Akt-Akuza: Xoxe ngriti gjyqe speciale për kundërshtarët, pushkatoi dhe dënoi 200 persona

Kujtim Boriçi April 13, 2013 14:20

Akt-Akuza: Xoxe ngriti gjyqe speciale për kundërshtarët, pushkatoi dhe dënoi 200 persona

Ekskluzive / Dosja ‘sekrete’ e gjyqit të Koçi Xoxes dhe bashkëpunëtorëve. Akt-Akuza e datës 7 maj 1949, e firmosur nga Bedri Spahiu për terrorin e urdhëruar mbi popullsinë dhe bashkëpunimin me Titon kundër interesave të Shqipërisë.  

 

“Arrestimi me plan: Në Shkodër 10, Shkodër-Rreth 15, Koplik 15, Lezhë 15, Mirditë 10, Dukagjin 10, Pukë 10 dhe në Kukës 10. Seksioneve në rrethe u la arrestime të tjera sipas dëshirës”

 

Në Akt-Akuzën e paraqitur nga Bedri Spahiu në emër të Grupit Special të Hetimit, në vazhdim, paraqiten prova të fajësisë për Koçi Xoxen, Pandi Kriston, Vaskë Kolecin, Vango Mitrojorgjin dhe Nuri Hutën, përkatësisht në angazhimin e tyre për zbatimin e detyrës së vënë nga Tito dhe të dërguarit jugosllavë me synim likuidimin e udhëheqjes e marrjen e pushtetit, si dhe terrorin e gjyqet speciale ku u dënuan e u pushkatuan rreth 200 njerëz të pafajshëm të dyshuar si pengesë në realizimin e këtij objektivi. “Arrestimet u bënë me urdhër të Koçi Xoxes dhe me plan. Kështu, në Shkodër u arrestuan 10 vetë, Shkodër Rreth 15, Koplik 15, Lezhë 15, Mirditë 10, Dukagjin 10, Pukë 10 dhe në Kukës 10. Seksioneve në rrethe u la arrestime të tjera sipas dëshirës” -thuhet mes të tjerave në Akt-Akuzë…

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Gjatë hetimeve, u siguruan dëshmi e prova të forta për aktivitetin armiqësor të Koçi Xoxes e bashkëpunëtorëve të tij. Mes të tjerave, në përmbushje të detyrave të dhëna nga jugosllavët, ai jo vetëm shmangu Rolin e Partisë, vuri Sigurimin mbi Partinë, por mori dhe një valë terrori, dënimesh e pushkatimesh për personat që ai i shihte si pengesë në misionin e tij. Ja se çfarë thotë edhe një i pandehur tjetër në lidhje me arrestimet në masë:

 

Vango Mitrojorgji: -Ne i paraqitëm lista të personave që duheshin arrestuar në bazë të materialit që dispononim dhe arrinte shuma për të gjithë Shqipërinë 60 persona. Koçi Xoxe nuk u kënaq me këtë numër dhe tha se me këtë rast, duhej të bëheshin spastrime dhe numri duhej të arrinte rreth 200 persona. Nga ne u kundërshtua duke u deklaruar se nuk kishim material për t’i arrestuar, as edhe një, përveç atyre që kishim propozuar. Por Koçi Xoxe na u përgjigj: “S’keni sot, por do të keni nesër nga proceset dhe në këtë rast ai nxori një listë me 20 veta të cilët i kishte nxjerrë nga informatat që atij i shkonin dhe urdhëroi që të arrestoheshin edhe këta… Vaska më tha “i propozova Koçit dhe vendosëm që të urdhërojmë seksionet për të bërë këto arrestimet e mëposhtme. Në veri: Në Shkodër 10, Shkodër Rreth 15, Koplik 15, Lezhë 15, Mirditë 10, Dukagjin 10, Pukë 10, Kukës 10, duke u lënë seksioneve të tjera dorë të lirë për arrestime.”

 

Në kundërshtim flagrant me ligjin, me një mospërfillje prej krimineli e banditi, i pandehuri Koçi Xoxe ka dhënë urdhër që të ngrihen dhe gjyqe speciale. “Koçi Xoxe më dha urdhër që të krijoja një gjyq special” -pohon i pandehuri Vaskë Koleci. (Pjesë e veçantë e procesit, fq. 3)

 

I pandehuri Koçi Xoxe i fshihte udhëheqjes së Partisë dhe të Pushtetit Popullor arbitraritetin e punës së tij. Ja si pohon ai vetë: “Është biseduar në fund të vitit 1946 ose në fillim të vitit 1947 në Byro çështja që të mos bëheshin tortura. Komandanti (Enver Hoxha) më tha për çështjen e Fushë-Bardhës dhe për një rast tjetër. Unë i thashë se kemi marrë masa për këto dhe kemi urdhëruar ndërprerjen e torturave”. Por në realitet, i pandehuri ka vazhduar të japë urdhra për torturime dhe akte të tjera të paligjshme dhe çnjerëzore…

Grupi kriminal i lartpërmendur ka zgjeruar fushën e arbitraritetit edhe në organe të tjera të Pushtetit, duke i quajtur si oportunistë mbrojtësit e ligjeve të Republikës. Ja si deponon i pandehuri Koçi Xoxe: “Në lidhje me arbitraritetet dhe shkeljet e ligjeve që janë bërë, ne kemi menduar se është një ligj i madh që është mbi ligjet e tjera të shkruara dhe që është ligji i mbrojtjes së republikës dhe të popullit… Në këtë gjendje, kështu lindi dhe një pikëpamje tjetër tek unë, se ata që ishin të ngurtë dhe që shikonin mbrojtjen e ligjit, i çmoja si oportunistë”.

 

I pandehuri Koçi Xoxe është frymëzues i arbitraritetit dhe formuluesi i platformës trockiste të ligjshmërisë: ”Në vitet 1945 e 1946 e gjykoja si një etapë të parë të spastrimit dhe të konsolidimit të pushtetit popullor, në të cilën mund të bëheshin edhe shkelje të ligjeve. Dhe efektivisht, në këtë periudhë, janë bërë më të shumtat. Pas periudhës së parë do të vinte një periudhë tjetër normale në të cilën nuk duhet të bëheshin lëshime dhe shkelje” (Procesi i të pandehurit Koçi Xoxe, fq. 66). Gjithashtu, i pandehuri Koçi Xoxe pranon në hetuesi se: “Në këtë periudhë(në Plenumin e II-të), Velimir Stojniçi bëri që të shikohej zhvillimi i Shqipërisë nën prizmin e një afrimi me Jugosllavinë, siç thoshte ai, Konfederata apo Federata, që nuk ishin të drejta dhe të sinqerta… Velimir Stojniçi, në punën e tij, gjeti mbështetje tek unë”. Deponime të tilla kanë dhënë dhe të pandehurit e tjerë…

 

Nuri Huta: -Unë e kuptoj fare mirë se çfarë roli kam luajtur në këtë punë si dhe dëmin që i kam sjellë Partisë, popullit dhe Shtetit duke qenë qind për qind me vijën që shtronin trockistët e Beogradit… (Procesi i të pandehurit Nuri Huta, faqe 33 e dosjes).

 

12-Komisioni Hetimor konstatoi se grupi trockist i lartpërmendur, me qëllim për të marrë në dorë pushtetin, ka mbështetur veprimtarinë e tij edhe në ndihmën e grupit trockist të Titos, të cilëve u ka kërkuar ndihmë dhe e ka marrë. Grupi trockist, me insistim ka kërkuar edhe zbatimin e metodave puçiste për ndërhyrje dhe marrjen e fuqisë në dorë, me ndihmën e të huajve. Ja se çfarë kanë deponuar në hetuesi lidhur me këtë veprimtari armiqësore të pandehurit Pandi Kristo, Koçi Xoxe, etj.:

 

Pandi Kristo: -Koçi Xoxe, veprimtarinë e tij e ka mbështetur në ndihmën e udhëheqjes së Jugosllavisë dhe të dërguarve të tyre në Shqipëri, në funksionet që ai kishte në Parti, në Pushtet si dhe në shokët si unë… Pas revizionimit të Beratit në vitin 1946, me rastin e zgjerimit të Byrosë, unë (Pandi) i kam thënë Koçi Xoxes se do të na bjerë ndonjë grusht nga jashtë që të ndreqim gabimet”.

 

Koçi Xoxe: -Nga bisedime me miq të tij (domethënë, bisedimet që bënte Nako Spiro), unë kam biseduar se Nako është njeri i poshtër dhe se, ose ne do ta hamë një goditje nga jashtë, ose kjo do të dalë. (Deklarata e të pandehurit Koçi Xoxe në mbledhjen e Byrosë, datë 15.1.1948, dosje 1/dh).

 

13-Komisioni Hetimor konstatoi se grupi i lartpërmendur, me qëllim që të marrë pushtetin në dorë, ka tentuar ta izolojë vendin tonë nga Bashkimi Sovjetik dhe nga kampi i socializmit duke kompromentuar rëndë indipedencën e vendit tonë. Ja çfarë pohon i pandehuri Koçi Xoxe: “Jugosllavët bëjnë përpjekje njëkohësisht të tregojnë kotësinë e lidhjeve dhe të marrëdhënieve me vendin tonë me vendet e tjerë, duke përfshirë edhe Bashkimin Sovjetik. Unë nuk i kam kundërshtuar jugosllavët në atë që thoshin se Shqipëria duhet të marrë eksperiencë nga Jugosllavia, ndërsa Jugosllavia, atë të Bashkimit Sovjetik, e ka adaptuar në kushtet e veta. Për lidhjet ekonomike dhe kulturore të gjithanshme, ata e ngrinin (thoshin) që Shqipëria duhet të jetë me Jugosllavinë, se Shqipëria pa Jugosllavinë nuk rron dot, se pa Jugosllavinë Shqipëria nuk mund të rrojë indipendente dhe të ndërtojë socializmin, se Bashkimi Sovjetik është larg, ai është mbi të gjithë, ai bën politikën e madhe, etj… Me pak fjalë bënin përgatitje për izolimin e Shqipërisë nga vendet e tjera e sidomos nga Bashkimi Sovjetik. Unë, këto pikëpamje, nuk ua kam kundërshtuar, por ua kam ushqyer dhe i kam konsideruar të drejta.”

 

Gjithashtu, grupi me Koçi Xoxen në krye, sistematikisht, në mënyrë të maskuar por dhe herë-herë hapur, punonte në bazë të një plani të organizuar me qëllim arritjen e objektivit që ishte eliminimi i Partisë, i Enver Hoxhës e njerëzve të tij më të afërt e besnikë dhe marrja e pushtetit në Shqipëri. Sipas planit, kjo do të garantonte synimin dhe detyrën e vënë nga Tito, që Shqipëria t’i bashkëngjitej Jugosllavisë, duke u bërë Republikë e 7-të e saj. Në këtë kuadër, një nga njerëzit që duhej eliminuar, ishte dhe Nako Spiro… Kjo veprimtari armiqësore që sapo përmendëm, ja si pohohet dhe nga vetë të pandehurit Koçi Xoxe e bashkëpunëtorët:

 

Koçi Xoxe:- Gabimi im më i rëndë është se në kundërshtim me Shokun Enver Hoxha dhe Nako Spiron, që i shikonin drejt këto marrëdhënie me Jugosllavinë, unë kam përkrahur dhe kam qëndruar në vijën e kundërt, në atë të Jugosllavisë, duke akuzuar bile se shoku Nako Spiro dhe Komandanti(Enver Hoxha) nuk i shikonin drejt këto marrëdhënie.

Dhe si rezultat i këtij qëndrimi, unë kam qenë përkrahësi më i madh, i vendosur që të arrijmë në vendimet e Plenumit të 8-të që vulosi vijën e partisë sonë, qëllimet anti-shqiptare, anti-marksiste dhe anti-sovjetike… Më vonë, Rankoviçi, nga fundi i vitit 1946 më tha se neve nuk do të dërgojmë më kuadro të Sigurimit për t’u specializuar në Bashkimin Sovjetik, se atje më tepër humbasin, se atje mësojnë vetëm teori dhe kur vijnë këtu nuk dinë të orientohen dhe i dëmton kjo, pse janë larg popullit të vet. Edhe ju mos dërgoni më në Bashkimin Sovjetik, pasi do të ngremë ne jugosllavët shkollat tona të Sigurimit dhe ju dërgoni që të përgatiten tek ne. Ministri jugosllav këtu(në takim) më tha se këto provokacione që bëhen në kufijtë tonë me Greqinë i ndjemë më shumë se i kemi në lëkurën tonë. Se Bashkimi Sovjetik i ka larg, ai i ndjen tonat aq sa i ndjejmë ne ato që bëhen në Kore.

 

Nuri Huta: -Duke dashur të komandoj marrëdhëniet me Jugosllavinë, kam shkuar dhe kam folur se rruga për në Moskë, kalon nga Jugosllavia. (Procesi i të pandehurit Nuri Huta, fq. 13)

 

(Vijon nesër)

 

Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Vazhdimin e Akt-Akuzës së Komisionit të Posaçëm Hetimor të firmosur nga Bedri Spahiu kundër të pandehurve Koçi Xoxe e bashkëpunëtorëve të tij.

-Akuza: Bashkëpunimi i OZNA-s (UDB-ja e mëvonshme) me Sigurimin grek në dëm të Shqipërisë dhe roli i Koçi Xoxes.

-Vendimin e Grupit Special Hetimor dhe akuzat konkrete të Akt-Akuzës për të pandehurit Koçi Xoxe, Pandi Kristo, Vaskë Koleci, Vango Mitrojorgji e Nuri Huta të dorëzuara në Gjykatë.

 

 

KOÇI XOXE

 

Koçi Xoxe u lind në vitin 1911 në Follorinë. Xoxe ishte Ministër i Brendshëm gjatë periudhës nga muaji prill i vitit 1946 deri në nëntor, të vitit 1948. Koçi Xoxe u akuza si agjent i UDB-së jugosllave. Sipas dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, ai ishte një nga agjentët më të fuqishëm të UDB-së dhe kishte arritur të krijonte një rrjet agjenturor shumë të madh për llogari të jugosllavëve. Ai është themelues dhe kryetar i parë i Partisë Komuniste Korçë. Është pjesëtar i mbledhjes themeluese të Partisë Komuniste Shqiptare. Ka qenë gjithashtu anëtar i Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të Partisë që nga krijimi. Ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë nga 10 korriku i vitit 1942. Pas çlirimit ai mori postin e zëvendëskryeministrit dhe të Ministrit të Brendshëm. Më 28 nëntor 1948, ai arrestohet me akuzën si agjent i jugosllavëve. Koçi Xoxe nuk e pranon kurrë akuzën dhe gjykata më pas e dënon me vdekje. Pushkatohet më 12 qershor të vitit 1949.

Kujtim Boriçi April 13, 2013 14:20
Komento

9 Komente

  1. ijs April 13, 20:42

    Ah sa monstra ka nxjerre ky popull qe ne emer te tij kane bere masakra te papara duke ja adresuar sot te gjitha Enver Hoxhes!! Problemi shqiptareve ne vetvete si ne tere historine e tij eshte se jane njerez pa dinjitet dhe kthehen shume shpejt ne sherbetore te zellshem te cdo rregjimi te huaj vetem e vetem per te shtypur dhe masakruar shqiptaret!!! Kete gje po perjtojme sot per 23 vjet kur te huajt bejne kerdine me pasurine e ketij populli mjeran!!
    Lavdi Vepres se Enver Hoxhes!!! Shume shpejt Historia do ta rehabilitoje kete vigan te rralle qe udhehoqi kete popull barbar per 45 vjet!! Ishin dhe do mbeten ne histori vitet me te arta!!

    Reply to this comment
  2. Vasil April 14, 02:04

    Xoxja ishte shejtan dhe Enveri ishte shenjt. Prandaj vuajten shqiptaret 40 vjet ne Enverin se ishte Xoxja projugoslav.

    Reply to this comment
    • ilir April 14, 08:55

      po te kishte arritur Xoxja te eleminonte Enverin,sot ndoshta nuk do kishim mundesi te shkruanim ketu ose ne rastin me te mire do shkruanim me germa cirilike.

      Reply to this comment
      • Vasil April 14, 17:05

        Po po do te shkruanim me germa cirilike, sic po e shkruajne kosovaret alfabetin e tyre. Ja ku e ke proven. Boll me supozime, se une mund te te supozoj se do te ishim hapur me perendimin qe me 1949 ne vend qe te ktheheshim ne nje ferr rrethuar me tela me gjemba.

        Reply to this comment
  3. SKENDER BEU I VJETER April 14, 03:34

    KE TE DREJTE ,POR EDHE GABON SEPSE VERTET ISHIN VITET ME TE ARTA,POR DHE VITET QE BREZ QE I BERI TE ARTA, I VUAJTI ME SAKRIFICA DJE, POR PO I VUAN DHE ME KEQ NE MJERIM DHE TE PERHAPUR NEPER BOTE SI ZOGJ TE KORBIT SOT.ENVERI GABOI SEPSE NUK LA UDHEHEQES PASARDHES BESNIKE BURRA SHTETI TE VERTETE SI ISHTE AI VETE.KRIMINEL E QUAJNE KRIMINELET TE CILVE AI U TREGOI VENDIN DHE NUK PIPETINE SA ISHTE GJALLE.KUR VDES QENIA MUND TA PERDHOS KUSHDO,POR TJETRI VLERSOHET ME ATE RESPEKT QE KISHTE SA ISHTE GJALLE,OQFTE ME HIR APO ME PAHIR.

    Reply to this comment
  4. Lisi April 14, 11:56

    PKSH(PPSH) ka patur shume armiq,por me i madhi dhe me i maskuari armik ka qene Enver Halil Hoxha-sherbetor i ulet i ulet i borgjezise…..

    Reply to this comment
  5. Dardan April 14, 19:33

    Sot eshte e lehte te analizosh ngjarjet dhe personazhet e asaj kohe.Koci nuk ka qene shqiptar dhe si I tille nuk ka pasur dashuri apo edhe dhemshuri per kete popull.Te pakten Enveri vinte nga perendimi dhe ishte shqiptar.Kete nuk duhet te harrojme .Ka qene nje kohe e keqe per kombin qe ishte ne dore te sllaveve dhe ideologjise komuniste qe nuk kishte as edhe te mire per kombin tone.Koci ka vrare shqipare dhe eshte ndjere mire.Enveri humbi kunatin dhe mbijetoi .Per ne me mire Enveri se po te qe per Kocin nje zot e di ku do te ishim sot…… Nuk e pyeti njeri Enverin a do ishte Shqiperia ne ane te lindjes apo perendimit .Ja ku i ke greket e Shqiperise nje gjemb ne kembe nuk i hyri edhe pse u be masakra nje Cameri .Nuk i deboi njeri as me 1945 as sot. Thone qe kane qene te persekutuar . Ata e kane ruajtur kufirin me shume qe ne shqiptaret mos te dilnim.

    Reply to this comment
    • Vasil April 15, 04:35

      Nga sa di une Xoxja ishte shqiptar nga Negovani (i Papa Kristos), fshat shqiptar prane Fllorines, ne teritorin e Greqise veriore. Apo shiptaret ordodokse nuk ishin e nuk jane shqiptare sipas jush.

      Reply to this comment
  6. REFUGJATI February 23, 16:23

    KETA JO SE I VRAU ENVERI POE VRANE NJERI TJETRIN .A E LEXONI KUSH E AKUZON DHE JEP URDHER ARESTIN ESHTE BEDRI SPAIU TE CILIT I VINE RADHA ME VONE .KESHTU BEREN TE GJITHE SI BEQIRI, HITUA,MEMETI KADRIU, FECORI ETJ ETJ .SI MUNT TE THEMI QE KETA I VRAU VETEM ENVERI.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*