Ai u kthye më 9 maj

May 8, 2019 12:26

Ai u kthye më 9 maj

 Feride Papleka

(retrospektivë në përvjetorin e fitores mbi nazizmin)

 Ai u kthye më 9 maj 1945. Më 8 maj ishte mposhtur nazizmi hitlerian dhe ishte mbyllur kështu një kapitull i madh i barbarisë, më i madhi në historinë njerëzore. Ajo datë ishte një kufi që ndau epokën e apokalipsit me epokën e re të lirisë. Çlirimtarët festonin fitoren. Mes tyre ishte edhe babai im. Kjo histori nuk është fiksion (sajim ose trillim), por një realitet i vërtetë.

Partizanët shqiptarë të Brigadave Çlirimtare III dhe V e ndoqën nazizmin deri jashtë kufijve të Shqipërisë, në Sanxhak e Vishegrad të Jugosllavisë, duke marrë pjesë në operacionet e fundit luftarake të Europës për mposhtjen e tij. Ata kurrë nuk e kanë marrë me mend se ky ishte një gjest që do të hynte në histori.

Fitorja ishte e plotë në një luftë që kishte qenë e përgjithshme.  Në shtypin francez 8 maji është quajtur “faqja më e bukur e librit të jetës”. Ishte njëlloj sikur Europa po lindej për herë të dytë. Pesë vjet, 1939-1945, brezat e saj njerëzorë kishin udhëtuar përmes mynxyrës. Një kalvar i vërtetë që herë-herë i çoi buzë greminës së vdekjes.

Babai im, heroi im ishte arratisur nga shërbimi i detyruar ushtarak, duke iu përgjigjur thirrjes për liri. Ai pati shkuar fillimisht në Pezë, e cila ishte shndërruar në simbol, në një vatër që shpërndante dritën e luftës për liri dhe që andej ishte ngjitur në mal partizan. Emri i tij, kuptohet, duhet të jetë futur në listat e zeza të pushtuesit. Por, cili e mendonte rrezikun në ato kohëra të zjarrta? Ç’fat i madh ishte që të luftoje për Shqipëri!

Pushtuesi mbolli gjak e varre kudo që vuri këmbën. Por partizanët nuk u dorëzuan. Ata e kishin marrë vdekjen në sy.Qëllimi i tyre ishte liria dhe paqja, kurse qëllimi i nazistëve ishte skllavërimi ose zhdukja. Kjo kundërvënie ka ekzistuar madje edhe në zemër të hitlerizmit, në Gjermani. Në qytetin Ulm, Hans dhe SophieSchöll, vëlla e motër, me një shtypshkronjë të vogël artizanale përgatitën qindra e mijëra trakte, të cilët kaluan kufijtë e Gjermanisë për të frymëzuar ata që luftonin për paqe në Europë dhe kudo në botë. Dy të rinjtë u zbuluan, u arrestuan, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan ndër të parët për luftën e tyre të papajtueshme ndaj regjimit nazist.

Shtigje partizane të pashkelura; net nëpër pyje, herë të ngrënë e herë të pangrënë; marshim nëpër borë e tufan, të veshur keq; vrasje në kampin e tyre dhe në kampin armik; shkatërrime; agoni: ky ishte ditari partizan. Ndonjëherë terri nuk i linte të përparonin, herë të tjera drita e hënës u ndriçonte rrugën. Herë-herë krismat e armëve i hutonin. Plumbat pas shpine shpesh i bënin të ndryshonin rrugë. Kufomat e zhveshura dhe të masakruara të shokëve të tyre i mbushnin me urrejtje.

Çastet e tmerrshme të betejave të humbura dhe heshtja e hirtë e vdekjes që vinte pas tyre, sigurisht e kanë ligështuar zemrën e babait tim, por një zë i brendshëm i këngëzonte: “Kjo luftë do të marrë fund. Pas luftës do të vijë paqja. Do të ketë diell, lule dhe zogj. Do të ketë dashuri. Fëmijëve nuk do t’ua rrëmbejnë fëmijërinë. Gratë do të jenë të bukura. Pleqtë do ta gëzojnë pleqërinë. Bota do t’u përkasë njerëzve të lirë.” Kur betejat kurorëzoheshin me fitore, ai përjetonte një gëzim të natyrshëm dhe pastaj menjëherë hynte sërish në ferrin e luftës.

Babai im, heroi imfliste rrallë për veten dhe për veprën trimërore të brezit të tij. Atij lufta i ngjallte në shpirt neveri, sepse i sillte në mend marshimin mes plojës; ajrin e dendur me vdekje; humbjen e shpresës mes klithmave të ankthit e dëshpërimit; bombat që ia behnin andej nga nuk e prisje; horizontin që ndizej flakë;dhe më në fund këmbët e tij të gjakosura e të ngjitura në këpucë, dhimbja e të cilave nuk iu nda gjithë jetën: kujtim i përzishëm i luftës.

Nganjëherë, kur zinte të rrëfente, ai dukej sikur shfletonte faqet e një libri të padukshëm për një udhëtim që mund të ishte shndërruar në një natë pa kthim. Ai e jetoi jetën midis realitetit dheëndrrës. Pikëllimi për të vrarët, përzihej me lavdinë e fitores.

Njëherë përshkroi një marshim të gjatë në një luginë të shkretë, përskaj së cilëskalonte një lumë i thellë me ujë të errët që përplasej në brigje me uturima të frikshme; poratë lumëpartizanët duhej ta kapërcenin me çdo kusht. Dhe u kapën fort të gjithë me radhë pas një litari, ndërsa vala e pamëshirshme rrëmbente herë-herë ndonjë të pafat që ata nuk mund ta shpëtonin; secilin e përgjonte vdekja.

Njëherë tjetër ai kujtonte sesi mbërritën vonë në një grykë ku të priste era. Poshtë ishte një rrugë automobilistike nga do të kalonte në të gdhirë një autokolonë armike dhe partizanët do t’i zinin pritë. Por armiku që kishte ardhur fill pas tyre, natën, u doli nga pas e i rrethoi. Pra, ballistët, kolabot shqiptarë kishin njoftuar për aksionin partizan. Aty u vra gjysma e kompanisë. Një kasaphanë e vërtetë. Toka u bë e kuqe. Prandaj, shpesh babai im zhytej në dhimbje, duke kujtuar trupat e pajetë të shokëve, gjakun e tyre që rridhte bashkë me jetën.

Kush ia kishte vjedhur fatin babait tim dhe shokëve të tij? Mussolini, Konti Çiano, Hitler, Goebbels, Göring, Himmler, Ribbentrop e kompani, këta vrasës të shekullit XX? Çlirimtarët i donin agimet dhe muzgjet, gratë dhe fëmijët, lulet dhe zogjtë, e donin tokën, aromën e saj kur lëvrohej në agshol, kur ujitej muzgjeve nën rrezet e hënës, burimet që gjelbëronin bimët, rrugët. Por ata që donin shkatërrimin dhe vdekjen nuk flinin. Historianët pasi numërojnë një shumësi faktorësh që sollën Luftën II, nuk harrojnë t’i bëjnë psikanalizë idesë së çmendur të Hitlerit se vetëm gjaku arian ishte çimentoja e qytetërimit, i Kulturnation. Ky lloj universalizmi abstrakt që shkrimtari ThomasMann do ta quante “dëshpërimisht gjerman”, ishte një rrezik për të ardhmen e popujve.

Babai im, heroi im luftonte dhe i mbante ëndrrat në xhep. “Çfarë është jeta, – pyeste në heshtje -, çfarë është?”, por në përgjigje dëgjohej mbyturazi vetëm fjala vdekje. Në atë kohë vdekja kishte punë. Kishte raste kur ai dhe shokët e tij partizanë mendonin se lufta nuk do të mbaronte kurrë. Sepse lufta ishte bërë sinonim i ditëve dhe netëve: 1939-1945. Rrugët nga ecte ai dhe shokët e tij, ishin rrugë të shkretuara, të prera nga transhetë dhe tanket, rrugë që hanin jetët njerëzore.

Është fakt i ndritshëm që mes të ushtrisë ANÇ shqiptare, kishte me qindra vajza e gra trimëresha, romantike, ëndërruese, të dashuruara, veshur me uniformat e luftës, me kapele me yll të kuq, të vendosura për lirinë. Pjesëmarrja e gruas në luftën çlirimtare mbetet fenomeni më emancipues i krejt shoqërisë shqiptare. Ai është një nga pamjet më sublime të idealit partizan.

A e rifilloi jetën babai im me Çlirimtarët e tjerë dhe sidomos me burrat, gratë e fëmijët që mbijetuan nga kampet e vdekjes? Kjo është një pyetje që ka mbetur pezull gjithë këto vite të pasluftës. Ai dukej se përpiqejta harronte luftën, por ajo ishte një kujtim nga ato që nuk harrohen. Të tjerët, ata që nuk kishin qenë në luftë, nuk e kuptonin. Ata nuk mund t’i arsyetonin lotët e tij që binin nganjëherë pa dashur në mes të gëzimit. Armiku ia kishte vrarë gëziminatij dhe bashkëluftëtarëve të tij. Si mund ta harronte ai atë që i ndodhi kohës së tij të rinisë? Vitet kalonin njëri pas tjetrit, por koha e rinisë rrinte e veçuar, si një dëshmitare e përjetshme kujtimesh të përgjakura. Prandaj, në vitet efundit të jetës babai im, heroi im, thoshte shpesh: “Ah sikur të dinit një pjesë fare të vogël të asaj që kam jetuar në luftë”.

Atë ditë maji fjala FITORE dukej se qe shkruar në ballët e njerëzve dhe zgjatej tutje në eter. Fitorja u ktheu edhe shqiptarëve dinjitetin, sepse lufta e tyre u shndërrua në mision të shenjtë. Që pas vdekjes së Çlirimtarit të madhGjergj Kastrioti-Skënderbeu, ata kishin qenë të papërfillur, në anën e humbësve. Fataliteti historik nuk u ishte ndarë, dhe ja, ku po u qeshte fati të radhiteshin në krahun e fituesve të mëdhenj historikë. Rreshtimi në krahun Aleat, në luftë kundër nazi-fashizmit është një mit shqiptar i kohëve moderne. “Seç erdhi behari, ra një zi për ne, / Lule more trima që ratë për atdhe”, thotë kënga popullore. Unë jam krenare që edhe im atë ka pjesën e vet në këtë mit.

Më 8 maj rrugët e Europës lulëzonin me Çlirimtarë dhe me njerëz që e mbështetën luftën. Një poet europian për atë fitore ka shkruar poemëne çuditshme ku përsëriten vetëm tri fjalë : luftë, 1945, dhe maj. Atë ditë maji flamujt e fitores valëviteshin në çdo anë. Ishte ringjallur shpresa, megjithëse zemrat mbanin zi për jetët e shuara. Mes jetëve të shuara ishte edhe Ana Frank, viktima emblematike e planit nazist Shoah për çfarosjen e çifutëve. Ajo nuk e priti dot 8 majin e fitores, sepse vdiq nga tifoja disa kohë përpara se të çlirohej kampi i saj i internimit. Por la ditarin, që mishëron tmerrin që mbolli nazizmi, i parë me sytë e një fëmije. “Që nga Çlirimi unë nuk kam lexuar asgjë më të kulluar e më tronditëse se ditari i Ana Frankut”, thotë një anonim i viteve ’50, kur ditari u botua dhe u përkthye në shumë vende të botës. Ana ëndërronte të bëhej shkrimtare: “Përsëri kjo ditë gjë nuk më solli, dhe në errësirë ajo u transformua” (Ditari, AnnaFrank). NelsonMandela shkruan se kur e kishte lexuar ai dhe disa të tjerë në burgun e RobbenIsland në Afrikën e Jugut, kishin ndier “forcë dhe besim në karakterin e pathyeshëm të lirisë dhe të drejtësisë”.

Unë e përfytyroj se babai im kishte ndryshuar kur u kthye. Bashkë me gëzimin e fitores, thellë në shpirtin e tij lufta kishte lënë gjurmët e saj të pashlyeshme. Ai e gjeti shtëpinë të shkatërruar dhe të atin e vet të vdekur me emrin e tij në gojëmes dhimbjesh të forta, sepse në zonat e thella si Mallakastra as që mund të mendohej për mjek dhe ndihmë mjekësore, për shkolla e për spitale. Ai ishte gjyshi im që nuk e njoha, po ashtu unë nuk njoha as gjyshen, ajo kishte vdekur e re dhe e kishte lënë babanë tim jetim që 11 vjeç. Mbase është rasti që tërrëfej se edhe babai i mëmës time ra në luftë dhe unë nuk e njoha gjyshin tim nga nëna; as gjyshen nga nëna, ajo kishte vdekur shumë e re për një ndihmë fare të vogël mjekësore dhe e kishte lënë mëmën time jetime, kur ishte vetëm gjashtë vjeçe. Kjo tablo e dhimbshme dhe e zymtë nuk është e veçantë, shumë të tjerë kanë pasur këtë fat të zi.

Pra, kur u kthye im atë edhe krahina e Mallakastrës ishte djegur, si shumë fshatra dhe krahina të tjera të Shqipërisë. Atij dhe të tjerëve si ai u është dashur shumë forcë dhe shumë guxim të qëndrojnë e të vazhdojnë veprën e paqes, e cila u kërcënua pareshtur nga forcat që nuk e donin paqen e që më vonë solli pasoja të rënda e që u bënë të pariparueshme edhe nga faktorë të tjerë, të cilët mund të analizohen me objektivitet brenda kontekstit historik të asaj kohe.

Babai im, heroi im u kthye gjallë nga një luftë, e cila mori jetën e 50 e ca milionë njerëzve dhe gjymtoi rreth 20 milionë të tjerë. Ai shpëtoi për fije të perit disa herë prej plumbit armik. Fati deshi që ai të mos vritej e që unë të shkruaja këto rreshta në kujtim të tij dhe të 8 majit fitimtar.

 

May 8, 2019 12:26
Komento

5 Komente

  1. Dera May 8, 15:33

    Sa keq qe edhe ne vitin 2019 nuk di dhe nuk kupton se çfar ka ndodhur gjate L2B ne Shqiperi. Ky shkrim do vlente vetem per pionieret e kooperativave sovjetike para 50 viteve.

    “Konferencen” 1-ditore per fshaharet analfabete te Pezes e organizuan jugosllavet me udhezimet e Kominternit sllav bolshevik.

    Reply to this comment
    • besniku May 8, 22:16

      Mendim shume i vyer per rinine, qe ne pjesen me te madhe jane ne erresire, per sa shkruhet ne kete shkrim te te nderuares Feride Papleka.
      Si mos jene ne erresire kur shkolla i ka harruar heronjte.
      E nderuara Feride Papleka, ju falenderoj nga zemra per kete shkrim realist, qe te kthen ne te kaluaren, kur prinderit tane idealiste – realiste luftuan per lirine e punuan per rindertimin dhe ndertimin e atdheut, jo vetem me endra, idealizem , me zemer, por dhe me mendje, me dije, vullnet , ngulmim dhe dashuri per te.
      I perjetshem kujtimi i deshmoreve qe dhane jeten per liri, i perjetshem dhe i vleresur qofte ne breza lufta dhe puna e atyre qe vazhduan endren e deshmoreve , me te njejtin perkushtim, ne paqe, qe ndryshuan Shqiperine ne nje kohe te shkurter, nga nje vend gjysem feudal , nje shprehje gjeografike nga fuqite e medha , ne nje vend qe keto vende per 50 vjet u detyruan ta konsiderojne si nje kundershtar te denje , per forcat e tyre.

      Reply to this comment
  2. demo May 9, 01:29

    Hartim Dhidhaskalik!
    As gazeta murit e nje shkolle province,nuk ta pranon kete paravoli.

    Reply to this comment
  3. Dera May 9, 17:11

    Idealizmi eshte personal.

    Reply to this comment
  4. LAVDI May 11, 16:45

    KEENGE TALLAVA ne interpretimin e te ziut Demo ….DEMO rrinte kapardisur dhe grupi DeRRa, si gjithnje pa ndjenja te cdo artikulli jetesor e historik te ngjarjeve te LANCIT, edhe ne kete shkrim dinjitoz per vlerat kombetare e nderkombetare te LANCIT.Kenga e tyre me partitura balliste e dicka meshume neofashiste mbetet pacavure, kur gjithe populli sot nderon Deshmoret e Atdheut.Te pakten lexojine deri ne fund shkrimet e intelektualeve, historianeve, dhe kete te znj.FERIDE, te mesoni per LANCIN te kuptoni vehten
    se jeni antivlerat e shoqerise.
    Ata ishin kater trima, rrane ne beteje, dhe kenga e tyre mori dhene, u perhap si vetetime e flake dhe rreshtat partizane per liri, formuan ceta, batalione, brigata me rrini shqiptare per clirim
    Dhe e gjitha po të digjej
    Edhe të zhuritej fare
    Ndoshta bimë kjo tokë s’do të lindte
    Por do rriste partizanë…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*