Ali Sami Yen, një “Ataturk” i sportit turk

Zylyftar Hoxha April 6, 2014 11:08

Ali Sami Yen, një “Ataturk” i sportit turk

Një pjesë e mirë e pinjojve të derës së madhe të Frashërllinjve, jo në lartësinë dhe bujën e etërve të tyre, të cilën ua dha momenti historik për të qenë memoria dhe promotorët e kombit shqiptar, ecën në gjurmët e të parëve të tyre, duke u marrë me veprimtari politike, me letërsi, art dhe kulturë, si fjala vjen, djali i Abdyl Frashërit, Mit’hat Frashëri, nipi i Abdylit, Mehdi Frashëri, nipi tjetër i frashërllinjve Skënder Luarasi etj., ndërsa një pjesë tjetër, pa zhurmë e bujë, pa u mburrur me bëmat e baballarëve vazhduan të qetë rrugën e tyre.  Askujt nuk do t’ia merrte mëndja se njëri nga këta pinjoj, dhe pikërisht djali i dietarit të madh, Sami Frashëri, Ali Frashëri, do të shkelte dhe do të bënte emër në një fushë të çuditshme, disi larg asaj të të atit, në sport, në futboll. Ai do të shkëlqente dhe do të mbetej në historinë e sportit turk si një nga figurat më të larta të sportit, si themelues dhe organizator i talentuar dhe kur, në atë kohë kur Perandorisë Osmane po i rrëshqisnin këmbët dhe për Turqinë po vinte nje erë e re ndryshimesh perëndimore.

Themeluesi i sporteve turke

Në enciklopedinë turke shkruhet se ai ishte i biri i Shemshedin Sami Frashërit, intelektualit më të shquar dhe më të lavdishëm të Perandorisë Osmane, me origjinë nga Janina e Shqipërisë. Familja e Frashërllinjve, thuhet më tej në këtë enciklpedi, ka dhënë kontribut të madh për Turqinë, por edhe për Shqipërinë në fushat politike, shoqërore dhe kulturore. Ata të gjithë janë gjeni të respektueshëm në të dy vendet. Ali Sami Frashëri ndoqi rrugën e babait dhe xhaxhallarëve të tij, që të gjithë ishin njerëz të moralshëm, intelektualë të shquar dhe shumë vizionarë. Në enciklopedinë turke ai ka një vend të vetin të merituar, me një numër të madh veprimtarish organizative, në radhë të parë, krijimin e një prej klubeve më të mëdhenj sportiv që vazhdon edhe sot pas 100 e ca vjetëve, Gallatasarain e famshëm të Stambollit.

Ali Sami Frashëri ka lindur më 20 mars 1886, në Kandili të Stambollit, dhe ka vdekur më 20 korrik 1951. Ai nuk ishte një sportist i thjeshtë, por një personalitet i lartë historik i sportit në Turqi që bëri famë në këtë fushë, por edhe që i dha emër Turqisë në takimet futbollistike botërore me klube të fuqishëm si FC Barcelona, FC Real Madrid, Ac Milan, Manchester United etj.

Galatasarai tani quhet “Ali Sami Yen”

ali-sami-yen1Siç thamë ai në vitin 1905 krijoi klubin futbollistik Sport Klub “Galatasarai”  dhe ishte president i parë për  13 vjet rresht, nga 1905-1918. Pastaj përsëri për pak kohë mori në dorë klubin në vitin 1925. Ishte trajner i parë i ekipit të futbollit në mes viteve 1905-1908. President i Komitetit Olimpik nga viti 1926-1931.  Në vitin 1910 themelon Muzeun  e Madh të Sporteve në Stamboll. Veç sportit të futbollit, ai u bë iniciatori i parë i krijimit të klubeve sportive si të basketbollit, hendbollit, volejbollit, notit, hipizmit etj.

Në kohën kur luajti Ali Sami Frashëri futboll kapaciteti i shkallëve të stadiumit ishte rreth 20.000 mijë vendesh, kurse sot ka mbi 60.000 mijë ulëse. Ky stadium sot është një objekt modern sportiv nga më mirët në Evropë. Në nder të tij para katër vjetësh, në vitin 2007, kompleksit të madh dhe qendrës tregtare të “Gallatasarayt” i udha emri “Ali Sami Yen”. Emrin  e tij  e mban edhe një nga rrugët kryesore të Stambollit.

Iluminist si paraardhësit e tij

  Është koencidencë e çuditshme, ndërsa në Shqipëri, në bazë të platformës dhe ideve të të atit dhe të xhaxhallarëve të tij, luftohej për alfabetin shqip, për hapjen e shkollave shqipe dhe përgatitej shkëputja nga Turqia, nga ana tjetër, në Turqi, Aliu luftonte po për prosperitetin e zhvillimin e një vendi, që për të e familjen ishte bërë atdheu i dytë, Turqinë,  për ta nxjerrë atë nga obskurantizmi shumëshekullor mesjetar në dritën e zhvillimit kapitalist. Ndërsa këtu, në dheun e të parëve të tij, hapeshin shkolla për mësimin e gjuhës shqipe, që turku e kish ndaluar prej shekujsh, atje ai ngrinte institucione të rëndësishme për zhvillimin civil e shoqëror të një populli që kishte vuajtur jo pak nën sundimin e sulltanëve fanatikë.

Simbolet tona kombëtare në uniformën e klubit turk

Në fillimet e tij, atëherë kur edhe e themeloi, klubi sportiv të Galatsarait fanelat i kishte me ngjyrat e flamurit shqiptar, kuq e zi, në anën e majtë si emblemë kishte shqiponjën dykrerëshe, që sombolizonte edhe vetë origjinën e Ali Sami Frashërit. Por me kalimin e kohës u bënë ndryshime, fanelat u bënë me simbole të tjera përfaqësuese turke, verdhë e  kuq, që edhe  sot e kësaj dite i bart SK Gallatsarai.

 

Sami Frashëri

Sami Frashëri lindi në vitin 1850. Ai ishte vëllai më i vogël i Abdylit e i Naimit. Pas mbarimit të shkollës fillore të fshatit vazhdoi mësimet në gjimnazin e Janinës, ku mësoi gjuhë të vjetra e të reja dhe u pajis me një kulturë të gjerë. Më 1872 shkoi në Stamboll për punë dhe atje u lidh menjëherë me patriotë shqiptarë, me Pashko Vasën, Jani Vreton, Ismail Qemalin, Kristoforidhin, Hoxha Tasinin etj. Samiu u dallua shumë shpejt midis tyre dhe, me formimin e shoqërisë së Stambollit, u zgjodh kryetar i saj, ndonëse ishte nga më të rinjtë. Gjer në fund të jetës ai mbeti udhëheqësi kryesor i kësaj shoqërie.

Samiu me dijet e tij shumë shpejt do të linte gjurmë te të gjithë bashkëkohësit. Ai si shkencëtar dhe si shkrimtar shkroi mbi 50 e ca vepra, disa edhe shumëvëllimshme. Vetëm “Fjalori historiko-gjeografik” (Kamus-i turk) në 6 vëllime, ka 4830 faqe dhe se për ta përfunduar atë ai ka punuar për 12 vjet me radhë.

Samiu njihet si romancier dhe dramaturg, si gjuhëtar i madh dhe filozof, si përkthyes dhe pedagog, si autor i një sërë veprash shkencore divulgative, si autor tekstesh për shkollat, si autor i manifestit të Rilindjes sonë Kombëtare “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, si politikan largpamës, si ideolog.

Ali Sami Yen (Frashëri)

Ali Sami Frashëri ka lindur më 20 mars 1886, në Kandili të Stambollit. Gjatë zhvillimit të shkollës së mesme bashkë me disa shokë krijuan një klub futbolli. Qëllimi ishte që të krijohej një ekip serioz siç e kishte Anglia. Ekipi të ndeshej brenda dhe jashtë vendit dhe të përfaqësonte Turqinë, të kishte një emër dhe ngyrat e tij. Klubi u krijua në vitin 1905 në Gallatasarai pranë disa kazermave ushtarake. Ai funksionoi, u rrit dhe u zhvillua, por s’kishte ligje për t’u rregistruar zyrtarsisht. Ligji doli vetëm në vitin 1912.

Aliu ishte president i parë i sport klub Gallatasarai për  13 vjet rresht, nga 1905-1918. Pastaj përsëri për pak kohë mori në dorë klubin në vitin 1925. Ishte trajner i parë i ekipit të futbollit në mes viteve 1905-1908. President i Komitetit Olimpik nga viti 1926-1931.  Në vitin 1910 themelon Muzeun  e Madh të Sporteve në Stamboll. Veç sportit të futbollit, ai u bë iniciatori i parë i krijimit të klubeve sportive si të basketbollit, hendbollit, volejbollit, notit, hipizmit etj.

Vdiq më 20 korrik 1951.

Si president dhe themeluesi i parë i Gallatasarat, stadiumit të vendosur në qendër të Stambollit, në Mecidiyeköy në vitin 2007  iu dha emri i  Sami Ali Yen.

 

 

Ali Sami, aty, në stol, në çdo ndeshje të “Gallata Sarait”

Ai ishte sportist, trajner, arbitër, organizator i shkëlqyer, dhe qëndron në krah të të atit si një yll i vërtet në konstelacionin dhe panteonin e nderit turk, thuhet në disa shkrime të enciklopedive të ndryshme turke. “Ai është aty në çdo ndeshje, nuk mund të hiqet imazhi i tij nga stadiumi më i madh i Turqisë që ai ngriti me thonjtë e vetë”, thotë një sportdashës. “Emri i tij është lidhur me emrin e Turqisë moderne, si Ataturku i sportit”, thotë një tjetër. “Atë nuk e thërrisnin Ali, por Yen, që ishte një emër i dytë si pseudonim, por që i ngjiti aq shumë, sa përdoret edhe në formën zyrtare sa herë që shkruhet për të.

 

“A ta shpif më Shqipëria”?!…

Nga pasardhësit e shumtë të Sami Frashërit ka qenë edhe një personalitet tjetër shumë i njohur në Turqi si intelektual, politikan dhe njeri letrash. Ky ishte nipi i tij, Emin Erer, i cili ka ardhur në Shqipëri në vitet 1970 dhe që unë e mbaj mend të gjithë axhendën e tij njëjavore, pasi pasqyrohej çdo ditë në gazetat ditore të kohës. Megjithëse në atë kohë kishte kufizime për të huajt, pinjollit të familjes së famshme të Frashërllinjve iu bë një pritje madhështore. Shtypi shkroi gjatë dhe e shoqëroi gjatë gjithë kohës që ai ndenji në Shqipëri. Pati premtime për lidhje të shpeshta dhe të ndërsjellta nga të dy anët, por më vonë nuk u dha asnjë shenjë. Si dhe në raste të tjera edhe në këtë rast kishte rënë perdja e hekurt. Ajo që kish ndodhur, kishte qenë vetëm një e çarë e rastësishme që ishte mbyllur shpejt.

Enigmën e ndërprerjes së lidhjeve të këtij  rasti e zbulon pas shumë vitesh Sania, mbesa e Sanies tjetër, së bijës së Sami Frashërit, e cila në një intervistë të këtyre ditëve për Top Chanel ka thënë se autoritetet shqiptare e kanë ftuar me rastin e 110-vjetorit të vdekjes së stërgjyshit të saj, Sami Frashërit, në qershor të këtij viti. Ajo nuk e ka mbajtur dot, por ka thënë se vizita e parë në Shqipërinë  komuniste me të atin e saj në vitet ’70, ia ka shpifur. Të atit, para se të nisej nga Stambolli i kishin thënë të shkurtonte flokët dhe basetat që i kishte shumë të gjata dhe Samies së re i kishin rekomanduar të pastronte manikyrët nga thonjtë e duarve dhe të këmbëve, si dhe të mos merrte më vete buzëkuq dhe kremëra! Por ajo që e kishte tromaksur më tepër në atë kohë atë, ishte rruga për në Frashër, të cilën e kishin bërë me një xhip për mëse katër orë.

Nuk e dimë nëse ka zgjatur më tej biseda apo jo. Nëse ajo ka zgjatur jashtë kamerës, kolegu ynë, gazetari Marin Mema, që e mori zonjën e nderuar në intervistë, si djalë i zgjuar dhe elekuent që është, por edhe si një nga njohësit më të mirë të trevave shqiptare që i ka shkelur me pëllëmbë ato, me siguri i ka uruar asaj mirëseardhjen dhe e ka siguruar se Shqipëria ka ndryshuar shumë, nuk është më ajo e kohës së monizmit, dhe asgjë nga ato gjërat e shpifura që kanë ndodhur atëhere, nuk do të ndodhin sot, veç njërës, rrugës për në Frashër, e cila, për fat të keq, është më keq se atëherë, dhe zonjës do t’i duhet të udhëtojë po me xhip dhe, ndoshta, një orë më tepër se para 37 vjetësh!…

 

 

Zylyftar Hoxha April 6, 2014 11:08
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*