ALARMI / Shkarkimet e PD-së derdhen në mjedis, ambientalistët reagojnë

March 7, 2018 11:18

ALARMI / Shkarkimet e PD-së derdhen në mjedis, ambientalistët reagojnë

TIRANE – Skarcimet e shumta të kohëve të fundit nga Partia Demokratike kanë nisur të shqetësojnë shoqatat ambientaliste në vend.

Qershia mbi tortë (duke u kërkuar ndjesë për ofendimin, si qershisë, ashtu edhe tortës), ishte largimi i deputetit Eduard Halimi nga partia dhe mandati, çka sipas specialistëve e çon në nivele kritike aftësinë e shoqërisë shqiptare për të absorbuar sërish pa pasoja, mbetjet toksike të kësaj ndërmarrjeje problematike.

“Detin po e ngopim me mbetje plastike, ajrin me tymrat dhe pluhurat e makinave, shoqërinë e pafajshme me skrapamenton e PD-së… Nuk e di se ku po shkojmë kështu”, tha i shqetësuar ambientalisti Gjelbërosh Pirunaj, “sigurisht që deri në një masë të caktuar, këto shkarkime mund të treten dhe absorbohen nga shoqëria, por ato duhet të bëhen me masë dhe pak nga pak”.

Siç lexuesit e mbajnë mend, organizmi i shoqërisë shqiptare vuajti spazma të përsëritura dhe u shtrua disa herë në urgjencë dy-tri vitet e fundit, pasi e kishte vështirë të pranonte shkarkimet e dyshimta të PD-së si Bode, Topalli, Ruli, Patozi etj.

Një seri klizmash dhe kurash anti-ulçerë mezi e normalizuan gjendjen, por situata mbetet e brishtë, sidomos në planin psikologjik.

Kjo për faj të deklaratave të përsëritura të ex-liderit metropolitan Sabile Risha, se nuk do kërkojë më kurrë drejtimin e PD-së. Këto pohime qytetarët e pafajshëm i kanë përkthyer me lemeri, si mundësi që ai të tentojë të rikthehet në jetën civile duke hequr uniformën e partisë.

“Ne jemi vend i vogël, me pak tokë, pyje të shkatërruara dhe resurse të pakta”, deklaroi për Gojët e Liga agronomi në pension Panxhar Rrepanaku, “është thjesht e rrezikshme dhe e papërgjegjshme, që të hedhësh në natyrë kaq shumë mbetje për një kohë kaq të shkurtër, sepse nuk arrijnë të treten. Psh, është vërtetuar shkencërisht që Halimi apo Bode nuk janë lëndë politikisht biodegradabël”.

Specialisti i vjetër sugjeroi që për çdo derdhje të tillë në mjedisin e pambrojtur, të paktën PD të detyrohet me ligj të mbjellë pesëdhjetë pemë.

“Jemi duke helmuar fëmijët tanë, shteti të marrë masa”, apeloi Rrepanaku.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që ende beson te një mjedis mendor i pastër.

FOTO DENONCIM: Krere te PD duke leshuar Halimin ne shoqerine shqiptare pa asnje mase paraprake

March 7, 2018 11:18
Komento

2 Komente

  1. MH March 8, 12:09

    Nji shterngim duarsh:Kjofshi vete.Te rroje partia.

    Reply to this comment
  2. intelektuali March 10, 09:46

    Gojet e Liga thone se:

    Eksperti Legjendar i PD-se, Sabile Risha ka konsultuar Ekspertin e Rilindjes, Damlla Gjithkondi per te shkarkuar kaskadat e Drinit pa paguar asnje lek per te permbyturit duke i treguar gishtin e mesit fermereve te falimentuar te Rilindjes Enveriste, me fintet qe i ka mesuar tek Partia e Punes do kohe me pare kur ishte Sekretar Partie

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*