Amerikanët në 1901: Shqipëria, peng i sherrit mes Austrisë dhe Italisë

Armand Plaka December 10, 2017 11:28

Amerikanët në 1901: Shqipëria, peng i sherrit mes Austrisë dhe Italisë

„Në asnjë moment qysh prej formimit të saj, Aleanca Treshe nuk është kërcënuar më seriozisht për ekzistencën e saj se sa tani“. Pak a shumë ky është mesazhi që përcjell një artikull mbi fatet e pritshme të Shqipërisë, në atë vit të largët akoma një provincë otomane. Bëhet fjalë për njërën ndër aleancat më të forta të kohës, mes Gjermanisë, Austro-Hungarisë dhe Italisë, ngjizur qysh në vitin 1882 ( si kundërthënie ndaj iniciativës së ngjashme – Antantës Treshe- mes Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë ) e cila zgjati deri në vitin 1914, kur shpërtheu edhe Lufta e Parë Botërore. Artikulli i amerikanes „New York Tribune“, në qershor 1901, na sjell në vetvete shumë fakte që lidhen direkt me një pjesë të historisë së Shqipërisë, në një periudhë jo fort të trajtuar, kur kishin nisur të ravijëzoheshin më qartë përpjekjet për pavarësi dhe çka është më e rëndësishmja; fati i Shqipërisë nis të bëhet faktor për të cilin interesoheshin direkt fuqi të mëdha dhe madje edhe aleate, të cilat ishin të gatshme që të hynin edhe në konflikt të armatosur, nëse fati i saj do të merrte një rrugë, jashtë këndvështrimeve të tyre.
Shqipëria në këtë kohë ishte bërë një mollë e vërtetë sherri mes Italisë dhe Austro-Hungarisë, të cilës, të paktën në këtë fazë që po flasim, i leverdiste statuskuoja e Shqipërisë nën varësinë turke. Një ndërthurje interesash mes Italisë dhe vendeve sllave – tradicionalisht kundërshtarë të fateve të Shqipërisë së pavarur – duket se në një moment njohin përputhje, duke konkluduar në nxitjen dhe përkrahjen e veprimeve që çonin drejt pavarësisë së Shqipërisë, çka parë nga perspektiva e sotme, duket një stisje jo realiste. Pretendimet e fundmit na i dëshmon më qartësisht në fakt një pjesë e shkëputur nga artikull tjetër, i ardhur pak më vonë (shih: “New York Daily Tribune”, e dielë, 1 dhjetor 1901, fq. 1 ) po nga arkiva e shtypit amerikan të kohës, i cili, ndërsa i bën një skanim profilit politik dhe misionit që kishte marrë asokohe përsipër të përmbushte Mbretëresha Helena e Italisë, i bën një analizë në fakt edhe çështjes shqiptare, duke na rrëfyer shumë fakte interesante.
Duke parë me kujdes përmbajtjen e artikujve, lehtësisht gjen të renditura fakte me shumë relevancë historike, të tilla si: sa ishte numri i shqiptarëve në Itali, çfarë peshe kishin ata realisht, si operonin komitetet e çlirimit kombëtar në Itali dhe në sa qytete e ushtronin veprimtarinë e tyre, cilat ishin figurat më të famshme nga ky komunitet dhe cilat ishin vendimet që kishte marrë një kongres i përfaqësuesve shqiptarë në Napoli, rezultatet e të cilit i komentonte gjerësisht edhe shtypi përtej Atlantikut. Por mëson edhe se çfarë amaneti kishte lënë Garibaldi në lidhje me shqiptarët, sa ishte prezenca e italianëve në Shqipëri në atë kohë dhe ç´rol kishin, me çfarë merreshim e plot të tjera. Po ashtu kupton më qartësisht se pse zënka mes Italisë dhe Austrisë, sidomos për këtë të fundit, kishte një bazë të fortë arsyetimi dhe gjithashtu ndjen edhe keqardhje që fati i Shqipërisë në një farë mënyre, mbeti peng pikërisht i këtyre mosmarrëveshjeve mes dy fuqive aleate të kohës, interesat e të cilëve, nëse do kishin konverguar në kohë e hapësirë, do të kishin sjellë padyshim, përshpejtim të përmbushjes së objektivave madhore të shqiptarëve.
Sjellja në shqip për herë të parë për lexuesin e gjerë të këtyre artikujve me vlera reale e konkrete për kompletimin e një periudhe të rëndësishme të historisë së Shqipërisë në këtë vit jubilar të 100 vjetorit të Pavarësisë, është ajo çka më shtyu të botoj përmbajtjen e tyre.

 

E ardhmja e Shqipërisë
Vendi pakëz i njohur, një kockë në fyt për zënkat mes Italisë dhe Austrisë

Në asnjë moment qysh prej formimit të saj, Aleanca Treshe nuk është kërcënuar më seriozisht për ekzistencën e saj se sa tani. Në fakt është vështirë të thuhet se si përballë deklaratave, të cilat sapo janë bërë tashmë nga Konti Goluçovski për delegacionet e parlamenteve të Austrisë dhe Hungarisë – dhe nga Konti Prinetti në Romë – Italia mund të vijojë më të renditet si aleate e Perandorisë dualiste. Në adresë të kancelarit austriak, në një fjalim që nuk ishte thjesht i nxitur nga tone të nxehta në një debat parlamentar, porse një ekspoze e mirëpërgatitur në qetësi e gjak të ftohtë e opinioneve dhe pikëpamjeve të kurorës perandorake dhe e qeverisë, ai theksoi me këtë rast dy pika me karakter shumë të rëndësishëm.
Njëra ishte lajmërimi në distancë i pikëpamjes se Austro-Hungaria do të refuzonte që Italia të kishte avantazhin që ajo aktualisht e gëzon sipas marrëveshjeve tregtare ekzistuese, kur ato të rinegociohen, dhe denoncimii i tij ndaj doktrinës që parashesh se aleancat politike duhet të krijohen „ plotësisht në varësi të kushteve e diferencave që përcaktojnë termat tregtarë“.
Çështja tjetër me rëndësi ishte deklarata e tij në lidhje me faktin se statuskuoja dhe mbajtja e kushteve aktuale në Gadishullin Ballkanik, ishte e një rëndësie aq të madhe për qeverinë italiane dhe për të cilën asaj i lindnin pretendime më shumë se çdo fuqi tjetër në kontinent.
Ka një numër më të madh shqiptarësh në Itali, sa ç´ka kretanë në Kretë, në Greqi. Në fakt, numri i tyre është vlerësuar të kapë shifrën e një gjysëm milioni. Përtej kësaj, numri i burrave me influencë në Itali, të cilët s´pushojnë së mburruri për origjinën e tyre shqiptare, përfshin edhe nga më të famshmit, siç është ish-Kryeministri Crispi, i cili figuron si President Nderi i Kongresit Shqiptar, mbajtur një ditë më parë në Napoli, në të cilin kishin ardhur përfaqësues nga çdo qytet, rajon e fis nga Shqipëria, si dhe përfaqësues të komiteteve kombëtare shqiptare, në jo më pak se 32 qytete italiane.
Kongresi hartoi një rezolutë që i bënte thirrje qeverisë italiane, që në ëmër të „vëllazërisë latine“, t í jepte fund „skllavërisë dhe shtypjes së shqiptarëve nga turqit“, e cila, sidomos kohët e fundit, ishte bërë „e patolerueshme“, dhe se duke ndihmuar shqiptarët të merrnin lirinë, u bënin kësisoj ballë edhe „ambicieve të Austrisë për të kontrolluar Adriatikun“. Kongresi, nën këtë frymë solli në vëmendje edhe fjalët e Garibaldit, i cili disa vjet para se të
3
jepte shpirt, kishte shkruar një letër në të cilën ai u bënte vend edhe këtyre fjalëve: Çështja e shqiptarëve është çështja jonë dhe unë do të isha shumë i lumtur të bëja aq sa mundem me ditët që më kanë mbetur për të jetuar, në favor të atyre njerëzve trima“.
Dhe këto rezoluta të dala nga Kongresi i Shqiptarëve, nuk duhet të merren thjesht si rezultate të një diskutimi të thjeshtë mbushur me fjalime pompoze. Përtej Crispit, ka pasur edhe politikanë e burra të tjerë me peshë nga Italia që morën pjesë atje dhe të cilët kanë ambicie të hedhin kandidaturat për të pasur një vend në Senat apo Parlament, për të mbrojtur çështjen e Shqipërisë.
Që ata tashmë kanë mundur të sigurojnë presion mbi qeverinë, kjo duket sheshit, duke parë shprehjen e simpatisë së Ministrit të Jashtëm për Shqipërinë në fjalimin e tij të javës që shkoi dhe në emërimin prej tij të një numri të madh konsujsh shtesë dhe nënkonsujsh, të caktuar në dukje për të mbikqyrur e mbrojtur së pari interesat e një popullsie të konsiderueshme në numër italianësh në Shqipëri, por që në fakt do të duhej të vepronin si agjentë të policisë së fshehtë italiane në këtë vend, ku një rebelim kundër sundimit turk, tashmë ka shpërthyer, duke i detyruar autoritetet otomane të Novi Pazarit të marrin arratinë nga kërcënimi i rebelëve.
Është pikërisht ky shpërthim i revolucionit në Shqipëri kundër tiranisë otomane, i cili përbën edhe elementin më të rëndësishëm në këtë situatë dhe që është i destinuar t´i thellojë telashet mes Austro-Hungarisë dhe Italisë deri në pikën e një krize të mirëfilltë. Nuk ka dyshim se kjo lëvizje kryengritëse në Shqipëri, do të gëzojë jo vetëm simpatinë e qeverisë, por siç merret me mend edhe mbështetjen e fortë materiale të popullit italian, i cili do të jetë i detyruar të derdhë para, të dërgojë armë e njerëz: dhe nëse qeveria turke ndërmerr ndonjë hap për të shtypur revoltën me metodat me të cilat ajo ka operuar në Bullgari, para Luftës me Rusinë në vitin 1877, nuk ka dyshim se qeveria italiane do të jetë e detyruar, nisur nga ndjenjat popullore në Itali, të ndërhyjë në emër të shqiptarëve, në të njejtën mënyrë siç bëri edhe Car Aleksandri II – megjithëse një autokrat – duke ndërhyrë në emër të bullgarëve dhe duke e përfshirë perandorinëe e tij në një luftë të tmerrshme e të kushtueshme nga këndvështrimi rus, fare joproduktive me Portën e Lartë.
Siç u theksua më lart, ka një numër të madh italianësh në Shqipëri, të cilët, sigurisht se duke simpatizuar lëvizjet nacionaliste shqiptare, pritet të ekspozohen kësisoj direkt përballë autoritetit zyrtar turk në vend, duke u bërë objekt i një dhune e raprezaljesh nga Sulltani, i cili do të hidhej me hordhitë e tij të egra; kurde, bashibozuke e trupash paraushtarake të instaluara në Shqipëri, siç bëri në Bullgari 24 vjet më parë, në një masë aq të madhe, saqë qeveria italiane do të ishte më në fund e detyruar të ndërhynte, për asgjë më shumë se sa për të mbriojtur „subjektet“ e saj.
Sidoqoftë, nga momenti që Italia lëviz një gisht në Shqipëri, Austro-Hungaria, sipas atyre që rezultojnë nga fjalimi i Ministrit të saj të Jashtëm një ditë më parë, do të ndërhynte edhe ajo, ose për të ruajtur statuskuonë, dmth. zgjedhën turke në Shqipëri, ose ta merrte këtë provincë për vete, siç ka bërë fundja edhe me Bosnje-Hercegovinën.
Tashmë, Italia fare pak mund të ofrojë që të lejojë Austrinë të vendoset vetë në krye të punëve të Shqipërisë, po në të njejtën masë sa ç´është e gatshme Austria të lejojë kontrollin e Italisë mbi Shqipërinë, si fuqi e civilizuar që kontrollon Kanalin e Otrantos dhe portat e Adriatikut.
Në fakt, Austria ka një interes edhe më të madh për t´u përfshirë në këtë mesele se sa Italia, duke e pasur Shqipërinë si të vetmen pikë portuale e çelës në Adriatik, ndërkohë që rivalja e saj, Italia ka akses të gjerë mbi gjithë Adriatikun me portet e saj më të rëndësishëm që shtrihen në vijën bregdetare perëndimore dhe veriperëndimore të Gadishullit.

 

Komitetet shqiptare, pasojë e propagandës antiaustriake e pro-sllave

Mbretëresha e re e Italisë, tenton ta çojë Italinë në aleancë me Rusinë

Mes elementëve të propagandës sllave në Itali është edhe formimi në thuajse të gjitha qytetet më të rëndësishme të saj, të komiteteve të ngritura për, siç thuhet, “çlirimin e Shqipërisë nga tirania turke”. Është plotësisht e vërtetë se ka shumë lidhje race mes Italisë dhe Shqipërisë. Një numër shtetarësh në Itali, siç ishte së fundmi edhe ish-kryeministri Crispi, kanë qenë me origjinë shqiptare, ndërsa përsa i përket tregtisë, në shumicën e saj, ajo është në duart e italianëve. Agjentët pansllavë në Shqipëri dhe malazezët, të cilët thjesht u duhet të kalojnë kufirin, vazhdimisht po i nxisin shqiptarët drejt revoltës ndaj turqve, të cilët si zakonisht, do të rezervojnë shumë gjakderdhje e tmerre për shtypjen e saj. Në këtë mënyrë, një pretekst kërkohet për të ngacmuar simpatitë italiane në Shqipëri. Qeveria austriake, gjithsesi, me anë të një fjalimi të një delegacioni parlamentar, cituar nga Ministri i Jashtëm, Konti Goluçovski, i ka dhënë Italisë të kuptojë qartë se ajo nuk do të tolerojë ndonjë ndërhyrje italiane në Shqipëri, ose pushtim të saj, dhe se çdo përpjekje për të turbulluar rrethanat aktuale në atë vend, do të kundërshtohen e do të rezistohen fort nga Austro-Hungaria në kufinj që shkojnë deri në luftë. Perandoria dualiste nuk mund të tolerojë në asnjë moment mbajtjen e Shqipërisë nga një fuqi e tillë si Italia, hap i cili do t´i mundësonte kësaj të fundit kontrollin absolut të hyrjes në Adriatik dhe kësisoj të këpuste aksesin e Austrisë në ato ujra, për të mbërritur portet e saj të vetme dhe arsenalet ushtarake që mbart. Çështja shqiptare, për këtë arsye, e cila po bëhet gjithnjë e më akute falë intrigave të “Caprari”-t, apo të themi më mirë, partisë së Mbretëreshës, po shërben për të nxitur Italinë kundër aleatëve të saj në Vjenë dhe për të shkaktuar shkëputjen e saj prej tyre, për të marrë drejtimin drejt Rusisë. Nuk duhet harruar se Mbretëresha Helena e Italisë, jo vetëm që është sllave me origjinë që nga lindja, porse madje është pagëzuar nën ritin greko-orthodoks dhe është rritur duke shkelur shpesh në pallatet e Shën Petërburgut nën përkujdesjen e Careshës së ve, djali i të cilës, Perandori aktual, i përgatiti asaj prikën kur u martua me Mbretin aktual të Italisë. Ajo, për këtë arsye është plotësisht moskovite në simpatitë që ushqen, shtuar këtu edhe devocionin e saj ndaj Malit të Zi, vendit të lindjes dhe të babait të vet, monarkut të tij dhe ndjekësit e vasalit më të devotshëm e më energjik të Rusisë në rajonin e Europës Juglindore.
Shkëputur nga: “New York Daily Tribune”, e dielë, 1 dhjetor 1901, fq. 1

Analiza rreth të ardhmes së Shqipërisë, në gazetën amerikane, „New York Tribune“, 23 qershor 1901, fq.1

Artikulli me titull “La Capraia”( “New York Daily Tribune”, e dielë, 1 dhjetor 1901) , i cili në një pjesë të konsiderueshme flet për objektivat e Rusisë për të depërtuar në Ballkan, falë një aleance të mundshme me Italinë, ku shqiptarët nën nxitjen e malazezëve, do të mund të përdoreshin provizorisht për të përmbushur këtë qëlli

Faqja 1 e gazetës amerikane, “New York Daily Tribune”, e dielë, 1 dhjetor 1901

Faqja 1 e gazetës amerikane, “New York Daily Tribune”, e dielë, 1 dhjetor 1901

Armand Plaka December 10, 2017 11:28
Komento

1 Koment

  1. Tallava April 28, 12:00

    Edhe me 1997, Italia rivalizoi ashper me Austrine . Ju kujtohet besoj ai incidenti i Tritan Shehut me Paolo Forestin.
    Edhe incidenti i Vienes eshte pergatitur nga Naritani, Ambasadori yne ne Rome.
    E njeh mire qeni te zone!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*