Alegoria e shirave

Mentor Haliti February 11, 2015 09:19

Alegoria e shirave

Midis dy të drejtave, të drejtës së lëvizjes dhe të drejtës së besimit ekzistojnë pak hapësira, e shumë probabilitete. Natyrisht, se e drejta e lëvizjes ofron përparësi të konsiderueshme natyrore, ndërkaq e drejta e besimit të ofron përparësi të mëdha njerëzore. Zgjedhja midis këtyre dy të drejtave është sikur zgjedhja mes dy të përbashkëtave të patjetërsueshme. Midis dy formave komplementare të një organizmi të formuar unik.

Megjithatë, në fillim do të merrem me të drejtën e lëvizjes, jo si një fenomen juridik, jo si një fenomen fizik, por si një fenomen natyror. Prandaj, krahasimi i mundshëm me realitetin është tejet metaforik. Ndërkohë, që jemi në fillim të vitit dhe pas një kohe relative, periodike, në vendin tonë, përballemi, sërish, jo me një, por me dy fenomene tipike natyrore e morale; me vërshimet dhe me emigrimin. Këto dy fenomene, pa llogaritur efektin, janë tipike për mjedisin tonë, ani pse kalojnë pa u vërejtur. Këto kanë ndodhur që nga antikiteti e do të vazhdojnë me këtë ritëm, gjatë.

Vërshimet, në vendin tonë ndodhin më rrallë në këtë kohë dhe në këtë përmasë. Do të duhej të ndodhnin në vjeshtën e thellë apo në pranverën e hershme. Por, ja që ndodhin në fillim të vitit dhe nga efektet e saj kemi vërejtur se cilat janë vështirësitë me të cilat përballemi: pabanueshmëria e shtëpive, zhvendosja dhe bllokada njerëzore së bashku, madje mungesa e artikujve parësor të konsumit, të ushqimit e veshmbathjes, si dhe të ujit të pijshëm e rrymës në të njëjtën kohë kur ka rrjedhje të ngadoshme të ujit. Dhe kjo është tejet ironike.

Le ta ritheksoj atë që dihet se uji vjen nga retë dhe bie në formë të shiut duke u grumbulluar përgjatë përrenjve. Këto të fundit bashkohen dhe përftojnë lumenjtë e vegjël, të cilët pastaj u bashkohen lumenjve të mëdhenj. Është e rëndësishme të tregohet kjo sepse uji e ruan cilësinë e përhershme, fizike, të lëvizjes. Nuk do të merrem me ligjet e lëvizjes, por me afinitetin e përhershëm të ujit për lëvizjen e lirë. Lëvizja e lirë është një atribut që fascinon dhe intrigon. Madje, uji në formën e lumenjve nuk diktohet nga shtrati i tij, sepse shtratin e ka ndërtuar vetë gjatë viteve të shkuara. Madje as nga malet e larta, por gjen gjithnjë rrugën për të kulluar drejt oqeanit, atje, ku në fund ribashkohet me familjen. Pra, lëvizja e lirë është jo vetëm një e drejtë e natyrshme, por një natyrë e përbotshme.

Tani është çështje tjetër nëse mund ta kontestojmë lëvizjen e lirë të fluksit lumor të ujit me kreshtat e maleve që diktojnë tempon dhe ritmin e valëve nëpër rrëpira dhe kthesa. Do të mund ta kontestojmë trajtimin duke u përgjigjur se si një lum e ushtron lëvizjen e lirë vetëm atëherë nëse ngjitet përpjetës së tij dhe i mbikalon majat? Dhe uji, për habi, e bënë edhe këtë, por jo në formën e rrjedhjes, por në formën e pjesëzave. Ndërsa, sa i përket bjeshkëve të pakalueshme lumi ka qenë një skalitës i përhershëm i fatit të përbashkët dhe fatit të vet. Ta ushtrosh të drejtën e besimit është një gjë krejt e natyrshme, njerëzore. Besimin për të menduar dhe për të shtruar pyetje, se pse janë gjërat kështu si janë dhe nuk janë ndryshe. E drejta për të pasur një mendim të caktuar është në harmoni me gjendjen e vetëdijshme dhe morale të individit, si dhe me përkatësinë dhe besimin e tij. Natyrisht se, e drejta e besimit nuk i paragjykon çështjet e njohjes dhe ato ligjore sepse në këtë të drejtë përfshihet si e drejta e religjionit ashtu dhe e drejta e laicizmit. Gjithashtu, e drejta për emigrim.

Emigrimi është një dukuri që nuk ndodh vetëm në këtë sezon, por ne jemi dëshmitarë se ai pasi viti i eksodit në Kosovë është përsëritur disa herë, madje më shpesh sesa sezoni i shirave. Vjen më i theksuar këtë vit, kur vendin tonë e zë me telashe të shumta sociale e ekonomike. Edhe pse telashet ekonomike janë ndër më të theksuarat dhe se ato kanë qenë preokupimi im fillestar i përshkrimit mendoj se impakti më i madh i emigrimit kolektiv dhe individual shpërfaqet në aspektin kulturor e moral të vendit. Dhe ky impakt, i cili, shpeshherë di të jetë negativ mund të bëhet i pariparueshëm në aspektin kohor e material. Sepse vetëm lëvizja nuk mjafton, vetëm qëllimi nuk mjafton, madje edhe vetë besimi është i shpenzueshëm.

Le të them edhe një gjë në lidhje me shirat duke e përmbyllur alegorinë e ujit pa paragjykuar metaforën e lëvizjes. Në këtë kohë kur kemi mjaftë shira, shirat janë kategori e begatisë dhe plleshmërisë, vendi ynë përballet me degradimin moral dhe material siç është skamja dhe ikja. Gjithashtu, jo larg, kohë më parë, nga BE-ja Kosovës, mes tjerash iu është kërkuar t’ua sigurojë pakicave dhe të të gjithë qytetarëve të vet lëvizjen e lirë, ndërkohë që këtë të drejtë, tani e sa kohë, nga raporti i liberalizmit të vizave, ia ka mohuar. Të emigrosh në këtë mënyrë nuk është çështje e lëvizjes së lirë.

Unë mendoj se pavarësisht shirave të bollshëm në Kosovë gjithnjë do të ketë një thatësirë të konsiderueshme, një mungesë jetike për ujë. Gjithnjë, përderisa ujërat do të rrjedhin në rajon dhe diku më larg.

 

Zëri

Mentor Haliti February 11, 2015 09:19
Komento

2 Komente

  1. Devolliu February 11, 21:08

    Ky shkrim u dashka lexuar pasi do të mësoni se: “Uji vjen nga retë dhe bie në formën e shiut duke u grumbulluar përgjatë përrenjve”.
    Në një shkrim tjetër ky Mentor Haliti do të na iluminojë edhe më shumë duke shtuar se “uji bie edhe në formën e dëborës dhe të breshërit”.

    Reply to this comment
  2. isi February 11, 21:21

    Te gjithe budallenjte rrjedhin.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim