Akt Normativ për t’i dhënë shtysë investimeve publike

December 14, 2015 16:48

Akt Normativ për t’i dhënë shtysë investimeve publike

Ministria e Financave ka dërguar një akt normativ në Kuvend, me anë të të cilit kërkon që të nxisë përshpejtimin e investimeve publike.

Në një komunikatë, Ministria sqaron se gjatë vitit 2015, ecuria e investimeve publike ka qenë e ngadaltë, duke kërkuar ndërhyrje të herëpashershme nëpërmjet rialokimeve apo edhe akteve të tjera.

 “Synimi është që investimet kapitale të buxhetit të shtetit të kenë ndikim dhe të ndihmojnë në rritjen ekonomike të vendit”, bën me dije Ministria.

Sipas saj, analiza e zhvillimeve 11-mujore 2015, ka sjellë nevojën e reflektimit të disa ndryshimeve dhe korrigjimeve në disa projekte të investimeve kapitale.

“Nëpërmjet Aktit Normativ janë rialokuar rreth 5,241 milionë lekë investime, që konsistojnë kryesisht në ndryshime të planit të financimit të brendshëm dhe të huaj, midis programeve dhe institucioneve te ndryshme, korrigjime të planit të disa projekteve me financim të huaj, të cilat kanë performuar më shumë se parashikimet e bëra nga çdo ministri linje”, thuhet më tej.

Në këtë kuadër, ndërhyrja propozohet në ato zëra, ku janë evidentuar mosrealizime në raport me planin e parashikuar. Njëkohësisht, propozohen edhe rialokime mes projekteve të investimeve me financim të brendshëm dhe me financim të huaj, drejt atyre me ecuri më të lartë.

“Nga analiza e fundit e ecurisë së investimeve publike rezulton se ka një përthithje më të lartë në projektet e infrastrukturës. Nisur nga kjo, do të financohen 2 000 milionë lekë për të mos krijuar detyrime të reja për vitin 2015. Njëkohësisht, nga mosrealizimet e evidentuara do të financohen me vlerën prej 2 500 milionë lekë projektet e investimeve për Fondin e Zhvillimit Rajonal, duke lehtësuar barrën e buxhetit për vitin 2016 në këtë zë. Për disa projekte me financim të huaj do të korrigjohen planet e parashikuara për projekte me performancë më të lartë që financohen me kredi dhe grante”, thuhet në projekt/draft.

Gjithashtu, nisur edhe nga praktika e viteve te kaluara, një fond prej 5 000 milionë lekë do t’i kalojnë fondit të shpronësimeve që administrohet në një llogari në Bankën e Shqipërisë. Ky fond është parashikuar të përdoret për disa shpronësime, që janë aktualisht në proces, por edhe për të tjera, që priten t’i hapin rrugë shumë investimeve të reja që do vijojnë në vitin 2016.

Ndryshimet do të realizohen kryesisht nga kursimet në zërat e investimeve publike, por ndërkohë për financimin e shtesave do përdoren edhe kursimet nga zërat e interesave dhe detyrimeve të prapambetura dhe kontigjenca, që arrijnë në rreth 5 000 milionë lekë.

Ndryshimet e mësipërme me Akt Normativ nuk ndryshojnë parametrat kryesorë të buxhetit të vitit 2015, pra nuk ndryshojnë totalin e të ardhurave, shpenzimeve dhe deficitit buxhetor, duke qenë në linjë me objektivin e konsolidimit fiskal. /Dita/

 

December 14, 2015 16:48
Komento

1 Koment

  1. Futja kot December 14, 19:05

    Ja pra sa te mire e kemi administraten tone, gjithmone mendon ne fundviti si te beje ndonje “gol”, dhe te fuse ndonje lek ne xhep, se jane edhe te varfer, jo per gje …

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim