A është bllokimi i integrimit të Maqedonisë së Veriut, një ngjarje e rastësishme?

January 16, 2021 12:33

A është bllokimi i integrimit të Maqedonisë së Veriut, një ngjarje e rastësishme?

 

Nga Shaqir  Vukaj

Botuar në DITA

Sipas një vendimi të muajit mars të vitit kaluar, BE do të diskutonte në dhjetor për hapjen e bisedimeve për pranimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Më 17 nëntor në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të vendeve të BE, ministrja e Jashtme e Bullgarisë Zaharieva shpalli veton bullgare për caktimin e një date të Konferencës Ndërqeveritare të BE me Maqedoninë e Veriut (Ajo deklaroi se përkrahte përcaktimin e një date për Shqipërinë). Me pretekstin e mosmarrëveshjeve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, bisedimet u shtynë për më vonë, por pa caktuar datën. Preteksti duhet kërkuar tek   “Problemi maqedonas”, problem i vjetër e i komplikuar që ka sjellë shumë mosmarrëveshje e marrëveshje, ngatërresa, luftëra, komplote, falsifikime  …..

Po t’i referohemi historisë ky është problem i vjetër dhe jo si flasin e shkruajnë disa gazetarë, analistë e diplomatë, se ai ka lindur me krijimin e Federatës Jugosllave, kur Maqedonia u shpall Republikë.

Problemi i vetidentifikimit të popullit maqedonas, në hapësirën gjeografiko-historike të Maqedonisë është i vjetër, por ai u intensifikua në periudhën e Krizës Lindore, në fund të shekullit të XIX, duke u kthyer në “mollë sherri” për Ballkanin e më gjerë, në radhë të parë midis sllavëve të Jugut, dhe midis tyre e Greqisë.

Në të gjitha projektet për ndërtimin e Ballkanit të ardhshëm (“projekti grek” i formuluar nga Ekaterina e Dytë e Rusisë, “projekti serb” i Garashaninit (Naçertanie), “projekti bullgar” i Shën Stefanit), secili përfshinte brenda kufijve të vet, sa më shumë territore të kësaj  hapësire gjeografike, pa kufij të caktuar, të quajtur Maqedoni. Secili në planet e programet e hartuara, vendoste brenda kufijve të vet territore e pjesë të Maqedonisë sipas dëshirës e interesave të momentit, që në ç’do rast shkaktonte probleme e mosmarrëveshje midis tyre.

Pikërisht këto mosmarrëveshje e grindje, që disa herë kanë çuar në konflikte të armatosura, janë bërë shkak për krijimin e termit “problemi maqedonas”, siç njihet në politikë e historiografi. Dhe ky problem, me të gjitha pasojat e veta ka qenë shkak e pretekst për zhvillime të rëndësishme ballkanike, të paktën që nga traktati i Shën Stefanit (v.1878), në luftërat midis bullgarëve e serbëve, në Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913, për aleancat e Bullgarisë me Gjermaninë në Luftën e Parë e te Dytë Botërore, për acarimin e marrëdhënieve midis Partive Komuniste Jugosllave e Bullgare, për propozime e projekte të ndryshme për krijimin e Federatës Ballkanike, për presione të herëpashershme të Moskës mbi Beogradin, për qëndrimin grek e pengesat për mos pranimin e Maqedonisë në NATO, BE e tani së fundi për zgjerimin e BE në Ballkanin Perëndimor  etj.

Në të kaluarën e largët, kjo hapësirë gjeografike e quajtur Maqedoni i ndryshonte kufijtë në vartësi me ndryshimet politike e pushtimet e ndryshme dhe asnjëherë kufijtë politikë të saj nuk korrespondonin me ato gjeografikë. Për shembull, kur ajo ishte provincë bizantine, shtrihej deri në thellësi të kufijve të sotëm të Turqisë,  me kryeqytet  Edrenenë. Kur u bashkua me Trakinë, ajo shtrihej nga Deti i Zi deri në Detin Marmara.

Brenda kufijve të kësaj krahine jetonin popuj të ndryshëm, por ajo që është e rëndësishme, pavarësisht nga përzierjet në zonat kufitare, apo në porte, siç është rasti i Selanikut, ata, në shumicë jetonin në bashkësi etnike. Edhe sllavët e ardhur në këto rajone mbas shekullit të shtatë, janë vendosur kryesisht në masa kompakte.

Lidhur me identifikimin etnik të popullsisë sllave që jetonte aty, shpreheshin mendime e pikëpamje të ndryshme, që çonin në mosmarrëveshje e deri në armiqësi. Lidhur me sllavët që jetonin aty, dominonin tri pikëpamje se ata janë maqedonas, bullgarë ose serbë. Në Greqi ekzistonin edhe teori të tilla se ata janë grekë të sllavizuar…

Bizantinët, në kohën e tyre e konsideronin këtë rajon të populluar me bullgarë. Ky term u përdor edhe mbasi Stefan Dushani pushtoi këto rajone. Por, në burimet bizantine haset edhe termi “maqedonas”.

Duke ju referuar materialeve e dokumenteve të ndryshme rezulton se deri vonë, për banorët e kësaj krahine, më shumë është përdorur emri bullgarë, gjë që sigurisht shpjegohet me një seri faktorësh. Kështu lidhjet e hershme midis bullgarëve e maqedonasve, të kushtëzuara qoftë nga vazhdimësia territoriale, prejardhja sllave, afërsia gjuhësore, etnografike etj. qoftë nga qenia e Maqedonisë për shumë kohë nën sundimin e shteteve bullgare, feja e njëjtë, qenia bashkërisht për gati pesë shekuj brenda Perandorisë Osmane, përfshirja në shumë raste në të njëjtën ndarje administrative, zhvillimi afërsisht në të njëjtën kohë i marrëdhënieve kapitaliste në Bullgari e Maqedoni  etj. kanë bërë që në shumë materiale, qoftë osmane, qoftë të vendeve të tjera, pa përmendur ato bullgare,  emri maqedonas identifikohej me atë bullgar

Edhe më e dukshme u bë kjo gjatë dhe mbas Krizës Lindore, të fundit të shekullit XIX, kur Rusia, për shumë arsye e kishte përqendruar vëmendjen në Ballkan, historia e të cilit, sipas shumë politikanëve rusë ishte “vazhdim i historisë së Rusisë”. Pikërisht në këtë periudhë, kur shihej se Perandoria Osmane ishte në grahmat e fundit, Rusia, duke shfrytëzuar sllavizmin dhe ortodoksinë, llogariste se krijimi i shteteve ballkanike nën influencën e saj dhe të lidhura me të, do të ishte mënyra më e mirë për realizimin e  qëllimeve të saj.

Ky ishte dhe qëllimi kryesor i Traktatit të Shën Stefanit i v.1878 që Rusia i imponoi Perandorisë Osmane. Sipas këtij Traktati, Rumania, Serbia dhe Mali i Zi shpalleshin shtete të pavarura, Greqia mbetej siç ishte, shtet i pavarur, por brenda kufijve të mëparshëm.

Për shumë arsye, Peterburgu llogariste, se krahas tjerëve, Bullgaria do të ishte vendi më i përshtatshëm për realizimin e qëllimeve të saj, prandaj, në Shën Stefan, ajo krijoi “Bullgarinë e Madhe”, me sipërfaqe 183 mijë km katrorë, që shtrihej nga Danubi deri në detin Egje, dhe nga deti i Zi deri në liqenin e Ohrit, duke përfshirë brenda territore të tëra shqiptare, deri edhe Korçën, Bilishtin, Pogradecin, Peshkopinë, Dibrën, pa fol për tokat tjera të Shqipërisë Lindore, Strugën, Kërçovën, Gostivarin, Tetovën, Kaçanikun etj.)

Ky Traktat mbeti në letër, sepse kundër tij u ngritën jo vetëm  Fuqitë e Mëdha  (Anglia e Austro-Hungaria) por edhe Serbia, Rumania, Greqia si dhe banorët e Turqisë Evropiane, ç’ka çoi në mbajtjen e Kongresit të Berlinit (v.1878). Ky Kongres, krahas tjerave, vendosi për zvogëlimin në një të tretën të sipërfaqes së Bullgarisë të Shën Stefanit duke e lënë një principatë nën sovranitetin e Stambollit. Territoret e Maqedonisë dhe Shqipërisë Lindore, që sipas Shën Stefanit i jepeshin Bullgarisë, do të mbeteshin nën sundimin e Turqisë.

Nga ky Kongres mbetën të pakënaqur të gjithë vendet e popujt ballkanikë, por në mënyrë të veçantë Bullgaria, sepse prishi “kufijtë bullgarë” të Shën Stefanit. Në Berlin u gropos edhe ideja e një federate serbo-bullgare, për të cilën ishte përpjekur Rusia. Aty u zyrtarizuan ngatërresat e filluara në Shën Stefan për Maqedoninë….

Pikërisht pretendimet e dy palëve ndaj Maqedonisë, sollën ashpërsimin e marrëdhënieve serbo-bullgare që çuan në luftë midis tyre në v.1885, ku ushtria bullgare shpartalloi ushtrinë serbe dhe vetëm ndërhyrja e Rusisë dhe Austro–Hungarisë e shpëtoi Beogradin nga pushtimi bullgar.

Tërheqë vëmendjen fakti se mbas kësaj periudhe u krijuan rrethe dhe shoqata revolucionare maqedonase,  filloi të përdorej gjithnjë e më shumë parulla “Maqedonia e maqedonasve”, që u shpall për herë të parë në vitin 1880 nga Kuvendi Kombëtar i Maqedonisë. Në vitin 1897 Kryeministri i Britanisë së Madhe, Gadston, duke shfrytëzuar këtë parullë, propozoi krijimin e Federatës së vogël ballkanike të përbërë nga Maqedonia, Bullgaria dhe Serbia. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX lindën dhe u krijuan shumë organizata maqedonase që mbështesnin parullën “Maqedonia e maqedonasve”. Kështu edhe kryetari i Partisë Social Demokrate Bullgare, Bllagojevi, në vitin 1905 duke i qëndruar parullës “Maqedonia e maqedonasve”, propozonte krijimin e federatës ballkanike, si e vetmja rrugë për zgjidhjen e problemit maqedonas, ku të përfshiheshin të gjitha vendet dhe popujt e Ballkanit.

Lufta ruso-turke e v.1911 tregoi haptazi dobësinë e Turqisë, gjë që përforcoi mendimin tek drejtuesit e Serbisë, Bullgarisë e Greqisë se kishte ardhur momenti të përfitonin secili për vete, për krijimin e “Serbisë së Madhe”, “Bullgarisë së Madhe” dhe “Greqisë së Madhe”, nëpërmjet pushtimit të Maqedonisë dhe territoreve shqiptare.

Marrëveshja për Miqësi dhe Aleancë midis Serbisë dhe Bullgarisë, që ishte hapi i parë për krijimin e Aleancës Ballkanike, kishte një shtojcë sekrete, që përcaktonte si do të ndaheshin territoret që do i merreshin Turqisë. Sipas saj, Serbia i njihte Bullgarisë të drejtën mbi Trakinë, ndërsa Bullgaria i njihte Serbisë të drejtën mbi vilajetin e Shkodrës, Kosovës si dhe mbi sanxhakun e Novipazarit. Problemi më i mprehtë ishte ai i ndarjes së hapësirës ballkanike pa kufij të përcaktuar qartë, Maqedonisë, ndaj së cilës, të dyja palët, krahas Greqisë, kishin pretendime,  përfshij dhe një pjesë të Shqipërisë Lindore.

Megjithëse u arrit një lloj marrëveshje për ndarjen e saj, (që nuk ishte përfundimtare), kur u diskutua për ndarjen e tokave shqiptare, që padrejtësisht i përfshinin brenda Maqedonisë, ata nuk u morën vesh. Tokat  shqiptare, me popullsi dominuese shqiptare u quajtën “zonë e diskutueshme” dhe dy palët ranë dakord që mbas lufte, vendimin përfundimtar për kufirin serbo-bullgar në këtë pjesë të Ballkanit, ta merrte Cari i Rusisë!

Aleanca ballkanike ku u përfshin Greqia dhe Mali i Zi, në tetor 1912 i shpalli luftë Turqisë, dhe brenda një kohe të shkurtër, me përjashtim të Shkodrës, Janinës dhe Adrianopojës, ushtritë e këtyre vendeve pushtuan të gjitha zotërimet europiane të Turqisë. Kështu Serbia pushtoi Maqedoninë Qendrore dhe Veri-Perëndimore si dhe një pjesë të Shqipërisë Lindore, Greqia pushtoi Maqedoninë e Egjeut, ndërsa Bullgaria (që kishte ushtrinë më të madhe me rreth 700 mijë vetë), duke thyer rezistencën e ushtrisë turke, iu afrua shumë Stambollit. Meqë ajo kishte sulmuar në drejtim të kundërt me Maqedoninë, asaj i “mbeti” vetëm një pjesë e vogël e saj e quajtur Maqedonia e Pirinit.

Problemi i ndarjes së Maqedonisë i ashpërsoi shumë marrëdhëniet midis shteteve ballkanike. Në këto kushte, kur asnjëra palë nuk tërhiqej nga zonat e pushtuara, ushtria bullgare sulmoi trupat serbe që ndodheshin në Maqedoni, ç’ka shënoi dhe fillimin e Luftës Dytë Ballkanike, ku krahas Serbisë u përfshin Greqia, Mali i Zi, Rumania dhe Turqia, dhe që përfundoi me shpartallimin e plotë të ushtrisë bullgare. Në këto kushte, ajo kërkoi paqe, dhe sipas Marrëveshjes së Paqes, të nënshkruar në Konstantinopojë, Bullgaria i humbi të gjitha territoret e fituara në Luftën e Parë Ballkanike. Kështu Maqedonia u nda në mes të Serbisë edhe Greqisë, por të dyja, u zgjeruan edhe në kurriz të tokave shqiptare… (Serbia nga 48.3 mijë km katrorë arriti në 87.3 mijë km katrorë).

Maqedonia u nda afërsisht sipas zonave të pushtimit. Serbia mori pjesën veriore  e qendrore të Maqedonisë, deri në Liqenin e Ohrit, (Maqedonia Vardare, me rreth 25 mijë km. Katrorë, por ku përfshiheshin dhe territore shqiptare me popullsi dominuese shqiptare), Greqia mor pjesën jugore, së bashku me portet e Selanikut dhe Kavallës ( Maqedonia e Egjeut, rreth 34 mijë km. katrorë), ndërsa  Bullgaria mori atë që quhej Maqedonia Pirine  (rreth 6500 km. katrorë).

Bullgaria duke i konsideruar të padrejta këto vendime, iu drejtua Fuqive të Mëdha, por ato e quajtën të drejtë ndarjen e Maqedonisë…..Kjo periudhë përkoi me Konferencën e  Londrës ku Europa  masakroi trojet e popullsinë shqiptare, duke i lenë Serbisë Kosovën dhe  një pjesë të Shqipërisë Lindore, Greqisë rajone të tëra të banuara me shqiptarë etj. …

Tri Maqedonitë ecën në rrugë të ndryshme. Greqia ndoqi politikën e greqizmit të Maqedonisë së Egjeut, duke përdorur të gjitha mënyrat, kryesisht nëpërmjet këmbimit të popullsive, (sipas marrëveshjes së Lozanës të v.1923 nga Turqia, kanë shkuar në Greqi 600-700 mijë grekë që i kanë vendosur kryesisht më Maqedoninë e Egjeut) dhe Bullgarinë (nga Bullgaria kanë shkuar në Greqi rreth 90 mijë grekë). Si rezultat i kësaj politike u arrit që në mes të viteve 30-të, popullsia greke në Maqedoninë e Egjeut, të rritej nga 25 për qind në 80 për qind.

Serbia e më vonë Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene ndoqi një politikë tjetër ndaj kësaj pjese të Maqedonisë që e konsideronte si “Serbi e Jugut”. Me që nuk pati sukses në politikën e asimilimit e kolonizimit, për të shkëputur çdo lidhje me Bullgarinë, jo vetëm i ndërroi emrin, duke e emërtuar Banovina e Vardarit, por ju vu me të gjitha forcat “maqedonizimit” të saj në të gjitha fushat, historike, etnike, gjuhësore, kulturore etj. Edhe mbas Luftës Dytë Botërore, Jugosllavia Federative ndoqi të njëjtën politikë, madje “maqedonizimi” u ligjërua me Kushtetutë. Kështu gjithçka u quajt maqedonase duke filluar nga institucionet shtetërore. Me kushtetutën Jugosllave dialekti që flitet aty u njoh si gjuhë maqedonase etj. Madje edhe Kisha Maqedonase në vitin 1964 u shpall Autoqefale.

Në Bullgari, deri në luftën e Dytë Botërore nuk vihej në diskutim problemi i popullsisë së Maqedonisë së Pirinit. Ajo ishte tokë bullgare dhe banohej nga bullgarë, por siç do të themi më poshtë, mbas lufte, udhëheqja bullgare ndryshoi qëndrim disa herë….

Siç thamë më, sipër, duke filluar nga Traktati i Shën Stefanit, bashkimi i Maqedonisë me Bullgarinë u bë ëndrra dhe qëllimi i të gjitha qeverive e politikanëve bullgarë, dhe sipas shumë studiuesve, pikërisht kjo ka qenë ndër arsyet që Bullgaria  u bë aleate e Gjermanisë deri në v.1944.

Në përfundim të Luftës Parë Botërore, Bullgaria, jo vetëm nuk doli në kufijtë e vet “historiko-etnikë”, por asaj ju morën edhe rreth 11 mijë km katrore duke ja dhënë Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, Greqisë dhe Rumanisë. Megjithatë, Maqedonia Pirine u la brenda territorit bullgar.

Duke ndjekur të njëjtën politikë për krijimin e Bullgarisë së Shën Stefanit, me ardhjen Hitlerit në fuqi, Sofja i forcoi edhe më shumë marrëdhëniet me Gjermaninë. Në takimin e Hitlerit me Car Borisin në dhjetor të v. 1940, ai i premtoi Carit bullgar ndihmën e vet për realizimin e “idealeve kombëtare bullgare”. Bullgaria pranoi përfshirjen e saj në Bosht, sipas së cilës ajo lejonte hyrjen e trupave gjermane në territorin bullgar, dhe si shpërblim do të merrte territore të tëra nga Jugosllavia dhe Greqia.

Kjo periudhë shënon një etapë të re në historinë e Maqedonisë. Mbas pushtimit të Jugosllavisë nga Gjermania, në instruksionin e prillit të v.1941 mbi copëtimin e Jugosllavisë, thuhet, se “territoret e banuara nga “maqedonas bullgarë” i kalojnë Bullgarisë”. Më 17 prill trupat bullgare u futen në territorin jugosllav dhe pushtuan një pjesë të mirë të territorit të Maqedonisë Vardare  (Tokat shqiptare me popullsi shqiptare ju dhanë Italisë në kuadrin e krijimit të “Shqipërinë Etnike”). Në të njëjtën ditë, trupat bullgare u futen në pjesën lindore të Maqedonisë së Egjeut duke dalë në detin Egje.

Në këtë mënyrë, me ndihmën e Gjermanisë Naziste, për herë të parë në historinë e shtetit modern bullgar u “realizua” ëndrra e Shën Stefanit (jo plotësisht) për bashkimin e Maqedonisë me Bullgarinë.

Në të gjitha tokat e pushtuara u vendos regjimi administrativ bullgar. Në këtë kuadër u mohua krejtësisht kombësia maqedonase. Maqedonasve ju dha shtetësi bullgare, në shkolla u fut gjuha bullgare duke e konsideruar maqedonishten si dialekt të gjuhës bullgare etj.

Pavarësisht si u realizua “bashkimi”, qeveria bullgare i shfrytëzoi me kujdes të gjithë faktorët që kishin ndikuar në afrimin e dy popujve (maqedonas e bullgar) si zakonet, traditat, afërsinë e gjuhës, lidhjet e forta historike, mbështetjen që maqedonasit kishin gjetur historikisht në Bullgari etj. Një faktor tepër i rëndësishëm që udhëheqja bullgare e shfrytëzoi me zgjuarsi ishte  urrejtja që ishte krijuar ndaj nacionalistëve serbë, të cilët që me pushtimin e Maqedonisë, kishin ndjekur një politikë shtypje, diskriminimi e asimilimi ndaj maqedonasve.

Të gjitha këto bënë që fillimisht të mos kundërshtohej ky “bashkim”, madje të gjente dhe një farë mbështetje e përkrahje tek popullsia maqedonase, dhe pushtimi bullgar të diferencohej nga pushtimi gjerman i pjesëve të tjera të Jugosllavisë.

Qëndrimet e ndryshme,  mosmarrëveshjet e kontradiktat midis Sofjes, Beogradit e Athinës, për problemin maqedonas, sigurisht që kishin ndikimet e veta edhe në qëndrimet e Partive Komuniste, që me përfundimin e luftës, përgatiteshin të vinin në pushtet.  Secila nga këto parti, në një formë apo në tjetrën, ndiqte vijën politike të qeverisë së vendit të vet, duke ju kundërvënë njëra tjetrës, madje duke i acaruar marrëdhëniet deri në atë shkallë, sa është dashur  ndërhyrja e Kominternit.

PKBullgare, nuk e përkrahte hapur parullën e “bashkimit” të Maqedonisë me Bullgarinë në atë mënyrë siç ishte bërë, madje e dënonte këtë rrugë për zgjidhjen e “problemit maqedonas”, por direkt ose indirekt mbështeste pikëpamjen se maqedonasit janë bullgarë, duke ju kundërvënë qëndrimit të Kominternit, i cili që në v.1934, kishte njohur kombin dhe gjuhën maqedonase. PK Jugosllave shprehej qartë për maqedonasit si komb i veçantë. Pikërisht këto qëndrime të ndryshme, kanë çuar në mosmarrëveshje gjatë gjithë kohës së luftës Dytë Botërore midis dy partive komuniste, që në forma të ndryshme do të vazhdonin për shumë dekada edhe mbas lufte midis dy shteteve socialiste, Bullgarisë e Jugosllavisë. Edhe PK Greke mbante të njëjtin qëndrim si Athina zyrtare, se komb maqedonas nuk ekziston.

Pa mbaruar lufta, në dhjetor të v.1943 në mbledhjen e dytë të AVNOJ-it, u përcaktua krijimi i Jugosllavisë Federative, ku Maqedonia Vardare do të ishte një ndër gjashtë republikat e saj.

Menjëherë mbas përfundimit të luftës, udhëheqja jugosllave doli me pretendime të hapura ndaj territorit bullgar, duke i kërkuar udhëheqjes bullgare që, mbi bazën e vendimeve të AVNOJ-it, krahina e Bllagojevgradit (Maqedonia Pirine) duhej të bashkohej me Maqedoninë Vardare, pra me Jugosllavinë.

Udhëheqja bullgare e asaj periudhe e shikonte të mundshëm bashkimin e Maqedonisë Pirine me atë Vardare (pra Republikën e Maqedonisë) por me kusht që kjo të bëhej në kuadrin e krijimit të Federatës së Sllavëve të Jugut.

Ideja e krijimit të një Federate Ballkanike, ishte e vjetër, dhe ka lindur në atë periudhë, kur shtetet e reja ballkanike kishin dalë me pretendime, jo vetëm ndaj tokave të perandorisë turke në shpërbërje e sipër, por edhe ndaj njëri tjetrit. Në kuadrin e varianteve të ndryshme për organizimin e saj (ishin hedhur shumë ide e propozime, por dominonte ajo e një Federate të Sllavëve të Jugut) ishte propozuar dhe organizimi i një federate mbi bazën e Maqedonisë historiko-gjeografike. Varianti federativ maqedonas kishte si qëllim, në radhë të parë, neutralizimin e pretendimeve të Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë ndaj hapësirës gjeografiko-historike maqedonase, ku secili vazhdonte ti “ngulte kufijtë” sipas interesave të veta….

Moska, që e llogariste Ballkanin si zonë të influencës së vet mbas lufte, në kuadrin e organizimit të tij, i jepte një rëndësi të veçantë problemit të Maqedonisë. Kështu, në v.1942 ajo kishte ngritur një grup pune për studimin e këtij problemi e në funksion të tij edhe të ndërtimit të Ballkanit mbas lufte. Megjithatë, që në hyrje thuhej se problemi i Maqedonisë kërkon “shqyrtim të veçantë”. Sipas dokumentit të përgatitur nga ky grup, Maqedonia duhej parë si “një territor i ndarë artificialisht i një populli të ndryshëm nga popujt e tjerë, i cili po të ruhej në këtë mënyrë, do vazhdonte të ishte një vatër e rrezikshme për konflikte ballkanike”. Në dokument flitej edhe për domosdoshmërinë e rikthimit të Jugosllavisë dhe Greqisë në kufijtë e para luftës  (ashtu siç vendosën më vonë  Treshja e Madhe,  Rusvelti, Stalini e Çërçilli)

Që në tetor të v.1943, J.B.Tito kishte riformuluar idenë e krijimit të Federatës së Sllavëve të Jugut (Jugosllavi – Bullgari), ku kishte përgatitur edhe një thirrje të posaçme për bashkim me ta edhe për grekët dhe shqiptarët (ideja e hedhur nga S.V. Tempo për krijimin e Shtabit Ballkanik ishte hapi i parë për krijimin e kësaj federate.)

Udhëheqësi i PKBullgare, Gj.Dimitrovi, mbronte pikëpamjen e krijimit të një federate midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë, ku Maqedonia Pirine duhej të bashkohej me atë Vardare, dhe të dyja së bashku të përbënin një njësi federative të sllavëve të Jugut apo Ballkanike, por ku statusi i Bullgarisë të ishte i barabartë me atë të Jugosllavisë.  Por në të njëjtën kohë, Tito dhe shtabi i tij thurnin plane e punonin edhe për bashkimin e Maqedonisë së Egjeut me këtë republikë, pavarësisht se nuk i përkrahte askush, madje as Moska….

Në këto kushte, udhëheqja bullgare pranoi ekzistencën e kombit maqedonas, dhe në regjistrimin e popullsisë të v.1946, për herë të parë Sofja pranoi se në Bullgari jetojnë afro 200 mijë maqedonas dhe konkretisht në Maqedoninë Pirine 169544 vetë, në Sofje 2638, në Pllovdiv 2589 etj.  (Kjo vazhdoi edhe në regjistrimin e vitit 1956, ku numri i maqedonasve në Maqedoninë Pirine u rrit me rreth 10 mijë vetë. Rritje pati edhe në Sofje e në disa qytete të tjera. Gjatë atyre viteve në Bullgari u njoh gjuha maqedonase, u botuan gazeta në këtë gjuhë, u krijua shtëpia botuese “Libri Maqedonas” etj).

Mbas kësaj periudhe ajo ndryshoi krejtësisht qëndrim, duke mos pranuar ekzistencën e këtij kombi as në Bullgari e as në Maqedoni.

Problemi i krijimi i Federatës Ballkanike ka zënë një vend të veçantë në zhvillimet ballkanike të periudhës 1944-1948, që u harrua mbas prishjes së marrëdhënieve midis Moskës e Beogradit në v.1948. (Megjithëse prej pothuajse 50 vjetësh ishte harruar ky problem, në v.1992 Presidenti jugosllav Millosheviç u përpoq ta ringjallte. Duke përfituar nga marrëdhëniet e mira me Greqinë, ai propozoi krijimin e një konfederate Jugosllavo-Greke ku do të përfshihej dhe Maqedonia. Në v.1994 ai i kërkoi Kryeministrit grek, Papandreu të shpejtonte diskutimet për krijimin e konfederatës Beograd-Athinë-Shkup. Papandreu e quajti një “propozim interesant pionier”, por që nuk u diskutua asnjëherë. Kryeministri i ardhshëm Samaras, e përkufizoi si një propozim “interesant që duhet studiuar”. Ndërsa në Maqedoni ky propozim u përkrah nga disa intelektualë e politikanë, por Presidenti Gligorov e quajti “utopik për kohën e sotme, por që në të ardhmen mund të jetë i realizueshëm”).

Megjithatë “problemi maqedonas” mbeti i hapur, pavarësisht nga ulje ngritjet në marrëdhëniet midis Bullgarisë dhe Jugosllavisë. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ky problem vazhdoi të mbetej “mollë sherri” midis dy vendeve, ku “sherret” herë pas here nxiteshin nga Moska, e cila sa herë kishte probleme me Jugosllavinë, ndërsente Bullgarinë dhe “problemi maqedonas” merrte hov ….

Mbas shpalljes së Maqedonisë shtet i pavarur, Bullgaria e njohu e para, që më 15 janar 1992, por njohje me rezerva…. “Problemi maqedonas” nuk u harrua dhe Maqedonia konsiderohej si pjesë e Bullgarisë dhe gjuha maqedonase si dialekti gjuhës bullgare dhe ndryshe nga Greqia, ajo nuk kishte pretendime për emrin, flamurin,  etj. që ajo zgjodhi  fillimisht.

Vite me rrallë Maqedonia nuk pranohej në NATO. Greqia vinte veton sepse nuk pranonte emrin Maqedoni, siç u quajt fillimisht, por as më vonë kur ndryshoi emrin në Ish Republika e Maqedonisë. Mbas shumë diskutimesh e ndërmjetësimesh nga ndërkombëtarët u arrit ndryshimi i emrit në Maqedonia e Veriut dhe ajo u pranua në NATO. Mendohej se ndryshimi i emrit i hapte rrugën edhe për pranimin në BE.

Pavarësisht se Bullgaria e mbështeste Maqedoninë në arenën ndërkombëtare, marredheniet midis dy vendeve vazhdonin me probleme, madje në periudha të caktuara edhe me kriza deri në vitin 2017 kur  u nënshkrua Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit. Sipas këtij traktati Bullgaria do të mbështeste pranimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe kjo ndodhte një vit para ndryshimit të emrit. Lidhur me problemet e trashëguara, sipas nenit 8 të këtij Traktati u ngrit në Komision i Përbashkët për sheshimin e tyre. U rritën dukshëm marredheniet midis dy vendeve në fushën ekonomike, në infrastrukturë etj. Për herë të parë Presidentët e dy vendeve shkëmbyen vizita reciproke etj.

Megjithëse Bullgaria nuk e pranonte gjuhën maqedonase,  dy palët e “zgjidhën” problemin nëpërmjet përcaktimit “Gjuha zyrtare e vendit është në përputhje me kushtetutën e tij”.

Në muajin tetor 2019 Parlamenti Bullgar aprovoi deklaratën e qeverisë në mbështetje të pranimit të Maqedonisë së Veriut në BE, por duke vënë disa kushte, çka krijonte dyshime, pavarësisht se Bullgaria nuk deklaronte se do të vinte veton…(në vitin 2007, mbasi u pranua në BE, Sofja kishte përmendur të drejtën e vetos për të detyruar Shkupin që të pranonte prejardhjen bullgare të popullit maqedonas dhe të gjuhës maqedonase si dialekt i gjuhës bullgare…)

Në gusht të v.2020, Qeveria Bullgare i dërgoi një material gjashtë faqesh të gjitha vendeve të BE “Memorandum sqarues mbi marredheniet midis Republikës së Bullgarisë dhe Maqedonisë Veriut lidhur me zgjerimin e pranimin në BE dhe procesin e stabilizimit”, ku nëpërmjet trajtimit të disa problemeve të trashëguara historike kërkonte që drejtuesit e Maqedonisë Veriut të “shkëputen nga trashëgimia ideologjike e Jugosllavisë komuniste”. Sofja konsideron se “procesi i zgjerimit nuk duhet të ligjërojë ndërhyrjet nacionaliste dhe gjuhësore të regjimeve të mëparshme autoritative”. Aty theksohej se Bullgaria nuk ka asnjë pretendim territorial, por “nuk jemi dakord me procesin e ndërtimit shtetëror në Maqedoninë e Veriut që mund të bëhet nëpërmjet shqyrtimit të historisë tonë të përbashkët, mohimit të historisë tonë të përbashkët dhe mohimit të rrënjëve të përbashkëta etnike dhe gjuhësore ose insistimit të pabazuar për ekzistencën e “pakicës maqedonase’ në Bullgari”.

Memorandumi shkaktoi shqetësim në Shkup aq sa kryeministri Zajev deklaroi se “gjuha nuk është kriter pranimi ose mospranimi në Europë në shekullin e XXI dhe më poshtë “nuk mund të mohohet e drejta e popujve  për vetpërcaktim”.

Në veton bullgare, të shpallur zyrtarisht më 17 nëntor nga ministrja e Jashtme Zaharieva në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE, Bullgaria vuri tre kushte: së pari, Shkupi të tërhiqej nga qëndrimi për prejardhjen e gjuhës maqedonase, së dyti, respektimi i Traktatit të v.2017, sipas të cilit Shkupi duhet të pranojë pikëpamjen bullgare mbi historinë maqedonase dhe së treti, Shkupi duhet të heqë dorë nga pretendimi mbi ekzistencën e pakicës maqedonase në Bullgari.

Në mbledhjen e Këshillit Europian, ku u vendos shtyrja e datës për fillimin e bisedimeve për pranimin e Maqedonisë Veriut në BE, Kryeministri bullgar Borisov deklaroi se për përcaktimin e datës, maqedonasit “duhet të piqen” dhe shtoi se “Presioni dhe lobizmi nuk e detyrojnë Bullgarinë të ndryshojë qëndrim….”

Nga njoftimet zyrtare dukej sikur Brukseli u përpoq ti pajtonte dy palët por nuk ja arriti qëllimit, sepse asnjëra palë nuk u tërhoq. Është e dyshimtë në se Brukseli donte me të vërtetë t’i pajtonte bullgarët e maqedonasit, apo u gjet preteksti për të shtyrë pafundësisht hapjen e bisedimeve….

Kur Greqia pengonte hyrjen e Maqedonisë në NATO, ndërkombëtarët “gjetën” rrugën për t’i pajtuar, duke i shtuar emrit Maqedoni vetëm fjalën e Veriut, që në thelb nuk ndryshonte ndonjë gjë….Mbaj mend samitin e NATO-së në Pragë në v.2002, gjatë një takimi të tre presidentëve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, Presidenti i Kroacisë, Mesiç, u tha drejtuesve të NATO-s “Në NATO ju do na pranoni për interesat tuaja,  për ne problemi kryesor është të na pranojnë në BE”. Dhe mbas pak vitesh na pranuan në NATO, sigurisht për interesat e tyre, pavarësisht se nuk i kishim plotësuar të gjitha kushtet….

Për të bllokuar fillimin e bisedimeve këtë herë u shfrytëzua “Problemi maqedonas”, pavarësisht se i tejkaluar me kohë. Shteti maqedonas, me gjuhë zyrtare të njohur e të pranuar nga institucionet e specializuara ndërkombëtare, tashmë është realitet politik dhe gjeopolitik (siç janë edhe shtetet e tjera të dala nga ish Jugosllavia) dhe pavarësisht nga “grremçat” e trashëguara, në se me të vërtetë “të mëdhenjtë” janë të interesuar, bullgarët e maqedonasit do të gjejnë gjuhën e duhur për ti kapërcyer….

 

——

©Copyright Gazeta DITA

Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

January 16, 2021 12:33
Komento

10 Komente

  1. Iliria e bashkuar January 16, 13:05

    Ne djalle e breze pas brezi te gjithe vrasesit e Ilirve.

    Reply to this comment
  2. Niku January 16, 13:41

    Analizë e saktë përsa i përket shekullit të XX. Duhej spjeguar më me hollësi se ku qëndron ndryshimi etnik ndërmjet sllavo-maqedonasit dhe bullgarëve. Kombi bullgar është formuar nga katër shtresa: thrakase, skythase, sllave dhe bullgare, ndërsa sllavo-maqedonasit nga: iliro-maqedonasit e lashtë, sllave dhe bullgare. Pra, dy shtresat e fundit i kanë të njëjta dhe deri në shekullin e XX, sllavo-maqedonasit quheshin bullgarë. Një pasqyrim të saktë të bazuar në dokumenta, e ka bërë Agim R. Kasa në librin e tij « Origjina e gollobordasve të Dibrës (Kalabardhët) » botuar nga « Dituria » në vitin 2019. Aty del e qartë evolimi i këtyre dy vëndeve dhe përse sot kanë kontradikta.

    Reply to this comment
  3. Arben January 16, 13:57

    Nuk ka bllokim të Maqedonisë. Ka bllokim të allbanisë urupiane dhe theatro për të na thënë se ja nuk na ka njeri inat, urupa kurvë na do.

    Maqedonia merr fonde nga be njësoj si të ishte anëtare, ndërsa allbanezet urupian hanë k…….in me dhëmbë.

    Rroftë allbania urupiane

    Rrofshim ne

    Reply to this comment
    • Tirana January 16, 16:40

      Nje nga arsyet eshte se qeverite allbaneze te ketyre 30 vjeteve jane shume te korruptuara ne krahasim me qeverite maqedonase.

      Reply to this comment
      • Arben January 16, 18:50

        Arsyeja e e vetme është se uropa kurvë nuk i do Shqipëtarët, prandaj edhe Maqedoninë e trajton me dinjitet e allbanezet si kafshë.

        Rroftë allbania urupiane

        Rrofshim ne

        Reply to this comment
  4. Maqedonia nuk eshte nji Komb,por nji Shtet Artificiale krjiu nga Europa ,mbasi Copetoje Shqiperine ! January 16, 15:02

    Pra nji Pseudoshtet,qe nga njera ane i sherben Politikes
    abuzuese te Eu-s ne Ballkan e perdoret ne cdo kohe
    si nji Mine me Sahat ,per Rajonin,
    saher Europa do ti veri Flaken Ballkanit,

    siedhe nji Llogore nga ku mundet te hapin zjarre drejt Shqiperise .

    Bullgaria ka shume te drejt .Maqedonia eshte nji shpike
    Europes e perbere nga Shqiptare dhe Bullgare .

    Do ishte Fair, qe BE-ja tja ktheje roberit brenda Entkllaves Maqedoni
    Shteteve te Origjines keshtu Kursen energji te kota,
    e vendos Drejtesine e Paqen ne Rajon,

    nqs do Paqen e Drejtesine.

    Reply to this comment
  5. arben b January 16, 16:33

    bullgaria kerkon te justifikoje te drejten per te marre toke nga maqedonia nese ajo ndahet.greqia i nderroi emrin dhe i shtoi nje “veri” ke emri.dmth maqedonia kryesore esht ne greqi kto jan thjesht nje province veriore.ndersa bullgari po kerkon te luaje me gjuhen.kjo esht gjuha ime tradita ime kto jane populli im gjysmen e dua une.nese ndahet te dyja vendet e kane me te lehte per te marre pjese me te medhaja nga maqedonia

    Reply to this comment
  6. NNP January 16, 21:54

    E ASHTUQUAJTURA MAQEDONI ESHTE NJE PSEUDOSHTET I KRIJUAR NE DEM TE TERITOREVE SHQIPTARE.
    NUK KA AS KA PER TE PATUR NDONJEHERE KOMB MAQEDONAS……….

    Reply to this comment
  7. VATRA January 17, 00:00

    Me sa dihet BG.janë mongol të sllavizuar pra ardhacak sikur sllavët dhe me siguri të favorizuar nga Patrikana si pengesa kundër dominimit Roma katolik në Ballkan dhe këta janë ndēr damçorët e mëdhenj të shqipētarëve sidomos pas kapitullimit të TR. ku pushtuan qytetin ma të .madh shq. Shkupin dhe vijëmë te shanca historike e madhe që shqiptarët brenda Maqedonisë të fitojnë të drejtat e tyre në nivel si serbët në Bosne ku Maqed. u plaqkit komplet nga Millisheviçi sa që policia nuk posedonte as vetura për lëvizje por politika Rugoviane u vendos edhe atje dhe deri sa Ibrahimi me shallën e tijë frigësonte Kosovarët nga super forca e Serbisë po Nevzat qen Halili nga kush e frigësonte popullaten aty dhe ja sot pozita e tyre ma e keqe dhe ma me pak të drejta se 5% e serbëve dhe minorit. tj. në Kosovë

    Reply to this comment
  8. askush nuk e ble dot te kaluaren e tij January 18, 20:07

    E keni prezantu gabim kete autorin e shkrimit, ky quhet Shaqir Fasllia, jo Vukaj.
    Pyeteni!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim