Ambasadori rus në Tiranë: ‘Panama Papers’ , operacion i financuar nga Uashingtoni

April 12, 2016 08:58

Ambasadori rus në Tiranë: ‘Panama Papers’ , operacion i financuar nga Uashingtoni

E  gjithë historia e “Panama Papers” ishte një trillim i Sorros dhe USAID me qëllim për të dobësuar rolin e presidentit Vladimir Putin. Kështu deklaron ambasadori rus në Tiranë, Alexander Karpushin “Në të vërtetë në asnjë dokument nuk përmendet emri i Presidentit rus. Nuk ka asnjë fakt konkret për përfshirjen e tij në kompanitë offshore dhe as për familjarët e tij” thotë shefi i ambasadës ruse për emisionin Dritare.

“Janë spekulime të ashpra, të pastra që shoqërohen me fjalët, ndoshta, ka mundësi, etj. Sipas informacionit të besueshëm që disponojmë, mund të themi që është një rrjedhje e qëllimshme, e cila me shumë gjasa është një operacion i shërbimeve sekrete sepse ky operacion u financua nga Uashingtoni. Këtë e dimë shumë mirë”-thotë Karpushin

Sipas tij, efekti i këtij operacioni është shumë i dobët sepse qëllimi i tij ishte destabilizimi i situatës së brendshme në Rusi. “Jam i sigurt që pas publikimit të këtyre materialeve popullariteti i Putinit do të rritet në Rusi akoma më shumë. Siç thotë fjala e urtë, “U mbars mali dhe polli një mi” – përfundon Karpushin.

 

Rudina Xhunga- Dua të ndalojmë të flasim pak për “Panama Papers” dhe përfshirjen e Rusisë në të. Rusia dhe Presidenti Putin, janë përmendur qysh në fillim në “Panama Papers”. Cili është qëndrimi i Ambasadorit të Rusisë rreth këtij fakti?

Alexander Karpushin – Pyetja juaj duket pak jo korrekte, sepse nënkupton që Presidenti Putin është implikuar në kompanitë offshore. Në të vërtetë në asnjë dokument nuk përmendet emri i Presidentit rus. Nuk ka asnjë fakt konkret për përfshirjen e tij në kompanitë offshore dhe as për familjarët e tij. Përmenden vetëm disa spekulime të gazetarëve, insinuata, janë spekulime të ashpra, të pastra që shoqërohen me fjalët, ndoshta, ka mundësi, etj. Sipas informacionit të besueshëm që disponojmë, mund të themi që është një rrjedhje e qëllimshme, e cila me shumë gjasa është një operacion i shërbimeve sekret sepse ky operacion u financua nga Uashingtoni. Këtë e dimë shumë mirë. Ky informacion është vërtetuar edhe nga Wikileaks dhe nga Departamenti i Shtetit Amerikan, që konfirmojnë që e gjitha kjo u financua përmes Fondacionit Soros dhe Agjencisë Amerikane të Zhvillimit, USAID. Ne e kemi të qartë se synimi i organizatorëve të  kësaj rrjedhjeje ka qenë pikërisht Presidenti Putin, sepse të gjitha publikimet shoqëroheshin nga fotografitë e tij, ku e theksoj se emri i tij nuk përmendej në asnjë dokument dhe përreth tij, fotot e pjesëtarëve të tjerë të këtij skandali. Si rezultat, efekti i këtij operacioni është shumë i dobët sepse qëllimi i tij ishte destabilizimi i situatës së brendshme në Rusi. Jam i sigurt që pas publikimit të këtyre materialeve popullariteti i Putinit do të rritet në Rusi akoma më shumë. Siç thotë fjala e urtë, “U mbars mali dhe polli një mi”.

Rudina Xhunga- Kjo ishte, asgjë? Mbaroi. Nuk ia dolën amerikanët në luftën e tyre me rusët.

Alexander Karpushin – Unë mendoj se ka qenë një përpjekje e dështuar për të diskredituar liderin tonë dhe vendin tonë.

Rudina Xhunga- Në Rusi nuk ka pasur asnjë protestë?

Alexander Karpushin – Absolutisht jo sepse është kryer një hetim objektiv, një analizë të këtyre dokumenteve dhe të mos harrojmë që këto dokumente u vodhën si rezultat i një sulmi të hakerave dhe besueshmëria e këtyre dokumenteve krijon shumë dyshime. Kështu që le të mos bëjmë gjykime të nxituara. Nëse do flasim për evazionet fiskale, që patjetër ka në Rusi, Rusia ka një kuadër ligjor shumë të zhvilluar për të penalizuar shkelësit e disiplinës, përfshirë edhe evazorët fiskalë. E kam fjalën për kodin civil, i cili parashikon gjoba shumë të mëdha dhe kodin penal i cili fut në burg kriminelët. Kështu që dosjet e “Panama Papers” nuk na kanë ndihmuar aspak, sepse Rusia ka qenë dhe do të jetë e angazhuar për të luftuar këtë lloj krimi.

Rudina Xhunga- Ndalojmë pak tek sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë, të cilave ju është bashkuar edhe Shqipëria. Ne as importojmë dhe as eksportojmë apo jo? Kjo është situata tani.

Alexander Karpushin – Po, keni shumë të drejtë. Shqipëria i është bashkuar sanksioneve anti-ruse dhe natyrisht që u përfshi sipas parimit të reciprocitetit në listën e kundërmasave tona. Çfarë synonte qeveria shqiptare duke ndërmarrë këtë veprim, unë nuk e di dhe sot e kësaj dite, eksporti i prodhimeve bujqësore shqiptare drejt Rusisë, ka rënë në nivelin zero. Meqë ra fjala, në vitin 2014 Shqipëria nuk u prek nga kundërmasat ruse, ndaj në atë kohë, në disa muaj, volumi i eksportit bujqësor nga Shqipëria drejt Rusisë u rrit gati 4-fish, por për fat të keq, në atë kohë u përdorën çertifikata të falsifikuara bujqësore dhe disa prodhime nga Polonia dhe Lituania eksportoheshin drejt Rusisë me çertifikata shqiptare. Verën e kaluar Shqipëria iu bashkua prapë sanksioneve të paligjshme, ndryshe nga vendet fqinje si Maqedonia dhe Serbia dhe kjo bëri që Shqipëria të humbasë një mundësi të artë për të zënë një pjesë të tregut rus.

Rudina Xhunga-  Çfarë do të thotë e treguar në shifra, çfarë kemi humbur ne sipas jush?

Alexander Karpushin – Nuk mund të flas me shifra të sakta. Patjetër që për Rusinë janë volume jo shumë të mëdha por për shtetin shqiptar ishin eksporte mjaft të mëdha, e kam fjalën për mollët, trangujt e zarzavatet e tjera. Përsëris që prodhimet shqiptare në tregun rus janë shumë të kërkuara sepse janë bio, janë cilësore. Po të krahasojmë prodhimet shqiptare me prodhimet nga Kina, për shembull, ndryshimi është shumë i qartë dhe jo në favor të Kinës, sepse këtu në Shqipëri prodhimi është shumë i pastër, nuk përdoren plehra kimike dhe konsumatorët rusë e dinë shumë mirë këtë gjë.

Prandaj, besoj që Shqipëria mund të ndiqte shembullin e Serbisë, Maqedonisë që kanë ndjekur interesat e tyre kombëtare dhe jo ideologjinë e imponuar nga perëndimi. Duhet të kemi parasysh që dialogu i Serbisë me Brukselin, pavarësisht marrëdhënies me Rusinë, nuk është ngrirë dhe avancimi i Serbisë drejt BE nuk është ngadalësuar, përkundrazi, duket se rrugëtimi evropian i Beogradit është akoma më i suksesshëm. Është diçka që ia vlen të mendohesh. Besoj që ka vetëm një rrugëdalje nga kjo situatë, të heqim dorë nga sanksionet reciproke. Por të mos harrojmë që nuk ishim ne që e filluam të gjithë këtë histori ndaj edhe tani, nuk duhet të jemi ne ata që e bëjnë hapin e parë.

Rudina Xhunga- A do ndërmarrë hapa Rusia për ta njohur Kosovën?

Alexander Karpushin – Unë në fakt nuk jam i autorizuar për të flas mbi këto çështje, por mund të them që deri tani Rusia i përmbahet Rezolutës 1244 të vitit ’99 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së e cila ka konfirmuar përkushtimin e vendeve anëtare për sovranitetin dhe integritetin territorial të Jugosllavisë së atëhershme. Ne e dimë që Rusia nuk është e vetme këtu, dhjetra vende të tjera të botës nuk e kanë njohur Kosovën e pavarur, ndër këto vende mund të përmend Greqinë, Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Bosnjën e shumë të tjera. Më bëjnë shumë shpesh këtë pyetje duke nënkuptuar që marrëdhëniet Rusi-Shqipëri janë pak të ftohta, nuk janë shumë aktive për arsye se Rusia nuk e njeh Kosovën, por të gjitha vendet që përmenda më sipër kanë marrëdhënie shumë të mira dhe pozitive me Shqipërinë dhe unë nuk arrij të kuptoj pse pikërisht marrëdhëniet ruso-shqiptare, aq shpesh vendosen në varësi të çështjes së Kosovës. Moska po e ndjek me shumë vëmendje ecurinë e bisedimeve Beograd-Prishtinë, të ndërmjetësuara nga Brukseli dhe shpreson për normalizimin e mëtejshëm të dialogut midis tyre. Sa për statusin e Kosovës, qëndrimi i Rusisë rreth kësaj çështjeje mbetet ende i pandryshueshëm./dritare.net/Vizion Plus/

April 12, 2016 08:58
Komento

3 Komente

  1. intelektuali April 12, 09:26

    JU RENTE PIKA ME KETE SPIUN TE KGB-SE RUSE QE KUKUMJACKA E KUQE RUDINA XHUNGA E LA TE LIVADHISTE ME ORE TE TERA NE VIZION PLUS ME PROPAGANDEN E TIJ DEBILE SOVJETIKE NE NJE KOHE QE SHQYPNIA ESHTE ANTARE E NATOS DHE PO KERKON T’I BASHKOHET BE-SE ANTIKOMUNISTE.

    Pika ju rente o media komuniste shqyptare qe vajtoni si kukumjacka pylli bashke me ambasadorin e Kohes se Qepes te Enver Hoxhes per MURTAJEN bolshevike qe mbolli ky sadist pa shkolle dhe pederast ne vendin tone duke e ndare Shqypnine nga Kosova dhe viset e tjera shqyptare vetem per shjkak te egoizmit te tij per ta bere Vatanin si nje CIFLIG feudal mesjetar apo guberne sovjetike te tipit stalinist.

    Pika ju rente edhe pushtetareve tane mafioze dhe lakmitare, por me shume pika i rente dhe politikes sone kombetare qe nga njera ane kerkon t’i bashkohet Botes Demokratike dhe nga ana tjeter i jep tribune DUDUMEVE SPIUNE te Putinit per te shpalosur demagogjine e tyre staliniste ne TV shqyptare qe te flasin genjeshtra dhe mashtrime ordinere komuniste per ore te tera pa i sanksionuar kush, njesoj sikur te ishin ne Moske apo ne Beograd. Pse nuk i vjen zeri per Kosoven ketij DERDIMENI qe di te llape justifikime per Putin Kusarin qe eshte ne krye te skandalit Panama Papers, por qe sulmon pa piken e turpit Poroshenko Hajdutin e Ukraines dhe kerkon ARMIKUN e jashtem tek skandali me i madh financiar ne Bote qe eshte mbushur me emera Diktatoresh dhe Mafiozesh pa kurfare ngjyre politike?

    TURP TE KENI O MEDIA E PAMORALSHME KOMBETARE!

    Reply to this comment
    • Edi April 13, 02:28

      Pika të rëntë ty që s’mbush hiç nga punët e politikës globale dhe kujton se politika është bardh e zi.

      Reply to this comment
  2. Arben April 13, 06:39

    KJO QE THOTE KY MUND TE JETE E VERTET,

    POR AI VIOLINCELISTI I MOSKES, I KISHTE 3 MILIARD DOLLAR NE LLOGARI.

    DUHET TI KETE BERE DUKE I RENE VIOLINCELES.

    RASTESISHT ISHTE KUMBARI I VAJZES SE MADHE TE PUTIN.

    HAHAHAHHAHAHAHHAHAHAHAHAHHAHA

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*