Alpet shqiptare

August 24, 2014 19:05

Alpet shqiptare

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim te rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona (degë e Drinit). Ato përfshijnë pjesën veriore të vendit dhe zënë rreth 8% të tij; kanë pozitë gjeografike tepër të izoluar, sepse rrugët që i lidhin ato me rajonet e tjera të vendit dhe trevat shqiptare jashtë kufirit, janë të pakta dhe në gjendje të keqe. Alpet përbejnë grumbullin malor më të fuqishëm, më të lartë, më të ashpër dhe më të copëtuar të vendit. Lartësia mesatare e tyre mbi nivelin e detit arrin në 1500 m. Këtu ndodhen shumica e majave të Shqipërisë me lartësi mbi 2000 m. Hidrografia është shumë e pasur dhe alpine. Lumenjtë e shumtë kanë rrjedhjë të shpejtë, ujë të bollshëm, sidomos në stinën e pranverës, kur shkrin dëbora. Uji i tyre është i pastër dhe i ftohtë. Lumenjtë kryesore janë: Shala, Valbona, Cemi dhe Kiri. Ka dhe grupe liqenësh akullnajorë, të cilat kanë bukuri të rrallë dhe vlera të mëdha turistike.

Lugina e Valbonës, Park Kombëtar

Parku Kombëtar “Lugina e Valbonës” ndodhet 25-30 km në veriperëndim të qytetit Bajram Curri. Shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte e të papritura. Simbol i veçantë i bukurisë dhe hijeshisë në veriun shqiptar, Lugina e Valbonës qëndron krenare dhe shpalos të veçantat e saj, vende-vende qartazi për këdo, por në të njëjtën kohë edhe me mistere të fshehta, duke u alternuar me elementët e saj të hijeshisë. E brishtë shpeshherë, e bukur, hijerëndë dhe e palëkundur, Lugina e Valbonës qëndron krenare nën kreshtat e Alpeve shqiptare. Sot kjo relikte e çmuar e natyrës, e skalitur aq bukur nga natyra, simotër e Kopshtit të Edenit, është bërë plotësisht e vizitueshme për shqiptarët, por edhe turistët e huaj. Uji i lumit të rrëmbyeshëm është lajmëtari që të uron mirëseardhjen sapo makina merr kthesën e parë drejt luginës së Valbonës.

Valbona, seriozisht në vëmendje

Parku kombëtar “Lugina e Valbonës” pritet të krijojë në vitet në vijim standardet e turizmit që njohin dhe ruajnë vlerat e natyrës. Në këtë kuadër u nënshkrua para disa kohësh në Valbonë marrëveshja për zhvillimin e turizmit midis përfaqësuesve të WWF Mesdhe, Ministrisë së Mjedisit, qeverisjes lokale, shërbimeve të mikpritjes dhe komunitetit të zonës.

Ky angazhim nënkupton që parku i Valbonës do të ketë në vitet në vijim standarde të turizmit që njohin dhe ruajnë vlerat e natyrës, respektojnë traditat kulturore të vendit, promovojnë prodhimet lokale, duke i dhënë njëkohësisht asaj njohjen ndërkombëtare që i takon si destinacion elitar. Marrëveshja u arrit pas 6 muaj pune përgatitore të projektit Parqet Dinarike të Shqipërisë. Ajo shënon fillimin e procesit që do të vendosë Valbonën në hartën e parqeve europiane më të vizituar. Çertifikimi si park evropian me turizëm të qëndrueshëm është mjet i shkëlqyer për promovimin e turizmit dhe zhvillimin e ekonomisë së zonës.

Si mund të shkohet në Valbonë

Për të shkuar në Valbonë duhet të udhëtosh shtatë orë nga Tirana. Pjesa kryesore e udhëtimit, është segmenti Tiranë-Bajram Curri, që përfshin edhe udhëtimin me traget nëpër liqenin e Komanit. Pamjet fantastike të shpateve malore që bien thikë mbi ujin e liqenit të Komanit, janë të paharrueshme. Përrenjtë dhe luginat e vogla që lidhin liqenin me pellgun e Drinit krijojnë fjorde të vegjël që futen në brendësi të masiveve malore. Gjatë udhëtimit me traget mund të shihni dhe dy digat gjigante të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit.Udhëtimi me traget zgjat dy orë e gjysmë. Nga Bajram Curri në drejtim të Valbonës, shkohet me mjete të tipit 4 x 4, por edhe me furgonë të linjës.

Valbona

Simboli i bukurisë alpine shqiptare, e pakrahësueshme, e papërsëritshme…

Parku Kombëtar i Valbonës shtrihet midis majash të larta e të thepisura të mbuluara me një kolorit fantastik ngjyrash në çdo stinë, duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte e të papritura. Ka një sipërfaqe prej 8.000 hektarësh dhe konsiderohet si mrekullia e Alpeve shqiptare. Ka klimë malore, por me diell gjatë verës. Temperaturat nuk janë kurrë tepër të larta për shkak të pozicionit të zonës në lartësi. Në dimër ka mjaft dëborë, që shtresëzon deri në një metër e në periudha të caktuara, edhe më shumë. Reshjet vjetore janë të bollshme, pjesa kryesore e tyre bie në vjeshtë dhe në dimër. Klima në këtë rajon është më e përshtatshmja për turizëm gjatë verës dhe në dimër gjithashtu. Është për t’u theksuar fakti që infrastruktura e vështirë nuk ju lejon të udhëtoni vetëm, e aq më tepër që rrugët në dimër bllokohen nga dëbora. Por, duke kontaktuar guidat vendase, nëse jeni të vendosur që ta vizitoni në dimër, mund të lëvizni ‘me rrathë’.

Vlerat e tij shkencore, turistike dhe kurative të këtij parku janë të kombinuara me një biodiversitet të rëndësisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Në Valbonë takohen pyje të ahut, pishës, rrobullit, bredhit, livadhe alpine (bjeshkë), pyje të gështenjës (Castanea sativa) në gjendje natyrore, përrenj e lumenj malorë etj. Park i pasur në endemizma e subendemizma. Parku është gjithashtu dhe një zonë e vetme e takimit të hermoqit (Picea abies). Takohen gjitarë të mëdhenj e të mbrojtur si ariu (Ursus arctos), ujku (Canis lupus), rrëqebulli (Felis lynx), kope me dhitë e egra (Rupicapra rupicapra), kaprolli (Capreolus capreolus) etj., ndërsa nga shpendët veçojmë praninë e gjelit dhe të pulës së egër (Tatrao urogallus) dhe shqiponjës së malit (Aquila chrysaetos) etj. Në ujërat e lumit të Valbonës takohet lloji globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra).

Të apasionuarit pas turizmit malor mund të bëjnë një udhëtim të mrekullueshëm në këtë sezon në Parkun kombëtar të Luginës së Valbonës e cila të magjeps me pasurinë natyrore. Kufizohet me Parkun Kombëtar të Thethit dhe zonën natyrore strikt teëmbrojtur ”Lumi i Gashit”. Territori i tij përshkohet nga rruga automobilistike Bajram Curri-Dragobi-Valbone e Çerem. Këtu bukuritë e natyrës marrin formën e majave shkëmbore të larta e imponuese me faqe të veshura me pyje, mes të cilave shtrihen e ndihet rrjedha e përrenjeve edhe e lumit të Valbonës. E parë nga lart të ofron imazhin e një krateri gjigand të zbukuruar mrekullisht me të gjitha ngjyrat e natyrës së gjalle.

A mos je në ëndërr?!…

Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare. Çfarëdo aspekti që t’ju tregojë Valbona, është një sinonim i së bukurës. Edhe rruga për në Valbonë është një vrapim i bukur mes malesh e ujërash, nëpër luginën e Fierzës, ku vjeshta ka mundur të ndryshkë vetëm shkurret e shpateve të thyera, duke e kthyer peizazhin në një spektakël të vërtetë ngjyrash, nuanca të së kuqes, që pasqyrohen mbi syprinën e gjelbër të liqenit.

Banesa, karakteristike alpine

Përveç natyrës, turistët këtu joshen edhe nga banesat karakteristike alpine prej guri, me dritare të vogla, që janë një mjet mjaft tërheqës për turistët. Në fshatin Valbonë janë rreth 20 të tilla, me rreth 100 shtretër gjithsej. Njëra prej banesave është ajo e Selimajve, e ngritur në mes të fshatit, e cila thuajse çdo ditë pret vizitorë të ndryshëm. Turistët apo pushuesit mund të shijojnë ushqimet tradicionale vendase, të shoqëruara nga mishi i kecit, trofta dhe pijet që prodhohen në mënyrë artizanale nga banorët.

Mikpritja, e koduar dhe e institucionalizuar

Mikpritja e famshme e malësorëve të Alpeve shqiptare është tepër e veçantë nga shumë zona të Shqipërisë. Ajo është “publikuar” dhe “dokumentuar” nga shumë hudhëtarë të huaj që kanë kaluar këtej pari. Ajo ka ca kode të veçanta njerëzore që ruhen mrekullisht edhe sot. Në asnjë nga mënyrat e mundshme nuk mund të përshkruhet ndjesia që provohet nga kjo mikpritje. Nëse nuk shkon vetë të dëgjosh se çfarë fjalësh të thonë vendasit kur të urojnë mirëseardhjen, nëse nuk shikon vetë se me sa dashuri të presin, se si i shtrojnë vaktet, se sa dashuri hedhin në çdo gram ushqimi që servirin e gatuajnë, nuk mund të kuptosh asgjë nga kjo mikpritje. Prandaj e vetmja mënyrë për të shijuar është të provosh, e vetmja mënyrë për t’u argëtuar është të guxosh, e vetmja mënyrë për të ndjerë Valbonën e bukur, është të shkosh atje e ta jetosh mikpritjen e saj…

Nga janë të huajt që vizitojnë Valbonën?

Të huajt kanë rritur preferencat e tyre për turizmin malor në Shqipëri. Çekët janë vizitorë të rregullt dhe shënojnë numrin më të lartë, por ka gjermanë, angleze dhe turistë nga vende të ndryshme të Evropës Perëndimore që tërhiqen nga klima malore. Ndërkohë që operatorët turistike shprehen se krijimi i atraksioneve të ndryshme që ofron vendi, si kanionet, resortet, shpellat, sportet malore po rrisin turizmin e brendshem edhe me shqiptarë. Shqiptarët preferojnë që fundjavat t’i kalojnë në këto vende. Përveç grupeve të huaja në Valbone po rritet shumë turizmi i brendshëm.

 

Valbona

Zanë turbulluese bjeshke                             

Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës. Valbona u tregon udhëtarëve madhështinë e saj përmes maleve hijerënda, thellësinë e saj përmes pyjeve e humnerave, pastërtinë e saj përmes ujit të kristaltë, ku “vallëzojnë” troftat e arta, mikpritjen e saj përmes njerëzve të mrekullueshëm që ka, bukurinë e saj përmes veshjeve shumëngjyrëshe të zonës. Çfarëdo aspekti që t’ju tregojë Valbona, është një sinonim i së bukurës. Lugina e Valbonës thuajse në çdo stinë të vitit ka turistë, por sigurisht ky numër është më i madh në muajt e verës. Garanci për turistët nuk është vetëm mikpritja, karakteristika që i dallon banorët e kësaj zone, por dhe investimet e kryera ndër vite.

…edhe Parajasa e ka zili

Valbona buron nga shpatet e malit të Jezercës, më e larta e Alpeve Shqiptare (2693.5m). Valbona është lumi më i madh i Alpeve që derdhet në Drin. Ajo zbret nga Bjeshkët Ragamit e Çeremit plot zhurmë e shkumëzim dhe gjen qetësi në fshatin Valbonë për të ecur plot gjallëri drejt Dragobisë. Në natyrën e larmishme të këtij terreni mund të praktikohen të gjitha llojet e sporteve. Këtu gjen dëborën e përitëshme edhe gjatë verës, gjen ujvara magjepse, guva e shpella, ku në njërën prej tyre, në shpellën e Dragobisë është strehuar Bajram Curri, udhëheqes i shquar popullor i kësaj treve, emrin e të cilit mban edhe qendra e rrethit të Tropojës.

 

Infrastruktura? Edhe këtu si në gjithë Shqipërinë

Ashtu sikurse zonat e tjera të largëta të Shqipërisë, që vuajnë problemet e infrastrukturës, duke e shfaqur disi lodhjen e të pasionuarve pas turizmit malor, edhe Lugina e Valbonës ka të njëjtin problem. Rruga e papërfunduar, si dhe mungesa e energjisë elektrike në shumë raste, janë dy problemet kryesore që shqetësojnë banorët, operatorët turistikë dhe autoritetet lokale. Rruga e Valbonës, 23 km e gjatë, e parashikuar për të përfunduar në fund të vitit të kaluar ka mbetur pa financim për më shumë se gjysmën e saj. Vetëm 8 km nga 23 të tilla janë shtruar me asfalt, ndërsa pjesa tjetër edhe pse është, ka një shtresë çaklli, është drejt shkatërrimit. Veç problemit me rrugën, turizmi në këtë zonë vështirësohet edhe nga mungesa e shtretërve, dhe herë pas herë edhe nga mungesa e energjisë gjatë dimrit të ashpër. Por, në përballjen e parë me pishat e larta dhe me maja pishash që çajnë qiellin, duket sikur ky vend nuk ka asnjë problem. Koha këtu ecën ngadalë dhe të shfaq përpara syve jo rastësisht përrallat e Bjeshkëve të Nemuna e zanova të maleve e legjenda kreshnikësh, për të cilat çdo shqiptar ka dëgjuar që në vegjëli.

 

August 24, 2014 19:05
Komento

1 Koment

  1. ina February 28, 20:44

    like

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*