Amaneti i mësuesit patriot

March 7, 2016 18:48

Amaneti i mësuesit patriot

Studiuesi i njohur vlonjat, prof. Bardhosh Gaçe, si gjithnjë serioz dhe skrupuloz në punimet e tij shkencore, jo pa qëllim ka zgjedhur të hedhë dritë mbi një figurë interesante dhe disi të harruar të arsimit shqiptar në zonën e Tepelenës, mësuesin patriot, Ibrahim Selimi. Profesori i nderuar ka bërë një libër të tërë mbi jetën e këtij patrioti të vjetër që e ka nisur veprimtarinë e tij që në Rilindjen Kombëtare dhe ka vazhduar në të gjitha ngjarjet politike më të mëdha të vendit deri sa dha frymën e fundit në vitin 1935.

Ibrahim Selimi ka qenë një atdhetar i vendosur që ka luftuar vazhdimisht për një Shqipëri të lirë. Ai ka një të kaluar heroike si në luftë për liri e pavarësi, ashtu edhe në fushën arsimit, si mësuesi i parë dhe iniciatori i ngritjes së shkollës së parë shqipe në Tepelenë në vitin 1908. Duke ndriçuar jetën e Ibrahim Selimit, Profesor Bardhosh ka gërmuar në prejardhjen e tij dhe ka zbuluar se veprimtaria e tij në çështjet atdhetare nuk është e rastit. Ibrahimi ishte trashëgimtar i denjë i babait të tij, Selim Zyka, i cili që i ri kishte mësuar në Berat zanatin e armëtarit dhe bashkë me luftëtarë të tjerë kishte marrë pjesë në kryengritjet kundër Tanzimatit nën thirrjet e Tafil Buzit, Rrapo Hekalit dhe Hodo Nivicës. Në atëkohë në Tepelenë ishte formuar një forcë kryengritëse me 2000 e ca luftëtarë, nga të cilët, 32 ishin nga Krahësi, ku bënte pjesë edhe Selimi. Si një njeri i mejdanit dhe i mexhilizit, Selimi, pas shërbimit ushtarak, e dërgoi djalin, Ibrahimin, në shkollë për oficer. Pas shkollës Ibrahimi u emërua në Janinë, në një vend me histori dhe me ndikim në jetën e shqiptarëve.

Tradita e familjes dhe mjedisi historik e vendosin Ibrahimin në qendër të zhvillimeve të kohës. Në vitin 1908 angazhohet me “punët” e Rilindjes Kombëtare në klubin “Bashkimi” të Janinës, ku merr detyrë përhapjen e librave shqipe në trevën e Tepelenës. Si një njeri aktiv i Lëvizjes, emri i tij përmendet në shumë dokumente të kohës, krahas emrave të Namik Delvinës, Kadri Gjatës, Isuf Bushit, Feim Mezhgoranit, Baba Sali Matohasanaj, Baba Ahmet Rsulit etj.

Pasi lë detyrën në Janinë, më 1908 vjen në Tepelenë me një mision të ri, ku hap shkollën parë shqipe në Koshtan. Ikte në Janinë dhe kthehej me libra shqip që shtypeshin në Sofje. Në këtë kohë i shkruan Kadri Gjatës, kryetarit të klubit shqiptar “Bashkimi” të Janinës: “Po kthehem në vatanin tim, në Tepelenë, për të përndritur zemrat dhe mendjet e bashkëfshatarëve të mi, siç patëm pleqëruar motin e shkuar në Janinë”.

Në një dorëshkrim tjetër, drejtuar patriotit, mikut të tij, Josif Bushit në Janinë, Ibrahimi shkruan: “Shkolla shqipe që u ngre në Krahës, vete mbarë, në gjendje 17 kalamaqër. Të gjithë lexojnë gjuhën e vendit. Kemi nevojë për Alfavita, këndime, por qeveria nuk na ndje, veç mëmëdhetari Meksi që dërgoi 100 libra për Krahës Tepelenë e na i përndamë me zotësinë e N. Panajotit. Pardje erdhi këtu F. Mezhgorani e nënprefekti Sabit e më përgëzuar të mos heq dorë nga të punuarit në të mbarë të vatanit…”.

Shkolla e Koshtanit po shkonte mirë. Pas më pak se një vit nga ngritja e saj, në gusht të vitit 1909, mëmëdhetarët e Tepelenës, Baba Ahmeti, Feim Mezhgorani, Arshi Shehu, Sadulla Xhaferri, Ibrahim Selimi, dhe Qamil Rustemi thirrën më 20-25 gusht 1909 në Koshtan një kongres ku merrnin pjesë përfaqësues nga Tepelena, Gjirokastra, Përmeti, Berati e Mallakastra. Vetëm nga Tepelena merrnin pjesë 27 delegatë. Ndërmjet veprimtarëve rilindës, në këtë kongres ka marrë pjesë edhe Bajo Topulli dhe Namik Delvina. Në maj të vitit 1910, sipas gazetës “Liria”, që botohej në Selanik, shkolla e Koshtanit kishte 60 djem, ndërsa pranverë të vitit 1911 u hap shkolla në Krahës.

Siç është thënë edhe në biografinë shkurt të tij, Ibrahim Selimi, krahas përpjekjeve për çeljen e shkollave shqipe në Tepelenë, merr pjesë edhe në të gjitha ngjarjet historike të kohës. Midis nënshkruesve të memorandumit me kërkesat kombëtare, drejtuar valiut të Janinës dhe përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha në Janinë, është edhe emri i Ibrahim Selimit. Por patriotët tepelenas nuk ndenjën në pritje të përgjigjeve, në prag të Shpalljes së Pavarësisë, ata rrëmbyen armët, të cilat nuk i lëshuan edhe pas ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, në mbrojtje të shtetit të parë shqiptar. Domosdo Ibrahim Selimi ishte në ballë të këtyre lëvizjeve.

Për vetë zhvillimet politike dhe historike të kohës, krahina e Tepelenës ka qenë, si të thuash, pranë vatrës së zjarrit. Ajo ishte objekt i parë i sulmit të andartëve grekë të vitit 1914, kur në këtë trevë u bënë masakra të pashembullta në histori, por ajo më pas u bë edhe objekt i përplasjeve të Luftës së Parë Botërore dhe veçanërisht luftës kundër pushtuesve italian në vitin 1920. Nga Komiteti Mbrojtja Kombëtare të Tepelenës, të drejtuar nga Baba Ahmet Turhani, Arshi Shehu, Islam Malo, Selam Musai, Sulejman Luzati etj., Ibrahim Selimit dhe Kalo Xhaferrajt u ishte caktuar detyra e koordinimit dhe ndërlidhjes me Komitetin Mbrojtja Kombëtare e Beratit. Pasi siguruan 49 pushkë, ata iu bashkëngjitën forcave vullnetare drejt Vlorës. Merr pjesë në Kuvendin e Beunit, 1920, si dhe në luftimet me bashkëluftëtarët tepelenas në Kotë, Bestrovë, Qafën e Koçiut dhe kodrat mbi Vlorë.

Në vitin 1920, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Vlorës, Ibrahim Selimi kthehet në Krahës dhe rihap shkollën, ku vazhdon të japë mësim, pa hequr dorë nga zhvillimet politike në vend. Në vitin 1924 merr pjesë në Kuvendin e Kuçit, ku edhe sot në memorialin kushtuar kësaj ngjarje gjen emrin e tij si përfaqësues i zonës së Krahësit të Tepelenës në këtë veprimtari historike. Me fillimin e Revolucionit të Qershorit të vitit 1924, si njeri progresist, qe ndër të parët që u vu në mbrojtje të Qeverisë së Nolit. Emërohet në këtë rast si oficer aktiv dhe shërben në Fier, Lushnjë dhe Tiranë. Në Laprakë shpëton për mrekulli nga një incident banal me armë me një kolegun e tij opozitar, që i kërkonte të ndihmonte Zogun dhe jo Nolin. Pas dështimit të kësaj qeverie kthehet në fshat duke vazhduar detyrën mësuesit, deri sa në pranverë të vitit 1935 vdes.

Para se të vdiste la amanet që ta varrosnin jo në varrezat e fshatit, por pak më lartë në një kodër dhe kokën t’ia kthenin jo si gjithë të tjerët, nga perëndimi sipas ritit mysliman, por nga shkolla, pasi atje shpirtin!

March 7, 2016 18:48
Komento

3 Komente

  1. ¨Beobachter March 7, 19:11

    Faleminderit Prof. Gace !!

    Reply to this comment
  2. tepelenasi March 8, 19:09

    Pershendetje,z. Gaçe! Te pershendes per kete shkrim, lidhur me Ibrahim Selimin. Veçse, me duhet te bej nja dy saktesime shtese. Nisiatori i pare per çeljen e te pares shkolle ne gjuhen shqipe, ne Koshtan te Tepelenes, eshte Baba Ahmet Koshtani ose, emri i vertete, Ahmet Resulaj nga Mavrova e Vlores. Ky ishte edhe babai i teqese ne Koshtan. Ndersa mesuesi i pare i gjuhes shqipe ka qene Qamil Rustemi nga fshati Kamçisht, prane Koshtanit dhe ka vdekur ne vitin1938. Kam kujtimet e nxenesit te pare te asaj shkolle, marre ne perkujtim te 60-vjetorit te çeljes se shkolles ne Koshtan. Ai quhej Hysni Dino Llanaj dhe thote se Ibrahim Selimi, na jepte mesim ne gjuhen turke qe, ishte kusht per te cilin u lejua çelja e shkolles. Nxenesit duhet te pershendesnin ne mengjes; “Cok jasha, Padishah.” (rrofte sulltani) Ne Krahes po, ai ka qene nisiatori i çeljes se shkolles se pare ne gjuhen shqipe..

    Reply to this comment
  3. tepelenasi (L.Dimraj) March 8, 19:56

    Pershendetje z.Gaçe! Lidhur me shkrimin tuaj, me duhet te bej nja dy saktesime qe, per ne tepelenasit, jane te verteta te konfirmuara me dokumente e kujtime bashkekohesish. Se pari: shkolla e pare, ne gjuhen shqipe, ne Koshtan te Tepelenes eshte çelur me nisiative te babait te teqese; Baba Ahmet Koshtanit ose me emrin e tij te vertete, Ahmet Resulaj nga Mavrova e Vlores, lagjja Resulaj.
    Se dyti; mesuesi i pare i gjuhes shqipe ne kete shkolle, ka qene Qamil Rustemi nga Kamçishti, nje fshat prane Koshtanit. Ibrahim Selimi ka qene mesuesi per gjuhen turke, si nje nga kushtet qe lejonte çeljen e shkollave shqip, nga qeveria turke (xhon turqit). Ne Krahes, po, ai ka qene nisiator per çeljen e shkolles aty. Ruaj kujtimet e ishnxenesit (nje prej tyre) Hysni DINO Llanaj nga fshati Xhaxhaj prane Krahesit ne Tepelene. I jane marre ne diten e perkujtimit te 60-vjetprit te çeljes se shkolles se Koshtanit: 1908-1968.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*