Akuzat për barnat, reagon qeveria: Prokurimi me negocim, i ligjshëm

April 15, 2016 19:50

Akuzat për barnat, reagon qeveria: Prokurimi me negocim, i ligjshëm

Qeveria ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike për parregullsi në furnizimin me barna spitalore me vlerë 410 milionë lekë.

Nëpërmjet një deklarate për media, zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, akuzoi se në periudhën janar-mars 2016, kompania e tregtimit të produkteve farmaceutike “Trimed” ka përfituar me negocim pa shpallje dhe pa garë 59 kontrata për furnizimin me barna spitalore me vlerë 410 milionë lekë.

Përmes portalit “Transparenca.al”, qeveria sqaron se procedura e prokurimit me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës, është tërësisht e ligjshme, e cila bazohet në nenin 33 të ligjit nr. 9643, dt. 20.1.2006, “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe në nenin 36 të VKM-së nr. 914, dt. 29.12.2014, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.

Sipas reagimit, kjo procedurë zbatohet tashmë prej vitesh. “Ndryshe nga çka pretendon Partia Demokratike, negocimi pa shpallje nuk është prokurim pa garë apo i drejtpërdrejtë, por është një procedurë ku spitalet ftojnë operatorë të ndryshëm ekonomikë, në një proces të kontrollueshëm për cilindo operator ekonomik”, thuhet në reagim.

“Çdo vit, me çeljen e buxhetit në muajin janar, spitalet autorizohen të bëjnë vetë procedura prokurimi për të plotësuar nevojat e ngutshme të muajve të parë të vitit, derisa të realizohet prokurimi i përqendruar në Ministrinë e Shëndetësisë për plotësimin e nevojave vjetore të spitaleve. Edhe këtë vit, për plotësimin e nevojave të ngutshme të spitaleve janë prokuruar me negocim pa shpallje për plotësimin e nevojave të spitaleve 436 barna, me një vlerë totale prej 764 318 605 lekësh. Në këto procedura kompania ‘Trimed’ është përzgjedhur fituese vetëm për 18 barna, me një vlerë totale prej 8 969 591 lekësh, ose 1.2 për qind të vlerës totale”, vijon shpjegimi.

April 15, 2016 19:50
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*