Ai, tjetri në letërsi

March 13, 2018 12:49

Ai, tjetri në letërsi

Vjollca Dibra

(Vështrim mbi romanin “NILkon” të Fate Velaj’t, botuar nga Onufri, Tiranë 2017)

E para gjë që më ra ndërmend kur mora në dorë romanin “NILkon” ishte informacioni im i mangët për autorin. Krahasimi bëhet edhe më i rëndë, edhe më i vrazhdë kur kujtojmë faktin se është ky autor që në përmasë ndërkombëtare njihet pikërisht për përpjekjet, mëtimet dhe rezultatet e tij në terrenin e ndërkomunikimit kulturor e artistik midis popujve, racave e besimeve të ndryshme. Sa nis leximin e sheh se asgjë nuk të duhen shënimet gjenerale biografike e bibliografike, po të mban misteri i titullit-kompozitë: NILkon.

S’ka forcë t’i vë fre kureshtjes, aq më tepër kur stili joshës, sharmi gjuhësor dhe begatia figurative të tundojnë hovshëm drejt fundit. Drejt fundit të pafundmë.

NILkon-i (…kur Danubi e takoi Nilin) është pjesa e dytë e trilogjisë “Kreuztanne”. Rrjedha e veprimit nis në dekadën e parë të këtij shekulli, në Vjenë të Austrisë dhe përvijohet gjithandej përmes rrëfimit autorial, ose siç njihet ndryshe: narracion në ICH form. Mua më vjen më i saktë koncepti AI, tjetri.

Vitin e kaluar në Prishtinë u mbajt një konferencë albanologjike po me këtë temë. Unë s’kam punë me konferencën, po me Borges’in dhe Velaj’n. Derisa Borges’i e gjen atë tjetrin, Borges’in e letërsisë përballë vetes si një alter ego, Fate Velaj e ndërton dhe e prezanton atë tjetrin, kuratorin e ekspozitës “Arti përmirëson kohën”, ”Midis Danubit dhe Nilit” dhe projeksionin e tij në telajo “Kujtime nga e ardhmja”.

Analiza e mëtejme e kësaj proze, që autori e quan roman, pjesë të dytë të trilogjisë, më shpie në tentativën e shmangies së teorisë klasike. Unë e shoh si një rrëfim eseistik autobiografik, diçka që në aspektin e modernitetit e tejkalon konceptin teorik të romanit. Këtë gjë do ta thosha edhe në planin e strukturimit të kësaj vepre. Pjesët, pesëdhjetë sosh, më parë se kapituj do t’i quaja pamje ose skena, terma të gjuhës së teatrit, pikërisht për faktin se secila njësi ka një bërthamë dramatike që në kuptimin asociativ ndërlidhet me kohë, vende, personalitete e hapësira të ndryshme përgjatë së tashmes e deri në muzget e kohërave të vjetra.

Autori narrator këtu nuk bën të gjithëdijshmin si në prozën e përroit të ndërdijes, as shtrirjen e tiradave narrative të diskursit monoton kuazifilozofik, por shpërfaq mbresën personale karshi aktit personal ndanë të tjerëve dhe me të tjerët, pjesëtarë të popujve të ndryshëm, të kulturave të ndryshme, të arteve të ndryshme, pa iu shmangur madje as politikës për aq sa ajo ka pjesë në jetën e këtyre njerëzve e të këtyre popujve. Kujtojmë ngjarjen e 11 shtatorit (shembjen e kullave binjake), Marrëveshjen e Ohrit, Historinë e Operës “Aida” e shumë e shumë të tjera.

Në ritmin e leximit kjo vepër të mban pezull, fluror dhe të pandalshëm. Provon të nënvizosh një mendim: “E çuditshme – thashë. – Unë jam i përpirë nga kujtimet, nga e ardhmja, ndërsa ajo nga kujtimet nga e kaluara” (fundi i citatit), kur të shfaqet pasazhi tjetër: “Ndaluam përballë tyre. Pa folur. Një heshtje, që vinte nga mosgjetja e fjalëve përballë madhështisë dhe modestisë së tyre, mbizotëronte në ajër. U bëmë gati të flisnim. Asnjëri s’e hapi gojën. Ngelëm të shtangur para tyre” (faqe 243). Është skena para piramidave. Këtu autori ta dikton edhe ritmin e leximit dhe mu ku përfundon fjalia me pikë e sheh veten se po të mbahet fryma. Nuk më ka rënë të lexoj përshkrim më autentik ku ankthi i pamjes të reflekton drejtpërdrejt në brendësin e qenies.

Një karakteristikë e kësaj proze bie në sy edhe në ndërtimin e skenës, të situatës. Diçka nga teknika e filmit. Thjeshtësia e përshkrimit me fjali sa më të thjeshta e me detaje sa më të tëholluara. Kjo i bie se s’ke asnjë rast e rrethanë, në rreth 350 faqe, të të bëhet monoton dhe bezdisës. Sigurisht që në këtë plan ka punë e peshë dora prej mjeshtri e Fate Velaj.

As gaboj dhe as e teproj, ma thotë mendja, po të formuloj autorësinë e kësaj vepre si autorësi e artistit përpara se e shkrimtarit.

Erudicioni i Velaj‘t, formësimi dhe përvoja e tij, njohuritë e gjithanshme të arteve dhe kulturave të ndryshme të popujve dhe epokave të ndryshme e bëjnë atë një autor të kërkuar e të pritur nga lexuesit.

Dhe, vijmë të NILkon-i. E dimë tashmë Danubin. Dimë madje edhe për “Valsin e Danubit”. E dimë Nilin edhe vëllamërinë që krijohet në fushën e artit përmes ekspozitës në Kajro të Egjiptit. Ah, po. Fate Velaj, krahas brushës (ngjyrës) dhe lapsit (fjalës) ka edhe një mjet tjetër shprehës, aparatin fotografik, aparatin e firmës NIKON që në përqasje me Nilin, i merr atij vetëm një L, si një kujtim të mos-humbjes e të mosbjerrjes.

Nuk thoshin kot latinët e moçëm: “Ars longa, Vita brevis” (Arti është i gjatë, jeta është e shkurtër).

March 13, 2018 12:49
Komento

8 Komente

  1. demo March 13, 14:07

    Me mahnite,me cudite,me tromakse me Faten,moj Vjollca,si atehere kur u be Sudja, Rrokfelere

    Reply to this comment
  2. Angst vor Erblindung ... March 13, 14:52

    Gjithcka ka te bej me Letersine e lexoj me pasion.
    Ne fund te fundit lexojm ,per te ndryshuar
    kendveshtrimin tone perball ksaj Bote
    dhe natyrishte gjejme / zbulojme Horizonte te reja.

    Nji falenderim per Autoren e shkrimit .

    Fillova ta lexoj dhe nuk kaluan ala 1/4
    e shkrimit dhe pesova menjjiher nji ndjesi ,sikur
    ndodhesha ne nji aventure ,i ndodhur ne nji xhungel
    tipike aziatike ku me duar hapja fletet e gjetheve
    gjigande per te gjetur rrugen e orientohem si te dilja pertej ktij pylli te dendur me peme e figura nga me interesantet .
    Mbas nji mundimi jo te vogel ,ja dola te shikoja me ne fund Horizontin .Mbrita ne fund te dal gjetheve te dendura te xhungles qe ma benin te veshtire / aq konfuze shikimin drejt asaj se cfar me priste ne fund te xhungles . Me ne fund dallova ,nji portret te Fates ,
    nji liber ,then me qarte nji Roman te tij .
    Super .Do t’i uroja Autorit shume suxese .

    Reply to this comment
  3. info analitike March 13, 15:53

    Ishim mesuar me “Apologjine e Sokratit”, sot u dashka te moesohemi me “Apologjine e hicit”.

    Reply to this comment
  4. Letersia Moderne March 13, 15:59

    Une e kam lexuar romanin Nilkon. Madje dhe te parin. Jane mahnites. Me te bukurit qe kam lexuar. Kete e thone te gjithe ata qe kane shkruar per letersine. Blijini librat dhe nese keni kohe, shruani si kjo profesorja ime nga Prishtina. Fate Velaj eshte nhe realitet i ri letrar. Do shkruhet shume per risine e letesise se tij.

    Reply to this comment
  5. interesa intersante... March 13, 16:34

    sa keq ,
    qe s’na ilustrohet ktu me ndonji pjes te shkkrimit ,
    ndonji faqe X e Romanit ,
    te kishim nji i de me te qarte mbi Romanin ne fjale .
    keshtu do na shtonte interesin dhe pse jo blerjen !

    Reply to this comment
  6. Letersia Moderne March 13, 18:40

    – Roman
    Fragment nga romani:Pasdite shkova një orë përpara hapjes së ekspozitës në Institutin Egjiptian të Kulturës.Aty nga ora 18.30, pak e nga pak filluan të vinin të ftuarit e parë. Fillimisht erdhën disa gra që më dhanë menjëherë përshtypjen se duhet të ishin egjiptiane. Dukeshin hijerënda. Të stolisura. I shihja nga vendi ku isha, aty pranë pikturës “Shikim i vëngërt” i Robert Kabas dhe mendoja se duhet të ishin nga sërë e fisme e Egjiptit. Se ç’kishin një nur të veçantë qëndisur fytyrës. Atë shikimin e qetë përhumbur ngjyrave të pikturave, si dhe qëndrimin këmba mbi këmbë ulur në karrige me gotën e pijes në dorë. Salla filloi të mbushej. Miq të njohur e të panjohur ardhur dhe nga qytete të tjera të jepnin përshtypjen se ishin njerëz nga fusha e artit dhe kulturës. Dr. Omran qëndronte në sallon, duke pritur e falënderuar vizitorët dhe, me buzëqeshje, i drejtonte për nga salla ekspozitive që mbushej e mbushej përplot.Barbara erdhi e shoqëruar me dikë. Nuk e njihja. Ishte egjiptian.- Ky është Mostafa Abdalla Aly, korrespodenti i “Al Ahram”, gazetës më të madhe në Egjipt dhe dëshiron të zhvillojë një intervistë me ty, – tha ajo.- Me kënaqësi. Ndoshta e lëmë nesër a një ditë tjetër, mbas ekspozitës që të kemi më shumë për të folur, – iu drejtova atij.- Më mirë pas ekspozitës, – tha ai dhe nga xhaketa, nxori një kartëvizitë e ma dha. U dëgjuan tingujt e pianos. Ishte një vajzë që herë pas here vinte aty kur ata e thërrisnin për aktivitete. U thashë artistëve pjesëmarrës të mblidheshin pranë foltores.Diku mes të ftuarve, syri më zuri Ahmad-in. Kishte veshur tjetër këmishë të gjatë. Ishte e bardhë. Siç duket duhet të jetë rregulli ashtu, si protokollare thashë me vete tek e ndiqja kur me tabakanë plot pije lëvizte nëpër sallë duke u shërbyer të ftuarve në atë vapë të përngjashme me atë buzë Nilit. Erdhi tek unë. E pashë përsëri nga koka te këmbët. S’e kisha kuptuar akoma përse ai, qysh në fillim, më krijoi idenë se ishte vetë Egjipti. Gamilet e tij. Me një e me dy gunga. Uji i Nilit. Rëra e shkretëtirës. Kishte diçka që të mbante fiksuar me atë pamjen e tij, atë qafën e gjatë dhe lëvizjet e tij elegante si të gjirafës sa herë të zgjaste tabakanë, por që sot, nuk më tha të përhershmen: kafe, çaj apo lëng frutash?Mora gotën e ujit nga tabakaja e tij dhe iu afrova dr. Omran.- Ndoshta është momenti të fillojmë hapjen, – i thashë.,- Ja të presim dhe pak se po vjen ambasadori.Nuk zgjati shumë dhe ai erdhi.Iu drejtuam foltores.Dr. Omran trokiti disa herë te mikrofoni, si t’u thoshte njerëzve, “Vini re!”.Filloi të fliste me atë qetësinë e tij evidente, duke buzëqeshur e falënderuar të gjithë ata, egjiptianët e Vjenës, miq të Egjiptit e së fundmi, artistët.Erdhi radha ime. Nuk kisha emocione. Zëri më dilte kumbonjës. Isha i qetë e i shikoja thellë në sy pjesëmarrësit. U fola shkurt për idenë e urës lidhëse, ftesën e ardhur nga kjo sallë e ngrohtë atë ditë të ftohtë, kur dielli i parë i janarit çau atë cipën e trashë gri që për ditë të tëra e kishte bërë si anemik qytetin, ia kishte zverdhur e bërë njolla-njolla si gjethet e rrëzuara vjeshtës së kaluar fytyrën, duke e hequr këmbën zvarrë, mbërthyer fort nën dhimbjet e shiatikut e artritit të gjunjëve.Fillova të flisja për nismën e re që nga metropoli buzë Danubit do udhëtonte drejt atij buzë Nilit. Për artistët që iu bashkuan, e përqafuan dhe e shoqëruan idenë drejt kësaj salle e që në nëntor, do e çonin në Kajro. I prezantova të gjithë, një e nga një. Prejardhjet e tyre artistike, veprat e paraqitura. Robert Kabas qëndronte pranë dritares. Ia bëra me dorë të vinte të thoshte diçka. Më tundi kokën si mohim. Roberti është i heshtur. Me të mund të bësh një udhëtim rreth globit e ai të thotë fjalë sa për një faqe libri. Iu drejtova Klaus-Joachim Keller. Erdhi. Foli ato fjalët tipike për të, plot intermexo, si tingujt e muzikës që nxirrte violonçieli e tij sa herë e mbështeste atë te qafa. Në fund, fjalën ia dhashë Lakis Jordanopoulos, këngëtarit të grupit muzikor “Lakis and Achwah” dhe fytyrës së famshme të televizionit austriak i cili, prej shumë vitesh, moderon emisionin për të huajt të dielave.Lakis dukej që se kishte për herë të parë të folurën përpara publikut. Me atë buzëqeshjen poshtë mustaqeve nga ku dukeshin dhëmbët e mirëmbajtur, me atë xixën e syve që ndriçonte brenda syzeve me skelet kauçuku, me atë qëndrimin si ta përqafonte sallën, filloi të fliste për metropolet buzë Danubit, për Vjenën, Budapestin e qytete të tjera, miqtë artistë me të cilët kishte kënduar ndër vite, ardhur nga qytetet ku lumi muzikor i lag dhe herë pas here i përmbyt me tejngopjen e kulturës që mbiprodhon duke u përqendruar së fundmi te Vlora ime, ujërat blu të së cilit më ishin përzier fort me ato të kaltra të Danubit, si dhe me verdhësirat e Nilit.
    Lakis filloi të këndonte. Fillimisht u dëgjua si nën zë. M’u kujtua që atë këngë e kisha dëgjuar dhe herë të tjera në koncertet e tij. Zëri filloi t’i merrte tingujt e gurgullimave që dalin nga thellësia e ujërave të Mesdheut, diku mes ishullit të Sazanit, Korfuzit, Itakës, Kretës ose atij të Qipros, nga shkuma e dallgëve të së cilës u ngrit mbi det perëndia e bukurisë, Afërdita. Kërkova nëpër sallë nënën time që ka të njëjtin emër dhe sytë ma kapën ulur hijerëndë pranë grave egjiptiane. Vazhdonte Lakis të zinte në gojë njëri pas tjetrit emrat e ishujve të Mesdheut, ata që i dilnin përpara kur, me sy mbyllur, udhëtonte me këngën e tij rrugës për në Egjipt dhe i hapi ato në momentin që u përplasën me molin e Aleksandrisë. U kthye nga unë. Më kapi dorën. Më afroi pranë vetes. Fillimisht mendova se do të fliste për pikturat e paraqitura, por mbasi bëri një pauzë, filloi:- Mos e harro nga u nise!Mos e harro Vlorën! Ajo do të ngelet Itaka jote, – dhe, me dorën time akoma shtrënguar, me sytë e humbur diku, nëpër shkumën e bardhë të dallgëve të Mesdheut, drejtoi dorën tjetër nga piktura ime “Shtëpia buzë detit” që për herë të parë e prezantoja dhe, me sytë mbytur te ngjyra blu e thellë e saj, filloi të recitonte pjesë nga “Itaka”, poezia e Konstantinos Kavafis, poetit të madh nga Aleksandria e Egjiptit.
    …shko e shikoi qytetet e Egjiptit,
    por, mos e hiq Itakën nga sytë,
    rikthimi yt atje është i parapërcaktuar
    dhe, mos e merr me ngut udhën,
    le të zgjasë edhe disa vite më shumë,
    e të rikthehesh i plakur në ishull,
    i pasur në kujtime.

    Reply to this comment
  7. interesa intersante... March 13, 19:47

    Letersia Moderrne ,

    te falenderoj sinqerishte ,
    per korrektesen tende ,mbas kerkeses sime ktu ,
    per t’u njohur me mir , me stilin e shkrimtarit piktorit Fate . – Bukur –
    I uroj shume suxsese Fates .
    Ngaqe vleresoj shume korrektesine ke njerzit ,
    edhe njiher te falenderoj per prurjen e
    ktij Fragmenti te Romanit ktu .
    Klm.

    Reply to this comment
  8. lato March 13, 20:30

    Lyeje si te duash hajvanin, moj Vjollca
    Ne dac me shigjeta
    Por une qe jam i zanatit
    E dalloj nga zebra

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*