Albpetrol fiton gjyqin me ARMO-n

February 29, 2016 16:40

Albpetrol fiton gjyqin me ARMO-n

Ajsbergu i borxheve që ndërmarrja e përpunimit të naftës ARMO ka ndaj kreditorëve së fundmi duket është shndërruar në një mollë sherri se kush duhet të përfitojë i pari  nga detyrimet në rast të shitjes së plotë apo të pjesshme të kompanisë.

Kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Albpetrol ka fituar sot gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Burimet pranë kompanisë Albpetrol bëjnë me dije se vendimi është dhënë për ekzekutim të menjëhershëm dhe është krijuar si i tillë nga mospagesa e faturave për naftën e papërpunuar nga ARMO.

Para pak ditësh shoqëria përmbarimore EPSA njoftoi nxjerrjen ne shitje të uzinës se përpunimit të naftës të rafinerisë së ARMO, (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë) për llogari të bankës Raiffeisen, për një kredi të pashlyer prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro). Ankandi i parë ka dështuar por EPSA pret të zhvillojë një ankand të dytë.

Mirëpo neni 605 i Kodit të Procedurës Civile përcakton që detyrimet ndaj shtetit kanë përparësi ndaj detyrimeve ndaj bankave. Kështu nëse do të ketë shitje të asetëve të ardhurat do të shkojnë për shlyerjen e borxhit të tatimor që sipas të dhënave nga tatimet aktualisht është 23 miliardë lekë.

Pas tatimeve në radhë për shlyerje janë detyrimet  ndaj Albpetrol, i cili është 100 % në pronësi të shtetit. Kështu sipas ligjit çdo e ardhur që sigurohet nhag përmbaruesit privat për llogari të bankës në fakt shkon për shlyerjen e detyrimeve të punonjësve dhe detyrimeve tatimore. Ndërkohë Albpetrol sh.a është në proces gjyqësor edhe në lidhje me penalitete dhe kamatë vonesat e borxhit të pashlyer të ARMO, të cilat kalojnë vlerën e 20 milionë $.

Bankat e kane filluar procesin për shitjen në ankand, por tani i gjithë procesi vihet në dyshim, për shkak të përparësisë së shtetit në rradhë për të vjelur detyrimet.

Si u krijuan borxhet

Gjiganti i përpunimit të naftës në vend, ARMO praktikisht ka falimentuar, por ligji që e klasifikon atë si sektor strategjik pengon procesin e falimentit. Një korrespondencë ndërmjet dikastereve të qeverisë zbardh planin se si do të falimentohet dhe pas do të shtetëzohet ARMO, e cila ka aktualisht 207 milionë USD kredi për të shlyer në bankat dhe 53 milionë USD në tatime.

Ne gusht të 2013 Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85 për qind të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO gjatë vitit 2014 përfitoi të ardhura, si qiradhënese të dy rafinerive, si pronare e tyre.

Deveron Advisor Corp zotëron shoqërinë Oil Albania. Konsiderohet se është person i lidhur me zotëruesit e aksioneve të shoqërisë ARMO. Deveron është krijuar në nëntor të 2013. Prej shkurtit të 2014 operon në rafinerinë e Ballshit me kapacitet të përpunimit të naftës bruto prej 1 milionë tonë në vit po me një përpunim real 110 mijë tonë . Arsya qëndron se faza e investuese u mbyll në muajin korrik dhe është punuar për 5 muajt e fundit të vitit 2014.

TPD (Trading Petrol Drilling) është krijuar në qershor të vitit 2012 dhe zotërohet nga Pajtim Bracaj. Konsiderohet së është një person i lidhur juridikisht me zotëruesit e aksioneve të Taivan Center. Në shtator të 2013 ka nënshkruar marrëveshje me ARMO dhe operon në rafinerinë e Fierit ne kapacitet përpunimi 500 mijë tonë në vit.

Këto kapacitete përpunimi të dy rafinerive kërkojnë furnizim të vazhdueshëm me naftë të papërpunuar. Nisur nga kapacitet rafineruese dhe karakteristikat teknologjike të rafinerive nevojitet jo vetëm naftë bruto vendi, por edhe naftë importi. Blerjet e fundit për Deveron janë realizuar nga Bankers e cila bleu 8 muajt e fundit të 2014  181 mijë tonë.

Shoqëritë ARMO dhe Deveron gjenden me probleme financiare të mëdha dhe nuk mund te dalin nga situata nëse nuk arrijnë volumet e prezantuara për 2015. Industria e përpunimit aktualisht edhe pse kombinati i Fierit është me fitim është në situatë problematike financiare në gjendje gati për faliment.

Nëse bëhet një net off, duke supozuar se shoqëria me një menaxhim të efektshëm të borxhit është në gjendje të kryejë pagesat të borxheve jo më shume se 5 për qind në vit.

Rreziqet

Në lidhje me mbledhjen e detyrimeve tatimore dhe falimentin ekzistojnë rreziqet:

1-Ekziston një rrezik potencial për mosmbledhjen e borxhit tatimor për shak të shumës së madhe të detyrimit dhe të pamundësisë reale për shlyerjen afatshkurtër të tij.

2-Ligji për falimentin ndalon hapjen e procedurave të falimentit në sektorët strategjikë. E vetmja zgjidhje që mbetet është deklasifikimi i i industrisë së përpunimit të naftës si sektor sektor, por kjo duhet të bëhet me ligj të posaçëm të miratuar në Kuvend. Nëse kjo do të mundësohet për të shmangur një pjesë të mirë të detyrimeve mund të që shoqëria ARMO të hapë procedurat e falimentit. Duke parë se kreditë e shtetit (taksat dhe tatimet e papaguara  kanë përparësi nga detyrimet e tjera rekomandohet që organet tatimore të regjistrojnë barrë siguruese mbi asetet e ARMO-s në mënyrë që të sigurojnë radhën e referimit, e cila në rast të falimentit do i ndihmojnë të vjelin detyrimet e papaguara përpara kreditorëve të tjerë. Kjo do të ndihmonte që çmimi i blerjes se të rafinerisë si aktiv të reduktohej në masën e detyrimit që shoqëria ka ndaj organeve fiskale.

Variantet për rrugëdaljen nga gropa financiare

Opsioni 1

Injektimi i kapitalit fillestar nga dy ortakët, i shumicës dhe pakicës që është shteti (15%). Shteti mund të kontribuojë kapital nëpërmjet faljes së borxheve shtetërore nga ortaku i shumicës mund të kontribuojë me kapital financiar. Gjithashtu mund të arrihet që kreditorët më të mëdhenj siç janë bankat të bëhet strukturimi i borxhit dhe mekanizma të tjerë financiare.

Opsioni 2

Nëse ortaku i shumicës nuk është dakord për injektimin e kapitalit të ri, ortaku shtetëror (Ministria e Ekonomisë) bazuar në nenin 15 “ndihma shtetërore për ndërmarrjet në vështirësi” të ligjit për ndihmën shtetërore, ligji thekson se shteti mund të ndihmojë ndërmarrjet në vështirësi për tu ristrukturuar bazuar në plane konkrete. Me ndihmë kemi parasysh faljen e detyrimeve, përjashtim nga tatim –taksat për një periudhë të caktuar, injektim kapitali të freskët financiar etj.

Opsioni 3

Blerja nga ana e ortakut të pakicës së pjesës së ortakut të shumicës duke përdoru mekanizmin e ndihmës shtetërore. Nga të gjitha këtu duhet të përgatitët një raport fisibiliteti i plotë për të konkluduar gjithë çështjet dhe opsionet e hedhura për diskutim në përmbledhje.  /Monitor

February 29, 2016 16:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*