ALBANOLOGJI / Hashimi zbulon 15 fjalë të ndryshme për të mos përmendur “shkëmbim trojesh”

August 14, 2018 11:36

ALBANOLOGJI / Hashimi zbulon 15 fjalë të ndryshme për të mos përmendur “shkëmbim trojesh”

 

Një kontribut të lavdërueshëm ka dhënë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi për pasurimin e fjalorit të shqipes, e gjithë kjo si një efekt anësor pas përpjekjeve të stërmundimshme për të mos përmendur në publik fjalën “shkëmbim trojesh”.

Burime të pasigurta dhe të mbyllura në vetvete pohojnë se aventura albanologjike e Hashimit nisi pak ditë para se të niste daljet publike për t’i kumtuar popullit shqiptar dhe atij shqiptar marrëveshjen që kishte bërë me Sandrin e Beogradit.

“Nuk bën ta quaj shkëmbim trojesh”, tha Thaçi në një rreth të ngushtë, “as këmbim territoresh. As lëvizje kufijsh. Tingëllon keq”.

Kështu, ai dhe stafi, siç quhet shpura në terminologjinë e sodit, nisën të përpunojnë një seri togfjalëshash që filluan të bien si breshër.

U diskutuan: Ndërrim vije kufitare; korrektim territori, saktësim terrenesh, rakordim sipërfaqesh, dakordësim parcelash, rialokim piramidash, riavolxhim hartash…

Shumë prej fjalëve pashmangshmërisht ishin të huaja. Kjo Hashimit nuk i pëlqeu aq.

“Ç’jan kto fjal krejt strejxh bre”, u ankua presidenti, “na kena vokabularin e jon, s’kena pse kidnapojm llafet e bots”.

Por dora-dorës hoqi dorë, sepse e kuptoi që detyra edhe kështu ishte shumë e vështirë.

U hodhën në tryezë gjetje të reja:

Updatim vijash, risetim kufitar, allishverish imobiliar, përkëmbim terrenor, riaftësim ledhesh, rifreskim livadhesh, ndërmjetësim i dakordësuar lëndinash…

Sido që u rrotullua shpura, Hashimit më e parrezikshme, më e ëmbël dhe e paqtë iu duk togfjaëshi “korrigjim kufijsh”. Por as kjo nuk i ngjiti tamam.

Prandaj, i ngarkoi detyrë akademikut Hivzi Islami ta shihte mirë këtë çështje.

“Më gjej fjalën më të ëmbël për këmbimin e territoreve”, i tha, “se i kam mbush mendjen Sandrit të na e japi Preshevën me rrethina, deri në Nish”.

“Po ne ça kena me i dhan, President”, e pyeti akademiku, “Gjakovën me rrethina deri në Durrës?”

Hashimi nuk e priti mirë këtë xhevap, por nuk foli.

Pas pak ditësh, Hivziun e ndaloi policia serbe me gjithë familje, të kalojë kufirin për në Preshevë tek farefisi…

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike e paaftë t’i kuptojë dakordësimet e parcelave… 

August 14, 2018 11:36
Komento

2 Komente

  1. Lad August 16, 12:01

    Shiko se allishverish imobiliar nuk duket keq o hashim. Kete perdor.

    Reply to this comment
  2. Mala August 18, 08:54

    Hashimi,lideri ushtarake politik i UCK dhe lideri aktual i politikes se pasluftes ne Kosove, te cilit perkunder krrokamave ndjellakeqe te sorrshkinave te porositura e te financuara nga Beogradi, qe te kudnerhstojne te flasin e te shkruajne,madje ato shkrime e vepra,te frymes ideore te S.Gajkoviqit, ti promovojne ne Beograd,Liderit aktual Thaci, vetem sa ia rrisin vleren dhe namin.Kete lider as poitika dhe aspirantet politik aktual nuk po ia dalin ta “zene ne hap”me ide dhe strategji politike<ka dite qe "driblloi" me keta "amateret"pretetndent naiv e shkurtpames politik.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*