Amerika – një “përjashtim statistikor” apo një vend vërtet eksepsional (III)

August 3, 2018 13:43

Amerika – një “përjashtim statistikor” apo një vend vërtet eksepsional (III)

Prof. Fatos Tarifa

 Ideologët dhe themeluesit e Republikës Amerikane, në mënyrën e tyre, artikuluan konceptin e një “misioni” të veçantë të Amerikës në historinë botërore dhe të rolit të saj “eksepsional”. Gjatë këtyre dy shekujve e gjysmë, ky koncept është rrënjosur kaq thellë në psikologjinë e popullit amerikan dhe në mentalitetin e klasës politike të atij vendi, saqë ai nuk mund të konsiderohet thjesht një “ide e rreme”, ose “pa bazë”. Përkundrazi, ideja e një “misioni” mund të thuhet se ka marrë trajtën e një fakti historik, pasi Revolucioni Amerikan dhe ata që e udhëhoqën atë, duke bërë të tyren idenë e një misioni për liri, në fakt, kanë ndryshuar rrjedhën e zhvillimit të ngjarjeve në botën moderne, pothuajse në një mënyrë dhe në një masë të tillë, siç e kishin imagjinuar themeluesit e Republikës Amerikane. Ta mohosh, ose ta nënvleftësosh këtë fakt, do të thotë të mbyllësh sytë përpara realitetit. Sepse, në fakt, qysh nga koha kur Amerika hoqi dorë nga politika e saj izolacioniste dhe u ngjit në skenën e politikës globale, si një aktor i rëndësishëm në të dhe, më vonë, si aktori vendimtar, roli i saj ka qenë veçanërisht përcaktues nëzhvillimet ekonomike, politike e sociale në shkallë globale, gjatë shekullit të 20-të dhe vazhdon të jetë i tillë edhe në fillimin e shekullit të 21-të.

Qysh nga themelimi i saj, por veçanërisht gjatë shekullit të 20-të, Amerika u bë dhe vazhdoi të mbetet një ëndërr, një shans, një mundësi—veçanërisht një mundësi materiale—dhe ka krijuar një kulturë të tillë në Shtetet e Bashkuara, e cila, siç shprehet Thomas Bender, “inkurajon largimin nga e kaluara, duke filluar gjithçka nga e para dhe duke i zgjeruar horizontet e njeriut”. Amerika ka qenë dhe mbetet ai vend, të cilin Hegeli e quante “vendi i dëshiruar për të gjithë ata që janë të lodhur me Europën e Vjetër të rënduar me histori”. Qidra mijëra europianë në të kaluarën u thanë “lamtumirë” vendit të tyre dhe gjithshkaje që i mbante të lidhur me të—shpesh, madje, edhe duke pranuar të shiteshin përkohësisht si skllevër, ose të punonin si shërbëtorë, për të fituar të ardhurat që u duheshin për t’u shpërngulur drejt “Botës së Re”—me shpresë se në Amerikë do të gjenin mundësitë për një jetë më të mirë e më të begatë për vete dhe për pasardhësit e tyre. Ky pelegrinazh nuk ka rreshtuar as sot, pasi Amerika vazhdon të jetë një vend i ëndrrave dhe i mundësive të mëdha. Amerika është një vend që përherë rizbulon veten e saj. Këtë kishte ndërmend presidenti Bill Clinton kur, në fjalimin e inagurimit të tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, më 20 janar 1993, deklaroi se është në dorën e “çdo brezi amerikanësh…të thonë se çfarë Amerika është”.

Kometatorë të huaj e kanë vënë vazhdimisht në dukje këtë aspekt të kulturës amerikane, por askush nuk e ka theksuar atë më shumë dhe më mirë se Alexis de Tocqueville, të cilin e mrekullonte kërkimi i pafund i lumturisë nga amerikanët, kërkim që kurrë nuk i kënaq ata përfundimisht. Ky shpirt i të “kërkuarit të vazhdueshëm”, mendonte Tocqueville, është produkt i kombinimit të një “barazie të nënkuptuar” dhe “mungesës së barrierave sociale formale”. “Pasioni i madh” i amerikanit për “mirëqënien e tij” krijon tek ai vizionin e realizimit të një “lumturie të plotë, e cila i largohet atij përgjithmonë”.

Duke u dhënë përgjigje pretendimeve të filozofit mediatik francez Bernard-Henri Lévy, i cili shprehet se nuk i pëlqen një qytet si Las Vegas, Francis Fukuyama argumenton se virtyti i vërtetë i Amerikës është “mundësia që ajo krijon për qytetarët e saj më të zakonshëm, deri tek ata që luajnë blackjack dhe emigantët që punojnë si kamarierë, të cilët i japin jetë Las Vegasit”. Sipas Fukuyama-s, vetë artificialiteti i këtij qyteti [Las Vegas-it], “rikrijimi në të i Parisit, i Venecias dhe i Bellaxhios në mes të shkretëtirës, është dëshmi e dëshirës dhe e kapaciteteve të mëdha të amerikanëve për rikrijim.Kjo është ajo çfarë përfaqësonte dhe akoma përfaqëson Perëndimi Amerikan—aftësia për të filluar sërish nga e para….Në të vërtetë, në Amerikë, kufiri ende nuk është mbyllur; ende ka hapësira të gjera bosh, të cilat presin të mbushen. Dhe jo të gjitha këto hapësira janë fizike: Ne kemi një kufi elektronik në hapësirën kibernetike, të cilën jemi angazhuar ta popullojmë gjatë viteve të fundit. Ky ka qenë kuptimi i vërtetë praktik i demokracisë amerikane: Çdo individ mund ta rikthejë orën e tij në zero dhe mund të bëhet ai që dëshiron ai vetë të jetë dhe jo çfarë kanë pritur prindërit dhe paraardhësit e tij që ai të bëhet”.

Vetë Bernard-Henri Lévy, në librin e tij American Vertigo, detyrohet të pohojë: “Çfarë shansi është Amerika, çfarë triumfi!”.Shumë autorë e kanë parë dhe e shohin karakterin “eksepsional” të Shteteve të Bashkuara në “hapësirat e jashtëzakonshme” të saj, të cilat “u lejojnë njerëzve të rikrijojnë vetveten”, apo të bëhen zotër të fateve të veta. Gertrude Stein, në librin e saj klasik Historia gjeografike e Amerikës (The Geographical History of America, 1936), shkruante se: “Në Shtetet e Bashkuara ka më shumë hapësira ku s’ka njeri sesa hapësira ku ka njerëz. Kjo është ajo çka e bën Amerikën të jetë ajo që është”.

Këtu, është me inters të çel një parantezë, për të trajtuar rolin specifik dhe shumë të rëndësishëm që kanë luajtur e luajnë pozita dhe përmasat gjeografike të Shteteve të Bashkuara në karakterin “eksepsional” dhe në politikën e jashtme të këtij vendi. Walter McDougall shkruan se, “arsyeja për të cilën ne [amerikanët] u bëmë të veçantë nuk ka të bëjë ‘as me yjet, as me ne vetë’, por me gjeografinë tonë”. Po kështu, George Friedman, autori i librit të njohur, 100 vitet e ardhshme: Një parashikim për shekullin e 21-të (The Next 100 Years: A Forecast for the 21st Century, 2009), argumenton se “Amerikanët nuk janë të rëndësishëm për atë që ata janë, por për shkak të [vendit] ku ata jetojnë”.

Është një tezë e pranuar gjerësisht ajo se, supremacia e Shteteve të Bashkuara në gjeopolitikën globale i atribuohet së tepërmi pozicionit gjeografik të jashtazakonshëm dhe shumë të favorshëm të këtij vendi. I shtrirë nga Lindja në Perëndim në tërë territorin e kontinentit amerikano-verior, i kufizuar nga kufij tokësorë vetëm me dy vende fqinjë—në Veri me Kanadanë (vendi i dytë në botë për nga madhësia e sipërfaqes, pas Rusisë, por me nje popullsi vetëm 36 milionë banorë), dhe në Jug me Meksikën, një vend me një popullsi rreth 1207 milionë dhe, sigurisht, i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, por jo ekonomikisht ose ushtarakisht kërcënues për të—Amerika gëzon avantazhe që nuk i ka pasur dhe nuk mund t’i ketë asnjë prej Fuqive të Mëdha.

Ata që e bëjnë edhe më të favorshme pozitën gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara në raport me fuqitë e tjera të mëdha janë “fqinjët” e saj lindorë dhe perëndimorë—Oqeani Atlantik dhe Oqeani Paqësor—të cilët e kanë mbrojtur dhe e garantojnë atë nga çdo agresion që eventualisht mund të ndërmerrej ndaj këtij vendi nga një fuqi e madhe tokësore. Pasi Shtetet e Bashkuara blenë Alaskën nga Rusia, në vitin 1867, ky rrezik u bë edhe më pak i mundur dhe pozita gjeopolitike e këtij vendi u bë edhe më e privilegjuar në raport me atë të fuqive të tjera të mëdha.Nëse nuk flasim për raketat balistike ndërkontinentale, e vetmja mundësi për t’i sulmuar Shtetet e Bashkuara është nga një fuqi e madhe ushtarake detare, që do të mund të ishte në gjendje të mbrrinte në brigjete këtij vendi. Por kjo është krejtësisht e pamundur nëse mbajmë parasysh se forcat ushtarake detare, ajrore dhe kapacitetet për kontrollin e hapësirave detare dhe ajrore që Amerika posedon nuk rivalizohen nga asnjë shtet i veçantë dhe nga asnjë grup shtetesh.

Amerika ka një supremaci të padiskutueshme në tokë, të ajër dhe në dete. Tonazhi i flotës ushtarake detare amerikane (2.85 milionë tonë) është më i madh se tonazhi i flotave ushtarake detare të 17 vendeve kryesore që vijnë pas saj, të marra së bashku (2.66 milionë ton). Kjo është një supremaci, të cilën nuk e ka njohur as Britania në shekullin e 19-të, dhe asnjë fuqi tjetër e madhe detare në kohët moderne. Kjo supremaci, sot dhe për një kohë të gjatë në të ardhmen, do të vazhdojë të ruhet, pasi Amerika ka nën kontrollin e saj, siç shprehet Barry Posen, “të përbashkëtat globale” (global commons)—oqeanet, hapësirën ajrore të globit dhe hapësirën përtej tij—çka i lejon këtij vendi që të projektojë forcën e vet larg kufijve të tij, ndërkohë që këtë mundësi Amerika nuk ua lejon shteteve kundërshtare, ose armiqësore ndaj saj.

 

† † †

Duhet theksuar se, si një vend me tokë, liri, oportunitete dhe bollëk, Amerika ka një aftësi joshëse universale, për shkak se ajo përfaqëson një ëndërr. Dhe, siç shkruan Patrick Laude në esenë e tij brilante “Botë e Re, Njerëz të vjetër” (“New World, Old Men”, 2007), “Ëndrra amerikane” nuk është vetëm një “formulë retorike për politikanët”, ose një iluzion njerëzor i “parajsës tokësore, Kalifornia e ëndrrave dhe e vetkënaqësisë”, por është, gjithashtu, “një princip i një projeksioni të pafundëm me të gjitha vlerat dhe ambicjet e saj të fuqishme”. Ky autor thekson se: “Nuk ka ndoshta asnjë vend dhe asnjë kulturë tjetër [veç Amerikës], që të ketë qënë [dhe të jetë] kaq e diversifikuar nga pikëpamja etnike dhe fetare, dhe asnjë vend që synon thyerjen e kufijve e të kufizimeve të çdo lloji, duke i tejkaluar kufijtë e së mundshmes, me një kreativitet shumë herë madje të afërt me përpjekjet e Prometeut. Amerika është, për vetë natyrën e saj, një farë ripërsëritjeje dhe konkludimi i të gjitha mundësive njerëzore.Kjo nuk mund të thuhet për Europën, e cila shpesh bëhet pengesë për forma të ndryshme të kulturës, as për Azinë, ku kufijtë etnikë vazhdojnë të jenë të ndarë në mënyrë strikte.Amerika është, në të vërtetë, një vend demiurg….Amerika është gjithçka për çdo njeri, në një mënyrë të tillë, që dikush edhe mund ta refuzojë atë dhe të thotë çdo gjë për të….Shprehje klishe, të tilla si “ëndrra amerikane”, “kufiri i vetëm është qielli”, ose “tokë e njerëzve të lirë”, dëshmojnë pikërisht sensin e mundësive të pakufizuara, me të cilat e lidhim ne Amerikën në përfytyrimin tonë”.

Shum autorë kanë vënë në dukje faktin se Amerika e kërkon modernitetin dhe lufton për të, ndërkohë që shumica e shoqërive njerëzore janë, nga vetë natyra e tyre, konservatore, çka do të thotë se ato u rezistojnë tendencave modernizuese. Ajo që e bën Amerikën një “eksepsion”, është se ky vend është në një proces të vazhdueshëm rikrijimi të vetvetes, përmes të cilit ai i jep formë botës moderne, apo, siç shkruan Patrick Laude, “në mënyrë kreative dhe me entuziazëm manifeston sot atë çka europianët e imagjinuan dhe e formuluan teorikisht në shekullin e 18-të”.

Pavarësisht rrethanave dhe kushteve historike në të cilat u krijua koncepti “eksepcionalizëm”, ishte Ronald Reagan, presidenti i 40-të i Shteteve të Bashkuara, ai që, edhe pse nuk e përdori vetë, qoftë edhe një herë të vetme, termin “eksepsionalizëm”, u bë dhe mbetet përfaqësuesi kryesor dhe më elokuent i “eksepcionalizmit amerikan”. Në fjalimin e tij të lamtumirës si president i Shteteve të Bashkuara, në 11 janar 1989, Reagan theksoi: “Unë kam folur për qytetin që ndrit [mbi kodër] gjatë gjithë jetës sime politike, por nuk e di nëse kam mundur t’ua shpjegoj siç duhet atë çfarë shihja kur flisja për të. Në mendjen time, unë shihja një qytet të lartë e krenar, ndërtuar mbi shkëmbinj më të fortë sesa oqeanet dhe që u rezistonte fortunave. I bekuar nga Zoti dhe i populluar nga njerëz të të gjitha llojeve, që jetojnë në harmoni e në paqe me njëri-tjetrin, një qytet me porte të lirë e të gjallëruar nga tregtia dhe kreativiteti, dhe nëse do të duhej që ky qytet të rrethohej nga mure, muret e tij kishin dyer dhe dyert ishin të hapura për këdo që do të kishte vullnetin dhe dëshirën të vinte këtu. Kështu e shihja unë atë qytet dhe kështu vazhdoj ta shoh”.

† † †

Më parë kam shpjeguar se, nisur nga domethënia që i është dhënë termit “eksepsionalizëm” në shkencat shoqërore deri më sot, ky term ka nënkuptuar, ose nënkupton, kryesisht, dy gjëra: se Amerika është e ndryshme nga vendet e tjera, ose se ky vend ka diçka të veçantë, që nuk e ka asnjë shoqëri tjetër në botë. Përsa i përket kuptimit të parë—Amerika si një vend i ndryshëm nga të tjerët—ai, siç kam thënë, është trajtuar gjerësisht nga dy prej autorëve më të njohur të shekullit të 19-të dhe të fillimit të shekullit 20-të, Alexis de Tocqueville dhe Werner Sombart. Po kështu, ideja se Amerika, si shoqëri, ka një natyrë që nuk u ngjan shoqërive europiane, është shtjelluar gjerësisht, në gjysmën e parë dhe në mesin e shekullit të 20-të, në dy vepra të tjera të rëndësishme, nga Frederick Turner, Kufiri në historinë amerikane (The Frontier in American History, 1920), dhe Louis Hartz, Tradita liberale në Ameikë (The Liberal Tradition in America, 1955).

Më vonë—dhe së fundmi—kjo ide është trajtuar nga një numur studiuesish amerikanë të njohur, si Byron Shafer, në librin e tij A është Amerika ndryshe? Një vështrim i ri mbi eksepsionalizmin amerikan (Is America Different? A New Look at American Exceptionalism, 1991); Seymour Martin Lipset, në librin e tij Eksepsionalizmi amerikan: Një shpatë me dy tehe (American Exceptionalism: A Double-Edged Sword, 1996); John Kingdom, në librin e tij Amerika, e pazakonshmja (America the Unusual, 1999); Peter Schuck dhe James Wilson, në librin e tyre Të kuptosh Amerikën: Anatomia e një kombi eksepsional (Understanding America: The Anatomy of an Exceptional Nation, 2008); Stephen Brooks, në librin e tij Eksepsionalizmi amerikan në epokën e Obamës (American Exceptionalism in the Age of Obama, 2013).

Pa u ndalur në mënyrë të veçantë në përmbajtjen e veprave të sipërpërmendura, mund të them se, në përgjithësi, ato evidentojnë empirikisht faktin dhe argumentojnë idenëse Amerika është një përjashtim statistikor në shumë aspekte të rëndësishme, krahasuar pothuasje me të gjithë vendet e tjerë të globit, fjala vjen, përsa i përket madhësisë së administratës qeverisëse, numrit të shoqatave vullnetare e të organizatave joqeveritare për frymë të popullsisë, shkallës së aktivitetit filantropik privat, përkushtimit ndaj lirisë personale etj. Vitet e fundit, studimet mbi këtë subjekt janë përqendruar edhe në dydimensione të tjera të karakterit “eksepsional” të Shteteve të Bashkuara: (a) numri shumë i madh i denominacioneve fetare dhe i njerëzve që frekuentojnë institucionet fetare dhe (b) shkalla e lindshmërisë, që është më e larta ndër të gjithë vendet e industrializuar.

Stephen Brooks i përmbledh argumentet e mësipërm mbi “eksepsionalizmin” amerikan në pesë aspekte kryesore të shoqërisë dhe të politikës amerikane, që janë: (1) raporti mes shtetit dhe shoqërisë, (2) feja, (3) mobiliteti social-ekonomik, (4) roli i Amerikës në botë dhe (5) idetë e amerikanëve mbi Kushtetutën dhe rolin e saj në shoqëri. Shumë autorë pranojnë, gjithashtu, se përveç tipareve të veçanta që u përmendën më sipër, Amerika ka edhe shumë “patologji “eksepsionale” si, për shembull, numri i madh i ndëshkimeve me burg dhe i dënimeve me vdekje.

† † †

Të thuash se Amerika është një vend “eksepcional”, ose i veçantë, siç kamvenënë dukje gjatë shtjellimeve të mia mbi këtë subjekt, nuk nënkupton të njëjtën gjë për këdo. Kuptimi i termit “eksepsional” shkon përtej evidencës empirike dhe ka të bëjë më shumë, siç vë në dukej James Ceaser, me një pretendim normativ. Sidoqoftë, nocioni i të qenit “eksepsional” për një vend, ose për një popull, do të nënkuptonte, kryesisht, dy gjëra: ose pasjen e një ose të disa cilësive “eksepsionale”, ose përkushtimin ndaj një detyre, ose ndaj një misioni, që asnjë vend dhe asnjë komb tjetër nuk mund ta kryejë.

Në kuptimin e parë, mbrojtësit e idesë së “eksepsionalizmit” amerikan i referohen, për shembull, shkallës së lirisë individuale që ekziston dhe shanseve që ofron Amerika për çdo individ. George Will e argumenton këtë ide me këto fjalë: “Amerikanët janë në mënyrë eksepsionale të përkushtuar ndaj një administrate të vogël shtetërore, për shkak se ata, në mënyrë eksepsionale besojnë në mobilitetin e tyre social përmes përpjekjeve të veta personale”.

Në kuptimin e dytë, nocioni i “eksepsionalizmit” amerikan i referohet, zakonisht, idesë se Amerika, si vend, ka një mision të veçantë historik, përbmushja e të cilit i shërben jo vetëm popullit të saj, por mbarë njerëzimit. Ky nocion është artikuluar qysh në mesin e shekullit të 19-të, nga Louis Kossuth, patrioti i njohur hungarez, i cili, pasi vizitoi Amerikën, në vitin 1852, shkroi këto radhë të famshme: “Amerika është e destinuar të bëhet themeli i Lirisë mbi dhé…Nëse Republika Amerikane do të humbiste ndonjëherë ndërgjegjen [dhe besimin e saj] për këtë mision, ai moment do të ishte, me siguri, fillimi i rënies së Amerikës, njëlloj sikurse 19 prilli i vitit 1775 shënoi fillimin e Republikës Amerikane”.

Ideja se një popull, ose një komb, kanë ose mund të kenë një mision vlerësohet nga shumëkush si një ide kundërthënëse.Nga pikëpamja e relativizmit kulturor, popujt nuk ndryshojnë shumë prej njëri-tjetrit dhe, për të siguruar ekzistencën dhe mirëqenien e tyre, ata janë të interesuar të jetojnë në paqe dhe në marrëdhënie të mira mes tyre.Çdo synim për të shkuar përtej kësaj fryme bashkekzistence mund të çojë në nacionalizëm dhe në shovinizëm. Sidoqoftë, ka autorë, të cilët mendojnë se, fakti që shumë amerikanë mendojnë dhe besojnë se kombi i tyre është krijuar me një mision të caktuar, e bën atë një komb eksepsional, madje një shembull të eksepsionalizmit, si koncept, në kuptimin e shkencave shoqërore, ose një farë përjashtimi statistikor, të paktën në radhët e vendeve demokratike.Nga ana tjetër, reagimi negativ dhe kundërshtimi ndaj besimit se Amerika është një vend eksepsional, me një mision të caktuar në botë, ka qenë dhe mbetet një ndër burimet kryesore të “anti-Amerikanizmit”, si ideologji, dhe të sentimenteve anti-amerikane në vende e rajone të ndryshme të globit.

August 3, 2018 13:43
Komento

1 Koment

  1. Pellazgos August 4, 17:06

    Amerika si vend gjeo grafik e ka bazamentin mbi Civilizimin Helene,sado te ngrihen katet e tjera.
    Per keto Simbolet dhe struktura e shtetit jane Aristoteli,Platoni,Sokrati,Dhimokrtia,kaq e thjeshte.
    Amerika eshte thjesht nje vend shkaterrues i Lindjes se Mesme se shkaku dihet jane Cifutet per “token e premtuar” kur Qytete si Kostandinopoli ja lane Islamikeve se armiku i tyre eshte Greqia.
    Prandaj dhe mbeshtesin Turqine,Albanine per konflikte.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*