Ambasadori Hill vlerëson Bashën në krye të PD: Mënyrë tjetër e të bërit politikë

October 3, 2016 13:14

Ambasadori Hill vlerëson Bashën në krye të PD: Mënyrë tjetër e të bërit politikë

Situata politike në vend, krimi, korrupsioni dhe zgjedhjet kanë qenë vetëm disa nga çështjet e diskutuara mes kreut të PD-së, Basha dhe ambasadorit Christopher R. Hill, diplomati i parë amerikan rezident në vendin tonë pas rrëzimit të regjimit komunist.

Ambasadori Hill ka vlerësuar ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri duke shprehur krenarinë që SHBA kanë qenë bashkudhëtare të Shqipërisë në këtë transformim të madh. Shqipëria, tha Hill i ka patur objektivat e qarta, anëtarësimin në NATO dhe në BE, ndërsa shprehu kënaqësinë që Partia Demokratike ndonëse në opozitë nuk resht së punuari për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europiane.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha theksoi se pavarësia e Kosovës, anëtarësimi në NATO dhe shume arritje të tjera të Shqipërisë do të ishin e pamundur pa ndihmën e jashtëzakonshme të SHBA.

Gjatë takimit, lideri i opozitës shprehu shqetësimin e rritjes dhe kultivimit të drogës, e cila është shtrirë në të gjithë vendin. Sipas tij, kjo është pasojë direkte e kriminalizimit të politikës dhe administratës.

“Edi Rama promovoi në poste kyçe në administratë dhe futi në Kuvendin e Shqipërisë persona të dënuar për trafik droge, të cilëve edhe sot vazhdon t’u japë mbrojtje duke sfiduar haptas ligjin e dekriminalizimit i cili u mundësua me mbështetjen e madhe të SHBA”- tha ai.

Ambasadori Hill vlerësoi kontributin e Bashës në miratimin e këtij ligji ndërsa theksoi se kriminalizimi ka ndikuar negativisht në imazhin e Shqipërisë dhe është e pamundur që një vend të kërkojë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian kur nuk ka një administratë dhe parlament të pastër.

Duke u ndalur te zgjedhjet, Basha theksoi se ato janë të kërcënuara nga droga, krimi dhe paratë e korrupsionit, gjë që është faktuar edhe në zgjedhjet e fundit. Zoti Basha theksoi se ndonëse që në muajin maj Partia Demokratike ka propozuar ndryshime në Kodin Zgjedhor për të garantuar lirinë e votës, deri tani maxhoranca ka heshtur.

Reforma, theksoi Basha, u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës. Shumë të rëndësishme e konsideroi kryetari i Partisë Demokratike çështjen e financimit të partive, ku PD ka propozuar kriminalizimin e donacioneve private dhe financimit 100% nga buxheti i shtetit si dhe auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të partive politike.

Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin ligjor, theksoi Basha. Ambasadori Christopher R. Hill duke vlerësuar lidershipin e zotit Basha dhe rolin e  Partisë Demokratike në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, theksoi se PD me Bashen në krye ka sjellë një mënyrë tjetër të të bërit politikë e cila do ta shtyjë vendin përpara.

October 3, 2016 13:14
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*