“Aktivizimi i Mavrajt ishte zgjedhja e duhur”

March 31, 2015 22:25

“Aktivizimi i Mavrajt ishte zgjedhja e duhur”

Ndaj Armenisë Curri mund të kishte qenë titullar, por riaftësimi i Mërgim Mavrajt, bëri që Gianni De Biasi t’i besonte mbrojtësit të Këlnit. Një zgjedhje që gjithsesi nuk e zbeh entuziazmin e lojtarit të Tiranës për fitoren, pasi për të ashtu si dhe për pjesën tjetër të kombëtares më i rëndësishëm është grupi sesa paraqitjet individuale.

“Ishte e drejtë të luante Mavraj, pasi ai është aktivizuar në ndeshjet e fundit. Gjithashtu dhe unë kisha patur probleme fizike në fillim të javës, megjithatë Mavraj shënoi dhe golin e barazimit dhe prania e tij në fushë shërbeu për mirë. Me Armeninë, ishte një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe fitorja na jep besim për takimet e ardhshme”, deklaroi mbrojtësi për mediat.

Sfida e kampionatit

Për kombëtaren Curri do të ketë kohë për të menduar deri në qershor, por tashmë vëmendja përqendrohet e gjitha te kampionati, me bardheblutë që këtë fundjavë luajnë me Flamurtarin. Vlonjatët të zhveshur nga objektivat vijnë pas një serie negative prej pesë humbjesh radhazi, por Curri nuk i zë besë Flamurtarit dhe kërkon përqendrim maksimal.

“Flamurtari është e vërtetë që nuk ka objektiva, por do të aktivizojë lojtarë të rinj dhe ata do të kenë dëshirë për të rënë në sy ndaj do të japin maksimum. Do të jetë në ndeshje e vështirë dhe nuk e shoh aspak të thjeshtë për ne. Gjithsesi jemi të përgatitur për të marrë fitoren, pasi 3 pikët janë i vetmi rezultat që na nevojitet”, shtoi kosovari energjik.

Mbrojtësi e sheh ende Tiranën në garën për titull dhe thekson se skuadra do të besojë deri kur matematika t’ia lejojë.

“Nga tani e mbrapa për ne janë 8 finale. Ne besojmë te titulli dhe gjithashtu dhe te fitimi i Kupës. Tirana nuk dorëzohet dhe do të luajë deri në fund për t’i fituar këto dy trofe”, theksoi ndër të tjera Debatik Curri.

Në këtë sezon, Tirana ka fituar sfidën e parë 1-0 në “Qemal Stafa” ndaj Flamurtarit ndërsa ka barazuar në fazën e dytë në Vlorë pa gola 0-0.

March 31, 2015 22:25
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*