Akademia po mbytet, ne themi se po i lagen çorapet…

April 2, 2018 13:27

Akademia po mbytet, ne themi se po i lagen çorapet…

 

Prof. Dr. Fatmir Shehu

Akademia jonë u ngrit në vitin 1972 me qëllimin që ajo të paraprinte e të organizonte zhvillimin shkencor në vendin tonë. Sigurisht që Akademia nuk u ngrit në një boshllëk por ishte një proces që trashëgoi arritjet e deri atëhershme dhe që dilte si nevojë e kërkesave që kish vendi për zhvillim. Tanimë është vërtetuar katërçipërisht se pa zhvillimin e shkencës nuk ka as një zhvillim tjetër. Vetëm shkenca i siguron shoqërisë njerëzore plotësimin e kërkesave të saj gjithmonë në rritje. Madje është një thënie që vetëm kërkesat e shoqërisë njerëzore e çojnë përpara shkencën me dhjetëra universitete. Janë fakte të pa kundërshtueshme që mbas ngritjes së Akademisë së shkencës vendi pati mjaft arritje si në fushën e gjetjes dhe shfrytëzimit të pasurive nëntokësore ashtu dhe në atë të fushave të tjera si në bujqësi , ndërtim , arsim,  kulturë shkencë etj. Nuk mund të konsiderohen të vogla dhe të pa rëndësishme zbulimi i mjaftë rezervave gjeologjike dhe industriale si dhe vendburimeve të naftës dhe gazit, gjetja e shumë rezervave të ujit të pijshëm, zbulimi I shumë rezervave të kromit , bakrit, qymyrit etj, rritja e rendimenteve të produkteve bujqësore dhe sidomos misrit dhe grurit, projektimi dhe ndërtimi i bazuar në eksperiencën e specialistëve tanë të digave të fuqishme të hidrocentraleve dhe shfrytëzimi racional i energjive hidrike të disa lumenjve tanë, ndërtimi i rrugëve dhe hekurudhave, projektimi dhe realizimi i shpimeve super të thellë deri në rreth 7000 m të puseve të naftës dhe gazit bazuar tërësisht në eksperiencën e specialistëve tanë. Projektimi dhe realizimi I mjaftë objekteve të shfrytëzimeve minerale në kushte të vështira gjeologo-teknike etj. Edhe arsimi dhe kultura, u masivizuan dhe u ngritën në një nivel të tillë që gjithë ata që mbaronin arsimin e përgjithshëm dhe Universitar ishin të aftë të zgjidhnin të gjitha problemet që u dilnin në punë e sipër.

Kuptohet që arritjet janë rezultat i punës komplekse organizuese dhe paraprirëse. Akademia e shkencave në një formë apo në një tjetër lozte rolin e sajë dhe mendojmë që e kryente me përgjegjësi dhe mirë. Ajo përpunonte politika të zhvillimit të shkencës në të gjitha fushat dhe drejtuesit e saj si autoritete që ishin u zinte vend fjala dhe mendimet që jepnin sidomos në vendimmarrjen politike të kohës. Në këtë kohë nuk mund të themi se u ngrit vetvetiu një rrjet i gjerë institutesh shkencore që disa vareshin direkt nga Akademia disa nga Ministritë përkatëse të cilat e mbështesnin punën e tyre në këto institute si në studime dhe projektime . Ministritë nuk punonin me mendjen e ministrit etj por bazoheshin ne arritjet e studimeve dhe projektimeve. Po ashtu Akademia nuk ishte e shkëputur nga aktiviteti shkencor në fushat e ndryshme të ekonomisë. Unë psh kamë qenë anëtar i komisionit për problemet e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës që ishte pranë Seksionit të shkencave Teknike të Akademisë së Shkencave. Kësisoj, Akademia veç instituteve prestigjioze që kish në nomenklaturën e saj, kryesisht në fushën e historisë, gjuhësisë, dhe disa shkencave fondamentale nuk ishte e shkëputur nga fushat e tjera të ekonomisë një nga të cilat që ishte shumë e rëndësishme për kohën –ishte Industria e Naftës dhe gazit.

Akademia më tej pati dinamikën e saj sigurisht në më të shumtën në favor të atyre që kishin qëllim të merrnin tituj dhe rroga të mëdha. Unë nuk mund të them gjë tjetër veç se jam gati të ballafaqohem me këdo që dëshiron me studimet që kam bërë, me përgjithësimet, me projektet duke futur këtu projektet e puseve më të thellë të shpuar në vendin ton me thellësi deri 5000-6700m në kushte shumë të komplikuara gjeologo-teknike të cilët u shpuan me sukses në kushte të një mungese të theksuar materiale. Po ashtu edhe kohët e fundit, jam specialisti i parë shqiptar që projektova dhe realizova puset e parë horizontal në formacionet karbonatike. Këtu mund të themi se kompani të huaja që po shpojnë kohët e fundit në vendin tonë, jo vetëm që ka pasur raste që nuk e kanë realizuar projekt-thellësinë por dhe kostoja e punimeve është marramendëse. Po ashtu unë kamë mjaft botime në revista shkencore brenda dhe jashtë vendit dhe mund të quhem kampion i botimeve në fushën e teknikës dhe teknologjisë, ku i dyti pas meje është me dhjetëra artikuj larg meje. Po ashtu kam udhëhequr doktoratura, dhe shumë diploma si dhe kam dhënë për një kohë të gjatë leksione leksione për rifreskimin e specialistëve të lartë që kanë punuar në kantier në industrinë e naftës dhe gazit. Kësisoj, kjo tregon se me rrjedhjen e kohës Akademia i ka centrifuguar anëtarët dhe bashkëpunëtorët e saj – ata më të mirët i ka nxjerrë jashtë si të “rrezikshëm” dhe të pa nevojshëm.

Akademia duhet të jetë produktive dhe të ketë kompetencë dhe ekspertizë maksimale për atë që trajton. Ajo duhet të ketë institute shkencore që mund të punojnë sipas programeve që të paraprijnë zhvillimin e vendit apo dhe programeve që sigurohen në bashkëpunim me institutet apo të interesuarve publikë apo privat të tjera europianë dhe botërorë, pse mos. Për studimet që bëhen në kuadrin e interesave të vendit, akademia mund të financohet nga të interesuarit – qoftë privatë, qoftë publikë. Sigurisht me programe të detajuara, ku të dalë i qartë kontributi i studimeve në kuadrin e interesave që ekspozohen nga të interesuarit. Parimisht dhe konkretisht asnjë shpenzim publik nuk duhet të bëhet nëse studimet nuk do jenë fizibël për interesin që paraqitet. Dëgjojmë se bilanci financiar i akademisë është në nivelin që nuk justifikohen dhe pagat – është për të vënë duart në kokë. Këtu duhet të kemi parasysh se Akademia duhet të mbulojë dhe interesat që ka kombi apo shoqëria për studime që nuk kanë të ardhura të dukshme siç janë ato albanologjike, historike, gjuhësore, etj. Këto studime dhe të ngjashme me këto Akademia duhet të gjejë burimet e financimit dhe mënyrat e gjetjes së tregut që interesohet dhe mund të financoi. Këtu ka vlerë ajo që themi se Akademia duhet të gjejë mënyrat që të vetë financohet duke investuar edhe për studime me efekte të interesit Kombëtar duke gjetur fitime nëpërmjet studimeve dhe projekteve që janë fitimprurëse. Akademia duhet ta repartizojë aktivitetin e saj në dy drejtime kryesore: në ato drejtime që sjellin fitime dhe vetëfinancim dhe në ato drejtime që janë studime që realisht nuk sjellin një fitim financiar, por përmbushin interesat që ka kultura dhe historia e Kombit.

Me globalizimin e Botës, shkenca ka hapësira të mëdha bashkëpunimi dhe fitimi, vetëm këtu kërkohet zotësi dhe jo llafe. Vetëm për nanoteknologjinë apo për fusha të ndryshme interesi në masshtabe evropiane dhe bote ka fonde të pa llogaritshme. Pse mos Akademia jonë të mos marrë pjesën që mundet në këto fonde. Izraeli siguron të ardhura kolosale nga projektimi dhe ndërtimi i droneve të ndryshëm. Atëherë punë ka por më vështirë është që të gjesh njerëz të zotë që punojnë dhe që fitojnë. Këtu do përdorur paradigma: ja sheshi , ja mejdani. Akademi që të mburret vetëm me pjesëmarrjen në simpoziume, me aktivitete të ndryshme promovimi etj (edhe këto nuk i përjashtojmë) nuk është fare akademi. Akademia jo vetëm rrogat e saj por dhe investimet që i duhen për laboratore, impiante pilote etj duhet t’i sigurojë nga aktiviteti i saj, madje dhe te sigurojë fitime dhe me taksat që duhet t’i japë shtetit dhe shoqërisë të jetë e nderuar. Akademia duhet që të shohë mundësitë që të aktivizojë në forma të ndryshme kapacitete intelektuale që ka në vendi, pse mos dhe jashtë shtetit duke u krijuar kushte të caktuara për të zhvilluar shkencën dhe teknologjinë. Po ashtu Akademia duhet të “gjuajë” problematikën që ka bota dhe investimet që alolokon ajo për zgjidhjen e tyre si dhe të ketë të qarta trendet shkencore që kanë vendet e ndryshme dhe të marrë masat e të krijojë mundësi që dhe shkenca dhe teknologjia në vendin tonë të eci sipas këtyre trendeve.

Akademia, e ka për detyrë që të jetë me një autoritet të padiskutueshme sidomos në ato drejtime që kanë të bëjnë më fatet e Kombit. Në lidhje me natyrën honorifike të Akademisë duhet thënë që nderi krijohet, nuk dhurohet. Akademia do ketë dhe persona që e kanë krijuar nderin me verat e tyre dhe mund të jenë si ata pleqtë që vihen në qoshe dhe dëgjohen me vëmendje kur flasin sepse ata janë burime eksperience. Thënia rrëno për me tregue – ka shumë vlerë dhe është një aset i madh që një komb ka njërës të ditur e të nderuar që nuk vdesin shpejt por janë “rezervuarë” eksperience dhe mençurie. Akademia nuk ka pse ti nxjerri jashtë “nomenklaturës” së saj aq më shumë kur ata e justifikojnë, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë të nderuar – nga të cilët mund të përmendim si shembull Prof. Kristo Frashërin, Prof. Alfred Uçin etj. Njerëzit e nderuar dhe të moshuar janë nderi ë shkencës dhe nuk duhen diskriminuar sa të rrojnë, se me pakicën që përfaqësojnë ata kanë vlerën e floririt.

Unë kam shumë respekt për nivelin intelektual dhe eksperiencën komplekse të Prof. Gjinushit . Ai ka eksperienca poliedrike dhe mund të jetë një kontributor i mirë bashkë me grupin e punës në zgjidhjen e këtyre problemeve. Ka shumë vlerë dhe konsultimi që është bërë nga grupi i punës që kryesohet nga Prof. Gjinushi me Akademi të tjera të Europës. Eksperienca për mua është prioritare. Sigurisht as gjë nuk ka të përkryer, por t’i afrohemi të përkryerës se këto tridhjetë vjetët e fundit jemi larguar keqas. Akademinë dhe çdo gjë tjetër, nuk e bën dot vetëm një njeri sa do intelekt dhe me eksperiencë të jetë. Mirë do ishte që të prononcoheshin në kohën e duhur akademikët aktualë. Po ashtu, akademiku I nderuar Fuga, ka mendimet e tij që aq sa janë të arrira s’ka pse të mos merren parasysh. Këtu ka vend që mendime të jepen nga më të diturit e vendit për ta përkryer këtë zgjidhje të këtij problemi që me sa di është iniciativa e Kryeministrit. Por unë e quaj fatkeqësi kur një problem që duhet zgjidhur, futet në kalendrat greke. Më mirë është një hap praktikë se sa një duzinë programesh. Fan Noli dikur ka thënë : Kombi po mbytet , ju thoni se po i lagen çorapet. Edhe tani mund të thuhet Akademia ka kohë që po fundoset, dhe thuhet dale se po shpejtohemi. Shkenca është një nevojë e domosdoshme dhe do vënë në vendin që i takon.

April 2, 2018 13:27
Komento

4 Komente

  1. katarakti April 2, 14:10

    Ajo akadamia e leshit nuk sherben me per asgje. Boll ky shtet dhe ky popull duke mbajtur ne kurriz lloj lloj parazitesh. Sikur po na bejne vezen e kuqe. Njehere dalin keta te Teatrit “Kombiar” qe duan te hane qyl gjithe jeten. Ne emer te kombetarizmit! Tani na dilkan keta shkencetaret e qametit! Boll keni shire ne kohen e komunizmit. Tani kapni kazmen a lopaten dhe punoni. Po te ishit aq te mençur e te ditur nuk e kishit lejuar kete vend te shkonte ne buze te gremines. Shqiperia nuk ka nevoje me per ju. Ndofta pas 20 vjetesh, kur ta kete marre disi veten mund te shpenzoje edhe per te ju mbajtur ju. Tani mesoni te beni djathe, rrisni blete apo beni ndonje pune tjeter. Boll me ju se keni 25 vjet qe e ndritet!

    Reply to this comment
  2. Plaku Xhuxhumaku April 2, 14:20

    Or zoteri, po edhe ju te gazetes, qe i botoni brockullat e kujtdo qe ju shkruan, hajde se ato vetelevdatat e ketij profesorit po i kalojme, e po i pranojme, po nuk e dini ju o njerez se edhe Kristo Frasheri edhe Alfred Uçi kane kohe qe kane shkuar tek te shumtit, e ky na i ben te gjalle e te shendoshe? Tobe estarkfurrullah,

    Reply to this comment
  3. Arber I April 2, 21:13

    Parimi baze i reformimit te Akademise se Shkencave eshte te kthehet nga nje institucion parazit akademikesh e profesoresh ne nje shtepi te madhe botuese dhe shperndarese te veprave te verteta shkencore nga te gjitha fushat e jetes. Ky parim duhet te shtrihet ne te gjithe sistemin e kualifikimit shkencor te punonjesve t\] arsimit dhe shkences, duke nxitur
    punimet shkencore per marrjen e gradave Doktori Shkencave, Prof. As, Prof dhe Akademik, por keto grada te mos paguhen, pasi pedagoget dhe punonjesit shkencore te paguhen sipas vendeve te punes dhe jo sipas gradave qe kane marre. Gradat jane nje tregues me shume vlere ne CV (biografine shkencore) te kandidateve per nje vend pune ne institucionet arsimore dhe shkencore, por shteti ka detyre te paguaje veprat e tyre me vlera te verteta monetare qe mund te shkojne deri 100.000 dollare apo euro. Pagesa sipas gradave e ka cuar ne gjendje amullije kerkimin shkencor: njerezit marrin gradat paguhen sipas tyre deri sa vdesin dhe flene gjume. Jo, shteti te paguaje pergatitjet, botimet dhe shperndarjet e veprave shkencore. Per kete arsye une mendoj se aparati i Akademise se Shkencave te kete Kryetar -Kryeredaktor , 3 zv/kryetare-zv/ kryeredaktore: nje per shkencat albanologjike, nje per shkencat e natyres dhe nje per shkencat teknike, gjeologjike e mjekesore etj. Te tre zv/kryetaret te kene redaksite e tyre me 3 redaktore specialiste, 1 korrektor, nje faqoses, nje magazinjer dhe nje shperdares. Keto struktura do te kene padyshim mbeshtetjen e sektorit te Finances dhe te mirembajtjes sic eshte edhe sot. Keshtu, per mendimin tim (pasi e njoh shume mire) Akademia e Shkencave do te kthehet ne botuese dhe promovuese e pazevendesueshme e veprave shkencore.

    Reply to this comment
  4. Geri ING. April 4, 01:47

    Profesor Fatmiri Kam pasur Nderin te punoj me Ju ! Jeni kuader i paarritshem! Keni hartat gjeologjike te te gjitha burimeve minerale te Shqiperise 50 vjet pune! I kam Pare me syte e mi! Fjala juaj eshte gur per ate qe eshte gjysem bosh dhe mjalte per ate qe eshtegjysem plot! Zoti te Nderofte!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*