AMA dhe RTSH, PD refuzon apelin e qeverisë

September 30, 2014 16:31

AMA dhe RTSH, PD refuzon apelin e qeverisë

Partia Demokratike ka refuzuar apelin e mazhoranczs për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Publik dhe të anëtarëve të Autoritetit të Medias Audiovizive, dy institucione që po zvarriten prej një viti dhe që janë në pamundësi funksionimi për shkak të përfundimit të afateve ligjore.

Deputeti Luçiano Boçi tha se kjo është kapje e institucioneve dhe se Partia Demokratike nuk do të marrë pjesë në Komisionin e Medias për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH dhe AMA-s.

“Ka mëse një vit që opozita kërkon plotësimin e tre vendeve bosh për anëtarë të AMA-s, por mazhoranca kishte për qëllim vetëm heqjen e kryetares së institucionit”, deklaroi deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

Por nënkryetari i Komisionit të Medias, Alfred Peza thotë se ndodhemi në një situatë emergjence dhe se dy institucionet duhen plotësuar sa më parë.

“Opozita duhet të kuptojë që është emergjencë për nevoja publike, ligjore dhe institucionale që AMA dhe RTSH të bëhen me kupola drejtuese dhe të plotësohen vendet bosh, sepse të dyja këto institucione janë prej disa vitesh jashtë shinave ligjore dhe kushtetuese pasi janë në pamundësi drejtimi dhe nuk marrin dot vendime. Qoftë kjo për AMA-n, qoftë për RTSH”, tha Peza.

Opozita deklaroi se ka vendosur të vijojë bojkotin politik duke akuzuar mazhorancën se po zapton institucionet rregullatore të medias.

“I bëjmë thirrje mazhorancës, të ruajë qetësinë dhe të zbatojë pikër për pikë ligjin për median. Opozita nuk mund të marrë pjesë në farsat e çiftit Rama-Meta, të cilat institucionit rregullator të medias duan t’ia nënshtrojnë me terror vetes dhe interesave të tyre dhe klientëve të tyre mediatikë”, deklaroi deputeti Boçi.

Nënkryetari i Komisionit të Medias tha se ekziston një zgjidhje ligjore, për të cilën janë vënë në dijeni të gjitha institucionet ndërkombëtare që kanë ndihmuar në ligjin për mediat audiovizive.

“Për herë të parë dua të them që ne kemi patur një negociatë jozyrtare me opozitën në muajin qershor dhe korrik. Zoti Boçi e di shumë mirë këtë. Ne nuk do të prekim në thelb asnjë nga ato të drejta që kemi rënë dakort mazhorancë-opozitë, një marrëveshje që nuk arriti të zyrtarizohet për shkak se disa orë më vonë, opozita bojkotoi parlamentin. Ne do të zgjedhim dy anëtarë, një vend do t’ia lëmë bosh opozitës sepse i takon sipas ligjit, dhe më pas do të vijojmë sic e ka ligji në seancë plenare për të zgjedhur edhe kryetarin e ri të AMA-s”, sqaron Peza.

Ditën e mërkurë Komisioni i Medias dhe i Arsimit do të mblidhet për të vijuar me procedurën e përzgjedhjeve të vendeve vakante në ama dhe në Këshillin e Radiotelevizionit Shqiptar. Për mazhorancën, zvarritja e këtij procesi rrezikon të cojë Shqipërinë drejt dështimit me afatin e përfundimit të procesit të dixhitalizimit, qershorin e vitit të ardhshëm.

September 30, 2014 16:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim