Ahmetaj në Kavajë, prezanton kandidatin e PS për Kryetar të Bashkisë

May 30, 2017 18:36

Ahmetaj në Kavajë, prezanton kandidatin e PS për Kryetar të Bashkisë

Kandidati për deputet I Partisë Socialiste për qarkun Tiranë Arben Ahmetaj, i deleguar në Bashkinë Kavajë dhe Rrogozhinë, prezantoi zyrtarisht Kandidatin e PS për Kryetar të Bashkisë Kavajë, Dorian Murati.
Në 25 qershor, Kavaja voton për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe ato për Bashkinë e qytetit. Në takimin e zhvilluar me mbështetës të Partisë Socialiste, ish-Ministri I Financave Ahmetaj theksoi se 25 qershori është një datë shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët. Data 25 konfirmon Edi Ramën sërish, edhe për katër vite të tjera Kryeministër të Shqipërisë.
“Ky qytet është shembull i Shqipërisë që duam. Pikë së pari, është shembulli i një ndjesie, emocioni, vendosmërie për të ndryshuar qytetin. Është shembulli më i bukur i Rilindjes Urbane. Askush nga ju nuk harron se cfarë ka pasur këtu në këtë shesh, se çfarë ka pasur në atë rrugë, se çfarë ka pasur në këtë rrethinë. Askush nuk i harron pamjet bardh e zi të këtij qyteti që i lënë në harresë për 20 vite, më në fund ka vëmendjen e qeverisë dhe Partisë Socialiste. Janë investuar në këtë qytet dhe në këtë bashki të madhe gati 25 milionë euro dhe vetëm në tre muajt e parë të vitit, janë dhe 10 milionë euro të investuara nga qeveria për të vazhduar projektin e rëndësishëm të Rilindjes Urbane” – tha Ahmetaj duke përmendur projektet që janë tashmë në rrugën e realizimit në Kavajë.
Duke folur për zgjedhjet e 25 qershorit, Ahmetaj tha se kjo nuk është një betejë me demokratët e këtij qyteti dhe se Partia Demokratike nuk ka ofruar asnjë alternativë për Kavajën:
“Demokratët e këtij qyteti kanë ngelur jetimë. A e keni parë listën e Partisë Demokratike?! Nuk ka asnjë përgjegjës politik për këtë qytet fantastik! Nuk ka asnjë përgjegjës politik që të vijë të ulet gju më gju me ju, t’ju qajë hallet dhe të mbajë nesër përgjegjësi.
Kjo është braktisje e qytetit të Kavajës dhe për këtë arsye, është shumë e rëndësishme që betejën të mos e bëjmë tradicionale, por ta bëjmë me shumë modesti, me shumë dashuri dhe të ftojmë këdo që voton Partinë Demokratike që në 25 qershor të vijë të votojë për Partinë e Shqiptarëve, për Partinë Socialiste të Shqipërisë!
Të jeni të bindur që këtij deti votash do t’i bashkohen shumë shqiptarë pa ngjyrë politike, sepse shumë shqiptarë përtej Partisë Socialiste, përtej jush, përtej qytetarëve të zakonshëm, kanë pranuar, kanë kuptuar, që Partia Socialiste e Shqipërisë është e vetmja forcë që ka mundësi të nxjerrë vendin nga ajo që e lanë ata që kanë shtëpi çadrën dhe është e vetmja forcë që na afron drejt zhvillimit që duam” – theksoi Ahmetaj.
“Çdo vote që shkon përtej emrit të Partisë Socialiste, është votë që na kthen mbrapa, – tha Ahmetaj duke ftuar qytetarët të mos e cojnë votën dëm në favor të partive të vogla.
“Çdo votë që shkon për Partinë Socialiste, më besoni na çon një hap përpara drejt Bashkimit Europian, drejt Shqipërisë që duam. Kemi shumë punë për të bërë akoma dhe do dua të kërkoj mirëkuptimin tuaj në një moment si ky dhe t’i kërkoj drejtuesve të Partisë Socialiste, e të gjithë juve që e doni Shqipërinë në Bashkimin Europian, e të gjithë juve që e doni Shqipërinë më të mirë se ajo se çfarë është sot, të shkojmë shtëpi më shtëpi, me modesti, të kërkojmë me përulësi votën e qytetarëve duke iu shpjeguar projektin tone, jo në favor të ngjyrave partiake, por në favor të së ardhmes së vendit” – përfundoi Ahmetaj.
Kandidati i Partisë Socialiste për Kryetar të Bashkisë Kavajë, Dorian Murati tha se Kavaja me Partinë Socialiste do të vazhdojë rrugën e transformimit të thellë urban, duke u kthyer në një destinacion turizmi.
“Aletatë e mi në këtë fushatë do të jenë të rinjtë, gratë, të moshuarit, burrat dhe punëtorët e thjeshtë e të ndershëm që I shërbejnë këtij qyteti të mrekullueshëm. Në 25 qershor, Bashkia së bashku me Edi Ramën dhe Arben Ahmetaj, do të vazhdojë punën e saj për të ndërtuar qendrën e Luzit, qendrën e Golemit, qendrën e Synejit, qendrën e Helmasit, ashtu sic ne bëmë qendrën e Kavajës” – tha Murati.
May 30, 2017 18:36
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*