Ana: Fëmijët janë rrezet e diellit më 14 mars

Gazeta DITA March 15, 2013 09:51

Ana: Fëmijët janë rrezet e diellit më 14 mars

Ndryshe nga sa ndodhte jashtë, ku nëpër rrugët e Tiranës shiu nuk kishte të ndalur, fëmijët jetimë të fshatit SOS kanë përjetuar emocione të veçanta në aktivitetin festiv të organizuar enkas për ta, me rastin e Ditës së Verës. Me angazhimin e gjithë stafit të tij hotel “Rogner Europark”, me në krye menaxheren Ana Maria Taçe, ka ofruar për fëmijët e këtij fshati një atmosferë festive, duke sjellë në zemrat  tyre rrezet e munguara të diellit që simbolizon në të vërtetë edhe festa e “Ditës së Verës”.

Sapo iu afruam dyerve të hotel “Rogner”-it, vumë re se madhështinë e tij e kish pushtuar gumëzhima e të qeshurave të fëmijëve jetim të fshatit SOS. Për pak orë 90 fëmijët e këtij fshati kanë mundur të shijojnë numrat argëtues dhe muzikën e përzgjedhur me kujdes nga organizatorët, duke i bërë ata të ndihen të rëndësishëm dhe në qendër të vëmendjes. Nën tingujt e muzikës fëmijët kanë kërcyer, kanë kënduar dhe kanë mundur të provojnë gatimet e veçanta, pavarësisht reshjeve të shumta të shiut që si rrallë ndonjëherë e kanë shoqëruar përgjatë gjithë ditës festën e “14 Marsit”.

Nuk ishte e nevojshme t’i pyesje se si ndiheshin, se dukej fare qartë se sa shumë po dëfrenin, po shijonin lojërat dhe kërcimin, çka bëri që për një çast ata ta harrojnë fatkeqësinë e tyre.  ndërkohë që kanë qenë të shumtë edhe sytë e kureshtarëve që janë afruar për të parë gjallërinë dhe gëzimin që shndriste në sytë e këtyre fëmijëve.

Mbështetja për këta fëmijë nuk është ndalur vetëm me aktivitetin festiv të realizuar në ambientet e këtij hoteli, ku fëmijët kanë mundur që të shijojnë edhe ushqime të veçanta të përgatitur me shumë dashuri dhe kujdes për ta. Me ndihmën e marrë edhe nga frekuentuesit e hotelit, si dhe sipërmarrësve të ndryshëm është bërë e mundur që të mblidhen dhe shumë dhurata, si: lodra, veshje dhe ushqime, të cilat u janë dërguar fëmijëve pranë qendrës së tyre të banimit në ambientet e fshatit SOS.

Duke u ndalur tek rëndësia e këtij eventi, menaxherja e marketingut Ana Maria Taçe u shpreh:  “Duke qenë se koha nuk ka qenë shumë premtuese për të festuar në ambientet e jashtme, sikur e do dhe tradita, u mendua që të organizohej një festë e veçantë, e cila për një ditë të vetme i vuri në qendër të vëmendjes këta fëmijë, të cilët gjithnjë e më shumë kanë nevojë për dashurinë dhe mbështetjen tonë si shoqëri”.

Sipas saj, është e nevojshme që të gjithë sipërmarrësit në vend të sensibilizohen e të surprizojnë çdo ditë këta fëmijë, pasi vetëm në këtë formë ata do të mund të marrin dashurinë e munguar të një familjeje të madhe. Ajo që vlen për t’u theksuar, është edhe fakti se fatmirësisht shqiptarët janë bërë më të ndjeshëm kundrejt këtij grupi fëmijësh, pasi në festa të ndryshme, sikundër ishte dhe dita e djeshme, kanë zgjedhur që me ndihmën e tyre të jenë pranë këtyre fëmijëve për të dhënë më shumë ngrohtësi, përkujdesje dhe dhurata.

Ana thotë se “këtë vit hotel “Rogner” nuk preferoi që këtë vit, sikundër ka ndodhur në vitet e shkuara, të organizonte një event për klientët e vet, por diçka shumë më të bukur. Nëpërmjet këtij organizimi ne ftuam të gjithë fëmijët e fshatit SOS të kalojnë disa orë të këndshme në ambientet e hotelit, ku i gjithë stafi ynë u vendos në dispozicion të tyre, duke i surprizuar që në hyrje me një dekor shumë festiv të mbushur me lule natyrale shumëngjyrëshe, me tullumbace, me banketin e pasur me ëmbëlsira dhe me një grup animatorësh që nuk pushuan së zhvilluari numra argëtues dhe lojëra të shumta për mysafirët e vegjël.

“Duke parë buzëqeshjet në fytyrën e tyre, ne kuptuam se sa nevojë kishin këta fëmijë për mbështetjen dhe dashurinë tonë. Edhe pse kjo ditë jashtë shoqërohej nga shiu dhe vetëtimat, prania e këtyre fëmijëve në ambientet tona shkëlqente si rrezet e diellit”.

 

 

Gazeta DITA March 15, 2013 09:51
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*