Alterhabitati i teksteve shkollore (!)

Nga Ilir Haxhiaj October 14, 2013 10:57

Alterhabitati i teksteve shkollore (!)

Megjithëse shumë kafshë për të jetuar zgjedhin pyllin, secila prej tyre parapëlqen vende të caktuara në të. Një qukapik zgjedh një trung, një shpend e bën folenë mbi degët e pemëve, një shёrpёr poshtë gurëve etj. Pikërisht vendi që zgjedh një gjallesë për të jetuar quhet habitat.” (Biologji dhe Edukim Shëndetësor 6).

 

Nuk merremi me politikë

Është bërë tashmë e vështirë mosgjetja e gabimeve, broçkullave, gafave e lajthitjeve në tekstet shkollore. Zgjerimi i mundësive, shtrirja e mendimit,  arritja e përshtatshmërisë dhe pritshmëri të tjera pozitive të alterteksteve, – të gjitha në funksion të rritjes së cilësisë së arsimit dhe edukimit të nxënësit, – në fakt, prej mungesës së kontrollit ose paaftësisë për të kontrolluar skemën, kanë prodhuar skandale të vazhdueshme që në nisje të tyre. Fatmirësisht, tashmë kjo çështje është bërë pjesë e debatit të gjerë intelektual e politik, i cili i ka përcaktuar mirë defekte të skemës dhe të zbatimit të saj, prandaj nuk është qëllimi im analiza e dështimit të reformës arsimore në këtë drejtim.

Objektivi ynë do të jetë vetëm një fragment nga teksti BIOLOGJI DHE EDUKIM SHËNDETËSOR për klasën e gjashtë të arsimit 9-vjeçar. Në mësimin ORGANIZIMI I GJALLESAVE (faqe 10), paragrafi i parë, i cili ndodhet në krye të këtij shkrimi, jep përkufizimin e habitatit, vendbanimit natyral të gjallesave.

bilologji 2

Gabime thjesht “formale”

Megjithëse shumë kafshë për të jetuar zgjedhin pyllin…” – Së pari, le të shohim sintaksën e fjalisë. Sigurisht që tekstet shkollore kanë një redaktor gjuhësor, (në këtë rast Elona Qose), prandaj nuk është e tepërt vërejtja në këtë aspekt. Renditja normale e gjymtyrëve të fjalisë në shqip është kryefjalë-kallëzues-rrethanor, dhe këtë e dinë shumë mirë nxënësit e klasës së gjashtë. Kështu, renditja e saktë: “Megjithëse shumë kafshë zgjedhin pyllin për të jetuar..”, jo vetëm që e bën kumtin më të qartë, por shërben edhe si model i duhur gjuhësor për fëmijën, që shpesh nuk ka burim tjetër të dijes, përveç librave të shkollës.

Ora e përrallës në biologji

I rikthehemi fjalisë: “Megjithëse shumë kafshë për të jetuar zgjedhin pyllin…”  –

Vini re: “shumë kafshë zgjedhin pyllin”! Është shkencë apo përrallë?! Ashtu si vetëm në përralla, kafshëve u mvishet dimensioni i lirisë! Kafshët zgjedhin vetë vendbanimin e tyre, dhe shumë prej tyre pëlqejnë pyllin! Eksploziv në shkencë e në filozofi! Sigurisht që nuk është një lapsus, sepse ideja përforcohet në vazhdim, madje edhe me shembuj konkretë: “…secila prej tyre parapëlqen vende të caktuara në të. Një qukapik zgjedh një trung…” Qukapiku ka zgjedhur trungun! Për cilin qukapik e ka fjalën? Të gjithë qukapikët parapëlqejnë të jetojnë në një trung? Nuk ka ndonjë prej tyre që i pëlqen më shumë të fluturojë e të ndalojë në ndonjë degë, për shembull? Këto janë pyetje të fëmijëve, të cilët kanë parë parë e dëgjuar shumë histori me qukapikë të lirë. Ata presin përgjigje nga shqipo-shkencëtarët që kanë hartuar tekstin, sepse në internet dhe në enciklopeditë botërore ka mungesë totale informacioni për lirinë e qukapikëve. Apo t’u themi që qukapikët janë të dënuar të jetojnë të gjithë në trung? Por atëherë autorët-profesorë të tekstit duhet të gjejnë patjetër formë ngushëllimi për fëmijët e pafajshëm, të cilët i duan shumë qukapikët! Një propozim po e bëj unë: Të dashur fëmijë! Qukapiku nuk ka një habitat, por disa habitate, që ndryshe quhen alterhabitate. Megjithatë, do apo nuk do ai, me hir a me pahir, ai do të parapëlqejë trungun, sepse kështu ka ndodhur edhe me altertekstin tuaj!

 

Shpendë pa familje

Por halli i qukapikut nuk është vetëm te trungu që duhet të zgjedhë. Ai ka mbetur edhe pa familje! Po, ashtu është. Vërtet, brezat e mëparshëm e kanë njohur atë si pjesë të familjes së shpendëve, por biologjia e klasës së gjashtë tashmë e ka mohuar atë. Ja çfarë thotë: “Një qukapik zgjedh një trung, një shpend e bën folenë mbi degët e pemëve…” E fillon me qukapikun dhe trungun, pastaj me shpendin që i pëlqen foleja mbi degë. Po qukapiku nuk është shpend? Po shqiponja jonë krenare? Ajo trimëresha jonë, ajo që e bën folenë në shkëmb? Vallë, as ajo nuk është shpend?! Po harabelat që kanë bërë një fole te një tullë e hequr e pallatit tim, çfarë janë? Po dallëndyshet te ballkoni? Eh, sa gjëra paskemi mësuar kot! Nejse, tani kemi shkencëtarët tanë që bëjnë libra të bukur dhe me ngjyra.

 

Vula dhe firma

Përfundimisht, vetëm nxënësit shqiptarë, – që mund të quhen edhe “alternxënës” përballë moshatarëve të tyre joshqiptarë, – vetëm ata ta mësojnë se habitati i qukapikut është trungu (e të mos ankohet qukquku, se ashtu ia ka dashur qejfi), habitati i shpendit (harabelat e dallëndyshet të gjejnë familje tjetër) është foleja në degën e pemës, kurse habitati i shërpërit (krijesë tepër misterioze kjo!) është poshtë gurit.

T’i vëmë edhe vulën (atë që i kanë autorët, sigurisht): “Pikërisht vendi që zgjedh një gjallesë për të jetuar quhet habitat.”

Harruam firmën: “Alterhabitati i teksteve shkollore gjendet vetëm në Shqipëri”.

P.S. Mos kërkoni referenca të tjera shkencore për këto të dhëna, përveç librit “Biologji dhe edukim shëndetësor për klasën e gjatë të arsimit 9-vjeçar”, faqe 10. Autorë: prof. dr. Ethem Ruka dhe as. Prof. Ylljet Aliçka;  shtëpia botuese Mediaprint.

Nga Ilir Haxhiaj October 14, 2013 10:57
Komento

6 Komente

  1. lili October 14, 12:22

    Ylljet alicka.. Mos eshte ky ambasadori -ishallah behet ish-i shqiperise ne Paris.edhe shkrimtar,edhe kineast,edhe biologiste ,edhe diplomat,edhe pisnessman,edhe tash hartues programi per femijet!
    Bref,ikudo hun de futesh,edhe kurkurnd ne vend si duhet…shembull extra i albanistanezeve!

    Reply to this comment
    • nerro24 October 14, 14:03

      ti lili me shqipen besoj ke kohe qe ke bere sher… mbasi lexon artikullin, vetem nje koment si ky i yti nuk duhej, po hajt mo. Artikull i bukur, respekte prof. lane nam, nuk dine as nje tekst per femije te bejne, imagjinoni nivelin e publikimeve shkencore…

      Reply to this comment
      • as October 15, 12:55

        Natyrisht tekstet kane probleme. Por ky problem duket me teper problem i stisur se sa problem real. Te marresh nje paragraf nga nje liber dhe ta komentosh me dashakeqesi, nuk eshte kritike. Kush e di ku i fle lepuri autorit te shkrimit. Redaksia: vjen era konflikt interesi.

        PS: te kuptohemi. Nuk dua te mbroj mafiozet Et’hem Ruka dhe Alicka qe jane bere milionere me mediokritete, por kur kritikohet, te harxhohet pak kohe dhe kritika te jete e drejte…

        Reply to this comment
        • Shpetim Doda November 28, 02:54

          Shkrimi është thjesht i shkëlqyer, dhe as që lë qoftë edhe dyshimin më të vogël për ndonjë “përplasje interesash”, në kuptimin sipërmarrësor të fjalës. Më pas, nëse do të ishte fjala për një paragraf – në kuptimin e rëndomtë tekstor – do të priresha të të përligjja, më së, qëndrimin tënd, por çështja nuk lidhet me parametrat tekstorë, por konceptualë; gjendemi përpara një “përkufizimi”, dhe në të tilla raste, jo një paragraf, por edhe një presje mbart rëndësi. Dhe pikërisht këtu besoj se ka “përplasje interesash”: autori i shkrimit mund të ketë një fëmijë në klasën e gjashtë, i cili, teksa ka lexuar këtë paçamur, apo trahana me copa buke të ndryshkura, ka kruar kokën dhe i ka kërkuar ndihmë të atit, siç do të vepronte edhe fëmija im dhe i yti, tek e fundit, pa i shkuar në mendje se nuk do t’i krijonte një kruarje, por një dhembje koke.

          Reply to this comment
  2. loni October 14, 14:43

    ky ylljeti do jete jo asistent per korrigjim gabimesh por do jet aty te marri ndonje kokerr leku se tashi nuk eshte me ambasador dhe mundohet te shkruaje dhe te beje ndonje gje, thjesht medioker!
    ethemi eshte si shqipja e çale e librit ose me mire shifni librin dhe gjykoni!

    Reply to this comment
  3. lili October 14, 17:28

    Nerro,shqipen e kam mesuar me keso profesora,prandaj jam aq sher…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*