Akuza e gjyqit të 77-s: Këllezi, bashkëkryetar me Ballukun e Paçramin në “puçin shtetëror”

Kujtim Boriçi October 28, 2013 13:54

Akuza e gjyqit të 77-s: Këllezi, bashkëkryetar me Ballukun e Paçramin në “puçin shtetëror”

Prokurori Rrapi Mino: Veprimtaria armiqësore e tre grupeve i ka rrënjët që gjatë luftës, por bashkërendimi i organizuar nisi në vitin 1956. Abdyl Këllezi, Fadil Paçrami e Beqir Balluku, ishin bashkëkryetar të komplotit të madh armiqësor për rrëzimin e shtetit në Shqipëri. Ata bashkëpunonin ngushtë me njeri-tjetrin dhe raportonin për çdo sabotim dhe aktivitet kriminal në funksion të objektivit që kishin.

Në vazhdim të akuzës ndaj të pandehurve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, Kryeprokurori Rrapi Mino nëpërmjet provave e dëshmive, sjell argumente të tjera të bashkëpunimit me drejtuesit e dy grupeve të tjera armiqësore që vepronin paralelisht e së bashku për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri, përkatësisht grupi në fushën ideologjike-kulturore dhe ai në ushtri. Mino akuzon midis të tjerave se aktiviteti i tyre armiqësor ka nisur që në vitet e luftës, ndërsa në Konferencën e Tiranës në vitin 1956, grupet u ndërlidhën e vazhduan aktivitetin armiqësor nëpërmjet një platforme të përbashkët. “Të tre këto grupe armiqësore, duke formuar komplotin e madh dhe shumë të rrezikshëm për shtetin tonë socialist, i bashkonte midis tyre karakteri kundër revolucionar, qëllimi i tyre i përbashkët për të likuiduar Partinë, për të shkatërruar rendin tonë socialist, për t’i hapur rrugë revizionizmit dhe për të vendosur kapitalizmin në Shqipëri. Në realizimin e këtij qëllimi armiqësor, veprimtaria e të gjitha grupeve ka qenë e koordinuar, e biseduar dhe ndërtuar sipas një plani të përbashkët”, vazhdon pretenca e Kryeprokurorit Mino.

 

*     *     *

(Prokurori i Përgjithshëm Rrapi Mino, lexon pretencën)

Shokë gjyqtarë! Tërësia e provave të mbledhura në çështje vërtetoi se e njëjta rrugë është ndjekur edhe me grupin antiparti të kryesuar nga armiku Fadil Paçrami. Ky i fundit, deponoi: “Në fushën e tregtisë unë kam pasur pikëpamje të shtrembra, këto ishin dhe pikëpamjet e Abdyl Këllezit. Bile, ne ishim entuziastë që këto pikëpamje po i vinim në zbatim në ndërmarrjet ekonomike të Tiranës”.

Shokë gjyqtarë! Nga sa paraqitëm më sipër, del qartë se të tre këto grupe armiqësore, në luftën kundër Partisë, kanë kryer një diversion të gjerë ideologjik, me synim të përgatitnin kushtet për përmbysjen e pushtetit popullor dhe të vendosnin diktaturën borgjezo-revizioniste.

Të tre këto grupe armiqësore, duke formuar komplotin e madh dhe shumë të rrezikshëm për shtetin tonë socialist, i bashkonte midis tyre karakteri kundër revolucionar, qëllimi i tyre i përbashkët për të likuiduar Partinë, për të shkatërruar rendin tonë socialist, për t’i hapur rrugë revizionizmit dhe për të vendosur kapitalizmin në Shqipëri. Në realizimin e këtij qëllimi armiqësor, veprimtaria e të gjitha grupeve ka qenë e koordinuar, e biseduar dhe ndërtuar sipas një plani të përbashkët.

I pandehuri Abdyl Këllezi deklaroi: “Beqir Balluku dinte dhe aprovonte punën armiqësore e sabotuese që unë bëja me grupin tim në fushën e ekonomisë dhe organizimit shtetëror. Nga ana tjetër, unë dija dhe aprovoja punën armiqësore që bënte Beqiri me grupin e tij armiqësor në ushtri… Veprimet e mia në ekonomi bëheshin me dijeninë dhe ndihmën konkrete të Fadilit, dhe veprimet e tij në ideologji me dijeninë dhe aprovimin tim”.

Shokë gjyqtarë! Tërë kompleksi i provave vërtetoi se gjithë ky bashkërendim i veprimtarisë së grupeve dhe planeve armiqësore midis tyre kishin pikësynime të caktuara. Grupit armik, antiparti e sabotator në organizimin shtetëror dhe në ekonomi, kryesuar nga armiku Abdyl Këllezi, i duhej grupi puçist e komplotist i kryesuar nga Beqir Balluku, sepse, sikurse u pohua prej tyre, “topat e grupit të ushtrisë dhe tanket realizonin forcërisht rrëzimin e udhëheqjes që ishte pengesë serioze për rrugën e tyre revizioniste”. Ndërsa grupi në fushën e ideologjisë dhe të kulturës që kryesohej nga armiku Fadil Paçrami, “për goditjen direkt të ideologjisë së Partisë, çoroditjen e mendjes së njerëzve, futjen dhe justifikimin e pikëpamjeve dhe koncepteve liberale, revizioniste”.

I gjithë ky koordinim dhe bashkëpunim i veprimtarisë armiqësore midis grupeve të ndryshme, që në tërësinë e tyre ndiqnin si qëllim minimin e fitoreve të revolucionit dhe likuidimin e ndërtimit të socialist të vendit tonë, kishte të ndërtuar në themel të punës armiqësore edhe rrugët e realizimit të veprës kriminale.

Shokë gjyqtarë! Në këtë drejtim, pohimet e të pandehurve në mënyrë të qartë vunë në dukje së gjithë veprimtaria e tyre komplotuese i shpinte ata “drejt ndeshjes me pushtetin popullor”, “drejt përdorimit të forcës ndaj tij”, “edhe me gjak, edhe me dhunë”, sikurse u pranua prej tyre, gjë që tregon armiqësinë e thellë ndaj pushtetit popullor, mësimet e drejta të Partisë së armiqtë, nuk kursejnë as dhunën për realizimin e qëllimeve të tyre kundër revolucionare.

Shokë gjyqtarë! Shqyrtimi gjyqësor i çështjes vërtetoi se në përmbysjen me forcë të pushtetit popullor dhe vendosjen e rendit kapitalist në Shqipëri, grupi armik e antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe ën ekonomi, nuk kishte përjashtuar as ndërhyrjen armiqësore nga jashtë dhe mundësinë e koordinimit të veprimeve të tyre me shtetet agresive, imperialiste-revizioniste.

Lidhur me këtë, i pandehuri Abdyl Këllezi deklaroi: “Nuk e përjashtonim edhe ndërhyrjen nga jashtë për përmbysjen e Partisë dhe diktaturës së proletariatit”… Kjo tregon se për realizimin e qëllimeve të tyre armiqësore ata pranonin edhe agresionin e armatosur, duke i dhënë kështu fund lirisë dhe pavarësisë së Atdheut, realizimit të qëllimeve ekspansioniste të shteteve imperialiste dhe social imperialistëve sovjetikë.

Por, cilado që të ishin përpjekjet e tyre, sado të maskuara dhe të egra të ishin veprimet që kryenin, këta armiq nuk mund ti realizonin kurrë planet që kishin. Për vendin tonë, kanë vdekur ato kohëra, kanë kaluar një herë e përgjithmonë ato periudha, ku elementë armiq mund të prekin sadopak diktaturën tonë të proletariatit, shtetin tonë të klasës punëtore. Në rrugën për socializmin, popullit tonë e udhëheq një Parti sypatrembur, që e armatosur me ideologjinë marksiste leniniste dhe mësimet e shokut Enver, bën hi e pluhur çdo armik që guxon të prekë sadopak interesat e popullit, Atdheut dhe socializmit.

Shokë gjyqtarë! Analiza e veprimtarisë kriminale të ushtruar nga grupi armik e antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe në ekonomi i kryesuar nga i pandehuri Abdyl Këllezi, me bashkëpunëtorë kryesor Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati është e gjerë dhe e shumë anshme. E shikuar nga përmbajtja e saj, nga drejtimet që është zhvilluar, nga vendi dhe roli i të pandehurve në punën armiqësore që kanë kryer, nga dëmet dhe pasojat që i kanë ardhur interesit të popullit dhe ndërtimit socialist të vendit, del se vepra e tyre mbetet thellësisht kriminale, një përpjekje shumë serioze dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për minimin e fitoreve të revolucionit dhe ndërtimit tonë socialist.

Shokë gjyqtarë! Të gjitha provat argumentuan se në realizimin e veprimtarisë armiqësore, grupi armik dhe i sabotatorëve Abdyl Këllezi, Koço Çeodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil kati, është orvatur që me mënyra dhe forma të ndryshme, sistematikisht dhe në mënyrë të organizuar, me një veprimtari kriminale të theksuar dhe me një armiqësi të thellë, të shtrembërojë vijën e drejtë të Partisë tonë dhe të shtetit socialist.

Shokë gjyqtarë! Të akuzuarit, pa asnjë rezervë dhe me aq sa kishin mundësi, bënë përpjekje që në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe të organizimit shtetëror të mos lejonin zbatimin e vendimeve të kongreseve dhe të Plenumeve të Komitetit Qendror të Partisë, të direktivave të Komitetit Qendror e të Byrosë Politike të PPSH si dhe vendimeve të Qeverisë, të godisnin parimet e organizimit dhe të drejtimit shkencor të ekonomisë sonë socialiste, të kryenin një veprimtari sabotuese dhe me pasoja të rënda në sektorë të rëndësishëm dhe kyç, siç janë planifikimi, nafta, tregtia, etj., duke pasur për qëllim futjen e formave dhe metodave revizioniste të vetë administrimit, dobësimin dhe minimin e bazës së rendit tonë socialist, hapjen rrugë të mashtrimit dhe skllavërimit ekonomik e politik të vendit nga të huajt.

Në këtë veprimtari të gjerë kriminale, rreziku që paraqiste grupi armik dhe antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe të ekonomisë me të pandehuriit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, ishte shumë i madh.

Shokë gjyqtarë! Sikurse vumë në dukje në analizën e provave, paraqitjen e krimeve dhe akuzave që veprojnë mbi grupin, të gjithë të pandehurit ndodheshin në poste të rëndësishme në Parti e në pushtet dhe shfrytëzonin autoritetin e madh të Partisë për të mbuluar veprën e tyre armiqësore dhe për të maskuar veprimtarinë e tyre kundër revolucionare.

Për gjithë punën armiqësore të kryer, të gjithë të pandehurit kanë përgjegjësi të njëjtë. Vepra antiparti dhe sabotuese është kryer nga armiqtë Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati bashkërisht, në unitet mendimi dhe veprimi, në lidhje dhe bashkëpunim të ngushtë midis tyre, me një taktikë dhe strategji të përbashkët, që përmblidhet në qëllimin – likuidimin e Partisë, përmbysjen e pushtetit popullor, hapjen rrugë revizionizmit dhe rivendosjes në Shqipëri të kapitalizmit.

Në këtë veprimtari armiqësore të kryer drejtuesi i grupit armiqësor e antiparti ishte Abdyl Këllezi, ndërsa të pandehurit e tjerë Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil kati, ishin bashkëpunëtorët kryesorë të tij. Sejcili nga pjesëtarët e grupit, sipas vendit që mbulonte në pushtet dhe postet që zinte, ushtronte veprimtarinë e vet armiqësore, duke u munduar të zbatojë platformën e organizatës kriminale, të detyrave dhe objektivave të saj, të punës armiqësore antiparti dhe sabotuese në organizimin shtetëror dhe të ekonomisë.

 

Shokë gjyqtarë! Në këtë punë të organizuar, të gjithë të pandehurit lidheshin me armikun Abdyl Këllezi, i cili, si organizator i grupit, i udhëhiqte dhe i drejtonte bashkëpunëtorët e tij në vepra kriminale, u përcaktonte detyrat dhe drejtimet kryesore të punës armiqësore që duhej të kryenin në sabotimin e vijës politike dhe ekonomike të Partisë dhe të shtetit, me goditjen e parimit të organizimit e të drejtimit shtetëror dhe të ekonomisë, në futjen abuzivisht në degë e sektorë të ndryshëm të formave dhe metodave të decentralizimit vetë administrues revizionist.

 

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Përfundimin e pretencës së Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino për të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati, të akuzuar si pjesëtar të “Grupit armiqësor në fushën e ekonomisë”.

-Provat e Prokurorit lidhur me fajësinë e pretenduar për katër të pandehurve nëpërmjet aktivitetit kriminal për rrëzimin e pushtetit popullor në Shqipëri.

-Fajësia e pretenduar dhe kërkesa e akuzës për dënimet e : Abdyl Këllezit, me vdekje; Koço Theodhosit me vdekje; Kiço Ngjelës me 25 vite heqje lirie dhe Vasil Katit me 20 vite burgim.

 

 

 

Kujtim Boriçi October 28, 2013 13:54
Komento

3 Komente

  1. DREAM October 28, 19:59

    Shokë gjyqtarë! Analiza e veprimtarisë kriminale të ushtruar nga grupi armik e antiparti i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe në ekonomi i kryesuar nga i pandehuri Abdyl Këllezi, me bashkëpunëtorë kryesor Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati është e gjerë dhe e shumë anshme. E shikuar nga përmbajtja e saj, nga drejtimet që është zhvilluar, nga vendi dhe roli i të pandehurve në punën armiqësore që kanë kryer, nga dëmet dhe pasojat që i kanë ardhur interesit të popullit dhe ndërtimit socialist të vendit, del se vepra e tyre mbetet thellësisht kriminale, një përpjekje shumë serioze dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për minimin e fitoreve të revolucionit dhe ndërtimit tonë socialist.

    Kjo ‘akuze” i perfshin e gjitha .Pushkatimi eshte pak …per kta …”armiq”
    Duartrokisni ..popull!
    Rrnofte diktatura e proletrareve dhe e …kokepalareve !

    Reply to this comment
  2. aktin October 28, 20:50

    shpifjeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeee……………………………………………………tradhti burra………………………………rrnofte komunizmi gjakatar……………………

    Reply to this comment
  3. Marin October 29, 01:43

    Njerezit qe i vune kazmen Socializmit Shkencor ne Shqiperi ishin Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha, ndersa hedhesi ne ere i nderteses socialiste aq sa u ngrit qe djali i adoptuar i tyre, spiuni UDB+KGB= Ramiz Alia.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*