, që patjetër që e shikon varfërinë, patjetër që bën reforma në favor të reduktimit të varfërisë. Po pse, maksimalja që ne japim 80 mijë lekë, është shumë? Po pse mesatarja 50 mijë lekë, që është dyfishi juaj, është shumë? Patjetër që nuk është shumë, por shpëtimi nuk është ndihma ekonomike. Shpëtimi është punësimi dhe të gjitha reformat që ne ndërmarrim, janë në favor të rritjes ekonomike dhe të punësimit.

Dhe këtu kemi nevojë t’i themi njëri-tjetrit në sy: E mbyllët mandatin me 423 mijë vende pune. Ne e mbyllëm mandatin e parë me 660 mijë vende pune, gati 37% e totalit të vendeve të punës u krijuan në këto 4 vite. Nuk janë mjaft! Prandaj do vazhdojmë ne dhe prandaj ju do vini në qeveri me reformat tuaja në vitin 3000.

l.h/ dita

March 15, 2018 18:38
Komento

1 Koment

  1. Paci March 15, 20:22

    Te gjith ja fusin kot Nuk eshte ndihme ekonomike me 40 mije lek ne muaj as lemoshe mos e quani Ju qe shani kohen kur njerezit kishin punen e buken e siguruar plus shkollen e shendetdsine falas.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*