Aksidentet e sëmundjet profesionale, detajimet për llojet e pensioneve

Pranvera Kola March 5, 2013 09:45

Aksidentet e sëmundjet profesionale, detajimet për llojet e pensioneve

Shpeshherë mungesa e informacioneve ka penalizuar shumë persona, të cilët pavarësisht plotësimit të kushteve, nuk kanë mundur të përfitojnë mbështetjen financiare që rrjedh nga skema e sigurimeve shoqërore në rastet e aksidenteve apo sëmundjeve profesionale. Aktualisht në legjislacionin e sigurimeve shoqërore përcaktohet se skema lejon ndarjen e të ardhurave nga dega e sigurimeve të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale.

Sipas përcaktimeve të bëra, të drejtën për të përfituar nga kjo skemë e kanë të gjithë ata persona që për shkak të aksidentit në punë ose sëmundjes profesionale, humbasin aftësinë për punë. Katër janë llojet e të ardhurave që përfitohen në këtë rast.

Konkretisht bëhet fjalë për “të ardhura për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë apo sëmundja profesionale, të ardhura për invaliditet të përhershëm nga aksidenti në punë, si dhe sëmundje profesionale, të ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm, e të ardhura për paaftësi të përhershme në masë të vogël, e cila jepet për të gjithë ata persona që janë aksidentuar në punë ose që vuajnë nga sëmundjet profesionale”.

 

Pagesa e paaftësisë së përkohshme

Sa i takon kushteve të përfitimit detajohet se: “Pagesë për paaftësi të përkohshme nga aksidenti në punë ose sëmundjet profesionale përfitojnë vetëm të punësuarit, të cilët duhet të verifikojnë me anë të dokumentacioneve të paraqitura statusin e paaftësisë së përkohshme. Kjo e fundit konfirmohet nga raporti specifik që lëshon spitali ose komisioni i posaçëm në një afat kohor deri në 12 muaj.

Për të mos rrezikuar përfitimin e këtyre të ardhurave duhet depozituar e plotë dosja me dokumentet e kërkuara.

Në përmbajtje të saj dosja duhet të ketë:

Raportet mjekësore për aksident në punë, proces-verbali tip i aksidentit në punë, i cili plotësohet nga subjekti dhe konfirmohet nga Inspektorati Shtetëror i Punës, formulari i bazës së vlerësuar të tri viteve të fundit të punës (ky dokument plotësohet nga sektori i financës së subjektit)”.

Më tej sektori i financës së subjektit, mbështetur në dokumentet e kërkuara plotëson formularin tip-Listë-pagesë të përfitimeve afatshkurtra dhe e dërgon atë në Agjencinë Rajonale të sigurimeve shoqërore ku ushtron aktivitetin. Do të jetë kjo agjenci, e cila pasi të kontrollojë dhe verifikojë dokumentet, do të bëjë të mundur kalimin e pagesave në llogaritë personale bankare të përfituesit, ose në atë të subjektit. Ndërkohë sa i takon masës së përfitimit detajohet se ajo do të jetë sa 100 për qind e mesatares ditore të bazës së vlerësuar, të tri viteve të fundit kalendarike. Kjo masë përfitimi do të vazhdojë të ndahet deri në 12 muaj.

 

Pagesa e paaftësisë së përhershme

E ardhura për invaliditet të përhershëm në punë ose sëmundje profesionale, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 67 për qind të aftësisë për punë, e vërtetuar nga raporti që jep komisioni i vlerësimit të paaftësisë, është e barabartë me 80 për qind të pagës mesatare të 3 viteve të fundit të punës, por jo më pak se niveli minimal i standardit të jetesës.

Personi që përfiton të ardhura për invaliditet të përhershëm në punë ose sëmundje profesionale dhe ka nevojë për një kujdesje të vazhdueshme nga një person tjetër, sipas vendimit të komisionit, i jepet një pagesë shtesë prej 15 për qind të bazës së vlerësueshme. Ndërsa në rastet kur ka në ngarkim fëmijë deri në moshën 18 vjeç ose deri në moshën 25 vjeç, kur vazhdon studimet e larta, i jepet një e ardhur shtesë familjare për çdo fëmijë në masën 5 për qind të pensionit bazë, por jo më shumë se 30 për qind të tij.

 

Pensioni i pjesshëm i përhershëm i invaliditetit

Për të përfituar pension të pjesshëm të përhershëm invaliditeti, përfituesi ose i autorizuari me prokurë paraqitet në Agjencinë Lokale të Sigurimeve Shoqërore (ALSSH) të vendbanimit, sipas regjistrimit në gjendje civile, për të bërë kërkesën e përfitimit të pensionit të pjesshëm të përhershëm të invaliditetit dhe për të marrë udhëzimet e nevojshme.

E ardhura për invaliditet të pjesshëm të përhershëm në punë, që ka shkaktuar të paktën humbjen e 33 për qind të aftësisë për punë, e vërtetuar nga Komisioni i vlerësimit të aftësisë për punë, është e barabartë me një pjesë të 80  për qind të pagës mesatare të 3 viteve të fundit, në varësi nga shkalla e humbjes së aftësisë për punë, por jo më pak se 50 për qind të saj.

 

E ardhura për paaftësi të përhershme në masë të vogël

E ardhura për paaftësi të përhershme llogaritet jo në masë më të vogël se sa 33 për qind, por më shumë se 10 për qind. Edhe në këtë rast vërtetimi duhet bërë nga komisioni i vlerësimit të aftësisë. Kjo lloj pagese është një shumë të hollash që jepet menjëherë dhe caktohet në përputhje me Rregulloren e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

 

Pranvera Kola March 5, 2013 09:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim