Akuza: Për survejimin e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, Koçi Xoxe vuri gratë e tyre

Kujtim Boriçi April 27, 2013 14:33

Akuza: Për survejimin e Tuk Jakovës dhe Bedri Spahiut, Koçi Xoxe vuri gratë e tyre

Ekskluzive/Gjyqi i Koçi Xoxes, seanca e V-të. Pohimet e dëshmitarëve dhe deklarimet e të pandehurve lidhur me urdhrin e Koçi Xoxes për survejimin e udhëheqësve të vendit nëpërmjet grave dhe familjarëve të tyre.

Dëshmitë e oficerëve të Sigurimit: Informatat e familjarëve të udhëheqësve i dorëzonim direkt në Drejtorinë e Sigurimit. Ato mbaheshin veçmas dhe përdoreshin vetëm nga Koçi Xoxe.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Nëpërmjet provave shkresore të akuzës, pohimeve të dëshmitarëve dhe vetë të pandehurve në seancën e V-të të gjyqit kundër Koçi Xoxes e katër të pandehurve të tjerë, dokumentohen përmasat dhe efektet e urdhrit të Koçi Xoxes për survejimin dhe hapjen e dosjeve për drejtuesit e lartë të shtetit të kohës. Në këtë aktivitet të kundërligjshëm, përveç strukturave të specializuara të Sigurimit të Shtetit, bashkëpunëtorëve, janë angazhuar dhe gratë e familjarët e udhëheqësve. “Informatat e familjarëve të udhëheqësve, pasi i dokumentonim, i dorëzonim direkt në Drejtorinë e Sigurimit. Ato mbaheshin veçmas dhe përdoreshin vetëm nga Koçi Xoxe”- pohon në këtë seancë dëshmitari Andon Dhimitri, oficer i Sigurimit të Shtetit.

 

 

Vazhdim i seancës së V-të, 16 maj 1949

Prokurori:- Vazhdojmë seancën. Të na thotë i pandehuri çfarë di mbi ato dy letrat që i janë hapur Komandantit(Enver Hoxhës)?

 

Koçi Xoxe:- Nuk di gjë.

 

Prokurori:- Të thotë i pandehuri Vaskë Koleci a janë censuruar letrat e shokut Komandant?

 

Vaskë Koleci:- Po, janë hapur letrat e Komandantit(Enver Hoxhës). Kjo është bërë me urdhër nga i pandehuri Koçi Xoxe. Kjo gjë doli edhe në Plenumin e XI-të ku ka qenë dhe i pandehuri. Ka dhënë vetë urdhër i pandehuri Koçi Xoxe në mars ose në prill të vitit 1947 që korrespodenca e jashtme, të censurohet pa përjashtim.

 

Shpend Zeqir Dega(Dëshmitar. Lindur në vitin 1917 në Krasniqe, nëpunës në Ministrinë e Brendshme):- Unë në Beograd isha si zëvendës shef i misionit ushtarak. Në vitin 1946 kam marrë nja katër letra nga Sigurimi i Jugosllavisë. Kur hapa zarfin, pashë se brenda kishte letra të Komandantit, të cilat ishin çelur. Njëra nga këto letra i vinte nga kolonia shqiptare e Francës, një tjetër nga Austria. Tjetra vinte nga filoshqiptari Leo Alexandër Freundlich. Unë pyeta menjëherë me radiogram Drejtorin e Sigurimit të Tiranës se përse këto letra të Komandantit ishin të hapura dhe kam kërkuar shpjegime disa herë për këtë gjë. Por asnjë herë nuk më është dhënë përgjigje. Heshtja donte të thoshte se kjo gjë tolerohej. Pasi koha ishte e keqe dhe unë kërkoja që këto letra të vinin sa më parë, nga Tirana mora njoftimin që të mos i dërgoja letrat, por të prisja sa të vinte Nesti Kerenxhi në Beograd dhe do i merrte ai. Asnjë përgjigje nuk m’u dha pse këto letra censuroheshin nga UDB-ja jugosllave.

 

Prokurori:- I pandehur Koçi, keni ndonjë gjë për të thënë?

 

Koçi Xoxe:- Jo, nuk kam gjë për të thënë.

 

Prokurori:- Çfarë ka për të thënë tani Nesti Kerenxhi?

 

Nesti Kerenxhi(Dëshmitar, lindur në Korçë në vitin 1922, nëpunës):- Të pandehurin Koçi Xoxe e njoh… Në kohën kur ju bë pretenca të burgosurit Hasan Reçi, për të cilin u kërkua dënim me vdekje, ai kërkoi që të takohet me Koçi Xoxen duke thënë se kishte gjëra me rëndësi për të deklaruar. Unë ja thashë Koçit këto, dhe ai më porositi të shkoja të takohesha në burg me Hasan Reçin dhe të mbaja shënim për ato që do të më thoshte. Unë mbajta shënim për ata që më tha Hasani dhe ja referova Koçit. Dhe ky menjëherë më tha që ti thosha Hasanit t’i bënte me dorën e tij këto deklarime. Dhe kështu, unë vajta përsëri në burg tek Hasan Reçi. Dhe ky Hasani, ato shënime që më kishte dhënë mua, i shkroi vetë me dorën e tij. Hasan Reçi përmendte në shënimet e tij se si shoku Tuk Jakova ishte takuar në dy raste me një ushtar anglez, domethënë një herë në ‘Hotel-Dajti’ dhe një herë tjetër në zyrat e sindikatës. Hasan Reçi thoshte se kur kishte shkuar një herë në Elbasan, pasi punonte në Këshillin e Përgjithshëm Sindikal, atje kishte parë punëtorët në gjendje të keqe dhe këtë ja kishte referuar Tuk Jakovës. Dhe së bashku këta të dy kishin qenë bashkë tek Sejfullai për të çelur kredi për të përmirësuar jetesën e punëtorëve.

 

Prokurori:- Ka pasur dhe raste të tjera që kërkonte informata i pandehuri Koçi Xoxe?

 

Nesti Kerenxhi:- Ka pasur edhe raste të tjera që kërkonte informata dhe më kishte porositur që këto t’i mbaja unë. Dhe unë i kam mbajtur këto me dokumentet e tjera.

 

Kryetari(Frederik Nosi):- Çfarë është thënë në mbledhjen e Byrosë nga i pandehuri Tuk Jakova?

 

Nesti Kerenxhi:- Unë u thirra në Byro për të mbajtur shënime për diskutimet që do të bëheshin atje dhe sa më kujtohet, Koçi Xoxe për Tuk Jakovën ka thënë se është i lëkundur, i butë, shkonte në ‘Hotel-Dajti’, takohej me farmacistin Ashiku, etj… Këto janë të shënuara të gjitha në proces.

 

Koçi Xoxe:- Në mbledhjen e Byrosë i kisha bërë ato kritika shokut Tuk Jakova dhe ja kam thënë dhe në shtëpinë time, para se të shkonte në Beograd.

 

Prokurori:- Të thotë dëshmitari Nesti Kerenxhi se çfarë di për dosjet që hapeshin në Ministrinë e Brendshme?(Dëshmitarit i tregohen dosjet përkatëse)

 

Nesti Kerenxhi:- Me rastin e hapjes së Asamblesë janë çelur një seri dosjesh. Ka pasur gjithashtu edhe dosje të çelura për disa udhëheqës e personalitete të tjerë të dyshimtë. (Mbi këtë u ftua dëshmitari të bënte seleksionimin e dosjeve që ju paraqitën, duke i ndarë veç ato që kanë materiale informative të Drejtorisë së Sigurimit)

 

Prokurori:- A ka dhënë urdhër Koçi Xoxe për survejimin e Mehmet Shehut?

 

Nesti Kerenxhi:- Kur kam qenë unë në Sigurim, nuk ka pasur ndonjë urdhër për survejimin e Mehmet Shehut. Më vonë, me Plenumin e  VIII-të u vu nën survejim. Dhe kështu për Mehmet Shehun ka pasur dosje dhe material informativ. Ka qenë survejuar dhe ka pasur dosje gjeneral Spiro Moisiu. Për Mihal Priftin, me sa di unë, nuk ka pasur dosje, por informata ka pasur. Kjo që shoh këtu(në dosje), është informatë e Sigurimit. Liri Belishova, pas vetëvrasjes së Nako Spiros, ka qenë survejuar. Për Haxhi Lleshin them se sigurisht Koçi ka pasur po ato  mendime për kundërshtarët e tjerë si Omer Nishani e shokë të tjerë të Presidiumit. Haxhiu ka pas dosje. Dosja për këtë rezolutën, ka qenë një survejim. Kanë qenë të dyshimtë po ashtu Bilbil Klosi, Irakli Bozo. Gjithashtu ka informata të Sigurimit për Shyqyri Këllezin, Njazi Islamin, etj… Qirjako Hariton, Koçi Xoxe e quante si pjesëtar në korrentin politik kundërshtar me Omer Nishanin, Sami Bahollin, Hasan Pulon. Pilo Peristeri ka informata në Sigurim. Koço Tashko ka pasur dosje dhe ka qenë konsideruar prej Koçit në korrentin e grupit kundërshtar. Për Spiro Kolekën, Koçi Xoxe ka pasur dyshime dhe në një proces, është përmendur për Myslym Pezën. Pra për Myslym Pezën ka pasur informacion, dhe ky vëzhgohej. Po ashtu, dhe Gogo Nushi.

 

Prokurori:- Dosjet e hapura për deputetët e Asamblesë përse vlenin?

 

Nesti Kerenxhi(Dëshmitar):- Kur u çel Asambleja, u hapën dosje se Koçi thoshte që ka deputetë të dyshimtë të sjellë nga Sejfulla Malëshova. Unë di që këto do çeleshin vetëm për ata deputetë që nuk ishin të organizuar në Parti.

 

Prokurori:- Të na thotë dëshmitari se a mund të hapte vetë Vaskë Koleci dosje pa urdhër të Ministrit?

 

Nesti Kerenxhi:- Sipas natyrës së punës, mund të hapte dosje edhe Vaska.

 

Prokurori:- Edhe për personalitete udhëheqës të Partisë dhe të Pushtetit mund të hapte Vaska dosje dhe a ishte i detyruar që materialin informativ në lidhje me këta, Vaska t’ja referonte Ministrit?

 

Nesti Kerenxhi:- Për personalitetet udhëheqës, pa urdhër të Ministrit të Brendshëm nuk mund të hapeshin dosje. Dhe, për të gjithë materialin informativ që vinte për personalitetet udhëheqës, duhej të njoftohej pa tjetër Ministri i Brendshëm. Dhe për këtë, Koçi Xoxe insistonte.

(Mbi këtë, shoku Prokuror i tregoi të pandehurit Koçi Xoxe një informatë mbi të cilën vetë ka vënë shënime me dorën e tij, për të cilën tha: Po, janë shënimet e mia!’).

 

Prokurori:- Këtu, shokë gjyqtarë gjendemi para dosjeve, disa prej të cilave kanë informata të Sigurimit dhe disa të tjera jo. Nga kjo del se i pandehuri Koçi Xoxe, informatat për udhëheqësit e rëndësishëm, i merrte vetë personalisht dhe ndaj shpjegohet pse nuk janë këto në dosje, përveç dy-tre bishta informatash që kemi gjetur për Bedri Spahiun e Manol Konomin. Të pyetet i pandehuri Vaskë Koleci përse mungojnë informatat në këto dosje?

 

 

Vaskë Koleci:- Informatat na vinin ne ndihmësve dhe për personalitetet kryesore i dërgoheshin menjëherë Koçit. Por, i pandehuri organizonte dhe mënyra të tjera për mbledhjen e informatave direkt me ndërmjetësimin e personave të tjerë siç është rasti i Kapitenit Thoma Vangjeli që ka survejuar me urdhër të Koçi Xoxes një natë shtëpinë e Bedri Spahiut.

 

Avokat Fuat Fico(Mbrojtës i të pandehurit Vaskë Koleci):- Kërkojmë që të pyetet Nesti Kerenxhi nëse Vaska mund të çelte vetë dosje për personat e dyshimtë?

 

Nesti Kerenxhi(Dëshmitar):- Siç thashë, mund të çelte, sipas natyrës së punës.

 

Avokat S. Stringa(Mbrojtës i të pandehurit Koçi Xoxe):- Kërkoj të shënohet kjo gjë në proces.

 

Andon Dhimitri(Dëshmitar, lindur në vitin 1924, nëpunës në Ministrinë e Brendshme):- … Më kishte porositur kapiten Thoma Vangjeli dhe unë kisha ngarkuar shoqen e Bedri Spahiut të shikojë se çfarë elementësh hynin e dilnin në shtëpinë e shokut Bedri. Po kështu, ishte ngarkuar dhe e shoqja e Shemsi Totozanit, që ishte kunata e Bedriut. Tani e realizoj se ky ka qenë për survejimin e udhëheqësve. Kam pyetur një herë Nedime Spahiun nëse vinte Hulusi Spahiu tek Bedriu. Shoqja e Tuk Jakovës ishte ngarkuar të vërente se kush hynte e dilte dhe të na jepte emrat. Dhe ne, informatat që merrnim nga këto, ja jepnim Drejtorisë së Sigurimit, se ajo e dinte kush ishin të dyshimtë që hynin e dilnin tek udhëheqësit.

 

Prokurori:- Çështja e dosjeve dhe survejimeve është një anë, shokë gjyqtarë, por këtu duhet shikuar se me çfarë mënyrash është shfrytëzuar mirëbesimi i anëtarëve të Partisë. Këtu ju patë dhe po e konstatoni se sa e drejtë është thënia e të pandehurit Vaskë Koleci, që Koçi Xoxe ngarkonte edhe të tjerët për ti sjellë informatat që ai donte…. Dhe kjo gjë shihet me faktin se për informatat e udhëheqësve interesohet direkt i pandehuri Koçi Xoxe.

 

(Vijon nesër)

Përgatiti: Kujtim Boriçi

NESËR DO TË LEXONI:

-Dëshminë e Paskal Andonit: Më 1 maj 1948, mora detyrë të rrija në tribunë pranë Mehmet Shehut, për të penguar një atentat me armë nga ai kundër Enver Hoxhës.

-Dëshminë e rreshterit të policisë Ali Zylfo: Nga muaj prill deri në muajin tetor të vitit 1948 kisha për detyrë të survejoja dhe të mbaja shënime për personat që hynin e dilnin tek shtëpia e Mehmet Shehut.

-Akuza: Si u hapën dosje dhe u goditën nga Koçi Xoxe ushtarakët Tahir Kadareja, Spiro Moisiu, Qazim Kondi, etj, të cilësuar si pjesëtarë të ‘Grupit të Kurveleshit’.

Kujtim Boriçi April 27, 2013 14:33
Komento

3 Komente

  1. Koz Dynjaja April 27, 15:10

    pa heee ju te majtet – armiku Kac Islami dhe grupi pucist…….

    Reply to this comment
  2. lani April 28, 11:47

    Dhe sot nuk na lini rehat me fantazmat komuniste? Nuk ju ndahet shpirti nga ata, i kenei baballare ideologjike.

    Reply to this comment
  3. Petriti April 29, 12:53

    kaci iku vete se ishte hajdute me shume fytyra

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*