Ambasadori Cohen: Izraeli, projekte të mëdha në Shqipëri

March 2, 2015 19:15

Ambasadori Cohen: Izraeli, projekte të mëdha në Shqipëri

Ambasadori i Izraelit në Tiranë, Zoti David Cohen, i dha fund detyrës diplomatike në Shqipëri. Ai është ambasadori i parë rezident i Shtetit të Izraelit. Z.Cohen ka dhënë një kontribut të çmuar në intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ato politike midis Izraelit dhe Shqipërisë si dhe ka qenë një ndër faktorët thelbësorë për krijimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Izrael.

 Zoti Cohen, ju jeni ambasadori i parë rezident i Izraelit në Shqipëri. Si e përjetuat lajmin për emërimin tuaj?

Në vitin 2009 kur po kthehesha nga përfundimi i qëndrimit tim si Ambasador ne Kili, ndërsa qëndroja ne Nju Jork, mora mesazhin telefonik që jam caktuar Ambasador jo rezident në Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni. Gjatë dy viteve të para në këtë post, marrëdhëniet me Shqipërinë u zhvilluan shumë. Kryeministri i Shqipërisë, Z.Sali Berisha; Ministri i Jashtëm, Z.Edmond Haxhinasto zhvilluan vizita në Izrael dhe Shqipërinë e vizituan Zv.Kryeministri i Izraelit, njëherësh edhe Ministri i Jashtëm i Izraelit, Z. Avigdor Liberman si dhe Ministri për Çështje Strategjike Z. Dan Meridor. Këto vizita nuk ishin thjesht vizita zyrtare; atyre ju bashkuan edhe delegacione me përfaqësues biznesi te të dyja vendeve te cilat kishin si qellim eksplorimin e bashkëpunimit dypalësh në shumë fusha të biznesit, bujqësisë, tregtisë, energjetikes, etj. Këto vizita ndihmuan ne zgjerimin e marrëdhënieve  mes dy shteteve, duke e bërë të domosdoshëm  vendimin e Ministrit të Jashtëm të Izraelit për të hapur Ambasadën në Shqipëri. E prita me kënaqësi këtë post të rëndësishëm dhe të them të drejtën edhe sfidues deri diku, pasi duhej filluar çdo gjë nga fillimi. Puna si Ambasador i parë në Shqipëri u fokusua përveç të tjerave në ngritjen e strukturave te përfaqësisë, si dhe ne përzgjedhjen e stafit shqiptar, si element i rëndësishëm te punës dhe thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat.

 

Cila ishte përshtypja e parë që krijuat dhe ajo me të cilën po ndaheni?

 

Që nga momenti i parë e ndjeva miqësinë dhe mikpritjen e mrekullueshme të shqiptarëve si ndaj meje dhe tërë stafit të Ambasadës, ashtu edhe për popullin e  Izraelit. Sot, qe unë ndahem kjo përshtypje është forcuar akoma dhe me shumë, dhe jam i bindur që arritjet e bashkëpunimit te suksesshëm do përbejnë bazën e forcimit te tyre si dhe do të hapin horizonte të reja të bashkëpunimit të mëtejshëm.

 

Vitet e fundit marrëdhëniet diplomatike dhe ato politike midis Izraelit dhe Shqipërisë janë intensifikuar me vizita të ndërsjella në nivel të lartë qeveritar. Çfarë impakti kanë pasur?

 

Ashtu siç e përmenda  me lart, vizitat e dyanshme sollën një rritje te interesit te sektorit privat në Shqipëri e Izrael, veçanërisht në fushën e bujqësisë. Jemi në një fazë bashkëpunimi mes dy vendeve që në të ardhmen e afërt dinamika e tyre të përqendrohet në investime në teknologji, komunikacion, në sektorin e naftës, gazit dhe energji. Shkëmbimet e dyanshme të disa ministrave apo grupeve te biznesit sollën qasje të reja interesi reciprok.

 

Ju keni qenë një ndër faktorët thelbësorë për krijimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Izrael. Sa ka ndikuar ajo në ardhjen e investitorëve izraelitë në Shqipëri?

 

Krijimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë e pashe si një domosdoshmëri që rezultoi me një rritje të dinamikës së shkëmbimeve tregtare mes të dy vendeve dhe u manifestua me aktivitete të rëndësishme, forume biznesi në të dy vendet: Forumi Ekonomik ne muajin tetor 2013 ne Izrael dhe ai i Bujqësisë, në muajin shtator 2014, në Shqipëri. Në këto forume ishin prezente Zv.Kryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Bujqësise, Edmond Panariti, (në Izrael) dhe ministri i Bujqësisë së Izraelit, Yair Shamir (në Shqipëri) dhe mundësimi i këtyre forumeve solli mundësimin e takimeve në nivelin e lartë si dhe interesimin e investitorëve izraelitë në fushën e energjisë, në burimet ujore dhe në bujqësi.

 

Cili është niveli i investimeve Izraelite në Shqipëri dhe ne cilat fusha jane fokusuar ato?

 

Investimet izraelite fokusohen më shumë në fushën e energjisë, bujqësi dhe teknologjisë së lartë. Mendoj se, në një të ardhme të afërt këto investime do të rriten me një përqindje të lartë dhe do të mundësojnë punësim për qindra familje shqiptare. Por, mundësitë për investime nuk fokusohen vetëm sa me sipër. Jemi në kërkim të vazhdueshëm të investimeve të reja në fusha të tjera të interesit dypalësh.

 

Sa kanë ndikuar Shoqata e Miqësisë Shqipëri-Izrael dhe ajo Izrael-Shqipëri në forcimin e marrëdhënieve njerëzore midis dy vendeve?

 

Shoqata e Miqësisë Shqiperi-Izrael është themeluar prej mese 20 vjetësh dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm për të vënë në dukje dhe për të theksuar trashëgiminë e përbashkët mes popullit hebre dhe popullit shqiptar, veçanërisht pjesën e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët. Janë 69 shqiptarë të dekoruar me Medaljen e Mirënjohjes si “Fisnik mes Kombeve” nga Yad Vashem-i në Jerusalem. Ky proces i mirënjohjes së popullit shqiptar është në vazhdim dhe kam kënaqësinë t’iu informoj se është konfirmuar dhe dekorimi i një familjeje tjetër të shquar shqiptare, e cila shpëtoi hebrenjtë nga barbaria naziste.

 

Në Izrael ka një komunitet shqiptaro-hebrenj, si janë integruar ato në jetën Izraelite?

 

Komuniteti shqiptaro-hebre është relativisht e vogël dhe është ambientuar në mënyrë të shkëlqyer në Izrael. Shumica e tyre ndodhen ne qytetin Karmiel dhe fakti që shumë prej tyre janë të shpërndarë në të gjithë territorin e Izraelit tregon për integrimin e tyre në jetën dhe shoqërinë Izraelite. Të gjithë ruajnë lidhje të fortë me vendlindjen e tyre Shqipërinë dhe e vizitojnë shpesh here.

 

Me rastin e Ditës së Kujtesës së viktimave të Holokaustit ju mbajtët një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë. Cilat ishin mesazhet kryesore që ju përcollët?

 

Për mua ishte një nder të mbaja fjalimin në Parlamentin e Shqipërisë në një ditë kaq të rëndësishme dhe që mbart mesazhe të forta. Përveç mesazhit që e kaluara nuk duhet harruar dhe nuk duhet përsëritur, mesazhi kryesor është që të informojmë mbareë   botën për heroizmin e shqiptareve për të shpëtuar hebrenjtë, diçka që nuk është shumë e njohur. Dhe të theksoj faktin që toleranca në Shqiperi është një shembull që duhet të mësojmë për të parandaluar konflikte dhe tragjedi që ndodhin. Jeni nga të paktët popuj që hapet zemrat dhe dyert jo vetëm për hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe për ata që arritën të shpëtonin dhe të largoheshin nga vendlindjet e tyre në shumë shtete europiane. Krijimi i Shtetit të Izraelit theksoi edhe një herë faktin që fati i hebrenjve të shpërndarë nëpër botë nuk është i pavlerë…

 

Bujqësia ka qenë një nga fushat ku e bashkëpunuar më shumë. Shumë fermerë shqiptarë, përmes programit MASHAV kanë qenë në Izrael për të parë nga afër arritjet e agroteknologjisë izraelite. A do të ketë programe të tjera bashkëpunimi?

 

Kam kënaqësinë të vërej interesimin dhe investimet në fushën e bujqësisë, pasi dihet që në këtë aspekt Izraeli është një nga shtetet më të zhvilluara, duke e sjellë bujqësinë në një stad shumë më të lartë teknologjikisht. Vitin e fundit, sollëm në Shqipëri  një ekspert izraelit në fushën e bujqësisë, i cili ka vizituar me dhjetëra ferma në Shqipëri dhe ka dhënë ndihmën e tij për të përmirësuar nivelin e bujqësisë. Pas një viti pune të suksesshme, eksperti izraelit është duke vazhduar punën e tij me qellim rritjen e kulturës bujqësore, dhënien e ekspertizës sonë për të mundësuar rritjen e eksporteve bujqesore të Shqipërisë drejt tregjeve të Bashkimit Europian.

 

Ambasada financoi së fundi në një kopsht në Berat. A ka financuar në projekte të tjera të ngjashme?

 

Përveç kontributit në kopshtin e fëmijëve në Berat, kemi kontribuar për ruajtjen e thesareve arkeologjike dhe atyre kulturore në qytetin e Sarandës. Kemi një program intensiv për të ardhmen, për të rritur më tej këtë kontribut duke e shtrire edhe në fusha të tjera.

 

Shfaqja e filmave izraelitë është shndërruar në traditë gjashtë vitet e fundit, me shfaqjen e tyre për publikun shqiptar në Akademinë “Marubi” apo pjesëmarrjen në “Tirana International Film Festival”. A do të ketë kemi vazhdimësi të pranisë së tyre?

 

Industria e filmit ne Izrael ka një tradit dhe kemi me dhjetëra filma tanë që kanë konkurruar dhe kanë marrë çmime në shumë festivale prestigjioze në mbarë botën. Jam i bindur që, edhe ne fushën e filmave do të ketë vazhdimësi sepse industria e filmave Izraelit është zhvilluar shumë vitet e fundit dhe do të kemi kënaqësi ta ndajmë  edhe me Shqipërinë, duke sjellë pjesë të kulturës dhe jetës nëpërmjet këtyre filmave.

 

Për herë të parë shkuat në Presidencën shqiptare për të paraqitur letrat kredenciale, ndërsa për herë të fundit, para disa ditësh (13 shkurt) për t’u nderuar me titullin ““Për Merita të Veçanta Civile” nga Presidenti, Z.Bujar Nishani. Çdo të thotë ky vlerësim për ju?

 

Nderimi me këtë dekoratë është një nder i madh për mua personalisht si dhe për punën që kemi bërë. Unë besoj që Presidenti i Shqipërisë shprehu vlerësimin reciprok që ka mes dy popujve. Unë e shikoj marrjen e titullit si përfaqësues i të gjithë atyre që na kane ndihmuar ne për të plotësuar të gjitha detyrat e Ambasadës dhe midis miqve tanë shqiptarë dhe në emër të gjithë atyre njerëzve që na kane ndihmuar në punë.

 

Para pak ditësh, shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare fitoi çmimin prestigjioz “Jerusalem Prize 2015”, hera e parë që i jepet një shkrimtari mysliman. A është ky një tregues i dëshirës për marrëdhëniet më afërta të botës hebraike me atë myslimane?

 

Unë mendoj që, çmimi që mori shkrimtari Ismail Kadare i është dhëne për faktin qe ai është shkrimtar shume i talentuar dhe i mirënjohur në mbarë botën. Se fundmi, disa nga librat e tij janë përkthyer dhe gjuhen hebraike dhe publikut izraelit i është dhënë mundësia të njihet me madhësinë e këtij shkrimtari dhe nëpërmjet veprës letrare të tij të njohe dhe aspekte të traditës dhe kulturës se Shqipërisë.

 

Së fundi, cili do të jetë mesazhi juaj për Ambasadorin e ri, Boaz Rodkin, çfarë do t’i sugjeronit atij në raport me Shqipërinë?

 

Zoti Rodkin është një koleg me një karrierë diplomatike si pjesë e trupit diplomatik izraelit. Dihet që ambasada do të vazhdojë me të gjitha aktivitetet në bashkëpunim me Qeverinë në të gjitha fushat në të cilat kemi investuar dhe bashkëpunuar sikurse edhe në fushat sociale, kulturore.  Ambasadorit të ri do t’i sugjeroj të fokusohet dhe të realizojë gjërat që kemi nisur dhe veçanërisht realizimin e investimeve për bashkëpunim në fushën e energjisë, bujqësisë dhe teknologjisë së lartë. / Izraelisot.com

March 2, 2015 19:15
Komento

Ende pa komente

  1. AGRON LUZI January 6, 20:33

    QUHEM AGRON LUZI . JAM NGA QYTETI DURRESIT . DATELINDJA 22/06/1974 JAM I MARTUAR DHE KAM DY DJEM . BRYAN 15 DHE RAFFAELLO 13 VJEC . KAM NJE PROJEKT PER REALIZIMIN E PAQES NE IZRAEL – PLESTIN…… KERKOJ NJE TAKIM TOP SEKRET ME AMBASADORIN IZRAELIT PER KETE PROJEKT SHUM TE RENDESISHEM.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*