Amnezia juridike e gjyqtarëve: Harrojnë pasurinë kur përballen me drejtësinë

June 17, 2016 15:07

Amnezia juridike e gjyqtarëve: Harrojnë pasurinë kur përballen me drejtësinë

Të përballuar me akuza penale dhe hetime administrative, gjyqtarët i shmangen drejtësisë duke përdorur neglizhencën, harresën dhe mosdijen si argumente ligjore për fshehjen e pasurisë.

Elton Qyno BIRN Tiranë

Kryebashkiaku i Kavajës, Elvis Rroshi tentoi t’i rrëshqiste ligjit të dekriminalizimit me argumentin e “kujtesës së shkurtër”. Në formularin e vetëdeklarimit, Rroshi shkroi se kishte qenë i proceduar në Mynih të Gjermanisë para vitit 2002 për arsye që nuk i kujtoheshin.

Megjithatë, një hetim i thelluar i Prokurorisë mbi të shkuarën e tij kriminale e nxorri Rroshin nga amnezia. Kryebashkiaku u akuzua për “falsifikim” të formularit të vetëdeklarimit, pasi kishte fshehur një dënim për përdhunim në grup në Itali dhe dy arrestime të tjera në Zvicër.

Harresa nuk është një manovër e përdorur vetëm nga politikanët, kur bien ndesh me ligjin. Një numër i konsiderueshëm gjyqtarësh e kanë përdorur këtë alibi në proceset e zhvilluara në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Prokurori apo gjykata dhe ia kanë dalë t’u shpëtojnë ndëshkimeve për fshehjen e pasurisë së tyre.

Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka kallëzuar 12 gjyqtarë për veprat penale që lidhen me mosdeklarimin, fshehjen e pasurisë dhe pastrimin e parave gjatë viteve 2014-2015.

Volumi i kallëzimeve përfshin vetëm 3.1 përqind të numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve- 387 në total. Megjithatë, vetëm një nga 12 gjyqtarët e kallëzuar është dënuar në shkallë të parë me 200 mijë lekë gjobë për fshehjen e pasurisë.

Dokumentet e siguruara nga BIRN mbi proceset disiplinore në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, hetime të prokurorisë apo vendime të gjykatave tregojnë se katër nga 11 gjyqtarët e tjerë të kallëzuar për fshehje pasurie kanë përdorur harresën apo neglizhencën si argument për mosdeklarimin e pasurisë së tyre.

Për të katërt, manovra ka rezultuar e suksesshme dhe ka thelluar dështimin e organeve ligjzbatuese për rezultate në parandalimin e krijimit të pasurisë në mënyrë të kundraligjshme.

Ndërkohë, institucionet përgjegjëse për hetimin e pasurisë së zyrtarëve tregtojnë fajin me njëri-tjetrin për nivelin e lartë të pandëshkueshmërisë mes korpusit të gjyqtarëve.

Kreu i ILDKPKI, Shkëlqim Ganaj shprehu pakënaqësi mbi punën e Prokurorisë gjatë një raportimi në Kuvend në fund të prillit 2016. Ai deklaroi se kishte kallëzuar 47 zyrtarë të lartë, mes të cilëve 12 gjyqtarë, “por nuk kishte ende përgjigje për një pjesë të kallëzimeve nga Prokuroria”.

I kontaktuar nga BIRN, këshilltari për mediat i Prokurorit të Përgjithshëm, Albi Serani tha se organi i akuzës ka kryer hetime të thelluara dhe ka dërguar përpara gjykatës disa raste gjyqtarësh për fshehje pasurie.

“Nuk ka asnjë rast që gjykatat shqiptare të kenë vendosur dënimin e gjyqtarëve të pandehur,” tha Serani.

Harresa si argument ligjor

Më 30 shtator 2014, gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu u kallëzua nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive për veprën penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Sipas kallëzimit të ILDKPKI, Aliu nuk kishte deklaruar 41 transferta bankare drejt Italisë si dhe kishte fshehur një llogari bankare në vlerën e 3.1 milionë lekëve dhe një kontratë huaje për blerjen e një apartamenti.

Më 5 nëntor 2014, Prokuroria regjistroi procedimin penal kundër tij dhe e dërgoi çështjen në gjykatë, duke e akuzuar gjyqtarin se kishte kryer jo thjesht mosdeklarim, por fshehje të pasurisë. Prokuroria kërkoi shpalljen fajtor të gjyqtarit dhe dënimin e tij me 1 milion lekë gjobë.

Gjyqtari Aliu u justifikua para gjykatës se transfertat bankare drejt Italisë ia kishte dërguar ish-bashkëshortes, në përmbushje të një vendimi të gjykatës për detyrim ushqimor ndaj fëmijëve.

Për mosdeklarimin e kontratës së huasë për blerjen e apartamentit, të lidhur para një noteri, Aliu pretendoi se “kishte menduar që noteri kryen funksione publike dhe se nuk ka përpjekje për fshehjen e saj”.

Megjithatë, më 13 tetor 2015 gjyqtari Aliu u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës.

Në vendimin që BIRN e disponon, gjyqtari Bedri Qori argumenton se kolegu i tij, Osman Aliu nuk ka kryer veprime me dashje për fshehje pasurie, “por ato kanë ardhur si rezultat i neglizhencës dhe harresës…”

“Për të pasur deklarim të rremë, duhet të plotësohen dy kushte: duhet të ketë deklarim dhe ky deklarim të ketë të dhëna të rreme,” thuhet në vendimin e gjykatës.

“I pandehuri Osman Aliu akuzohet se nuk ka bërë deklarim për llogaritë dhe pasuritë e lartpërmendura, në një kohë që deklarimet që ai ka bërë për pasuritë e tjera janë të sakta dhe te vërteta dhe pa përmbajtje të të dhënave të rreme në to,” shtohet në vendim.

Vendimi i pafajësisë për gjyqtarin Osman Aliu krijon një precedent të ri për zyrtarët që kanë detyrimin të deklarojnë pasuritë e tyre, ku harresa ose neglizhenca përbën argument për shmangien e ligjit.

BIRN kontaktoi Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe prokurorin e çështjes, lidhur me vendimin për gjyqtarin Aliu, por as njëri dhe as tjetri nuk preferoi të bënte komente mbi një vendim të gjyqësorit.

Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, Prokuroria e dërgoi çështjen në Apel, por pafajësia u la në fuqi edhe në shkallë të dytë. Që prej 7 prillit 2016, Prokuroria ka dorëzuar një rekurs në Gjykatën e Lartë për gjyqtarin Aliu, ku çështja është ende në proces.

Gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu bën pjesë në grupin prej 12 gjyqtarësh që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive, ILDKPKI kallëzoi në prokurori në vitet 2014-2015 për fshehje të pasurisë ose pastrim parash.

Para se të gjykohej për fshehje pasurie, gjyqtari Osman Aliu iu nënshtrua edhe një procedimi disiplinor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, pas kërkesës së ish-ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço për shkarkimin e tij nga detyra.

Procesverbali i mbledhjes së KLD, të cilën BIRN e disponon tregon se gjyqtari Aliu u procedua për “cënim të rëndë të integritetit të gjyqtarit” përmes vendimeve të tij të diskutueshme. Aliu u akuzua gjithashtu se qëllimisht nuk përdorte sistemin audio gjatë seancave gjyqësore të drejtuara prej tij.

Në datën 3 mars 2015, në mbledhjen e KLD, gjyqtari Osman Aliu ka deklaruar se vonesa për zbardhjen e vendimeve në kohë dhe moszhvillimi i seancave me rregjistrimin audio ishte bërë për shkak “të harresës, punës së madhe si dhe presionit psikologjik e trysnisë që i kishte shkaktuar procedimi i nisur nga kallëzimi i ILDKP.”

Në të njëjtën mbledhje, anëtarët e KLD rrëzuan kërkesën e ministrit të drejtësisë për shkarkimin e tij nga detyra dhe vendosën kundër tij masën e zbutur të “vërejtjes me paralajmërim për largim nga puna”.

Dhuratat e kripura

Aliu nuk është gjyqtari i vetëm që i ka mbijetuar procedimeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe hetimit pasuror të kryer nga Prokuroria. Çifti i gjyqtarëve Ken Dhima dhe Klorinda Çela u kallëzuan gjithashtu nga ILDKPKI për fshehje të pasurisë, deklarim të rremë dhe mosjustifikim të burimit të pasurisë në pranverën e vitit 2014, por hetimet kundër tyre u pushuan nga Prokuroria.

Dy bashkëshortët, njëri gjyqtar në Gjykatën Administrative të Vlorës dhe tjera në Tiranë u kallëzuan nga ILDKPKI se kishin fshehur një llogari bankare në emër të së bijës si dhe kishin bërë deklarim të rremë për sponsorizime me vlerë 59 mijë euro nga presidenti i një univesiteti privat si dhe një kontratë huaje nga një ish-zyrtar i shtetit.

Pas kallëzimit të ILDKPKI në Prokurori, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço u kërkoi anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë të votonin për shkarkimin nga detyra të Ken Dhimës dhe Klorinda Çelës.

Më 7 korrik 2014 para KLD-së, Dhima u mbrojt me argumentin se as ai dhe as bashkëshortja nuk ishin në dijeninë e llogarisë bankare të së bijës së mitur, ndërkohë që nuk shfaqi asnjë kompleks për dhuratën e kripur prej 59 mijë eurosh, që ai pretendoi se e kishte përfituar nga presidenti i një universiteti privat përgjatë viteve 2008-2011.

Dhima deklaroi para KLD-së se “sponsorizuesi” harxhonte deri në 20 mijë euro në lokale në një natë, ndaj nuk kishte si të mbante mend se “i kish dhuruar atij 20 mijë euro”. Ai shtoi se pranimi i dhuratës nuk e vinte në siklet, pasi njësoj kishin vepruar edhe “politikanë të nderuar”.

“Jo vetëm mua, por u ka dhënë edhe ministrave dhe zv.ministrave, u ka blerë shtëpi. Ç’ne që u dyshokam vetëm unë?” protestoi ai.

I pyetur nga një anëtar i KLD nëse do të pranonte para sërish, nëse ndonjë biznesmen tjetër do të ishte i gatshëm t’ia dhuronte, Dhima u përgjigj pozitivisht pa dilemë.

“Mallkimi më i madh është që të jetë i varfër një njeri. Si s’do t’i pranoj? Çfarë ka? Unë nuk e kam të ndaluar me ligj?” tha ai para KLD.

Anëtarët e KLD-së votuan në shumicë kundër kërkesës së ministrit të drejtësisë për shkarkimin nga detyra të Ken Dhimës dhe Klorinda Çelës.

Pas vendimit të KLD-së, edhe prokuroria pushoi hetimet për bashkëshortët Dhima dhe Çela. Ekspertiza e pasurisë së tyre, sipas një raporti që BIRN e disponon tregon se “dy gjyqtarët i justifikojnë ato me dokumentacion dhe se nuk ka konflikt interesi në dhuratat e përfituara”.

Më herët, një tjetër gjyqtar i kallëzuar nga ILDKPKI për luhatje në pasurinë e tij i shpëtoi hetimit gjitashtu me argumentin e “harresës, moskuptimit apo keqinterpretimit”.

Shyqyri Çobo, gjyqtar në Berat u kallëzua nga ILDKPKI më 8 shkurt 2012 pasi një apartament të blerë për 65 mijë euro e kishte deklaruar në vlerën e 6 milionë lekëve. Gjyqtari u mbrojt para hetuesve me argumentin se mospërputhja e vlerës ishte “një gabim njerëzor”.

Në kallëzim, ai akuzohej gjithashtu se nuk kishte deklaruar një llogari bankare të bashkëshortes, në vlerën e 1.9 milionë lekëve. Gjyqtari u justifikua sërish, me pretendimin se nuk kishte dijeni për këto para të ndara mënjanë nga e shoqja.

Për llogari të këtij hetimi, Prokuroria verifikoi edhe burimin e parave me të cilat gjyqtari kishte blerë apartamentin 120 metra katrorë në Durrës. Gjyqtari deklaroi se kishte marrë disa shuma parash përmes transfertave bankare dhe në rrugë informale nga i biri që punonte prej 10 vitesh si emigrant në Angli.

Policia i konfirmoi Prokurorisë se djali i gjyqtarit nuk kishte hyrë asnjëherë në Shqipëri në vitet 2005-2010. Por e dashura e tij, në llogarinë e së cilës u deklarua se kishin mbërritur 11 mijë paund dhe 15 mijë euro nga Anglia pretendoi se ishte njohur me të në Durrës në vitin 2008, teksa stërviteshin në të njëjtën palestër.

Prokuroria zbuloi se paratë ishin transferuar në vitin 2010, ndërsa llogaria bankare ishte hapur në vitin 2012. Por edhe kjo mospërputhje nuk shërbeu për të regjistruar një procedim penal ndaj gjyqtarit të kallëzuar.

June 17, 2016 15:07
Komento

3 Komente

  1. fteri June 17, 16:26

    A,nuk tregoinë të gjitha këto horrëllëqe të gjykatësve dhe këshillit lartë të drejtësisë se pushteti gjyqësorë ka degjeneruar me këto vjedhje dhe krime të rënda sa duhet të ngrihet trakëmbëshi i varjes në mesë Tiranës ,pra duhet të kthehet dënimi me vdekje.”Harresa ” ose mashtrimi që bëjnë këto zyrtarë të gjykatës duke përfituar shuma marramendëse parashë ose pronash sot janë një kërcënim serjozë PËR POPULLIN SHQIPTAR po nuk u ndërhy shpejtë nga shteti për ti shporrur nga puna dhe për ti kalbur në burgë.Një shoqëri prokurorësh dhe gjykatësish të kurruptuar mashtruesish po u lanë të lirë ,janë një kërcënim serjozë të afta të çorjentoin gjithë popullin .!.

    Reply to this comment
    • perkthyesi June 17, 17:56

      Plotesisht dakord me ju fteri! Rikthimi i denimit me vdekje, eshte bere imperativ i kohes! Pavaresisht se e kemi abroguar ate ligj, do jemi ne qe do e vuajme pafundesisht kete gabim te jashtezakonshem qe kemi bere! Neser do jete vone!

      Reply to this comment
  2. Arben June 18, 12:30

    LITARI, LITAR,

    KJO ESHTE GJUHA NDAJ KRIMINELAVE ME KOLLARE.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*