Aktet terroriste në trekëndëshin Fushë Krujë-Milot-Fierzë

January 7, 2014 09:15

Aktet terroriste në trekëndëshin Fushë Krujë-Milot-Fierzë

Hetimet për hedhjen në erë me tritol të shtyllës së tensionit të lartë të interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë, kanë hyrë në fazë interesante. Grupi hetimor ka arritur në përfundimin se gjurmët e gjetura në vendngjarje janë të njëjta me ato të akteve të kryera më shumë se dhjetë vite më parë ndaj veprave energjetike. Dyshohet për një riaktivizim të celulave të vjetra, të organizuara nga ish-zyrtarë të lartë të larguar nga radhët e administratës dhe institucionet vendore, që njohin mirë lëndët plasëse eksplozive. Ekspertët flasin për një celulë të vjetër të organizuar, në trekëndëshin Fushë-Krujë-Milot-Fierzë, ku përfshihet edhe Laç-Vau i Dejës. Prokuroria e Krimeve të Rënda tërhoqi dje dosjen nga Prokuroria e Kurbinit, e cila ka shpallur moskompetencën për hetimin e veprës penale “akt terrorist”. Në shtyllën e dëmtuar, ku një nga kallëpet nuk shpërtheu për ta rrëzuar, u gjetën dy parulla me shënimet “Taksat” dhe “Nafta”, gjurmë gishtrinjsh në natriban, në hekura, gjurmë këmbësh, goma makinash dhe bishta cigaresh. Por megjithë këto prova, ende nuk ka një person të arrestuar për krimin.

 

Dyshimet

Grupi hetimor, me ekspertë të fushës së eksplozivëve dhe kriminalistikës, kanë arritur në përfundimin se skenari i përdorur në ngjarjen e mbrëmjes së 31 dhjetorit, kur festohej ndërrimi i viteve, në Ndërlalaj të Milotit, është i ngjashëm si dy pika uji me hedhjet në erë të shtyllave të tensionit në këtë zonë një dekadë më parë. Hetuesit nuk kanë dyshime se pas aktit terrorist natën e Vitit të Ri ka një organizim me qëllime për të shkaktuar panik dhe kaos. Ministria e Brendshme deklaroi se bëhet fjalë për akt terrorist me motive politike, pasi u gjetën edhe parulla. Burime nga grupi hetimor thanë se dyshojnë që të jetë aktivizuar celula e vjetër e trekëndëshit famëkeq të akteve terroriste Fushë-Krujë-Milot-Fierzë, ku përfshihet edhe hidrocentrali i Vaut të Dejës dhe zona e Pukës. Në vitet 2000-2003 kanë ndodhur 15 akte terroriste të pastra, shumica pa autorë, ndaj veprave energjetike. Ky grup që dyshohet se ka banorë të zonave bastione, kontigjentë krimi, organizohet nga ish-zyrtarë të lartë të administratës të larguar nga puna aktualisht dhe që njohin profilin e eksplozivit. Ekspertët shprehen se shtylla ku u vendos eksplozivi më 31 dhjetor është e vendosur në një tokë pa pretendime pronësie dhe pa konflikte. Ndaj motivi i vërtetë i krimit është ai me prapavijë politike.

Prokuroria

Hedhja në erë e një shtylle të tensionit të lartë në Kurbin do të hetohet si akt-terrorist nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Dosja është transferuar drejt Tiranës nga Prokuroria e Kurbinit, për moskompetencë dhe do të hetohet nga Krimet e Rënda, pasi vepra penale e akteve terroriste është juridiksion i kësaj prokurorie. Ministria e Brendshme deklaroi pak ditë më parë se ky ishte akt i pastër terrorist dhe ngriti akuzën për “shkatërrim prone me eksploziv”. Të gjitha provat gjenden në laborator, për të analizuar tritolin e përdorur, llojin e tij, origjinën nga ka ardhur, gjurmët e gishtrinjve, bishtat e cigareve, gjurmët e këmbëve dhe shenjat e gomave të makinave.

 

 

Shtylla do rrëzohej me 12 kg tritol, gjysma nuk shpërtheu

Në ditën e fundit të vitit 2013, një shtylle të tensionit të lartë, të linjës së interkonjeksionit Tiranë-Podgoricë, iu vendos tritol duke shkatërruar njërën këmbë të saj. Ndërkohë në këmbën tjetër u gjetën 16 kallëpe tritoli, me peshë mbi 6 kilogramë, ndërsa u gjetën edhe dy mbishkrime, “Taksat” dhe “Nafta”, që nënkuptonin rritjen e tyre dhe aktin si shenjë pakënaqësie. Policia e deklaroi aktin si terrorist dhe nisi hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.

 

January 7, 2014 09:15
Komento

2 Komente

  1. Pëllumb zaimi January 7, 12:31

    I njeh sahit gomar dollap sëndyqi dhe saliu mirë këta tritolvënês. Nga këta e marin rrogén!?

    Reply to this comment
  2. Euro Maloku January 7, 13:35

    Sa ngadal prokuroria….
    Mos duhet ti çoni edhe shtyllen ne zyre Llalles???

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*