Ali Kali, profili njerëzor i një artisti dhe punëtori të palodhur

July 16, 2017 11:34

Ali Kali, profili njerëzor i një artisti dhe punëtori të palodhur

 

“Kush i pret njerëzit ashtu, me një kalë ulur në gju”…

Niko Çuni

Jepja e merrja këto ditë se si ta nisja këtë shkrim, kur vargjet e një këngë të bukur popullore, Është një odë atje mes pyllit/ E freskët si dritë e yllit…më dhanë një dorë, një shtysë, e më ndihmuan të hidhja rreshtat e parë. Më tej pena eci vetë…

Po, e tillë është ajo odë, dhe ndodhet vërtetë atje, mes pyllit, pranë detit, afër qiellit. Në atë odë-pyll, çdo ditë pret e përcjell klientët një burrë me trup atleti, i shkathët, i sjellshëm, gjithmonë i veshur sportiv. Teksa shërben atje nën pishat e lashta, atë rrallëherë mund ta shohësh të ecë me hap. Zakoni i të vrapuarit i ka mbetur nga rinia e tij e hershme, kur garonte si atlet i 3000 dhe 5000 m me klubin legjendë të “Partizanit”.

Në atë lokal zhytur në të blertë, ku laguna prek pyllin dhe pylli detin, ka vetëm natyrë. Tavolinat shpërndarë gjithandej poshtë drurëve gjethehollë, shkojnë gjer tej, në kufijtë e gjethnajës së dendur, ku tufa e buajve gjysmë të egër kthehet plot madhështi nga kullota për të pushuar aje, në zemër të pyllit.

E përkëdhelura e Krijuesit – Divjaka – ku ndodhet edhe oda në fjalë, ka kodër, fushë, lagunë, pyll, det, qiell dhe të gjitha fqinjërojnë kaq bukur me njëra-tjetrën, ashtu si zymbyli me zambakun në kopshtijet tona. Së bashku ato formojnë një oaz gjigant mes  gjelbërimit  e kaltërsisë pa fund, për të zënë vend në kurorën e bukurisë së natyrës shqiptare si një nga perlat e saj buzë Adriatikut. Kur ndodhesh mes këtyre bukurive drithëruese, zemra të rreh më shpejt, më fort dhe shikimi nuk di ku të ulet më parë.

Nëse shkon për herë të parë në këtë odë, shpejt do kuptosh që atje të gjithë punojnë, të gjithë veshur thjesht, shërbejnë më një kulturë  bio të zonës, janë fjalë-pak e të qeshur. Natyrshëm lind pyetja – more, po kush është  Ali Kali në këtë grup të vogël shërbimi që shkojnë e vijnë tavolinave? Edhe mua kështu mu drejtuan dashamirët e mi, Perikli dhe Zhani, kur dikush nga personeli me fjalë të përzgjedhura na përsëdyti mirëseardhjen dhe duke na uruar një vakt të mirë, na serviri pjatën e parë me peshk të zgarës.

“Ky që sapo na shërbeu është miku im Aliu” – u thashë duke vënë buzën në gaz. “Si kështu!? A nuk është pronari i këtij lokali ai”? “Është, por kjo nuk e pengon atë të punojë dhe drejtojë biznesin e tij, ngritur me aq mund e djersë. Pastaj, Aliu është i një soji tjetër pronari, që para  se të jetë i tillë, është njeri i punës. Ndaj ai bën vetë menaxherin, kamerierin, zgaristin dhe kalorësin”!…

Në atë xhungël halorësh të këtij pylli mesdhetar është e vështirë ta gjesh këtë odë, kur nuk ka asnjë shenjë apo tabelë orientuese.  Ama po e gjete, atje do të jesh i mirëpritur, do të të falet respekt, nder e vëmendje, vlerësim e mirënjohje. Do të shkoje atje si një klient i zakonshëm, do të ndjeheshe si në shtëpinë e një miku të hershëm, për tu përcjellë më pas me dorë përmbi zemër si mik i Ali Kalit.

Të shkruash për një mik, për më tepër kur ai është njeri i thjeshtë, sa e lehtë është aq edhe ka mundim. Është e vështirë të hedhësh të thjeshtën në letër ashtu siç e ndeshim në jetë, sepse ajo nuk pranon teprime, sajesa, zbukurime. Ndaj për mikun tonë, Aliun, jam munduar të qëmtoj e të sjell për lexuesin virtytet më të mira të këtij burri të mençur e të urtë dhe njëherazi të sertë e fjalë prerë. Disa i ka trashëguar nga babë e nëna, të tjerat i ka fituar gjatë jetës së tij furtunë.

Mbiemri i vërtetë i Aliut është Murrizi. “Kali” është nofka e vënë nga njerëzit ndër kohë. Kjo për arsyen e vetme se të gjithë klientëve që vijnë rishtazi në lokalin e tij, Aliu u dhuron një tufë me lule. Deri këtu çdo gjë është normale. E veçanta qëndron në faktin se lulet dhe pijen e mirëseardhjes, Aliu ua shërben në formë spektakli, duke kalëruar drejt tavolinës me kalin e tij fisnik, ashtu siç thuhet në vargjet e këngës: Kush i pret njerëzit ashtu/ Me një kalë ulur në gju…

Eh, s’ka si të fillojë më bukur se kështu, një drekë me familjen apo shoqërinë në një vend si ky, me një bukuri magjepsëse që të drithëron trup e shpirt së bashku, ku pylli e qielli ulen pranë e pranë në një sofër me ty dhe mbajnë iso.

Në këtë shkrim, Aliun do vazhdojmë ta thërrasim ashtu siç njihet nga të gjithë, Ali Kali. Ai lindi më 21.2.1965 në Sulzotaj të Lushnjes, nga prindërit Sefedin e Qerime Murrizi. Shkollën tetëvjeçare e kreu në Hajdaraj të Kavajës, të mesmen në Lushnje për veterinari dhe të lartën (Instituti i Fiskulturës) në Tiranë. Ka punuar si mësues dhe drejtues në shkollën e Sulzotaj. Është i martuar me Mimozën (që ka dhënë mësim në Sulzotaj gjithashtu) dhe kanë tre fëmijë, Alfonsin, Jurgenin dhe Brajan. Dikush nga ata tashmë është rritur duke zënë vend në krah të të atit, tjetri është në rritje. Njerëzit thonë se janë në rrugë të mbarë. E urojmë me gjithë shpirt këtë gjë për fëmijët e mikut tonë të mirë.

Duke patur pasion kalërimin, në vitin 1992, Aliu i nxitur edhe nga A. Ohri, Q. Biba dhe A.Ruçi, formoi  Shoqatën e Hipizmit me anëtarë Myslim Murrizi, Miço Prifti, Mimoza Murrizi, Sokrat Labi etj. Të gjithë kanë marrë pjesë në gara lokale dhe kombëtare, kurse Aliu është shpallur edhe kampion kombëtar. Aktivitetet e kalërimit zhvilloheshin në livadhin në mbarim të pyllit, fare pranë detit. Për t’i ardhur në ndihmë kësaj shoqate, Aliu ngriti pranë pistës së hipizmit një lokal të vogël ku mblidheshin të apasionuarit e garave me kuaj, para dhe pas stërvitjes.

Në vitin 1999 Aliu u shkëput nga arsimi për t’i dhënë udhë një biznesi që do ta bënte të njohur në shumë treva shqipfolëse, por edhe më larg. Atë lokal të vogël ku pinin kafe dhe linin pajisjet e kuajve, Aliu e mbajti gjallë, dhe nga dita në ditë, me hapa të shkurtër por të sigurt, ai guxoi për më tej me biznesin e tij, për t’u bërë dikushi. Në atë fillim pati edhe vështirësi që e bënë të lëkundej, ndonjëherë edhe të rrëzohej. Veç ai kurrë nuk e mendoi kthimin pas, ndaj me pamëdyshje vazhdoi rrugën, eci, madje do të thoshim…rendi.

Pengesat nuk ia vranë dot të nesërmen këtij burri me shpirt të madh, këtij burri me fjalë e besë. Dhe ai ia doli mbanë. Ia doli falë këmbënguljes dhe karakterit të tij të fortë. Por edhe falë faktit që e krijoi vetë rrugën nëpër të cilën eci dhe po vetë bëri çdo punë që kërkonte mendjen dhe dorën e tij.  Vetëm fituesit kujtohen, humbësit asnjëherë. Është kjo një thënie filozofike që Aliu e njihte mirë qysh në nisje të kësaj udhe të gjatë, ndaj asnjëherë nuk e çoi në mendje me të dytët.

Ali Kali është gjithmonë vetvetja. Nuk di të shtiret, të mburret, të ofendojë apo përçmojë. Është një bashkëbisedues i këndshëm, di të sillet me këdo, nga fshati a qyteti, njeri i thjeshtë a me grada shkencore qoftë ky. Ai ka mundur të gjejë tek vetja atë që e përfaqëson më mirë para klientëve, njerëzoren.

 

Një rregulli të pashkruar që thotë se “Gjithmonë njëri duhet më shumë se tjetri”, edhe Aliu nuk i ka shpëtuar dot. Tek fjala “njëri” ai ka fëmijët, të sëmurët, të moshuarit, sportistët, shkrimtarët, artistët etj. Sa herë që për një kohë të shkurtër lë mënjanë detyrën e kamerierit, ai gjen kohën e mjaftueshme për t’u marrë edhe me argëtimin e klientëve. Dhe e di mirë se me kë duhet t’ia nisë në kësi rastesh. Janë të sëmurët ata që mezi presin nga dikush të bëjë diçka edhe për ta, që të ndihen qoftë edhe për pak çaste si gjithë të tjerët.

Dhe Aliu të befason kur e sheh se me ç’përkujdesje njerëzore sajdis një të sëmurë paraplegjik, duke e marrë atë dhembshurisht ndër duar për ta afruar atje pranë kafshës fisnike, kalit, ku me dhjetëra sy e ndjekin me admirim këtë shfaqje të veçantë dhe prekëse. Po për fëmijët, e keni parë se si i trajton dëshirat e tyre? I merr hopa nga tavolina ku ndodhen me prindërit dhe më pas i bën të jenë në qendër të vëmendjes, kur i angazhon në lojëra të ndryshme, si gjithmonë atje, mbi kalin e tij të bukur.

Si atlet që ka qenë Aliu ka një respekt e admirim të veçantë për sportistët, e jo vetëm për ta, por edhe për artistët, poetët, shkrimtarët etj. Ata e quajnë mik të rrallë, sepse në përkujdesjen e tij ndaj tyre, munden të shohin e të lexojnë shpirtin e tij të bukur që jo kushdo e ka. Janë të shumtë njerëzit e shquar, ikona të sportit dhe artit që kanë frekuentuar dhe frekuentojnë odën-pyll  të Ali Kalit si K. Roshi, D. Agolli, P. Pano, A. Kastrati, A. Golemi, K. Tartari, P. Evro, I. Tare, A. Toska; boksierët Qato dhe Keta, D. Methasani, P. Rovina, K. Shala, I. Qirjako, H. Zela, P. Lulo, por edhe më të rinjtë si: Y. Baka, K. Qafoku, A. Hoxhaj, Coli, V. Grëmi, M. Bregu, B. Spahiu etj. Po ashtu kanë drekuar në këtë odë edhe qeveritarë e deputetë, diplomatë të huaj e turistë nga Italia, SHBA, Gjermania, Anglia, Franca, Holanda etj. Mbi të gjitha (dhe janë me mijëra) aty kanë ardhur të gëzojnë njerëz nga populli i thjeshtë. Janë këta të fundit klientela sovrane në këtë odë, që i japin asaj jetë, që kaq bukurisht dinë të argëtohen, që kaq hijeshi merr oda me praninë e tyre.

Mbi 70.000 persona kanë lënë shënim në librin e përshtypjeve dhe janë edhe më të shumtë ata që për një arsye a për një tjetër s’mundën dot të shkruajnë diçka në të. Ky libër, për nga numri i firmëtarëve, shpërndarja gjeografike e tyre dhe individualiteti i mendimeve të shprehura aty, është një enciklopedi më vete. Në sa e sa raste, kur Aliu shkon pranë tavolinave për të bërë llogarinë e shpenzimeve, është parë e dëgjuar të shprehet: “Ai fëmijë atje, kjo e moshuar, ky djaloshi këtu (për një të sëmurë), filani (emri i një sportisti…), ju që jeni i njohuri i mikut tim – dhe ndonjëherë – e gjithë kjo tavolinë, më nderuat me praninë tuaj, këtu në odën time, prandaj është në nderin tim që këtë drekë t’ua ofroj unë. Ndaj jush jam borxhli. Faleminderit që erdhët”!

Dhe, u tha u bë. Të gjitha këto bëma kanë brenda shpirtin human të Aliut, respektin dhe dashurinë që ka ai për njerëzit, të cilët i nderon jo për forcë zakoni, por ashtu i thotë zemra, pa patur frikë se mos ky respekt nuk do t’i kthehet prej tyre. Kjo ndjenjë njerëzore e zbukuron më shumë shpirtin e tij të bukur, e bën të dallohet nga të tjerët, e bën të veçantë.

Në mjediset e këtij lokali ndodhet edhe një odë disi më ndryshe nga të tjerat, që frekuentohet jo pak, sidomos në muajt e ftohtë të vitit. Në të ndodhet një oxhak që të krijon ndjesinë sikur je ulur në odat e dikurshme me shilte e qilima të fshatrave shqiptare. Të veçantën e kësaj ode nuk e sjell oxhaku, por reliket e vjetra vendosur në mënyrë të çrregullt, fare natyrshëm, në muret dhe hapësirat bosh të kësaj ode. Gjen aty sofrën shqiptare, djepin, shtambën e ujit, qypa të vjetër prej balte, rrotë qerreje, veshje popullore, kazan rakie, pajisje për një kalë vrapimi, zgjedhë buajsh, kupa ngrënie prej balte, lugë druri, rrogoz, shpatë luftëtarësh, këmborë e zile, kërrabë çobani, deri edhe tek gotat prej argjendi që thonë se kanë ardhur deri këtu nga koha e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit. Janë më shumë se 2000 sende të hershme që, të ekspozuara kaq thjesht, zbukurojnë odën-muze.

Kur i pyet klientët përse e frekuentojnë një lokal disi të largët si ky, ata, jo vetëm që nuk bezdisen por me kënaqësi të kthejnë një përgjigje të thjeshtë, dhe gati të gjithë janë në një mendje: Vijmë këtu për bukurinë e natyrës së Divjakës që të mrekullon, për mikpritjen me dashuri njerëzore të mbetur ende gjallë në odën e Ali Kalit, që s’ka të dytë. Aliu ka sjelljen dhe përulësinë e duhur për ti bërë klientët të ndihen të shkujdesur, të çlodhur, në paqe të plotë me veten, me të tjerët dhe me natyrën e egër në prehrin e të cilës ulen. Një pritje me fjalë mirësie, një shërbim i thjeshtë atje nën kurorën e drurëve hijerëndë, një ushqim i bollshëm dhe i freskët, dhe një përcjellje me dorën përmbi zemër. A nuk janë këto, ç’ka kemi kaq shumë nevojë? Dhe oda e Aliut është nga të paktat që të jep kënaqësinë e të shijuarit të tyre. Në atë odë, dita apo fundjava juaj do të merrte ngjyrën dhe aromën e natyrës, do të gjente atë që i ka munguar nga mikpritja e traditës shqiptare, do të dëgjonte fjalët e thjeshta që njerëzoren  kanë në çdo germë. Aliu, duke i shërbyer vetë klientëve në odën e tij, ka mundësinë e mirë që të njohë shumë prej tyre, dhe me sjelljen dhe fjalën e urtë të tij i afron ata si shokë, si miq, për t’i mbajtur më pas si të tillë për shumë e shumë vite. Edhe vetë ai e thotë shpesh në biseda – pa miq e shokë as hasmi mos qoftë – dhe vazhdon më tej duke u kujtuar bashkëbiseduesve një thënie të rrallë “Kur diçka më mjafton, ajo kurrë nuk është pak”!

Ky është Ali Kali. Kjo është jeta e këtij njeriu të mirë. Është i tillë, jo sepse nuk i bën keq askujt, por për të mirat ndaj njerëzve që ai bën. Ato (mirësitë) lindën dhe u rritën me shpirtin e tij si binjakët ngjitur. Kur në mes nesh gjen njerëz si Ali Kali, që kurrë nuk i rrëmben lakmia për pasuri (ndryshe do humbitnin shpirtin e tyre) atëherë thua me vete: Njerëzorja, humania vallë a kanë kufij? Nëse po, ky burrë me bëmat e tij plot mirësi, do ishte kufiri më i largët. Sa do të donim që njerëz të tillë të ishin më të shumtë! Ndonëse të paktë, ne prapë gëzohemi që i kemi mes nesh për t’i marrë si shembuj në biseda, kur themi se “ka edhe njerëz të mirë kjo botë, ka”.

Një tufë pelikanësh që fluturonin plot hijeshi e madhështi lart në qiell, na e rrëmben shikimin, duke i shoqëruar ata deri tej kurorës gjelbëroshe të pishave, përmbi lagunë. Çudi! Për sa kohë që ata ishin në fluturim, askush nga ne nuk e shihte qiellin. Ndërkohë që me shpirtin të qetuar shijonim këtë shfaqje të rrallë, muzgu kish nisur të binte teksa rrëshqiste në heshtje majave të drurëve, dhe ditën shtynte ngadalë drejt detit. Në sfond dëgjohej melodia e një kënge shumë të njohur në këto anë dhe ne ia lamë vargjeve të saj të thonë urimin tonë, për mikun e të gjithëve, Ali Kalin: Mbetsh përherë një mik, një shok/ Dhe gjithmonë me odën plot

 

 

July 16, 2017 11:34
Komento

7 Komente

  1. EROSSS July 17, 19:00

    BUKUR SHUME BUKUR. SIDOMOS KUR BEHET FJALE PER VENDE DHE NJEREZ KAQ TE BUKURA DHE POZITIVE.
    SHPRESOJ QE SI KY BURRE TE KETE EDHE TE TJERE

    Reply to this comment
  2. Eri July 18, 09:22

    Me keto qe lexova patjeter qe do shkoj te takoj aliun. Ta njoh nga afer mikpritjen e tij. Me terhoqi shkrimi shume dhe komplimenta autorit

    Reply to this comment
  3. Telida Kalaja July 18, 12:24

    Nje shkrim mbreslenes, qe vetiu te ben te shkosh dhe ta prekesh nga afer gjithe humanitetin dhe mikpritjen e ketij personazhi…Shpresoj qe te tilla, shkrime te frymezojne gjithsecilin nga ne, te kthejne koken dhe te shikojne te mirat dhe bukurite e shpirtit te nje njeriu te thjeshte. Pergezime autorit per nxjerrjen ne pah te vlerave njerzore.

    Reply to this comment
  4. Genta July 20, 22:16

    Sa frymezim mora tek lexova me endje cdo rresht te ketij shkrimi. Thua isha vete mes gjelberimit tapet, apo odes muze te ketij burri. Kur te shkoj here tjeter tek Aliu, do e shoh cdo gje sipas detajeve te dhëna kaq thjeshtesisht bukur nga autori-Niko. Imagjinata do fluturoje mes rreshtave te tij dhe do behem njesh me natyren. Shume shume falenderime qe ende kemi njerez te tille.

    Reply to this comment
  5. Myzeqari July 21, 15:15

    Nje artikull teper interesant i cili nxjerr ne pah virtytet e verteta njerezore te cilat aq bukur jane gershetuar ne portretin e Ali kalit. Nje person teper bujar dhe mikeprites i cili me thjeshtesi, perulesi dhe pune te palodhur ka arritur te ndertoje me te vertete nje oaz magjik ne zonen e Divjakes. E kush shkoi atje dhe nuk u kthye i lumtur dhe me pershtypjet me te mira. Eshte vete personaliteti dhe karakteri teper human i nje njeriu te thjeshte arsyeja se pse ky vend ka nje atraksion te vecante.Pergezime autori per artikullin e bere i cili perhere na impresionon me virtuozitetin e penes se tij. Mjeshteria e penes se tij qendron ne gershetimin e fakteve biografike me histori jetesore te veteperjetuara dhe me anen artistike teper te arrire.Nje bote e tille e gjere shpirterore dhe artistike si ajo e autorit perhere ka per te prodhuar shkrime te tilla teper te arrira,Pergezime dhe suksese te metejshme !

    Reply to this comment
  6. Julis July 21, 20:14

    Autori sjell kaq thjeshte,kaq bukur ,kaq realisht nje portret peisazh sa mund te ndiesh e shijosh mikpritjen,bujarin dhe karakterin e nje njeriu qe s’eshte thjesht nje emer midis njerezve por nje simbol qe spikat ne nje realiteti te betonizuar te kohes qe ne jetojme.Ne nje realitet te tille kur vlerat e njeriut kane humbur ne trafikun e renduar te jetes sone gjejme nje portret ashtu thjesht mes rreshtave te ketij shkrimi qe njeriu i thjesht dhe i bukur perbrenda ekziston.Faleminderit autorit qe shpesh here na kthen ne keto ambjente qetesuese me keta njerez mit te koherave tona.

    Reply to this comment
  7. Baba Ali Tomorri July 23, 18:24

    Pergezime autorit per portretizimin e nje njeriu puntor, human dhe i perkushtuar per te realizuar pritje nga me te vecantat te tradites shqiptare. Une kam qene ne lokalin e Ali Kalit dhe jam mahnitur me ate cka ai perciell tek miqte vetem ne disa ore kur ata ndodhen ne ate mjedis te mrekullueshem. Ali Kali eshte perfaqesuesi me i denje i bianesit te ketyre viteve te trazicionit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*