Amalia Verli, 99-vjeçare, një jetë mësuese!

March 8, 2020 17:35

Amalia Verli, 99-vjeçare, një jetë mësuese!

Nga Entela Resuli

 

Dje ishte Dita e Mësuesit, dita që na kujton të gjithëve se duhet t’i jemi gjithmonë falënderues atyre që me durim dhe sakrificë na kanë dhënë mësime të rëndësishme në jetë.

Në këtë ditë u takuam me një personazh të rrallë, ish-mësuesen Amalia Verli, e cila sot është 99 vjeçe.

E ulur në kolltukun e bardhë, në një apartament të vogël pranë shkollës “Vasil Shanto”, mësuesja, siç i thërrasin të gjithë, na pret e buzëqeshur dhe e lumtur që në këtë ditë e kujtojnë me dhjetëra e dhjetëra ish-nxënës.

Shtëpia i është mbushur me lule dhe telefoni i bie vazhdimisht.

Është dita e saj, është dita e mësuesit!

Ja pse mësimdhënia është një nga profesionet më të bukura në botë. Ti merr kënaqësi në çdo kohë. Kam 49 vite që kam dal në pension dhe nxënësit nuk më harrojnë asnjëherë”- shprehet mësuese Amalia.

Amalia Verli duke marr titullin "Mirenjohje e Qarkut Tirane" nga kryetari i Qarkut Aldrin Dalipi

Amalia Verli duke marr titullin “Mirenjohje e Qarkut Tirane” nga kryetari i Qarkut Aldrin Dalipi

Gjithashtu, ditën e djeshme zyshë Amalia është nderuar nga Këshilli i Qarkut Tiranë me titullin “Mirënjohje e Qarkut”. Kryetari i Qarkut, Aldrin Dalipi gjatë ceremonisë tha se ky vlerësim është si një falënderim për atë që zyshë Amalia ka dhënë në edukimin e brezave në vite.

Me një zë të qetë dhe me shumë nostalgji,  ajo nis e na tregon jetën e saj. Duket që kemi përball një mësuese, e cila nuk humbet mes fjalëve, por teksa rrëfen arrin të përmbledh një jetë të gjatë, të mbushur me sfida dhe sakrifica.

Verli ka bërë një jetë të qetë në familjen e saj të vogël. Ajo ka vetëm një djalë, Marenglen Verli, i cili ka ndjekur gjurmët e prindërve të tij.

Ai është një nga historianët më të njohur, akademik dhe rektor pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike.

Ajo ka punuar për 31 vite si mësuese dhe ka ditur të jetë e duruar dhe autoritare me nxënësit.

E lindur në Korçë, aty ku është hapur edhe shkolla e parë shqipe, mësuese Amalia ka shumë për të na treguar.

Më një jetë të gjatë të jetuar në disa kohë ajo është sot një nga njerëzit më frymëzues, duke na treguar të gjithëve, se profesioni i mësuesit mbi të gjitha është mision para të cilit të gjithë duhet të kemi respekt.

 

 -Zonja Amalia, e para, gëzuar festën dhe e dyta komplimente për emrin… shumë modernë për kohën. Ka ndonjë histori?

Prindërit e mi ishin modernë për kohën. Familjet e tyre kishin rrahur rrugët e kurbetit në Ballkan që nga shek. XIX. Në linjë femërore ishin qytetarë të Korçës që në dekadat e para të shek.XX, kurse nga familja e babait, kur linda unë, kishte rreth 20 vjet që ishte shpërngulur nga Luarasi i Kolonjës në Korçë. Emrat evropianë në atë kohë, në qytetin e Korçës, ishin në modë, mbase nga ndikimi i francezëve në vitet 1916-1920. Motrën time që lindi 7 vjet më pas e quajtën Luiza. Kam ende një poster të pikturës së Ticianit të njohur si “La fidancata”, të cilën babai më duket se e solli nga Vjena rreth viteve 1930, ku kishte shkuar për probleme shëndetësore me nënën time, Ollgën.

 

Amalia ne shtepine e saj ne Tirane

Amalia ne shtepine e saj ne Tirane

-Ju jeni një bijë nga Korça dhe në Korçë është hapur shkolla e parë shqipe, si ju bën të ndiheni ky fakt?

Korça kishte arsimim mbi nivelin e përgjithshëm të vendit në vitet 20. As që diskutohej ndjekja e gjithë ciklit të shkollave që kishte qyteti. Kur këto ishin kryer babai më pyeti nëse doja të vijoja më tej. Ishte një dëshirë që do të realizohej jo pa sakrifica, jo vetëm ekonomike, por edhe familjare. Unë isha e madhja, nga dy vajzat e tim eti. Ndërkohë nëna kishte disa vjet e sëmurë nga një paralizë që do ta bënte të vuante për 12 vjet, deri në fund të jetës ….

 

Por shoqet e mia do të shkonin në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë”, për t’u arsimuar si arsimtare të ardhshme. Unë dëshiroja fort. Babai, përballë hezitimit tim për t’ju përgjigjur pyetjes së tij “A do të shkosh me shoqet në Tiranë”?, për arsyen penguese që kishim, më tha: “Shko me shoqet, për nënën do kujdesemi ne këtu. Do të kem mundësi edhe të punësojmë dikë që t’i rrijë afër gjithë ditën”. Ishte viti 1937.

 

-Sa vite keni punuar në arsim dhe çfarë mbani mend nga ajo kohë?

Në arsim kam punuar nga shkurti ose marsi i vitit 1942 deri më 1973. Fillimisht shkuam dhe hapëm shkollat e para shqipe në viset shqiptare të copëtuara më 1913, që iu bashkuan më 1941 Shqipërisë së pushtuar nga Italia, më 7 prill 1939. Nënprefektura e krijuar rishtas në zonën e Prespës, që me atë rast iu bashkua prefekturës së Korçës hapi 5 shkolla shqipe. Mua dhe një shoqes sime Meropi Faces na u bë emërimi në fshatin Podmoçan. Aty punuam dy vjet derisa pas kapitullimit të Italisë, ai territor u aneksua nga Bullgaria. Më pas gjatë vitit 1944 shërbeva si arsimtare në zonat e çliruara. Kam marrë pjesë dhe në Konferencën e Arsimtarëve Antifashistë në Lozhan…

Pas luftës plotësova më tej arsimin në Institutin Pedagogjik 2-vjeçar dhe vijova punën në shkolla të ndryshme të Tiranës. Vitet e fundit të punës kam punuar aty ku fillova shkollën për arsimtare, në Shkollën Pedagogjike ku dola në pension më 1973.

 

Amalia me te birin, Marenglenin

Amalia me te birin, Marenglenin

-Ishte e vështirë të jepje mësim në ato vite?

 Vështirësi të ndryshme, mungesë mjetesh mësimore, mungesa të natyrës ekonomike, por kishte shumë pasion për të realizuar misionin e mësuesit, shumë bashkëpunim midis kolegësh, shumë punë me nxënësit dhe prindërit e tyre, shumë respekt të këtyre ndaj nesh. Mbaj mend kolegë të nderuar, me të cilët kam punuar Dhora Karoli, Vangjeli Mele, Angje Berisha, Fatime Vokopola, Llambrini Kallamata, Vasil Dhimitruka, Nikolla Berovski etj. etj., të cilët nuk do t’i harroj kurrë.

Ne ishim, sidomos në rastin e nxënësve të konviktit të Shkollës Pedagogjike, jo vetëm mësues për procesin mësimor por edhe prindër. Ishte një kohë kur diferencat krahinore nga koha e mëparshme në drejtim të emancipimit, veçanërisht për femrat ishin të dukshme ende, dhe duheshin rrafshuar. Besoj se brenda mundësive kemi bërë më të mirën. Vështirësitë e asaj kohe ndoshta sot shumëkush nuk do t’i kuptonte. Kishte shumë mungesa, duheshin mbushur boshllëqe te nxënësit, duhej punuar edhe me prindërit shumë që mos pengonin vajzat të shkolloheshin.

 

-Ju ishit mësuese e ciklit të ulët?

 Kryesisht që nga viti 1949, kam dhënë mësim në shkolla të arsimit 7-vjeçar dhe të mesëm.

 

-Po bashkëshorti juaj, ka qenë edhe ai mësues, si u njohët me të?

 Me bashkëshortin Stefanin u njohëm në Institutin Dyvjeçar. Ai vijonte studimet në degën matematikë-fizikë kurse unë histori-gjuhë shqipe. Më pas në vitet 50-të mori diplomën edhe për inxhinieri elektrike. Gjithë kohës punoi për arsimin, si arsimtar por edhe si metodist, si autor tekstesh, si drejtues (p.sh. në vitet 50-të ka qenë për shtatë vjet zëvendësdrejtor i Politeknikumit, institucion ky shumë prestigjioz me rreth 3000 nxënës në atë kohë), më vonë në Institutin e Perfeksionimit të mësuesve dhe në Ministrinë e Arsimit.

Amalia me bashkeshortin dhe te birin ne vitin 1962

Amalia me bashkeshortin dhe te birin ne vitin 1962

-Cila është familja juaj, sa fëmijë keni dhe a e kanë trashëguar ata profesionin tuaj?

 Unë pata vetëm një djalë, Marenglenin. Ndoshta e lamë me kaq e nuk patëm fëmijë të tjerë sepse nuk pamë mundësi për shkak të kushteve. Pasi u martuam deri më 1962 kemi jetuar edhe 3 familje në një hyrje, ku kishim një dhomë e kuzhinë e banjo të përbashkët. Pastaj deri më 1957 funksiononte sistemi i triskëtimit për furnizimin me produkte ushqimore etj. Dhe nuk kishim pranë as prindërit që të mund të na ndihmonin.

Nejse, djali pasi mbaroi gjimnazin “Petro Nini Luarasi” pëlqeu profilin tim, përfundoi të vijonte studimet e larta në degën histori- gjeografi, në Fakultetin Histori-Filologji, shërbeu 5 vjet në  gjimnazin e qytetit të Laçit (1973-1979) pastaj në Institutin e Historisë dhe prej 41-vjetësh bën pjesë ndër historianët e vendit tonë. Kishte pasion studimin e historisë dhe besoj është i suksesshëm…

 

-Kur keni hequr dorë nga arsimi?

 Nga arsimi, si nga çdo profesion që e ke me pasion unë nuk kam hequr dorë kurrë. Më 1973 mbusha moshën që sipas ligjit të nxjerr në pension. Më pas vërtet nuk dhashë mësim si më parë, por s’kam pushuar së dhëni këshilla për këdo që ka kërkuar mendje nga unë. Vitet e fundit kam hyrë ndonjëherë në rolin e mësueses, aty-këtu për ndonjë mësim të gjuhë shqipe me stërnipin tim.

 

-A keni kontakte me ish-nxënësit tuaj?

 Do të them vetëm se edhe pse kam 49 vjet në pension, kam nxënëse që jo vetëm më kujtojnë me kartolina, më dërgojnë të fala etj., por për 7 mars edhe nga larg më vijnë për vizitë si Margjelina e Dila nga Zejmeni i Lezhës, Shpresa nga Pogradeci, Gëzimja nga Tirana (sot në Francë), Qefserja etj., dhe atëherë kalojmë disa orë të bukura bashkë duke biseduar e kujtuar edhe kohët e vjetra. Edhe ato janë pensioniste dhe kemi kohë të mjaftueshme të pimë kafe, madje të hamë bashkë edhe ndonjë drekë. Më lumturon kjo miqësi shumëvjeçare, e bazuar në dashuri e respekt njerëzor, pa asnjë interes.

 

Amalia Verli

Amalia Verli

-Zonja Amalia, fëmijët e shohin si një prind të dytë mësuesin dhe figura e tij është shumë e rëndësishme për ta, cili mendoni se është sekreti i një marrëdhënie të mirë mes nxënësit dhe mësuesit?

Mendoj se sjellja dashamirëse e inkurajuese, zotërimi i dijeve (lëndës), respektimi i nxënësve pa bërë dallime sociale, etnike, politike etj., dhe vlerësimi korrekt i tyre janë çelësi i suksesit të arsimtarit. Sot ndoshta është më vështirë se dikur. Cilësitë e mësipërme mësuesi duhet t’i zotërojë në shkallën më të lartë dhe të dijë të kurajojë e orientojë fëmijët për të synuar me personalitet e dije të sigurojnë perspektivën e karrierën.

 

-Ka mësues që ushtrojnë dhunë ndaj nxënësit, po ju si mendoni, deri ku duhet të shkoj autoriteti i mësuesit?

 Dhuna të rrënon, veçanërisht arsimtarin dhe nuk të siguron asgjë, të tregon se ke dështuar.

 

-Prej sa vitesh jetoni në Tiranë dhe a ju mungon Korça?

Unë u bëra “tiranse e vjetër” që 16 vjeçe. Megjithatë Korçën e dua shumë dhe sa herë më krijohet mundësia shkoj aty. Gjithsesi brezi im është rralluar shumë, por mësuesi ka fatin të ketë miq në më shumë breza se njerëzit e profesioneve të tjera.

Amalia me kolektivin e shkolles Kristoforidhi ne vitet 1955-'56

Amalia me kolektivin e shkolles Kristoforidhi ne vitet 1955-’56

Po në Tiranë ku keni dhenë mësim dhe çfarë mbani mend nga ajo kohë?

 Mbaj mend veçanërisht vitet e para dhe të fundit por edhe periudhat e tjera. I kujtoj edhe përmes fotografive të shumta që kam bërë në vite. Kam hedhur në letër edhe disa kujtime të miat, por jo aq sa do të duhej. Për këtë më ka nxitur edhe im bir…

 

-Ju jeni 99 vjeçe sot, çfarë e bën një njeri që të jetë i qetë në moshën tuaj?

Përgjithësisht do të thosha se njeriu që punon me pasion, që bën jetë të rregullt familjare dhe jetë shoqërore aktive, njeriu që ushqen optimizmin te vetja dhe të tjerët, duhet të llogaritet ndër ata që duken të realizuar në mos të lumtur. Kështu edhe hallet sado të mëdha kapërcehen më lehtë. Kështu ja vlen të jetosh, e kur të largohesh nga kjo jetë, të shkosh pa pishman e duke u lënë pasardhësve emrin e mirë e të respektuar.

 

-Cili është momenti më i bukur që mbani mend nga puna si mësuese?

Nuk e di ka shumë. Besoj më të bukura janë momentet kur janë përballuar sfida, janë kapërcyer vështirësi dhe veçanërisht kur nxënës të “vështirë” janë rreshtuar te “të mirët”; kur krijoja një kolektiv harmonik me klasat e kujdestarisë, kur arrinim rezultate në aksione të ndryshme, duke filluar që nga ndërtimi i hekurudhave, higjienizimi i fshatrave, tërheqja në shkollë e vajzave që pengoheshin nga prindërit etj. Shkurt, profesioni ynë kënaqësitë i ka të mëdha e të shumanshme.

DITA

March 8, 2020 17:35
Komento

3 Komente

  1. Anastas Ruvina March 8, 19:19

    Ishte një kënaqësi teper è veçante kur lexova për mesuesen që më ka dhënë mësim historinë ne vitet 1954-55 .Kënaqësia më e madhe është se mësova që është akona gjallë në një kohe kur ne nxënësit e sajë po i afrohemi té 80 tave. .Urimet më të mira dhe jetë akoma më të gjatë kësaj mësuese të mrekullueshme ,Po mbi të gjitha njeri i jashtëzakonshëm për ne nxënësit e sajë, è cila na sbikontë dhe kujdesesh si prind i dashur për ne.
    Nuk gjej dot fjalë tamam të pështatshë për ta përshkruar ashtu si duhet këtë mësuese të jashtëzakonëshme. Unë jam një nxënës I sajë që as pretendoj se do të më kujtonte edhe nëse do të takohesha me të,( sa shumë do dëshiroja ta takoja, do përpiqem tja gjej shtëpine dhe ta takoj) kjo do ishte kënaqësia më e madhe po ta realizoj.
    Mësuese e dashur qofsh gjithmonë ashtu si dëshiron, lum ata nipër apo mebsa që té kanë,
    Ah sikur të ishin të gjithë mësuesit ashtu si ti.
    Gëzuar më gjithë shpirt festën e 7 marsit mësuesja ime fantastike

    Reply to this comment
  2. malsori March 9, 13:47

    Respekt për këtë familje të nderuar. Edhe profesor Marengleni në gjurmët e familjes, një njeri dhe pedagog i mrekullueshëm. Jetë të gjatë.

    Reply to this comment
  3. Dhimiter Xhoga (Guri Naimit D) March 15, 10:03

    Simbol i Mësueseve-Amalia Verli 99 Vjecare,..
    DITËT NJËMIJË i uroj !

    Së pari kërkoj ndiesë MESUESES 99 vjecare,që nuk pata fatin,ta uroj,(unë 83 vjecari në 10 Qershor 84,nga Torontua e Kanadasë ardhur në atdhe, këtë prag të festës së MËSUESIT*7 Marsi*,drejt Korçës së *MËSONJËTORES PARË,me një histori si e nderuara Mesuese 99 vjecare Amalia Verli,(Unë,bir fshatari në Dangëllinë Naimjane mesues në Tiranë ,plot 29 vjet* 1964-91mesues e drejtor shkolle në Tiranë,nga fshatrat e malësise Shëngjergjit e Shupali nis),nuk pata fatin,ta uroj,këte MËSUESE vetërane(unë Pasues Veterani),si një nga *MËSUESET e Mësueve në vite,do ta quaja* Amalia Verli,mbiemri së cilës,më imponon rrespekt.(Do të ishte- Zonja Verli,Bashkëshorte e të Nderuarit-Aleks Verli,në vitë 60-t Ministër financash,mos gaboj),pas njohies së rastit tim,në mars 1964,(lënë fakultetin e mjekësisë sa nisur vitin e parë,-*amanet babai,teksa u nda nga jeta,pas torturave te Ballistëve te luftës*1944 ,lënë amanet -*Ma bëni djalin e vogël DOKTOR-(clirimi vëndit na jep shpresa ne,fashatarëve fukarenj),se nga mungesa e Doktorit po vdes,mes Zavalanit të Dangëllisë Naimjane*do të thoshte Ai-Grameno:
    Në fakt, bashkëfshatrët me barelë nga Zavalani i Dangëllisë, shpënë në Korçë,tek i shumënjohuri Dr Polena,që bëri cmos për ta jetësuar,po duhej prerë këmba,që nga rrëza e kofshës…
    Ustai m,urator,Mihali,(të gjithë e thërrisnin GRAMENO),nuk pranoi e,me atë kokëfortsinë e tij,si e çuan me barela në Korcë e sollën në Vëndlindie, ku pas 3 muajve (shkurt 1945) ndërroi jetë.)…
    Në vitet mësues, nisur nga malësite e Shëngjergjit e Shupalit, njohur këtë mësuese të nderuar,krah shoqeve që ajo përmënd në këtë interviste,që unë dua të shtoj të Ndierën Antoneta Koci,drejtoreshë e shkollës,*10 Korriku*(unë nxënës jetim,ardhur nga Dangëllia),me në krah kolege të të nderuarës Antoneta, njëherësh deputete nder të parat GRA,që do më jepte dretimet e jëtës mua, djali jetim të Dangëllisë,fatmirësisht vëlla i ish Partizanit Stavri Mihali,pas lufte,si me shkollën e Fashërit Naimjan*, u bë kuadër i ndertimit që pas lufte e sa dalë pension, si e mira Amali,më 1983,sa ndërroi jetë më 1998,aktivist vëteran sa i luftës dhe ndertimit. Ditët MJËMIJË dhe faleminderit e nderuar Amali prag 100 vjetorit, që paca fatin ta festoj me Ju, 84 vjetorin, ardhur posaçërisht nga tej oqeani…Sa të na lejojë kjo *flamë*sëmundie botërore mirë u takofsha,Juve EMBLEMA e yonjave shoqe- MËSUESE.( në Tiranë jam këtë pranverë ),më lëntë shëndeti tiu takoj e nderuara MËSUES-Amalia VERLI. Përshëndetie me konsiderat të nderuar djalë Pr Maringlenit-idhulli im si 84 vjecar -mësues një jetë si Ju .
    (Nëse mundeni telefonomëni, tel.im 068 2963 083)
    *Pasuesi VETERAN* Dhimitër M Xhoga.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim