Trump dhe modeli gjerman

May 1, 2018 11:15

Trump dhe modeli gjerman

 

Mund të ndodhë që evropianët të mos shpëtojnë dot javët e ardhshme nga një konflikt i ashpër me qeverinë Trump, si në çështje tregtare, ashtu edhe në atë të Iranit.

Nga Nikolas Busse (FAZ)

Disa gjëra që thotë Donald Trumpi për marrëdhëniet transatlantike janë thjesht absurde. Që NATO-ja u bën më shumë punë evropianëve se amerikanëve, siç u shpreh ai në vizitën e punës së kancelares në Uashington, është për shembull një pohim i diskutueshëm.

Aleanca perëndimore u ofron Shteteve të Bashkuara prej vitesh qasje strategjike ndaj Evropës, njëri nga rajonet më të rëndësishme të politikës botërore. Po të mos ishte kështu, nga NATO-ja do të kishin hequr dorë që paraardhësit e Trumpit. Por Presidenti ka të drejtë kur u kujton tani gjermanëve se një aleancë kërkon një ndarje në njëfarë mënyrë korrekte të barrës. Merkeli e pranoi këtë në Uashington.

Pyetja e madhe që shtrohet është nëse qeveria federale do t’i pasojë këto fjalë me më shumë vepra se deri tani.

Trumpin shumë qytetarë dhe politikanë e përjetojnë si fyerje, në mos si rrezik për stabilitetin e botës. Këto shqetësime janë padyshim të justifikuara po të shohësh stilin nacionalist, impulsiv dhe të dashuruar me veten të Presidentit.

Por përballë Gjermanisë, Trumpi megjithatë rimerr një kritikë, të cilën e kanë shprehur para tij edhe partnerë të tjerë të vendit tonë. Pozicioni i Gjermanisë në botë karakterizohet prej shumë vitesh nga dy zhvillime, të cilat çojnë automatikisht në konflikte me aleatët: përmbajtja ushtarake dhe tepricat e mëdha në eksporte. Që në BE kjo ka çuar herë pas here në irritime, jo së fundi në Francë.

Në Evropë, Gjermania është aq e fortë sa ta imponojë modelin e saj.

Përballë Amerikës që vazhdon të jetë shumë e fuqishme puna bëhet më e vështirë, edhe sepse nuk ka më një interes të përbashkët sipëror si në kohët e Luftës së Ftohtë.

Mund të ndodhë që evropianët të mos shpëtojnë dot në një kohë të afërt nga një konflikt i ashpër me qeverinë Trump, si në politikën tregtare, ashtu edhe në çështjen e Iranit.

Por pavarësisht nga kjo, është në interesin e mirëfilltë gjerman që ta bëjmë më pak të sulmueshëm modelin tonë. Një fuqi ekonomike e mesme duhet ta garantojë sa të jetë e mundur më shumë vetë mbrojtjen e saj. Dhe kriza financiare ka treguar se investimi i kursimeve gjermane në botën e jashtme (kjo është ana tjetër e medaljes e tepricave në eksport), nuk është gjithmonë ide e mirë. Këtu janë kantieret e vërteta të ndërtimit të koalicionit.

a.s/dita

May 1, 2018 11:15
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*