e përditshme info-analitike
Universiteti Marin Barleti

 

Akreditimi i universiteteve publike e private do nisë nga e para

7
Pranvera Kola
Postuar më: 24 Shtator, 2013 tek Aktualitet
studente

Për të rikthyer besimin në vlefshmërinë e diplomave të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private, procesi i akreditimit për vlerësimin e programeve universitare do të zhvillohet nga e para. Polemikat e shfaqura prej vitesh mbi cilësinë e diplomave, të cilat janë bërë më të dukshme veçanërisht me lulëzimet masive të universiteteve private në vend (brenda një harku të shkurtër kohor), janë pikënisja e vendimit të marrë nga Ministria e arsimit dhe Sportit për të rikthyer mbrapsht procesin e akreditimit në të gjitha strukturat e arsimit të lartë.

Ndonëse nuk janë specifikuar detaje konkrete, burime pranë Ministrisë së arsimit bëjnë me dije se kjo procedurë do të rikthehet me qëllim që të rrëzohet miti ndërmjet diplomave të vlefshme dhe të pavlefshme, sa i takon cilësisë së prodhuara nga fakultetet publike apo private. Në këto kushte, pavarësisht faktit se një pjesë e mirë e institucioneve të arsimit të lartë (kryesisht private) pretendojnë se i kanë tejkaluara të gjitha hallkat e procesit të akreditimit, atyre do t’u duhet të përfshihen nga e para në procesin e vlerësimit të cilësisë. Vlerësimi sipas burimeve në dikasterin e arsimit do të përfshijë nga e para të gjitha ciklet e studimeve, si në programet 3-vjeçare të nivelit “Bachelor”, ato të nivelit të dytë “Master”, si dhe ciklin e tretë të “doktoraturës”, të cilat do t’i nënshtrohen kontrolleve më të rrepta sa i takon cilësisë.

Në këto kushte, edhe universitetet që mendonin se e kishin klauar klasën duke fituar procesin e kreditimit do të jenë pjesë e rivlerësimit. Për të verifikuar gjendjen aktuale në të cilën ndodhen të gjitha institucionet e arsimit të lartë, ekspertët bëjnë me dije se brenda një harku të shkurtër kohor do të nisë procesi i auditimit në çdo fakultet.

Ndërkohë që ende nuk ka një konfirmim zyrtar sa i takon agjencisë që do të kryejë këtë proces, nëse do të jetë agjencia publike e akreditimit (ajo ekzistuese), apo do t’u besohet procesi i vlerësimit ekspertëve të huaj. Megjithatë, theksi vihet në faktin se ky proces për rivlerësimin e programeve që ofrojnë universitetet publike dhe private do të bëjë një renditje të shumëkërkuar të institucioneve të arsimit të lartë që duhet të përzgjedhin studentët.

Nëpërmjet rivlerësimit synohet që të rikthehet besimi tek studentët në listimin e universiteteve më cilësore për të vijuar studimet e larta, për të tria ciklet e studimit. Ndërsa diplomat e lëshuara prej tyre do të jenë të pranueshme në tregun e punës. Rikthimi i procesit të akreditimit pritet të mbartë edhe një kosto të lartë financiare për shumë nga universitetet, të cilat e kanë kaluar procesin e akreditimit. Në kushtet e detyrimeve që parashikon për muajt në vijim ndjekja e reformës së re, këto universitete vihen përballë humbjeve financiare, (pasi ato e kanë mbaruar akreditimin).

Kjo pasi këto institucione për të marrë pjesë sërish në procesin e vlerësimit të cilësisë duhet të shlyejnë detyrimet përkatëse që rrjedhin nga vlerësimi. Në raportet e publikuara prej agjencisë Publike të akreditimit, rezulton se të gjitha nstitucionet e arsimit të lartë privat, për pjesën dërrmuese të programeve të tyre e kanë përmbyllur procesin e akreditimit. Sa i takon strukturave publike rezulton të jetë vetëm Universiteti Ushtarak “Skënderbej” si i akredituar, teksa në përmbyllje të procedurave të nisura është edhe Universiteti Politeknik.

Por me zhvillimet e fundit, ku rregullat pritet të ndryshojnë nga Ministria e Arsimit, edhe këto universitete do t’i nënshtrohen procesit nga e para. Ndërsa Universiteti i Tiranës që rezulton të jetë edhe një ndër institucionet me kërkesat më të larta për studime, qysh herët ka refuzuar të kryejë këtë proces, duke argumentuar faktin se strukturat publike nuk mund të garojnë me institucionet private që në tre apo katër vjet janë shndërruar në universitetet që fabrikojnë diploma.

 

Raporti i munguar mbi cilësinë  dhe problemet me diplomat

Skandalet e ndodhura me cilësinë e diplomave të lëshuara nga strukturat e arsimit të lartë gjatë viteve të fundit kanë qenë të shumta, kjo veçanërisht në strukturat private. Megjithatë, pothuajse të gjitha rastet janë kaluar në heshtje dhe me penalitete sa për të thënë. Nuk janë të pakta rastet në të cilat studentët e diplomuar pranë strukturave private janë vënë përballe polemikave të mëdha, për shkak të refuzimit të diplomave nga tregu i punës. Ndonëse paradoksale, Ministria e Arsimit dhe Agjencia Publike e Akreditimit nuk e kanë kryer punën e tyre siç duhet, pasi janë kujtuar vetëm në dy vitet e fundit për të bërë publike here pas here nëpër faqet e tyre të internetit dhe listën me programet e licencuara dhe akredituara që ofrohen nga universitetet private.

Ndërkohë që në asnjë rast nuk është bërë publik një raport konkret, që detajon ecurinë e zhvillimit të arsimit privat, institucionet e të cilit në pak vite janë shtuar si kërpudhat. Një raport i tillë ishte paralajmëruar për t’u bërë publik rreth tre muaj më parë, gjë e cila nuk ndodhi, pavarësisht deklaratave të bëra nga zyrtarët përgjegjës të Ministrisë së Arsimit.


7 Komente


  1.  
    sabi

    Shkollat private duhet te mbyllen pasi nuk e kryejne funksionin si institucion arsimor,por si taksambledhes te shkelqyer.Me vjen keq per ata prinder qe mendojne se nje shkolle e larte do i jape nje te ardhme femijes se tyre edhe pse ai me zor ka kaluar te mesmen.Duhet te kthehet perseri provimi per te hyre ne universitet sic ishte ne 2004.Duhet gjithashtu te rikthehet mentaliteti qe “Pune pune behet mur” e jo “hajt se po bejme nje shkolle private se miku qe kam do me gjeje pune”.Mbaj mend qe kur kam filluar une universitetin publik me provim hyres,sa ishin hapur keto privatet dhe te gjith ata qe nuk fitonin tek publiku shkonin te privati.Pastaj erdhi ne pushtet z.Kaos qe shkaterroi gjithcka e sidomos shkollen e larte duke i futur te gjithe ne shkolle edhe ata qe flinin ne klase ne gjimnas e qe cdo vit shkollor e benin nga dy vite kalendarike.




  2.  
    timi

    Shqiperi si vend I vogel qe eshte I del dhe I mjafton UT (Universioteti shteteror I Tiranes dhe le te shnderrojme univesitetet ne rreth ne dege te UT ne emrat Univesiteti I Durresit, I Vlores I Korces apo I Gjirokastres apo universiteti I Shkodres….dhe ti fuqizojne me staf profesionist dhe mjete e logjistike…duhet te marrim shembull Norvegjine….nuk ka 1000 universitetete si ketu te ne e lloj lloj privatesh qe as ne Mal te Zi nuk ia njohin diplomat. le ta bejmeuniversitetin tone UT si universiteti norvegjez qe t’i kthehet dinjioteti, serioziteti dhe prestigji dhe njohja nderkombetare e diplomes.




    •  
      dori

      E drejte persa thuhet me lart. Ka universitete qe kane marr me qera shtepi private dhe bjene sikur zhvillojne mesim. por ka edhe nga ata qe i permbushin te gjitha kriteret dhe kane studente qe me te vertete mesojne shume dhe cdo note e kane me djersen e tyre ashtu sic ka edhe studente qe studjojne ne universitete publike qe nuk kapin liber me dore dhe e kalojne klasen, por te pakten atje ka nivel dhe diploma e shtetit eshte me e kerkuara edhe per nje vend pune. megjithese une personalisht kam mbaruar shkollen e larte ne shtet , aktualisht jam ne master dhe sa kerkesa kam bere prape asgje ne vije skam.ka universitete private qe as nga infrastruktura nuk permbushin kerkesat minimale ose cdo gje qe kane e kane siperfaqesore se ne thelb jane si ato kokrrat e molles te bukura nga jashte e te krimbura nga brenda .psh. ne akademine pedagogjike te tiranes zhvillohet mesim vetem te shtune e te djele dhe jo gjate javes . gjithe javes ndertesa eshte bosh. dhe mos mendoni se eshte licensuar part time.po kjo akademi ka kohe qe deklaron se eshte e akredituar dhe ne fakt nuk eshte , nuk di ke te besosh sot……. nuk doja te kaloja ne emra por kur shkova atje per nje interviste pune atje ishte si germadhe ….as ere universiteti nuk mbante




  3.  
    klodi

    Eshte e vertete qe ka shume universitete qe japin diploma fallco por ka edhe universitete ku punohet shume dhe cdo gje arrihet me ane te punes.Mendoj se duhet te kete me shume kontrolle nga shteti por te filloje i gjithe procesi nga e para duke djegur keshtu edhe universitete serioze eshte e padrejte.Ndekohe qe ekziston blerja e diplomes apo e notes edhe tek UT.





Lini nje pergjigje

(e domosdoshme)