Ali Pashai dhe Myzeqeja

August 26, 2016 11:39

Ali Pashai dhe Myzeqeja

Nga Naun Kule

     Në kujtesën e banorëve dhe folklorin e krahinës, emri, bëmat dhe gjëmat e Ali Pashë Tepelenës, ruhen ende ndër myzeqarë ndonëse, në dokumentat e shkruar historikë, gjenden me pakicë. Dy janë rrugët dhe “dyert”, përmes të cilave Pashai i Tepelenës dhe më vonë “Luani i Janinës”, synoi dhe luftoi të futej në Myzeqe- thënë më saktë, të fuste Myzeqenë nën sundimin e vet. Këto “porta” ishin Berati dhe Kolkondasi. Sigurisht, iu kthye rrugës së dytë, pasi dështoi me të parën. Madje, dështimi ishte i tillë që nisi me miqësi e krushqi dhe sosi me luftë, me vrasje  e shkatërrime, siç dinte të bënte Pashai mizor. Dhe e tërë kjo, sepse Aliu nuk njihte kthim pas. Për tri dekada radhazi, ai ushqeu ambicien e sunduesit për ta futur në dorë Myzeqenë dhe bregdetin e saj.

  Në kapërxyellin e shekujve 18/19-të, Pashallëku i Janinës dhe Vezir Ali Pashai, ishin në zenit. Këmbëngulja e Aliut për të krijuar kundërpeshat politiko-ushtarake ndaj Portës së Lartë, konkretizohej me masat që merrte për ta zgjeruar sundimin e vet drejt Beratit dhe Myzeqesë. Ishte koha kur rivalët e tij të Beratit dhe, më tej, Bushatllinjtë- sunduesit e Shkodrës, paçka qëndrimeve pro dhe kundër Pashait të Beratit, thuajse e kishin pranuar rrjedhën e lumit Shkumbin si kufindarës të pronave të tyre. Synimi kryesor i Bushatllinjve rrihte në zgjerimin e kufijve veriorë që ngjiteshin gjer në territoret malazeze. Kështu që pronat e Pashait të Beratit, posaçërisht trikëndëshi Berat-Shkumbin-Vlorë, fusha e madhe e Myzeqesë me skelat grykëlumore në bregdetin e saj, të gjitha këto pasuri, nuk mund të mbeteshin jashtë vemëndjes, planeve dhe projekteve ambicioze të Ali Pashait.

***

Aliu në Berat

Ç’projekte e “linin pa gjumë” Valiun e Janinës?

   Aliu ngutej të gjente mjetet, rrugët dhe njerëzit për të sunduar Myzeqenë dhe Beratin, kryeqendrën e gjithë Nahijetit i cili, numëronte deri 28 Ziamete dhe 489 Timare, shtrirë  deri tej Vlorës dhe qyteteve të jugut, kufi me Pashallëkun e Janinës.

  Është i njohur projekti politik i Pashait të Janinës për të krijuar një shtet greko-shqiptar me qendër Janinën dhe gjuhë zyrtare greqishten, të qeverisur nga grekë dhe shqiptarë. Kësisoj Aliu krijonte një fuqi ekonomiko-politiko-ushtarake me synimin e kahershëm të shkëputjes nga Porta e Lartë. Ideja deri dhe projektet për një shtet greko-shqiptar, gjithënjë si kundërpeshë ndaj pushtuesit osman, kishin qënë më të herëshme dhe jo vetëm të Aliut. Që në luftën e përbashkët të Kollokotronit me Ali Farmakun (kapedani mysliman i Laljotëve), është folur dhe shkruar disa herë për këtë projekt  bashkimi dhe bashkëqeverisje të dy popujve fqinj të cilët, sipas autorëve, e bënin me bindjen se kishin ç’t’i jepnin dhe ç’të fitonin nga njeri tjetri në luftën e përbashkët kundër të njëjtit pushtues; atij osman.

            Lidhjet, njohjet, lakmitë dhe projektet e Pashait për Beratin  dhe gjithë Pashallëkun e kësaj kryeqendre të Shqipërisë së Poshtëme, zenë fill që në  djalërinë  e Aliut. Fillimisht ato mbështeten në miqësinë mes këtyre dy familjeve të cilat, kishin edhe lidhje gjaku.

   E ëma e Aliut, Hankoja, ishte bijë e Zenel beut të Konicës i cili, ishte martuar me të motrën e Kurt Pashës së Beratit. Pra, edhe Aliu  mbahej për nip në familjen e Pashait të Beratit dhe  si jetim, pas vdekjes së të atit, Veliut, e shikonte këtë derë pashallarësh si  derën e njerëzve të nënës.

   Por njohjet e para mbi karakterin dhe trimëritë e Aliut, Kurt Pashai duket se i mësoi nga emri i përsëritur i hajdutit Ali Velia nga Tepelena i cili, që i ri ishte bërë tmerri i banorëve që gjoja merrte nën mbrojtje  të ruante tek  kontrollonte rrugët nga plaçkitësit e  karvanxhinjëve. Kurt Pashai i Beratit ishte i ngarkuari i Portës së Lartë si dervenxhiu i gjithë rrugëve të Shqipërisë së jugut. Ai kontrollonte, urdhëronte dhe ndëshkonte hajdutërinë e gjithë këtyre udhëkalimeve. Dhe ja,  gjithënjë e më shumë i vijnë lajme se këtë detyrë tashmë na e bëkërka edhe  kaçaku Ali Velia nga Tepelena, biri i Hankos dhe i Veliut të vdekur. Kurti merr vesh gjithashtu se egërsia ndëshkuese e këtij djaloshi-kaçak, është aq e madhe sa banorët e disa fshatrave vijnë në Berat dhe i ankohen Pashait të tyre për Aliun dhe shokët e tij hajdutë të cilët, janë të pamëshirshëm në vrasjet dhe rrëmbimin e plaçkës së sulmuar. Ankesën e parë  të këtyre gjëmave e lexojmë në vargjet e “Alipashaidës” së Haxhi Shehretit, ku zagoritët i numërojnë Kurt  Pashait zullumet e Aliut me lutjet që Pashai t’i shpëtonte nga kjo hata…

Le të shkojmë te Kurt Pashai e t’i themi dhimbjen tonë,

 Se mëshirë më nuk  presim nga kjo derë në Tepelenë

…Duke bluar këto halle, rrugën morën për Berat

      Pavarësisht karakterit krijues dhe letrar të “Alipashaidës” të shkruar nga H.Shehreti, duke besuar parimin se e “vërteta zbukurohet edhe pa u ndryshuar”, mund të hetojmë mes mijëra vargjeve të kësaj poeme  të gjatë biografike për Aliun, edhe fakte, vite, njerëz dhe ngjarje që na shërbejnë për të rikonstruktuar dhe ndriçuar momente të rëndësishme të jetës dhe të veprës së Vezirit të Janinës.

Posaçërisht, duke krahasuar të dhënat e   nxjerra nga kjo vepër e H.Shehretit, me dokumente dhe botime të tjera, besojmë se  mund të krijojmë kështu tablo më të plota të teatrove luftarakë të kohës së Aliut, synimeve dhe arritjeve të tij.

     Njohim dy variante që rrëfejnë se si djaloshi Ali Velia  i Tepelenës,  u gjend në oborrin e Pashait të Beratit.  Nga vepra e H.Shehretit mësojmë se e ftoi vet Kurt Pashai, pas emrit që kishte bërë Aliu si luftëtar trim i cili, vendosi qetësi në rrugët e Shqipërisë së Poshtëme.

Biri im, Ali Velia, merre rrugën të të vish….

Ti je bir i atij babe, zemërbardhë e fatzi,

Që sa rrojti faqe botës, nuk kish tjetër si ai,

Dhe vejusha, nëna jote, më beso sa shumë më dhemb

Dhëndërr dua të të bëjë, ti i parë të jesh në këmbë …”

      Por duam të besojmë se më mbushamendës është varianti  tjetër, trajtuar gjatë nga Prof. I.Koçollari në librin e tij “Policia sekrete e Ali Pashës” në të cilin shkruan se:

”…Aliu u kap rob nga njerëzit e Kurt Pashait. Ndërsa shokët e Aliut Pashai i vari, Aliun e mbylli në burg. Ishin lutjet e shumta të Pashalleshës së tij dhe të së ëmës së Aliut,  Hankos, mbesë e kësaj dere, që ia kursyen jetën Aliut”.

 Duke e njohur nga afër zgjuarsinë, trimërinë dhe bukurinë e djaloshit Ali, Pashai i Beratit zuri ta vlerësonte edhe si  mik e aleat  në projektet e përplasjeve të pritëshme mes rivalëve.

 Aliu mund të ndjehet i qetë “tek miku i babait/Do ta ketë mik përjetë, krah t’i gjendet si vëllait…”

Udhëtari suedez Biornstahl më 1770, shkruan se:

 “…Kur ishte në të njëzetat, Ali bej Tepelena, u rekrutua në shërbim ushtarak të Pashait të Beratit… Ishte njeri nga djemtë më të pashëm të vendit,…një kryetar bande, djalosh i fuqishëm, i pasur, me shumë reputacion mes shqiptarëve…” 

   Sidoqoftë, në vitin 1775, Aliu është në Berat, madje, në shërbimin luftarak të Kurt Pashait. Pashai i Beratit ishte në konflikt me mytesarifin e Shkodrës, Mehmet Pashë Bushatlliun. Përplasja  ndodhi sepse Sulltani i dha Kurt Pashës në zotërim pronat e Valide Sulltanës që shkonin nga Vlora në Lezhë të cilat, gjer tani i kishte zotëruar Bushatlliu. Luftimet kundër forcave të Pashait shkodran u zhvilluan në fushën e Kavajës dhe në rrethinat e Tiranës. Në këtë luftë, forcat e Kurt Pashës komandoheshin pjesërisht nga Ali bej Tepelena dhe nga kushuriri i tij, Islam bej Këlcyra. Aliu u shqua për trimëri duke i dhënë fitoren Pashait të Beratit. Lëvdatat, hyneret dhe peshqeshet e Kurt Pashait për Aliun, ishin të shumta. Por Aliu ishte zog i egër…!

Kurrsesi nuk mund të pranonte komandë e urdhra mbi vete. Ndaj projektonte arratisjen nga pashallëku ose marrjen e tij nga brenda. Hyri në lidhje me vajzën e Kurt Pashës dhe kërkoi  ofiqin e dhëndërrit. Synimi merrej vesh. Dhëndërri merrte pronat si prikë ose, pse jo, gjithë pashallëkun. Nxiti edhe të ëmën, Hankon e cila i shkroi letër Kurt Pashës ku i kërkonte dorën e të bijës, për birin e saj, Ali Velia.

             “Lajm i çuan Kurt Pashait, bijë e tij vatrës të vijë,

              Krahpërkrah Ali Velisë, porsi yll me të të rrijë…!”

       Por kërkesat e Aliut e të Hankos dhe sidomos lutjet e Pashalleshës, për ta bërë dhëndërr Aliun, nuk e bindnin Kurtin plak. Ky Pasha i regjur me dredhira e pabesi, shihte më larg se  emri i mirë dhe premtimet për miqësi e besnikëri të kaçakut trim e bukurosh të Tepelenës. Ndaj i shfryhet të shoqes:

“Bijën tonë po t’ia japim, do të bëhemi  pishman,

Duart larg nga Myzeqeja, ti njëherë e mirë i lan…”

Madje, Pashai ka filluar t’i trembet Aliut dhe e sheh si rrezik.

I ndodhur nëpër këmbë mes oborrtarëve, kaçaku i Tepelenës mund t’i dali nga duart e t’i kthehet kundër. Dhe, përpara se t’i ndodhi kjo, Pashai dhelparak ka filluar të mendojë,

      “…Për ta vrarë a mbyt në puse/

       Mos m’u lut moj pashalleshë, çupën tonë t’i japim nuse…”

 Edhe të afërmit e familjes së tij e këshilluan Pashain që; ose t’i jepte vajzën për nuse, ose t’i priste kokën…

Por pabesia dhe rivaliteti kokëngrënës ndër pashallarë, ishte domosdo e kohës. Përndryshe s’mund t’i shpëtoje gjallë asaj xhungle egërsirash. Dhe Ali Velia i Tepelenës do të vërtetonte se ishte mjeshtër i kurtheve dhe pabesive, siç shkruajnë studiuesit biografë:

“Tradhëtitë, kurthet, pabesitë dhe mizoritë e Aliut, nuk janë dëgjuar në historitë e botës” 

  Ndërsa Kurt Pashai lodhej të bindte Pashalleshën dhe ta hiqte qafe pretendentin për dhëndërr, Aliu, pas kundërshtimit të të atit, i kërkoi të bijës që ta helmonin Kurt Pashën dhe Aliu ta zëvendësonte si Pasha i Beratit. Por vajza nuk e kapërxeu dot mizorinë e këtij krimi ndaj të atit, paçka emrit të mirë të Aliut, trimërisë dhe bukurisë së tij.

 Njëherësh edhe Kurti, që e kishte ndjerë rrezikun e një dhëndrri dhelparak, nxitoi dhe e martoi të bijën me Ibrahim Pashë Vlorën.

                                      ***

Aliu,  armik i Pashait të Beratit  

    Menjëherë dhe në fshehtësi, Aliu e la Beratin dhe u rikthye në sinoret e tij në Tepelenë. Tashmë, me përvojën dhe emrin që kishte fituar filloi të përgatitet t’ia marrë Pashait të Beratit ato që ai s’ia dha. Ndërkohë, Kurt Pashai mësoi edhe planin e Aliut për ta helmuar e për tu vetshpallur si dhëndërr dhe Pasha i Beratit, ndërkohë që ky e nderonte si mik dhe nip të oborrit. Në kulmin e zhgënjimit dhe të zëmërimit kulmor, gjen njerëzit, paguan 5000 grosh dhe i nis ta vrasin Ali Tepelenën. Por Aliu i kishte  spiunët  brënda oborrit të Pashait. Ky i bleu vrasësit. Këta i çuan Kurtit  gjoja  gunën e Aliut me mbllaca gjaku dhe vrima plumbash  dhe  i morën paratë e vrasjes.

Ali_Pasha_Tepelena_Oil_paint_of_Agim_Sulaj  Ndërkohë Aliu filloi përgatitjen dhe organizimin ushtarak për ta sulmuar Pashain e Beratit, i bindur se  kjo ishte e vetmja rrugë e   mbetur. Tani që miqësia kishte mbaruar, shpata dhe plumbi do vendoste fatin e dy kundërshtarëve kaq të dëgjuar për miqësi dhe pabesi ndaj njeri tjetrit. Ja, përbetimet e Aliut për Kurt Pashën, sipas poemës biografike të  Haxhi Shehretit:

Unë jam  vet  Aliu, miku yt, i vjetri mik

Që  të bëj të ikësh natën, lakuriq nëpër çiflig,

Se Kurt Pasha gur nuk la që oxhakun tim ta shuaj,

Pronat dhe argatët unë, mbi vete do t’i shkruaj…!

Mblidhe mendjen se do shohësh çdo të bëj  ty Aliu

Ku do shkojnë kufijt e Kurtit, more Pashë faqeziu   

  Pas kësaj ngjarjeje, të dy palët hetonin hapat e njeri tjetrit  dhe përgatiteshin t’i gjejnë ditën për t’i ngrënë kokën.

   Berati, Janina dhe Shkodra ishin tri qendrat e pashallëqeve shqiptare të kohës, në  kapërxyellin e shekujve 18/19-të, por Janina dhe Berati  ishin në konflikt gati të përhershëm mes tyre, konflikte  të cilat, shpesh herë i shfrytëzonin edhe shtetet e huaja.

Në vitin 1804, guvernatori rus i Korfuzit organizoi një lidhje të feudalëve të jugut,  emërtuar si “Lidhja  e Çamëve” kundër Ali Pashë Tepelenës.

 Në të bënin pjesë Ibrahim Pasha i Beratit (i cili pasoi Kurt Pashain), Mustafa Pasha i Delvinës, etj. Ibrahim Pashai, tashmë shumë më i fuqishëm së paraardhësi i tij Kurti, pronar sulltanor i Beratit, Vlorës, Myzeqesë dhe i serës (minierës) së Selenicës, ishte njeriu rreth të cilit grupoheshin gjithë armiqtë e Aliut.

   Në korrik 1808,  agallarët e Çamërisë u mblodhën në Berat dhe vendosën sulmin kundër Aliut të Janinës të cilin, do ta drejtonte Ibrahim Pashai i Beratit. Këtë sulm e mbështeste qeveria franceze e cila, i dha Ibrahim Pashës 33.330 franga, duke i vënë në dispozicion:

-Një artilier francez, një topçi (Fransua Sheze),

-Regjimentin e artilerisë që ishte në Korfuz,

-2-3 mijë luftëtarë nga Çamëria (pjesa tjetër nga Berati dhe krahinat.),                                                                                                                

Por çuditërisht dhe pavarësisht nga këto mbështetje dhe ushtri, para dhe armatime, pas një viti, Ali Pashai realizoi pushtimin e Beratit dhe vuri aty Myftarin, djalin e madh si sanxhakbej. Në këtë fitore, Aliu kishte mbështetjen e banorëve të Beratit dhe krahinave të cilët, i ishin lutur t’i shpëtonte nga  shfrytëzimi i tmerrshëm që u bënte Ibrahim Pashai.

    “Luftën nuk e përballojmë sepse jemi fukarenj,

 Ali Pasha ta mësojë, Ibrahimin s’e ndihmojmë,

 Po arrite bir Ali, Ibrahimit t’i marrç   fronin

Ne, në krahun tënd, lavdinë tënde lart do çonim.

Vijon numrin e ardhshëm

 

August 26, 2016 11:39
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*