Aleanca Popullore e Çamëve/ “Ne, thjesht për të ngritur dhe ulur temperaturën me Greqinë!”

Ben Andoni* June 7, 2015 09:08

Aleanca Popullore e Çamëve/ “Ne, thjesht për të ngritur dhe ulur temperaturën me Greqinë!”

Nënshkrimi i Aleancës Popullore (AP) para zgjedhjeve të përgjithshme me PS-në u pa si një ogur i mirë për Çështjen Çame dhe një angazhim që i plotësonte të gjitha pritshmëritë. Formacioni që drejtohej, falë një angazhimi të madh personal të liderit të AP-së Artur Dojaka arriti që të krijojë një fizionomi tjetër të komunitetit çam dhe aspiratave të tyre. Zgjedhjet i dhanë një “stop” kauzës së tyre, pasi ata nuk mundën të ekuilibronin dot PDIU-në, që atëherë ishte në koalicionin e Djathtë, muajt kaluan dhe vetëm pak javë më parë, zgjedhja e Shpëtim Idrizit si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ishte hapi i fundit drejt fuqizimit të PDIU-së edhe institucionalisht. Por, ndërsa data e zgjedhjeve lokale po afrohet, një pjesë e madhe e komunitetit çam nuk mund të përtypë këtë lëvizje, si edhe akrobacitë e PDIU-së, që në vitet e fundit ka kaluar nga njëra parti tek tjetra. E fundit ishte kjo, në ditën e fundit të marsit të këtij viti, kur PDIU u bashkua me koalicionin e majtë duke u bërë pjesë e qeverisjes. Marrëveshja e arritur më 30 Mars 2015, u bë në selinë e PS-së dhe simbolikisht tregonte edhe diçka tjetër: që Idrizi, që kish dalë nga kjo seli edhe u kthye në të njëjtin vend. Pas një takimi formal 40 minutësh, dy partitë vendosën edhe për bashkëpunimin për zgjedhjet vendore, por atëherë pa i bërë publike emrat e bashkive që do i liheshin PDIU-së. Krejt ndryshe, AP-ja që kish qenë aleatja e shkuar, u braktis.

Aleanca Popullore, ne do vazhdojmë

Për hir të së vërtetës, edhe pse para zgjedhjeve të përgjithshme 2013, AP-ja u pa si një forcë alternative premtuese, duhet thënë se nuk u plotësua pritshmëria, që prisnin kalkulimet politike. E përçarë, çështja Çame e ndërthurur mes politikës, përfitimit të momentit, dasive, konfuzionit, e humbi atë bazë të fortë me të cilën lideri i ri aktiv Dojaka shpresoj t’i japë elektoratit të vet, alternativën e vet. E gjitha nuk ndodhi pa shkak. PDIU-ja duke shfrytëzuar akseset që pati në administratë ishte shumë më e besueshme për shqiptarët çamë, të cilët i besuan si gjithnjë pragmatizmit. Dhe nevoja për punë, përfitimi dhe mbijetesa i mbysin idealet jo vetëm në këtë komunitet, por në çdo syresh në Shqipëri. Ideali i tyre u shfrytëzua vetëm politikisht. “Në përgjithësi mund të them se çështja Çame është shfrytëzuar deri më sot politikisht nga PS dhe PD vetëm për të ulur apo ngritur temperaturën e marrëdhënieve me Greqinë fqinje. Tashmë që në skenë është edhe PDIU, çështja Çame shërben edhe për përfitime vetjake të drejtuesve të kësaj partie sëbashku me onturazhin e tyre”, thotë i bindur Dojaka për “JAVA”. Ky i fundit edhe pse u besua që do mundohej që të ngrinte dhe do të bashkonte në një të vetëm faktorin çam, përçarja gati historike mes tyre, nuk e la që të realizonte një nga qëllimet më të mira për kauzën historike.

Lëvizja e re Çame u krijua nga Artur Dojaka në nëntor 2012, në Elbasan, aty ku sot e kësaj dite jeton një numër i konsiderueshëm çamësh. Ata e akuzuan qysh në fillim me të drejtë Idrizin për deklarata boshe ekstremiste nacionaliste dhe që problemin e këtij komuniteti e ka shtyrë në kalendar greke. Ata formuan madje edhe një Senat, që do të bashkërendonte të gjithë përfaqësuesit politikë në rrugën e zgjidhjes së Çështjes Çame. Sot gjërat s’kanë ndryshuar shumë. PDIU është forcuar edhe pas humbjes së të Djathtës, pasi e vetmja nga partitë kryesore që nuk pësoi asgjë nga orteku i zëvendësimeve në administratë, një element pakënaqësie që mund t’ia rrudhte elektoratin. Aleanca Popullore, si më parë, besnike e idesë ka vazhduar njësoj. Së fundmi, duket e fokusuar thjesht në forcën e vet, teksa ka depozituar emrat për tri njësi vendore. Për të ardhur keq, sepse kjo parti ishte e vetmja që përfaqësonte një mendim objektiv larg zhurmës dhe retorikës ofenduese dhe rrahje-gjoksin për çështjet “nacionaliste”. Dojaka i pyetur nga JAVA për shfrytëzimin e kauzës së tyre dhe trajtimin gati si minoritet i përgjigjet i qetë: “Duke e vlerësuar Aleancën Popullore si një forcë politike larg çdo lloj interesi vetjak të kujto qoftë, nuk do të preferoja të angazhohem në një diskurs mbi këto çështje, ndërkohë që jemi në proces të zgjedhjeve vendore. Jam i mendimit se në rastin e përfshirjes së AP-së në një debat të tillë do t’i jepnim frymë të gjithë atyre pazarxhinjve që duan dhe po përfitojnë në kurriz të çështjes Çame.

Ne si Aleanca Popullore jemi të angazhuar totalisht në këto zgjedhje për të motivuar te qytetarët frymën e pavarësisë nga politika e derisotme”, shprehet Doajka. Por politika e sotme ka llogari të tjera, ato që po i largon ata gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Kështu, ndërkohë, që Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU-së gëzon privilegjet si nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, deputeti tjetër i këtij formacioni, Dashamir Tahiri thotë se s’është aspak i kënaqur për koalicionin qeverisës me PS-LSI duke theksuar se vendi i çamëve është në koalicionin e djathtë!!! Ai thotë se deri tani E majta ka vetëm fjalë dhe asnjë vepër në drejtim të zgjidhjes së çështjes çame. Në fakt, koalicioni që përfaqëson Rama të paktën zyrtarisht ka qenë me një politikë të jashtme bazuar në reciprocitet dhe dinjitet. Në këto dy vite të fundit ka pasur zhvillime sa i përket qëndrimeve që ka mbajtur pala shqiptare lidhur me çështjen çame, krejt ndryshe nga paraardhësit. Ndërkohë që edhe pasi në Kuvend u pranua Rezoluta Çame, në fund të mandatit të shkuar kuvendor, nuk ka pasur asnjë hap të plotësimit të detyrimeve që rrjedhin nga Rezoluta. Por, edhe qeveria Rama s’ka bërë më hapa.

Kthimi pas, Çamët në kalendat e grekëve

Dhe, përçarjes së çamëve nuk i vë faj. Përballë kanë një mur që nuk dëgjon. Ish-ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos deklaroi në Tiranë pak muaj më parë, në emër të qeverisë greke se ata nuk e njohin çështjen çame. Ai tha se kushdo që ka probleme pronësie, apo syresh me ligjet e Greqisë, mund t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut. Dhe ia la topin Bushatit me një paragraf kortezial: “Kjo është një çështje që nuk e njoh, po të dojë, le të përgjigjet ministri”. Ministri i ri Shqiptar i është dashur të bëjë një shpjegim të gjatë aty për aty: “Pyetja që shtrohet është paksa e tejkaluar, për faktin se sa na përket ne, ajo që njihet si çështja çame është pjesë e dosjes tonë me diplomacinë dhe sot sipas pikëpamjes tonë është momenti që realiteti të shihet në sy. Të tejkalohen pengesat historike një nga një sepse duam të pasurojmë gamën e bashkëpunimit rajonal dhe jo t’i lëmë terren nacionalizmit folklorik, që në mungesë të adresimit të kësaj çështje apo çështje të tjera tenton të mbajë peng marrëdhëniet mes dy vendeve tona”, tha Bushati.

Në idenë tonë, ikja e Idrizit dhe paçka si po e përjeton komuniteti Çam, duket se nuk është ndonjë mëkat, kur kujton se Partia Demokratike, njësoj për tetë vite në pushtet, nuk bëri gjithashtu asnjë hap konkret për të zgjidhur këtë çështje. Përveçse, që u shmang Vangjel Dule, që përfaqësonte PBDNJ-në, por që më shumë ka mbrojtur interesat e minoritetit grek dhe pothuaj fare pjesën tjetër. Me pak fjalë, kauza është në kalendat greke për t’u zgjidhur.

Aleanca Popullore, e drejtuar nga Artur Dojaka, mëton dhe duket se përfaqëson idealin më të kthjellët të çamëve dhe këtë e shikon nga përqasja korrekte që bëjnë, por që gjithsesi, nuk mund t’ia dalin dot prej shfrytëzimit politik, që po bën grupimi tjetër, e që me këtë rast, i ka marrë dhe vendin afër “të fortëve” të majtë. Ndoshta, ndryshimi dhe përqasja nga problemi çam, duhet të fillojë brenda çamëve./JAVA

Ben Andoni* June 7, 2015 09:08
Komento

5 Komente

  1. sopiqoti June 7, 09:23

    Qe vellezerit tone cam kane shoqata e parti politike kjo eshte nje gje e mire,POR ajo qe ndodhi me camet nuk mund te zgjidhet ashtu sic e kerkojne keto shoqata e keto parti.Hiqeni mendjen nga ajo qe duan te arijne keto formacione.Greku nuk leshon penj jashte asaj qe ai pranon.

    Reply to this comment
  2. grey June 7, 10:32

    Qe Idrìzi eshte nje pazarxhi ordiner i çeshtjes çame, kjo nuk eshte me risì. Qe ai rend pas pushtetit, kete e kane treguar levizjet e tij qe dikush ne komente me te hershme e ka quajtur bukur “fshirese xhamash makine”, majtas – djathtas – majtas.
    Po ne kete rast faji me i madh eshte i pazarxhiut Rama, i cili hodhi poshte idealet dhe fjalen e burrit per numrin e kartonave dhe pazaret e tij ordinere per pushtet absolut.
    Dhe nuk kish si te ishte ndryshe, Rama dhe Idrizi hane prodhime te pazarxhiut, bixhozxhiut e pijanecit Nano. Si te tille jane te ngjashem dhe nuk habisin askend me keto sharje, peshtyrje e lepirje…..
    Rama keto zgjedhje kushte nevoje per votat e kujdo partie apo partiçke, per te plotesuar rrjedhjet e munshme nga socialistet e harruar, nga burgosjet per 5,000 leke te reja te debitoreve te energjise, nga prishjet selektive te ndertimeve pa leje, nga zhgenjimi i mad i pritshmerise per burgosjen e Berishes, Bodes, Imamit e gjithe hajduteve qe populli i rrezoi me vote ne 2013,

    Reply to this comment
  3. I.Troplini June 7, 10:33

    Si ne cdo aspekt tjeter te kesaj shoqerise sone, edhe me ceshtjen came, eshte abuzuar dhe po abuzohet me nje lloj papergjegjshmerie te tille, saqe kauza came nuk arrin te marre nje note institucionale ne politiken e shtetit shqiptar.
    Figura te konsumuara si ajo e Shpetim Idrizit dhe Tahir Muhedinit, me teper se perfaqesojne komunitetin cam dhe interesat e tyre legjitime,,,, jane simbol i grykesise dhe abuzimit, i korrupsionit dhe i pafytyresise te klases politike shqiptare.
    Nje ceshtje e tille jetike dhe kombetare, kur nuk perfaqesohet nga figurat e duhura, rrezikon te behet nje, me kotesine e figurave te lartpermendura. Ceshtja came, terrori dhe vuajtjet e tyre, debimi me force nga trojet dhe pronat e tyre,,,,,,,,, nuk mund “te zevendesohen” me faktin e zgjedhjes se Z.Idrizi si shef doganash apo nenkryetar kuvendi.
    Z.Idrizi, ka ne radhet e elektoratit shqiptar, te njejtin vend si Xeni i Saliut. A mund te perfaqesoje Xeni, ceshtjen kombetare?

    Reply to this comment
  4. zhuls shqiptar June 7, 14:35

    Shqiperia eshte Cameri

    Reply to this comment
  5. meri June 7, 16:11

    Marreveshja Rama & Idrizi per zgjedhjet lokale 2015 eshte tradheti e Rames ndaj votes se 2013.
    Nje milion votat ishin edhe kunder Idrizit dhe korrupsionit te drejtorive te drejtuara nga PDIU. Idrizi ne 2013 u struk ne vendet e sigurta te PD-se ne Fier, dhe vendosja e tij si n/kryetar kuvendi eshte nje shuplake edhe per mua, nje nga 1 milion votat e 23 qershorit 2013.
    Dhe pergjigjen per kete “tradheti” qe Rama i beri socialisteve do ta marre shume shpejt, pas vetem dy javesh.
    Respekt per voten popullore!!!!
    Fund pazareve te ndyra politike te Rames, psudosocialistit me ordiner qe nga 1991.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*