“Jeni mikpritës, por njerëz dramatikë. Çudia ime me lekun”

May 16, 2017 10:27

“Jeni mikpritës, por njerëz dramatikë. Çudia ime me lekun”

Entela Resuli – DITA

Ai e njeh mirë Shqipërinë, e njeh që nga historia e deri te varietetet e ndryshme të verës që prodhohen në vendin tonë. Dr Johann Sattler është ambasadori i Austrisë në Shqipëri qysh prej një viti.  Me të takohemi në Shkodër, qytet të cilin Austria e ka patur përzemër që në kohën e luftës, aty gjejmë gjurmë të ndërtimeve dhe kulturës austriake që ambasadori na i tregon me krenari.  Për herë të parë në Shqipëri ai ka qenë në vitin 1997, viti jo fort i këndshëm për ta prezantuar vendin me një të huaj, por çuditërisht Sattler nuk do të hezitonte të pranonte rolin e ambasadorit 20 vite më vonë.

Ai është i qetë dhe shumë optimist. Na thotë se Shqipëria është një vend i veçantë, me bukuri natyrore që po të shfrytëzohen në formën e duhur sjellin vetëm të mira.

Dr.Sattler nuk ka aspak staturën e një diplomati hijerëndë. E vlerëson mikpritjen shqiptare dhe nga ana tjetër habitet me dramacitetin që krijojmë si popull, jo vetëm në politikë, por sipas tij, kjo gjë e bën jetën këtu më të papritur, por në të njëjtën kohë edhe më shumëngjyrëshe.

Pavarësisht temës jopolitike që kishte intervista, nuk kishte se si të shmangnim aktualitetin dhe situatën në vend. Ndaj në këtë intervistë për Dita-n, Dr. Johann Sattler shpreh mendimin e tij për reformën në drejtësi dhe çfarë mund të humbasë Shqipëria nëse opozita nuk futet në zgjedhje…

-Zoti Ambasador u bë një vit që jeni në Shqipëri. A mund të na tregoni si është të jetosh në këtë vend? Cilat ishin njohuritë dhe përshtypjet tuaja për Shqipërinë para se të fillonit këtë detyrë të re në Tiranë dhe a  ishte e lehtë për Ju të pranonit detyrën e Ambasadorit Austriak në Shqipëri, apo hezituat disi në fillim?

Ky vit i parë këtu për mua kaloi aq shpejt, saqë me të vërtetë duket sikur kam ardhur vetëm një muaj më parë. Duke qenë se në Shqipëri për herë të parë kam punuar në vitin 1997 dhe duke qenë drejtori i Departamentit për Çështjet e Europës Jug-Lindore pranë Ministrisë së Jashtme të Austrisë për disa vite me radhë, nuk u ndjeva dhe aq i papërgatitur për detyrën si Ambasador. Sigurisht, realiteti gjithmonë të bën të përballesh me surpriza dhe vazhdoj akoma të mësoj çdo ditë diçka të re rreth Shqipërisë. Përsa i përket pranimit të kësaj detyre, nuk hezitova aspak. Shqipëria ishte destinacioni im i dëshiruar dhe kur mora lajmin se do të shërbeja si Ambasador i Austrisë në Tiranë për katër vitet e ardhshme, u ndjeva mjaft i nderuar dhe i gëzuar. I gëzuar dhe mirënjohës që do të kisha mundësinë të punoja në këtë vend të mrekullueshëm dhe interesant.

-Ne besojmë se çdo vend ka karakteristikat/tiparet e tij. Çfarë keni mësuar për shqiptarët në lidhje me temperamentin e tyre? A mund të na tregoni diçka veçanërisht interesante në lidhje me këtë? A mund të veçonit ndonjë nga karakteristikat, traditat apo zakonet e tyre që ju bëjnë veçanërisht përshtypje?

Së pari dëshiroj të përmend mikpritjen e madhe të  shqiptarëve, e cila thjesht është fakt. Në Shqipëri fjala “mikpritje” nuk është një fjalë boshe, por një fjalë që është e mbushur me jetë dhe ndershmëri dhe që mbart ngjarje të papritura. Nëse më pyesni për një karakteristikë gazmore të Shqipërisë, më lejoni t´ju përmend atë që unë e quaj “paradoksin Lekë të vjetër – Lekë të rinj”. Është mjaft interesante të shikosh se si edhe brezi i ri, i lindur vite pas reformës monetare, akoma trashëgon këtë zakon. Më interesantja është se ky sistem nuk ka asnjë avantazh, por thjesht të çon në konfuzion. Mund të mos e kem kuptuar akoma të thënit dymijë Lekë një kartëmonedhë dyqind lekëshe, por di t´ju them se kjo ka qenë shkaktarja e mjaft bisedave sharmante dhe ndonjëherë konfuze për mua.

Dhe si “veçanti” të tretë më duhet të përmend dëshirën e shqiptarëve për dramë, jo vetëm në politikë, por në përgjithësi, si një fenomen që shoqëron shumë aspekte të jetës. Kjo gjë e bën jetën këtu më të papritur, por në të njëjtën kohë edhe më shumëngjyrëshe.


-Nëpërmjet mediave sociale kemi mësuar, se keni udhëtuar me të vërtetë shumë nëpër Shqipëri. Udhëtimi është një nga pasionet tuaja, apo Ju me të vërtetë e pëlqeni shumë Shqipërinë? Ju ka lënë mbresa diçka në veçanti, me sa keni udhëtuar deri tani dhe cila është gjëja më e interesante që ju pëlqen më shumë në lidhje me Shqipërinë?

Shqipëria është shumë më shumë se kryeqyteti i saj i zhvilluar Tirana dhe qendra e saj. Të arrish ta njohësh Shqipërinë në tërësinë e saj, përfshirë diversitetin dhe thelbin e saj, është e mundur vetëm duke njohur zona të ndryshme të saj, veriun dhe jugun, lindjen dhe perëndimin, malet dhe bregdetet, qytetet dhe fshatrat. Jam mjaft i interesuar për Shqipërinë dhe për rajonin dhe përpiqem të udhëtoj sa më shumë të jetë e mundur. Së pari, sepse sinqerisht mund të them se e dua këtë vend dhe sepse për më tepër, mirëkuptimi i ndërsjellë dhe të njohurit e njëri-tjetrit përbën edhe  thelbin e profesionit tim. Këtu ka shumë vende të mrekullueshme dhe për mua është e pamundur të veçoj një prej tyre. Është e gjithë panorama, njerëzit dhe diversiteti i Shqipërisë ajo që më tërheq më shumë. Por nëse më shtyni të listoj më të mirat, atëherë Berati, Shkodra dhe Korça kryesojnë listën time kur bëhet fjalë për qytete. Ndërsa për sa i përket vendeve natyrore më impresionuese dhe ecjes malore, kryesueset e tre vendeve të para për mua do të ishin mali i Korabit, mali i Çikës, si dhe Syri i Kaltër.

-Zoti Ambasador, një nga këto ditë Ju vizituat qytetin e Shkodrës, në të cilin janë duke u realizuar disa projekte si rezultat i mbështetjes austriake. Keni ndonjë lidhje të veçantë me Shkodrën?

Së pari, Shkodra është thjesht një vend i mrekullueshëm dhe është gjithmonë një kënaqësi të shkosh atje. Për më tepër që ky qytet ka një histori dhe një lidhje të gjatë me Austrinë. Dhe kjo sigurisht reflektohet në faktin, se përveç Ambasadës në Tiranë, ne kemi edhe një Konsull Nderi në Shkodër, zotin Gjergj Liqejza, i cili po bën një punë të shkëlqyer duke ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve Austri-Shqipëri në atë zonë. Marr shkas nga kjo për të thënë edhe se konsullata e parë austriake është hapur në Shkodër para 200 vitesh. Kështu nuk duhet të çuditeni nëse së shpejti më shikoni përsëri në atë qytet.

-Në disa momente kyçe të historisë sonë Austria ka qenë në anën e Shqipërisë. Përse? Cila është marrëdhënia mes dy vendeve? Cili është momenti më i rëndësishëm mes dy vendeve? Sa prezente është Austria në Shqipëri (dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve) por për më shumë, ekonomikisht edhe kulturalisht?

Austria ndër shekuj ka qenë një mike e ngushtë dhe aleate e Shqipërisë. Gjatë rrjedhës së historisë të dy vendet tona kanë pësuar ndryshime të mëdha gjatë shekullit të fundit. Megjithatë, përgjatë gjithë kësaj kohe dhe këtij tranzicioni të realiteteve politike, mes dy vendeve ka pasur gjithmonë një marrëdhënie miqësore me intensitet të ndryshëm. Austria dhe më pas Austro-Hungaria, ka qenë prezente në territorin shqiptar shumë kohë para se Shqipëria të shpallej shtet i pavarur dhe të gjithë i njohim faktet e mirëdokumentuara të viteve 1912/1913.

Duke iu kthyer së tashmes, prezenca e Austrisë, në aspektin ekonomik dhe kulturor, është mëse e dukshme. Në total janë më shumë se 100 kompani austriake që operojnë në vend dhe ky numër është në rritje. Austria vazhdon të mbetet një nga 5 investitorët e huaj kryesues në Shqipëri. Gjithashtu edhe në fushën e kulturës mund të përmend shumë aktivitete interesante, të cilat i kemi realizuar me partnerët tanë shqiptarë. Të gjithë dashamirësit e kulturës i ftojmë të presin 2018-ën, që është konceptuar si një vit kulturor i përbashkët mes Austrisë dhe Shqipërisë dhe ku do të organizohen edhe më shumë aktivitete, duke filluar nga koncertet dhe ekspozitat e deri tek leximet letrare dhe konferencat.

-Z. Ambasador, Shqipëria ka filluar procesin e reformës në drejtësi, por krijimi i komisionit të vetting-ut, i cili do të verifikojë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar është bllokuar si pasojë e bojkotit parlamentar. Ç`mendoni për këtë proces dhe bojkotin parlamentar?

Reforma në drejtësi është dhe do të jetë fushëbeteja kyçe në Shqipëri në vitet në vijim. Besoj se nuk ka më kthim prapa, edhe pse po bëhen përpjekje për këtë. Mendoj se ju duhet të filloni të pastroni sektorin e drejtësisë, sepse çdo shoqëri ka nevojë për arbitër final dhe ky arbitër është drejtësia. Por mos më keqkuptoni: ka mjaft “mollë të kalbura” në sektorin e drejtësisë, por unë kam takuar edhe gjyqtarë e prokurorë të shkëlqyer. Nuk është bardhë e zi. Por me këtë sistem që keni tani nuk mund të hyni në BE. Pastrimi politik do të vijë gradualisht me krijimin e institucioneve speciale të drejtësisë, si prokuroria speciale për korrupsionin, ashtu siç kemi parë edhe në vendet e tjera të rajonit. Do të duhet kohë dhe nuk pres mrekulli ndryshimesh brenda natës, por e rëndësishme është të ecet përpara. Dhe gjëja e dytë e rëndësishme për Shqipërinë është shoqëria civile, e cila duhet të jetë më fort e përfshirë në shtytjen drejt progresit.

-Në rast të mospjesëmarrjes së opozitës në zgjedhje, çfarë do të humbasë Shqipëria?

Shpresoj akoma se klasa politike në Shqipëri do të ketë maturinë për të gjetur mënyrat, që qytetarët shqiptarë të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar mbi bazën e një zgjedhjeje të gjerë mundësish politike.

 

Dr. Johann Sattler emërohet në prill 2016 Ambasador i Republikës së Austrisë në Shqipëri.  Më parë ai ka drejtuar për tre vite Sektorin për Ballkanin Perëndimor pranë Ministrisë  së Punëve të Jashtme Austriake. Nga viti 2008 deri në vitin 2013, Dr. Sattler ka qenë drejtor ekzekutiv/publikues i grupit mediatik “WAZ” si dhe “AxelSpringer” në Moskë. Më parë ai ka mbajtur poste të ndryshme si p.sh. zëvendësdrejtor i Zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm pranë Ministrisë Punëve të Jashtme Austriake, këshilltar për Çështjet politike pranë Ambasadës Austriake në Uashington si dhe anëtar kabineti i të dërguarit të posaçëm të BE-së për Europën Juglindore (për Paktin e Stabilitetit) në Bruksel. Dr. Johann Sattler ka studiuar Shkenca Politike dhe Gjuhë Sllave në Universitetet e Insbrukut/ Pragës dhe Moskës. Nga viti 1994 deri në vitin 1996 ka kryer studimet në Akademinë Diplomatike të Vjenës. Në vitin 1996 ai është bërë pjesë e Shërbimit Diplomatik të Republikës së Austrisë. Në vitin 2008 ka marrë titullin Doktor pranë Universitetit të Vjenës.

May 16, 2017 10:27
Komento

7 Komente

  1. Cadra ka per te gjithe po ska cadrista May 16, 12:44

    Kancelari austriak qau nevmomentin qe u vendos coptimivi shqiperise. Ishte i vetmi vend qe na mbrojti.
    I vetmi i huaj qe meriton vertet bust ne tirane eshte ish cancelari austriak qe i harrova emrin tani

    Reply to this comment
  2. M.Hajati May 16, 13:36

    Askush nga diplomacia boterore nuk e ka spikat ma bukur se thenia e z. Dr Johann Sattler ambasadori i Austrisë në Shqipëri

    “Jeni mikpritës, por njerëz dramatikë”.

    Pak kohe ma pare, im vella i ka quejt njerez “Kam-Kum”,njerez kapsolle.

    E gjithe rruga nga ura qe te con per ne Tophane e deri ne bri kalajet asht ndertue nga shoqeria Austriake me emrin “PIONIERI”. Ne kohen e monizmit u pague me punetor per te prishur me dalte gjithe shkrimin ne nji gure i vendosu po sa fillonte Moloja ne drejtim Shkoder-Ura e Bunes me iden se aty kishim shenime armiqesore.
    historianet e pa ditur te Shkodres e kujtojne si dokument per Bexhistenin.

    Reply to this comment
  3. A May 16, 13:47

    Perandoria AUSTRO-HUNGAREZE ka qene e vetmja fuqi Evropiane qe na ka ndihmuar ne shume drejtime duke filluar ne ato politike. Ndihmetare e pare per pavaresine e Shqiperise 28 nentor 1912. Kur ka kemi qene te pushtuar nga ky shtet si veprim te pare ka bere hapjen e pare ne gjuhen shqipe. Kur ne nje kohe kur ishim te pushtuar nga sundimi i Paerandorise Turke ishte e ndaluar studimi dhe shkollat ne gjuhen shqipe.
    Ne si popull kemi nje difekt se shkojme pas atyre qe nuk na kane ndihmuar ne asgje por bile na kane demtuar rende. Rrofte Shqiperia, Rrofte Feja e Shqiptarit eshte Shqiptaria dhe rrofshin popujt dhe shtet mike te Shqiperise perfshi ne kete rast edhe Austrine.

    Reply to this comment
  4. Robert Vevecka May 17, 01:36

    Dihet ndihma prej shume kohesh, ku Perandoria Austro hungareze ,e ka ndihmuar dhe ka qene krahu i djathte dhe avokatja e shqipetareve.. Ambasadori i di lidhjet ,por nuk prenoncohet . Ne larusin (enciklopedine Austriake) e shkruar nga Austriaket thuet :KÄRNTEN (Austri) e deri Ne jug te Shqiperise jane banuar nga YLIRET qe ne ne shqip i themi ILIR. Por mbas 700 vitesh aus Weiz rusland ( ruset e bardhe )kane ardhur ne ballkanin perendimor (DALMACIEN) dhe fatkeqesisht na kane ndare ne dysh..Bile Yliret ose Iliret kane qene ne kohet e lashta te pasur ,ku kane bere tregetine e kripes..Ka varre Iliresh ne Wiene . Do i beja nje kritike ,ose terheqje vemendje Z DR Sattler ,ju lutemi z amb ,sinjalizoni ne teatrin me te madh te Wienes (Burgteater),ku qendrojne me fotografi 4,a 5 aktoret me te famshem te te gjitha koherave , ku kane luajtur ne kete teater, eshte nder to i madhi Aleksander Moisiu ,ku qe te gjithe edhe aktoret e Teatrit Austriake , sot e kesaj dite e dine qe eshte Italian . Seshte e vertete, ai eshte Shqiptar nga Kavaja dhe 5 klaset e para in volkschule i ka bere ne Durres tek shkolla 19 korriku ,mbrapa pallatit te kultures ,ku sot nuk ekziston se jane gjetur ….arkeologji..Mund te shkoni ne Durres ,ku ka banuar aktori me fame boterore A Moisiu.per ta vizituar shtepine e tij. …Bile ne Wiene z i nderuar Amb ,mbiemri eshte shkruajtur pa U ne fund MOISI dhe duhet Moisiu .. Po ja u rikujtoj eshte kusheri Nga ish Presidenti EX Presidenti shqiptar z i nderuar Moisiu.. Ku per mua personalisht ka qene politikani me kembe ne toke ,me i miri, dhe fatkeqesisht per popullin arm Shqiptar i vetmi ,, ndryshe nga te tjeret ……………… .Liebe Grysse Herr DR SATTLER..:..

    Reply to this comment
  5. Raimond vlonjati May 17, 03:50

    Ushtria Austriake ndertuan rugen nga qafa e Llogarase deri poshte ne Palase

    Ata e ndertuan ne kete menyre :..Moren nje mushke dhe e vune te zbristenga qafa e Llogarase per poshte malit deri ne Palase
    ..Sipas ruges qe mori mushka ne te zbritur u ndertua edhe ruga

    Edhe ne 1997 ,kur Greqia po pergatitej te na godiste -Austria na ndimoi duke i thene Sales se esht sherbimi grek qe i trazon te gjitha urat kunder Shqiperise

    Jemi me te vertet miq, por Austria esht paksa indiferente

    Ata duhet te afrohen me shume me Shqiperine,
    jo vetem per investime, por edhe per shkembime kulturore , midis shkolave, universiteteve , shkembime ne fushen e Turizmit etj etj

    We are friends ,

    Reply to this comment
  6. MH May 17, 13:19

    Ishte koha kur Austro hungaria ishin ne lufte me shkijet.
    Populli i asaj kohe thurte vargje.Dhe nji nga keto vargje thuhesh:
    Krajl Nikolla brigje m’brigje”
    Allamani digje digje.
    Keto vargje do te thone qe shkjau kudo qe dilte Austriaket(gjerman=allaman) i hiqshin oksigjenin.

    Reply to this comment
  7. ALBAN DEGA May 17, 15:48

    Nje ftese pa zarf

    MIRESEVINI NE MALESINE E GJAKOVES !

    – “Sofra e Perendise”… dhe ambasadoret e librave te vet…

    – Nga Alban Dega , Nju Jork

    Lexova me kenaqesi te vecante pershkrimin e ambasadorit te nderuar austriak ne Tirane, Z. Johann Sattler, per bukurite natyrore dhe njerezore te Shqiperise. Nje pershkrim i shkelqyer realist, miqesor, njerezor per Shqiperine e bukur.
    Faleminderit mik dhe vella per kete mesazh qe na mungon ne kete kohe zhegu e ngerci politik qe na e ka bere trurin “Cader” edhe ketu ne Nju Jork !
    Kemi nevoje per cadra pushimesh e jo per cadra krimesh ne zemren e kryeqytetit dhe te shtetit shqiptar…
    Jo vetem ju por edhe krejt trupit diplomatik ne Tiorane do tu beja nje ftese nga “Kryeqyteti i Botes “ Nju Jork qe te vizitoni vendlindjen time Malesine e Gjakoves , Tropojen.

    Sofra e Perendise !

    Shkoni ne Markofce, Doberdol, Lug i Vocit, Sylbice, Javorr, Livadhet e Shoshanit, Pojane, Korita, Lumin e Gashit…
    Pse jo edhe ne Qypin e Gracit, qe sic me tregonte gjyshi e kishte marre emrin nga Graci i Austrise, qe po ashtu ka nje “qyp” shkembor mbi koke qe i jep nje bukuri mahnitese.
    Vizitoni Malesine e Gjakoves me mbi 200 lloje bimesh mjekesore e troften pikaloshe te Lumit te Gashit e Valbones qe nuk ka shoqe ne boten ujore!
    Shkoni e provoni mikepritjen legjendare dhe hijeshine njerezore Tropojane dhe atehere jeni takuar me Kreshniket e Eposit Mujin e Halilin, Ajkunen e Zanat e Maleve… Shtoju edhe madheshtine e bukurive natyrore dhe jeni takuar me Zotin vet !
    Mos beni gabim te mos merrni edhe familjet tuaja me veta, edhe femijet!
    Jo per nje , as dy, as tri dite… per nje jave !

    Ftesa e mungur e tropojaneve te munguar !

    Nuk paten kohe biri plangprishes i asaj treve te bekuar Sali Berisha tua bente nje ftese te tille !
    As ish- shefi i diplomacise shqiptare po nga Tropoja !
    As kater ish- ambasadoret tropojane ne Zvicer, France, Londer, Moske…
    Ishin teper te zene me promovimin e librave dhe fjaloreve te tyre qe nuk ua lexojne as grate e veta !
    Ishin presidente, kreyministra, ministra, ambasadore te aferave te pista korruptive e librave te vet…
    Jo te Shqiperise ! Jo te Tropojes !
    Kujt i plasi per Tropojen apo Shqiperine , te cilave biri i tyre zjarrvenes ua vuri flakin!
    Zjarrvenesi i Shqiperise nuk mund te nos ia vite jarring edhe venmdldinjes se vet me mbi 170 viktima te politikes perca e sundo qe mbeti leva e Arkimedit te sundimit e karrikes se tij “ Bandes se Gangsterave “ politke e biologjike te tij!
    U qofte haram… U qofte per tuirp emri tropojan !
    Megjithese gati te gjithe me arsimin por realisht jo me kulture franceze, si duket kurre nuk e kishin degjuar shpehjen e arte franceze : Atdheu i madh fillon tek vendlindja e vogel !
    U qofshin haram jo vetem emri por edhe taksat e tropojaneve e shqiptareve me te cilat jane paguar jo vetem ata por edhe shume diplomateve te sotem shqiptare qe bejne gjithcka por jo detyren e tyre krysore promovimin e shtetit e popullit te vet !
    Tropojane te mungur te Tropojes se mungur ne axhendat e tyre njerezore e qytetare!

    Mire se u ka pru Zoti …

    Buke e kripe e zemer !
    Ky eshte urimi tipike i vendlindjes sime per te njohurin apo te panjohurin, per udhetarin apo shetgtarin, per mikun apo bile edhe per hasmin kur i vjen tek dera e shtepise.
    “ Na i ndrite edhe traret e shtepise!”
    Miresevini ne Malesine Gjakoves, sofren bujare, mikepritese e hyjnore te Perendise! Buke kripe e zemer bujare!
    Kam vetem nje dert !
    Kam frike se ne mos te gjithe, shumica dermuese e juaj vellezer dhe miq do te bini ne dashuri me shikim te pare me vendlindjen time !
    Pa dyshim te gjithe do te benit pushimet verore e pse jo edhe shume shpejt edhe dimerore ne ato perla natyrore e njerezore !
    Mire se u ka pru Zoti … Buke e kripe e zemer!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*