Ai u tregua shok…

Ese nga Faslli Haliti February 11, 2016 08:41

Ai u tregua shok…

Klasa e tretë “A” kishte dy veçanti. E para. Në klasën tonë kishim vetëm një vajzë thuthuqe, por e shkëlqyer në mësime dhe një komunist, gjithashtu i shkëlqyer në mësime, sidomos në histori…

 

***

 

Po ç’ndodhi në orën e psikologjisë me profesor Zenel H?

Profesor Zenel H. për të forcuar autoritetin e tij para neve nxënësve, meqë e kishte kaluar moshën e pensionit; një e dy, me rast e pa rast, na thoshte se kishte qenë mësues i ish kryeministrit Mehmet Shehu të cilit i kishte shkulur disa herë veshin sepse ia bënte orën e mësimit rrëmujë. Kjo nuk kalonte pa ndikim te ne nxënësit. Në orën e tij ne rrinim sus. Por pyeste shoku ynë Fitimi M. se mësues i kujt kishte qenë profesori. Kur i lindte në kokë ndonjë kapriçio, Fitimi o e bënte o plaste. Dhe një ditë i hipi në kokë që, po ta ngrinte profesori i psikologjisë në mësim, ai do t’i thoshte me gjakftohtësi se, Fitim M. mungonte, se ishte dezhurn në mensë. E di më tha, po më ngriti sot profesori në mësim, unë e di se si do t’i them: Fitim M. mungon. Je në vete i them? Të them të drejtët s’ia vura veshin kësaj teke apo marrëzie të tij. Duket e pabesueshme, madje fare e pabesueshme aq e pabesueshme sa ajo ngjarje nuk besohet të ketë ndodhur. Duket se atë po e trilloj unë, pas dyzet e shtatë vitesh që nga viti 1959. Mos më besoni, vetëm më dëgjoni.

 

***

Sapo ra zilja për mësim, profesori i psikologjisë u fut në klasë. U ngritëm të gjithë në këmbë. Profesori u ul në katedër dhe hapi regjistrin. Skënder, kush mungon sot?, pyeti kujdestarin e klasës. Mungojnë dy nxënës profesor, tha kujdestari që raportonte mungesat. Mirë atëherë, tha profesori. Të ngrihet, në mësim Fitim M…. Fitimi u çua dhe tha me gjakftohtësi: Fitim Mati mungon, profesor, është dezhurn në mensë. Me gjithë gjakftohtësinë e tij, Fitimi prapë la një shenjë në fytyrë që e bëri profesorin e psikologjisë t’i lindte një fije dyshimi e cila sa vinte e trashej. Profesori i psikologjisë kishte mjaft sensitiv. Ai dyshoi. Dyshimi e bëri atë që të niste verifikimin. Numëroi   nxënësit që ishin prezent në klasë. Gjithsej ishim pesëmbëdhjetë nxënës të pranishëm, plus dhe dy nxënësit dezhurn në mensë, gjithësej shtatëmbëdhjetë nxënës. I numëroi për së dyti, së treti. Të tri herët i dilnin po shtatëmbëdhjetë nxënës. U bind se dyshimi i tij nuk ishte i kotë, por me baza.

 

***

 

Po ju shtatëmbëdhjetë apo gjashtëmbëdhjetë nxënës jeni, pyeti profesori që ishte bërë si shkumës në fytyrë nga zemërimi dhe fyerja. Ç’është kjo, pyeti veten profesori. Këta më pandehin matuf, meqë kam kaluar moshën e pensionit dhe pandehin se kanë të bëjnë me një të rrjedhur, pa memorie? Pyeti përsëri klasën. Sa nxënës jeni ju në klasë?

Gjashtëmbëdhjetë, profesor. Edhe në regjistër, po kaq jeni, po pse më dalin shtatëmbëdhjetë nxënës mua? Pesëmbëdhjetë prezent dhe dy në mensë, shtatëmbëdhjetë. Ç’më bëtë ju mua, tha Profesori i nervozuar në kulm, Nastradin Hoxha i cili, kur numëronte gomarët, i dilte gjithmonë një gomar mangët, sepse nuk llogariste atë mbi të cilin kishte hipur, kurse kur zbriste në tokë, gomarët dilnin tamam, sepse i numëronte të gjithë edhe atë që i zbriti. Klasa nisi të qeshte mbytazi dhe, pse i indinjuar thellë, profesori e fshehu zemërimin, nervozizmin, fyerjen dhe tendosi pak buzën, si për të qeshur. Klasa doli nga suspansa. U lehtësua. Ishte psikolog. Dinte të mos e tradhëtonte veten. Ai që u ngrit e tha në fillim se Fitimi mungonte, pikërisht ai është vetë Fitimi, mendoi me vete profesori dhe shtrëngoi nofullat, si të thoshte: Fitim, ja, mu këtu të kam dhe preku majën e lapsit. Kujt tjetri i interesonte, të thoshte se Fitimi mungonte? Askujt!, përsëriti me vete profesori. Hë Fitim, Fitim.., më merr për të lehtë ti mua. Nuk e di ti se sa peshoj unë. Por do të të dali boja pas pak. Ke për ta parë. Me mua hahesh ti?!. Kujtesën e kam fringo, tha përsëri me vete profesori dhe preku majën e lapsit. Mendoi të niste nga pyetjet. Në fillim pyeti klasën:

Gjashtëmbëdhjetë apo shtatëmbëdhjetë vetë jeni ju në klasë?

Shtatëmbëdhjetë, profesor… !, u përgjigj njëzëri klasa.

Ashtu?!

Atëherë nisi të pyesë nxënësit një nga një.

Të parën pyeti Vangjelicën, vajzën e vetme të klasës sonë kurse të fundit pyeti Thanasin, komunistin e vetëm të klasës.

Vangjelica, është Fitimi Mati në klasë?

Jo profethor!, u përgjigj thuthuqja.

Mirë. Ulu!

Pyeti kujdestarin:

Skënder, është Fitimi në klasë?

Jo profesor!

Mirë, e mora vesh,ulu dhe ti.

Po të pyes ty ithtarin e drejtësisë dhe kritizerin e padrejtësive, m’u drejtua mua me qesëndi, si duket e nuhaste përgjigjen time…. Pra, është apo nuk është Fitim në klasë?

Jo, profesor, ju përgjigja duke ruajtur mrekullisht qetësinë.

Të kuptova dhe ty, më tha profesori i ngrysur. Ulu!…

Dhe vazhdoi t’i pyeste të gjithë nxënësit me radhë, i nervozuar, meqë asnjeri nga nxënësit s’po i thoshte, po, profesor, ja ku është Fitimi në rreshtin e bankave nga muri në të djathtën tuaj, në bankën e pestë, pas Ermir D. Kisha përshtypjen sikur profesorit edhe nervozohej, por edhe i vinte mirë që nxënësit e ruanin shokun, nuk e zbulonin. Kujtonte vitet e veta të shkollës, kur ai dhe shokët e tij, nuk e tregonin shokun edhe pse ishte fajtor. Nxënësit kishin një kod të tyre se, kush tregonte shokun, quhej fuks, spiun i profesorit…

Pasi pyeti nxënësin e trembëdhjetë dhe mori përgjigjen, jo, profesor, Fitimi nuk është këtu, tha me zë të butë:

Të fundit po të pyes ty Thanas, si nxënës i kësaj klase, por dhe si komunist.

Është Fitim Mati këtu?

Jo profesor, tha Thanas D. Klasa mori frymë e lehtësuar. Doli nga një suspansë e gjatë, e tmerrshme. Të gjithë mendonim se Thanasi, si komunist, do të thoshte, po profesor, këtu është Fitimi, po kur ai tha jo, ne u gëzuam, sepse nuk e zbuloi shokun, edhe pse jo-ja atij, do t’i kushtonte, ai do të përgjigjej për të në organizatën Bazë të partisë…

 

***

 

Ra zilja. Mësimi mbaroi.

Ne u çuam në këmbë për t’i lënë vendin klasës tjetër, pasi na duhej të shkonim në një klasë më tej, në fund të korridorit, pasi mësimi bëhej me klasa lëvizëse: dilte njëra klasë e hynte tjetra.

Ne u drejtuam drejt derës, tentuam të dilnim…

Qëndroni aty!. Asnjeri të mos lëvizë, të mos dalë nga klasa, urdhëroi profesori. Secili të qëndrojë në bankën e vet. Fitimi bëri të hidhej nga dritarja, pasi klasa jonë ishte në katin e parë.

Dhelpër, i bërtiti profesori Fitimit. Mos luaj!. Dhe iu kujtua gjuetia e dhelprave me të atin. Kur hasnin në një dhelpër apo skile, zagarët e ndiqnin kurse ajo vraponte vetëtimë drejt gropës së saj. Me t’iu afruar zagarët skilja futej në gropë. I ati i vinte tymin gropës. Kur skilja e shihte se po e mbyste tymi, ajo ecte me nxitim drejt hyrjes nga ishte futur për të shpëtuar nga asfiksia, por sapo nxirrte kokën, i ati i vinte lakun në fyt. Kështu do të bënte dhe profesori me dhelprën Fitim M. Nuk do ti vinte lakun në fyt, sigurisht, po të tentonte të vraponte drejt derës, të dilte, të merrte korridorit, të vraponte drejt oborrit, të kapërcente murin rrethues të Liceut. Profesori do ta kapte Fitimin te dera, si dhelprën, do t’i shkulte veshin si Mehmet Shehut, nxënësit i tij trazovaç që ia bënte mësimin rrëmujë, që ishte bërë kryeministër dhe ai mburrej para nesh me të. Sidoqoftë duhet ta vërtetonte, nëse Fitimi ishte pikërisht ai, fajtori. Dyshimi nuk është argument, thoshte profesori me vete. Edhe krimineli, para se të jepet vendimin nga gjykata, quhet i pandehur, jo kriminel.

 

***

 

Një nga nxënësit e klasës tjetër që ngutej të hynin në klasë, hapi derën furishëm. Ishte Rolandi, flautisti më i talentuar i Liceut të cilin profesori, gjithashtu e kishte nxënës. Rolandi, po, do t’ma thotë të vërtetën, tha profesori dhe pyeti gjithë siguri:

Roland! Është Fitim M., në klasë?

Ne ia bëmë jo me dorë Rolandit.!

Jo, profesor, tha Rolandi!.

Të mora vesh dhe ty, tha i zhgënjyer profesori. Mbylle derën. Ik!.

Hapet dera prapë dhe futet në klasë profesori Shundi, profesori ynë kujdestar.

Profesor Shundi, më thuaj të lutem, është Fitim M., këtu?.

Ja ku e ke sa një derr…!, iu përgjigj profesori i rusishtes.

Profesori i psikologjisë nuk kishte dyshuar kot. Kur zbuloi se Fitimi ishte në klasë, u qetësua. Kjo ndodhi, mori ngjyrat e një testi për të si mësues psikologjie. Ai kishte pasur arsye të dyshonte. Dhe nuk kishte gabuar E kishte pikasur dhelprën me sinjalin e tij të psikologut, jo të lindur, por të fituar gjatë jetës si mësues psikologjie. Sapo Fitim M., kishte thënë se Fitimi, mungon, profesorit në çast i lindi dyshimi se Fitimi ishte pikërisht ai vetë. Dhelpra, tha me vete profesori. Këtu ndodhet një dhelpër, përsëriti ai me vete, me bindjen se do ta kapte patjetër në dhokan…

 

***

 

Të nesërmen u bë mbledhja e Këshillit. Për klasën tonë ishte marrë vendimi që të rregullonte lulishten e shkollës; Fitimi të përjashtohej pesëmbëdhjetë ditë nga shkolla, por jo nga konvikti, pasi ishte nga Peshkopia, shumë larg Tiranës. Kurse organizata bazë e partisë dhe byroja e shkollës kishin propozuar që komunisti i klasës sonë Thanas D. të përjashtohej nga Partia me motivacionin se «nuk ishte treguar i partishëm».

Nuk u tregua i partishëm, por ai u tregua shok, kishte thënë profesori i psikologjisë Zenel H. që gëzonte besimin e organizatës bazë të Liceut artistik «Jordan Misja»…

 

 

 

Lushnjë-Tiranë 1984-2015

Ese nga Faslli Haliti February 11, 2016 08:41
Komento

4 Komente

  1. tepelena February 11, 10:34

    Shume e dobet.

    Reply to this comment
  2. fshatari pafshat February 11, 13:11

    E zgjatur dhe sterzgjatur. Pacavure, si ne kohen e rrefenjave naive te gazetarise, dhe moralit tru-shpelares te diktatures te proletariatit.

    Reply to this comment
  3. demo February 12, 15:44

    Ne moshen 80 vjecare ke arsye te plote te mos na zhgenjesh me fabula edukative alla Edmondo de amici,Mbahu tek “njeriu me kobure”!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin