Ana e panjohur e punëtorëve të varfër në Evropë

November 30, 2017 17:09

Ana e panjohur e punëtorëve të varfër në Evropë

Punojnë, por janë të varfër. Puna në Evropë, prej kohësh nuk është më një barrierë, që të mbron nga varfëria. Në vitin 2007, para fillimit të krizës ekonomike dhe financiare në Evropë 7,9 % e popullatës në gjendje pune (18-vjeç e sipër) konsideroheshin të varfër. Në vitin 2015, niveli është rritur duke shkuar në 9,5% të punëtorëve, që cilësohen në gjendje varfërie. Edhe pse punojnë, niveli i të ardhurave të tyre është më i ulët, ose i barabartë me pjesën tjetër të popullsisë që është e papunë dhe rron me të ardhurat e asistencës së punës, apo të ndihmës sociale.

Kjo është situata që pasqyron studimi i fundit “Varfëria, gjinia dhe cikli jetësor”, i seksionit të kërkimit të Parlamentit Evropian.

Një panoramë trishtuese, që reflekton ndoshta në mënyrë paradoksale, pohimin e psikoanalistit dhe filozofit francez Zherard Milje, mbi pabarazinë e një sistemi, ku propagandohet bindja e mbrojtësve të “skllavërimit modern”, se: “Më mirë është të jesh i nën-paguar dhe i shumë shfrytëzuar, se sa i papunë!”

Që prej vitit 2003, konstaton studimi, një indikator i ri: “rreziku i varfërisë në punë” i është shtuar portofolit të indikatorëve socialë të Bashkimit Evropian, duke njohur faktin që nëse pasja e një pune të qëndrueshme, dukej të ishte parandalimi më i mirë kundër rrezikut të varfërisë, apo ndaj përjashtimit social, tashmë kjo është e pamjaftueshme.

Por, cilët janë punëtorët e varfër në Bashkimin Evropian ?

Në portofolin e indikatorëve socialë të Bashkimit Evropian, indikatori “rreziku i varfërisë në punë” është analizuar sipas karakteristikave profesionale, personale dhe familjare të individëve.

Karakteristikat profesionale, konfirmojnë se të vetë-punësuarit, janë më të ekspozuar ndaj këtij rreziku se të punësuarit; personat që punojnë me kohë të pjesshme, janë gjithashtu më të prekur nga rreziku i varfërisë se, sa punonjësit me kohë të plotë; si edhe personat që kanë njohur një formë paqëndrueshmërie në punësim, shfaqen më të rrezikuar, se sa ata që kanë pasur një punësim të qëndrueshëm në kohë.

Karakteristikat personale, ofrojnë një panoramë ku në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian përqindja e rrezikut të varfërisë në punë, është më e ulët tek femrat (8,7%) se sa tek meshkujt (10,1%); nëse mosha 15-19 vjeç, është më e ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë se, sa ata që janë në moshë më të madhe, asnjë cilësi tjetër nuk shfaqet për grupmoshat e tjera. Përqindja e rrezikut të varfërisë, varet gjithashtu në mënyrë të fortë nga niveli i edukimit. Në vitin 2015, 18,9% e punonjësve të varfër, gjendeshin tek më pak të diplomuarit, kundrejt 4,6% për personat e diplomuar me arsim të lartë.

Karakteristikat familjare, tregojnë se në një shumicë të konsiderueshme në vendet e Unionit, përqindja e varfërisë është më e lartë tek individët, që jetojnë në familje vetëm me një prind (19,9%) se në çfarëdolloj tjetër përbërje familjare; ky rrezik i varfërisë në gjendje pune, po si edhe rreziku i varfërisë apo përjashtimi social, rritet me rritjen e numrit të fëmijëve në ngarkim për familje. Tek përbërja familjare, pasja e një rroge të ulët, është një faktor përcaktues i varfërisë në punë. Shumica e personave në rrezik varfërimi kanë një pagesë të ulët, por se, pak punëtorë me rrugë të ulët vuajnë nga varfërimi në gjendje pune. Kjo, pasi ndikimi i rrogave të ulëta mbi rrezikun e varfërimit në punë, varet shpesh nga përbërja familjare. Pra, nëse personi me të ardhura të ulëta është burimi i vetëm i të ardhurave në një familje të përbërë me shumë persona në ngarkim, rreziku është i lartë. Por, nëse personi me të ardhura të ulëta është mbështetja e dytë në familje dhe puna e tij shërben si plotësues i të ardhurave familjare, rreziku është i ulët.

Teksa studimi konfirmon se, në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian kemi rritje të rrezikut të varfërisë tek individët e punësuar, ky nivel varfërie ndryshon në mënyrë të konsiderueshme nga një shtet anëtar tek tjetri, duke kaluar nga 3,5% në Finlandë dhe 4% në Republikën e Çekisë, në 13,1% në Spanjë, 13,4% në Greqi dhe 11,8% në Rumani. Por, rritje kanë pësuar edhe vende si Hungaria, Lituania, Qipro dhe Letonia. Ndërkohë që mos kryerja e studimeve, vlerësohet se rrit riskun e të pasurit të ardhura të ulëta dhe ul probabilitetin e sigurimit të punës. Studimi konfirmon se, me përjashtim të Finlandës, roli i arsimimit është përcaktues në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian. Në Rumani, dallimet në lidhje me arsimimin shfaqen më të mëdha: 37,6% e personave që kanë nivel arsimimi të ulët, vuajnë nga varfërimi në gjendje pune, kundrejt më pak se 1% të atyre që kanë kryer studime të larta.

Vëmendje në këtë studim, tërheq Britania e Madhe.

Një në tetë punëtorë në Britaninë e Madhe (3,8 milionë punëtorë, 2014-2015) jeton në varfëri. Kështu, 7,4 milionë persona (ndër të cilët 2,6 milionë fëmijë) janë në situatë varfërie, edhe pse bëjnë pjesë në një familje ku njëri prej të rriturve punon. Kjo, përfaqëson 55% të popullatës në rrezik varfërimi, apo përjashtimi social në Britaninë e Madhe (13,5 milionë persona, pra 21% e popullsisë britanike), sipas raportit të fundit vjetor mbi gjendjen e kombit (Monitorimi i Varfërisë dhe Përjashtimit Social, 2016).

Studimi thekson se, që prej vitit 2010-2011, nëse përqindja e varfërisë shfaqet e qëndrueshme me rimarrjen ekonomike dhe atë të punësimit, varfërimi në gjendje punësimi është rritur me 1,1 milion persona. Rritje kjo, e provokuar nga kriza e strehimit në Britaninë e Madhe, në veçanti me koston e lartë në dhënien e shtëpive me qira, të sektorit privat. Raporti konstaton se, numri i personave që jetojnë në varfëri dhe banojnë në një shtëpi me qira është dyfishuar brenda një dekade, duke kaluar nga 2,2 milionë persona në vitin 2004-2005 në 4,5 milionë në vitin 2015. Më shumë se 3/4 (73%) e personave që kanë të ardhura të ulëta dhe banojnë në shtëpi me qira, i kushtojnë më shumë se një të tretën e të ardhurave të tyre, strehimit.

Si të luftohet varfëria ?

Një sërë faktorësh identifikohen të kenë një rol shpjegues në përqindjen e varfërisë në gjendje pune si: përqindja mesatare e rrezikut të varfërisë në tërësinë e popullatës; struktura e punësimit (punë me kohë të plotë/me kohë të pjesshme; struktura e përbërjeve familjare; pabarazitë e rrogave mes gjinive; qasja e pabarabartë në tregun e punës; rregullimi i tregut të punës dhe politikat sociale dhe fiskale, etj.

Studimi thekson se punëtorët e varfër janë shpesh të lidhur me imazhin e një personi pak të kualifikuar dhe të keq-paguar, në vende pune të pasigurta. Si rrjedhojë, politikat që synojnë të zvogëlojnë varfërinë në gjendje punësimi, shënjestrojnë shpesh vetë punëtorët, siç është p.sh. rritja e rrogës minimale. Megjithatë, shumica e punonjësve relativisht të keq-paguar nuk jetojnë në banesa të varfra, pasi shpesh janë pjesë e familjeve, që kanë disa burime të ardhurash. Kjo shikohet edhe si një arsye se pse, në shumicën e vendeve anëtare politikat e tyre synojnë në mënyrë specifike të luftojnë kundër varfërimit në punë. Por, qeveritë evropiane kanë vënë në zbatim masa të drejtpërdrejta të luftës ndaj varfërimit në gjendje punësimi dhe instrumente  që kanë një ndikim të drejtpërdrejtë mbi të ardhurat dhe situatën sociale të familjeve të varfra. Dhe masat kryesore të drejtpërdrejta të përdorura në vendet anëtare për të zbehur varfërinë në gjendje punësimi janë rroga minimale dhe rroga e përshtatshme, taksimi dhe kuotizacionet sociale, përfitimet familjare dhe asistenca sociale, si edhe përfitimet e lidhura me punësimin.

Lufta kundër varfërisë në gjendje punësimi bën pjesë tek objektivat e përgjithshme e Strategjisë Evropiane 2020: të reduktohet me të paktën 20 milionë numri i personave të prekur nga varfëria dhe përjashtimi social deri në vitin 2020, cilido të jetë statusi i tyre në raport me punën. Ndërsa në rezolutën e 24 tetorit 2017, “ Mbi Politikat në fushën e të ardhurave minimale si instrument i luftës ndaj varfërisë”, Parlamenti Evropian i ftoi vendet anëtare të venë në jetë sisteme të përshtatshme të të ardhurave minimale, të shoqëruara me masa ndihme të rikthimit në punësim dhe të programeve të edukimit dhe të formimeve të përshtatshme me situatën personale dhe familjare të përfituesve, me synim mbështetjen e familjeve, të ardhurat e të cilave janë të pamjaftueshme dhe t’ju garantohet një nivel i denjë jetese.

DITA

November 30, 2017 17:09