Alastair Campbell: Ditari i luftës në Kosovë, bisedimet që vendosën bombardimet

February 26, 2013 00:42

Alastair Campbell: Ditari i luftës në Kosovë, bisedimet që vendosën bombardimet

Si ishte të punojë me Tony Blair? Çfarë diskutohej dhe flitej në zyrën e kryeministrit britanik? Kush ishte njeriu dhe kryeministri Blair? Alastair Campbell (Alister Kampbell), njeriu që ka qëndruar 10 vjet me radhë në krah të kryeministrit britanik, ka botuar katër volume ditarësh të tij gjatë kohës që ka qëndruar pranë Tony Blair (Toni Bler). “Vitet me Tony Blair” (The Blair Years) është një përmbledhje e asaj çfarë ka ndodhur gjatë periudhës 1994-2003. Për lexuesin shqiptar, konflikti i Kosovës që pasqyrohet i zgjeruar në volumet II dhe III do të ngjallë vërtet interes. Këtu ai zbulon takime e biseda mes atyre liderëve që në njëfarë mënyre ishin arkitektët e luftës në Kosovë. Por më së shumti, Vitet e Tony Blair është dëshmia më bindëse dhe e hapur e politikës bashkëkohore që do të lexoni ndonjëherë. Këtu gjenden ngjarjet përkufizuese të kohës sonë, që nga rishpikja e Laburistes, e deri te lufta kundër terrorit; nga vdekja e princeshës Diana te paqja në Irlandën e Veriut; nga Kosova, Afganistani dhe Iraku e deri te Komisioni Hetimor Hutton i 2003-it, vit kur Campbell dha dorëheqjen. Alastair Campbell kishte postin e zëdhënësit dhe drejtorit të Komunikimit dhe Strategjisë, por që për të shpesh thuhej se ishte pikërisht ai që lëvizte fije të shumta brenda qeverisë që drejtohej nga kryeministri Tony Blair. Campbell punoi për një dekadë në këtë pozicion, dhe vinte në këtë post pas një karriere si gazetar. Sot njeriu i cilësuar si mbreti i spin-it ftohet shpesh në auditorë të ndryshëm në mbarë botën për të dhënë leksione mbi artin e marrëdhënieve publike dhe menaxhimin e krizave.

Kanë thënë për librin
Ky është një libër që të mbërthen, imponues dhe që me gjithë mend ua heq kapakun gjërave

(Rod Liddle, Sunday Times )

Një rrëfim brilant, përthithës….që të mban të ngërthyer, mbi të cilin mund të bazohet për dekadat që vijnë. Blijini këto rrëfime, do t’ju thithin…

(MattheW Parris, The Times )

Vibrant, me humor dhe shpalosës…Ka mjaftueshëm në këtë ditar për të më bindur se do të bëhen dokumente klasike të kohës sonë.

(Steve Richards, Independent )

 

Ditari i bombardimeve në Kosovë

E mërkurë, 24 mars

Berlin. Kosova vazhdonte të ishte lajmi kryesor. E kalova një pjesë të pasdites duke punuar për daljen televizive të Tony Blair (T.B) për Kosovën. John Sawers më mori mënjanë dhe tha se Kosova do bëhej patjetër dhe aksioni fillonte në 7 të darkës. SACEUR (Komandanti Suprem i Aleancës për Europën, Gjenerali Wes Clark) kishte çelësin. U kthyem në hotel dhe T.B punoi mbi 99. Me këmbënguljen e Chirac-ut, Kancelari gjerman, Gerhard Schroeder, (si mbajtës i Presidencës së BE-së) po shtynte që të hiqte rabatën 2 miliardë paund të BE-së për Britaninë, duke argumentuar se modeli i shpenzimeve të BE-së kishte ndryshuar shumë që nga koha e negocimit të rabatës në 1984-ën nga Margaret Thatcher-i.

E premte, 26 mars

Reagimi për sulmet në Kosovë nuk ishte shumë i mirë. Përveçse Harriers-at nuk kishin gjuajtur objektivat e tyre, TLAM-ët tanë (predhat për sulm tokësor Tomahawk) nga Splendid-it gjithashtu kishin dështuar. Yank-ët që na i shitën nuk ishin fare të kënaqur për këtë. Unë sugjerova që të thoshim se ishte një operacion i përbashkët dhe të mos hynim në detajet se kush bëri dhe kë pjesë të operacionit. Pasqyrimi i samitit po shkonte mirë, por sigurisht i shkurtuar pak nga Kosova. Rrugës së kthimit bëmë shakatë e zakonshme për udhëheqësit e tjerë.

E hënë, 17 maj

T.B ishte i bindur se të paktën duhet të kërcënonim me përdorimin e forcave tokësore dhe të bënim përgatitje, përndryshe Millosheviçi do të mendonte se ai mund të rrinte aty derisa vullneti ynë të dobësohej. I thashë se ai sot duhej të fliste me Schoeder-in, sepse nesër ai duhej të ishte te NATO dhe do të ishte fokusi kryesor i mediave për atë ditë, dhe ne duhej ta bënim të ndryshonte qëndrim. Në Tiranë ne vizituam kampin e refugjatëve dhe një çift pleqsh që ishin shumë të prerë dhe të drejtpërdrejtë, por gjithashtu edhe shumë prekës për mënyrën sesi po jetonin. Fëmijët ishin nxirë nga dielli dhe ishin të gëzuar, dukej se kishin mjaftueshëm për të ngrënë, megjithëse brenda tendave ishte vapë dhe zagushi. Nënat dukej se e kishin më të vështirë. Një grua na ndali dhe tha se burri i saj ishte kthyer me 4 brinjë të thyera. Ua kishin marrë të gjitha paratë dhe ata kishin lënë pas të afërm që ata e dinin se ishin vrarë apo përdhunuar. T.B përçoi pak nga ai mesazhi: “Ju do të ktheheni në shtëpi” dhe foli për nevojën thelbësore për fitoren e njerëzores. T.B kishte menduar ta provonte prapë me B.C, t’i thoshte se tani ishte me të vërtetë i shqetësuar se po mbeteshim pa strategji përveç sulmit ajror dhe Millosheviçi thjesht do priste derisa neve të na mbaroheshin mundësitë. Ai e dinte se sa më shumë të bombardonim, aq më shumë civilë do të vrisnim dhe me kalimin e kohës vullneti i partnerëve tanë do të thyhej. Refugjatët nuk do të ktheheshin nëse ai vazhdonte të qëndronte aty, dhe ne nuk kishim për ta hequr prej aty pa të paktën kërcënimin realist të trupave tokësorë. Pak para mesnate, John Sawers më zgjoi për të më informuar mbi një telefonatë “shumë të vështirë” mes B.C dhe T.B. Ata kishin folur për më shumë se një orë dhe 5-10 minutat e para ishin zënë me Bill-in, të cilit i kishte kërcyer damari. Ai i kishte parë raportimet nga Mbretëria e Bashkuar dhe gjërat në Shtetet e Bashkuara dhe ai “e dinte se çfarë po ndodhte, se ishte e qëllimshme dhe duhej të ndalej”. Ai tha se mund të shkonte me median britanike dhe me publikun, por “kishte një çmim për të paguar dhe ti do ta paguash”. John-i tha se ai qartësisht po sugjeronte se unë me qëllim kisha folur me median kundra tij për të ngritur lart T.B. T.B protestoi aq sa mundi. Ai tha se ishte i tmerruar nga ideja se ata mund ta shkonin ndërmend që ne mund t’i vinim atij pengesa kur ai e drejtonte këtë gjë, së cilës B.C iu përgjigj se “në këtë rast po ndodh pa dijeninë tënde”- që nënkuptonte se ishte edhe më keq. John-i tha se ai nuk kishte thënë emra, por ishte e qartë se për kë e kishte fjalën. Ai tha se kurrë nuk e kishte dëgjuar kaq të inatosur dhe T.B ishte pak i habitur. Në thelb, megjithatë, B.C dukej se po lëvizte. Ai ndante mendimin e T.B se opsioni i d’Alema-s mund të ishte një mënyrë për të hequr opsionin e trupave tokësorë. T.B e tha shkoqur: “Kishim një pushim 48 orësh, ndërsa binim dakord për një UNSCR të re, pastaj nëse Millosheviçi nuk bindej, bazuar në 5 kërkesat e NATO-s, ne do të bombardonim sërish dhe planifikonim për trupa tokësore”. Bill-i e pëlqeu si ide.

E shtunë, 5 qershor

Julian (Braithwaite) telefonoi herët, pasi kishte udhëtuar drejt Maqedonisë me një ekip nga SHAPE, për bisedimet në Bllac. Kishte një problem. Serbët nuk donin të vinin te vendi që ne kishim zgjedhur. Bisedimet duhej të fillonin në orën 9. Serbët nxorën një tjetër vend takimi dhe shumë jap-e-marr. NATO ra dakord që ata mund të lëviznin. Ky mund të ishte fillimi i talljes së tij të zakonshme. Millosheviçi po kërkonte të nxirrte jashtë familjen. Reagimi im i menjëhershëm ishte të rrinim të qetë, por e ndërrova mendjen gjatë natës. Tani kishim të bënim me Millosheviçin  klasik. Kishte bërë marrëveshjen në parim, pastaj na humbiste kohën në detaje në një mënyrë të atillë që e bënte të dukej sikur ai po fitonte në ato pika që po përcaktonte.

E diel, 6 qershor

Kishim një problem serioz. Serbët nuk tërhiqeshin pa një UNSCR. Rusët nuk negocionin për një UNSCR pa ndalur bombardimi. Dhe ne nuk e ndalnim bombardimin pa u tërhequr ata. Mike Jackson i tha T.B se ai nuk besonte që ata e kishin seriozisht dhe tha se “duhet t’u themi të pirdhen”. Ahtisaari sugjeroi që ai të shkonte atje dhe në analizën finale tha se ai do t’i telefononte Millosheviçit, t’i thoshte se KFOR-i duhej të futej në territor dhe më pas ne do të merrnim një UNSCR. T.B tha se ai druante se Jackson-i ishte një ushtar shumë i mirë, por një negociator i dobët. Mua më pëlqente dhe është një karakter i fortë, por sedërmadh dhe i paduruar, dhe jo domosdoshmërisht i vetëdijshëm për ndryshimin midis asaj që ndodhte në realitet dhe çfarë kishte kuptim që t’i thuhej medias. Ajo që duhej të ishte e qartë ishte se të gjitha problemet vinin nga ana e serbëve dhe ndërkohë ne duhet të vazhdonim me bombardimin.

February 26, 2013 00:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*