Alarmi, nxënësit ekspozohen ndaj helmeve në shkollë, prindërit në protestë

June 15, 2016 19:37

Alarmi, nxënësit ekspozohen ndaj helmeve në shkollë, prindërit në protestë

 

Nuk mund ta besojnë se fëmijët e tyre kanë bërë mësim një vit rresht nën rrezikun e ekspozimit ndaj elementeve helmuese.

Por më në fund, një grup prindërish të fëmijëve që mësojnë në shkollën “36 gushti” në Tiranë, kanë nënshkruar një peticion ku kërkojnë që drejtoria rajonale e Arsimit, të largojë urgjentisht nga tabela periodike e elementeve, lëndë të tilla si mërkuri, beriliumi, cesiumi e sidomos poloniumi, uranium e arseniku.

Gojët e Liga thonë se presioni shkon deri aty sa mund të kërkohet edhe heqje tërësore e lëndës së kimisë nga shkolla.

“Është e tmershme ta mendosh. Fëmijët tanë mund të ekspozohen ndaj këtyre helmrave çdo orë kimie. Ne i sjellim në shkollë për të mësuar, jo për t’i helmuar”, tha prindi Shqiponja Këndezi. Për Këndezin, ky është një skandal që dëshmon katandisjen e sistemit tonë arsimor.

“Dalin e flasin për suksese e arritje, nga ministri e kryeministri, deri tek drejtori më i rëndomtë i shkollave periferike. Ndërkohë fëmijët tanë, Pëllumbi dhe Kumrija dalin nga shtëpia çdo ditë me kokë në torbë, dhe ne presim me zemër të ngrirë se mos infektohen me sot e me nesër. Kështu do integrohemi ne? Ka shtet këtu apo s’ka shtet?”.

Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj Skifter Këndezi shprehu dyshime të forta se vonesa e përgjigjes nga drejtoria Rajonale e Arsimit është kuptimplote përderisa vetë drejtori e ka emrin Mërkur, ndërsa nëndrejtoresha Urani.

Në emër të prindërve të tjerë, çifti Këndezi bëri thirrje që që këto helme jo vetëm të hiqen nga tabela e Mendelejevit, por të zëvendësohen me elemente të rinj, jo vetëm të padëmshëm por mundësisht edhe të ushqyeshëm, si Bakllaviumi apo Revaniumi.

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Seriozisht ju lutemi, mos ta merrni seriozisht.

June 15, 2016 19:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*