Aktet e gjykatës dhe vendimet e përmbarimit në QKR
Nga Arkiva
Regjistrimi i vendimeve (akteve) të gjykatës, zyrave të përmbarimit apo autoriteteve të tjera publike do të mund të bëhet online në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
Ky është shërbimi më i ri që ofrohet nga QKR-ja, si institucioni i vetëm përgjegjës për regjistrimin e biznesit në Shqipëri, me qëllim lehtësimin e procedurave.
Sipas burimeve zyrtare të QKR-së ky shërbim elektronik ndihmon në thjeshtimin e mëtejshëm të procedurave të regjistrimit, shkurtimin e kohës së zbatimit të vendimeve/akteve të gjykatës, zyrave përmbarimore ose autoriteteve të tjera publike për të dhënat e regjistruara ose veprimtarinë e subjektit tregtar.
Shërbimi elektronik ofrohet online nëpërmjet platformës elektronike e-albania.al dhe synon thjeshtimin e mëtejshëm të procedurave të regjistrimit, shkurtimin e kohës së zbatimit të vendimeve të gjykatës, zyrave përmbarimore ose autoriteteve të tjera.
Ai i ofrohet çdo personi të interesuar që mund të jetë individ, subjekt tregtar, autoritet publik etj. që është i regjistruar në portalin e-albania.
Shqyrtimi i aplikimeve kryhet sipas parashikimeve të Ligjit Nr.9723/ 2007 “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, i ndryshuar, (brenda 1 dite nga momenti i aplikimit). Ai mund të verifikohet në web-in e QKR-së ( direktoria: Kërko për subjekt).
Për ofrimin e këtij shërbimi QKR do të fillojë edhe trajnimin e punonjësve të zyrave përmbarimore.
Me këtë shërbim, QKR ka shtuar listën e shërbimeve që individët apo subjektet mund të marrin në rrugë elektronike për të kursyer kohë dhe për të shmangur vizitat fizike, shkruan Monitor.
Aktualisht QKR ofron online: regjistrimin fillestar, regjistrime të tjera të detyrueshme, si dhe regjistrimin e pasqyrave financiare/raporteve të auditit dhe veprimtarisë.
Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.
Komento