Analizat dhe kontrollet që duhet të bëhen gjatë menopauzës

December 30, 2017 14:35

Analizat dhe kontrollet që duhet të bëhen gjatë menopauzës

 Pranvera Kola – DITA

Ndonëse menopauza është një fazë e natyrshme që ndodh në jetën e çdo gruaje, në asnjë rast nuk duhet të neglizhohet konsultimi me mjekun, si dhe kryerja e një sërë kontrolleve dhe analizave për të përjashtuar në kohë çdo ndërlikim që mund të shkaktojë në shëndet. Simptomat që shoqërojnë menopauzën janë shqetësuese, dhe në jo pak raste dëmtojnë edhe shëndetin e gruas, në rast se nuk merret kujdesi i duhur.

Nëpërmjet një udhëzuesi, ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik, tregojnë se cilat janë kontrollet dhe analizat që duhet të bëhen gjatë kësaj periudhe, simptomat paralajmëruese, si dhe masat që duhet të merren sa i takon përdorimit të medikamenteve dhe ndryshimeve në stilin e jetesës për të reduktuar sa më shumë që të jetë e mundur pasojat që menopauza mund të shkaktojë në jetën e një gruaje. Edhe pse menopauza është unike për secilën grua, ndryshimet dhe shqetësimet e detajuara në vijim që ndodhin gjatë menopauzës duhet të njihen dhe të vlerësohen nga të gjitha gratë.

Lidhur me pyetjen se si kuptohet që një femër është ne menopauzë, ekspertët e ISHP-së thonë se: “Zakonisht, kjo gjendje konfirmohet kur një femër nuk ka pasur menstruacione për 12 muaj me radhë. Për shumicën e femrave, përcaktimi i menopauzës bëhet bazuar në përshkrimin që një femër i bën shenjave dhe përfundimit të menstruacioneve të saj.

Por, në disa raste, këto shenja nuk janë të mjaftueshme për të përcaktuar nëse një femër ka arritur në menopauzë, prandaj një test gjaku që mat nivelet e hormoneve mund të rekomandohet për ta konfirmuar”. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar gjithçka mbi kujdesin që duhet të tregoni për kalimin sa më të lehtë të menopauzës.

Shqetësimet që menopauza shkakton në shëndetin e gruas

Disa femra nuk kanë fare shenja, ose kanë shqetësime të vogla, por disa të tjera kanë shqetësime madje edhe të rënda deri në paaftësi. Shenjat mund të vërehen për disa muaj dhe vite para menopauzës dhe mund të vazhdojnë edhe disa vjet pas saj.

Por, jo gjithmonë është e mundur të tregohet nëse këto shqetësime janë të lidhura me moshimin, apo me menopauzën, ose me të dyja. Disa nga shqetësimet e femrave në këtë periudhë i gjeni të renditura në vijim të shkrimit. Megjithëse menopauza është unike për secilën grua, ndryshimet dhe shqetësimet që ndodhin gjatë menopauzës duhet të njihen dhe të vlerësohen nga të gjitha gratë.

Perioda të çrregullta

Një femër mund të ketë menstruacione të çrregullta për disa muaj, apo vite para se ato të ndalojnë përfundimisht. Menstruacionet mund të vijnë më shpesh, ose më rrallë, të zgjasin ditë më shumë, ose më pak, dhe të jenë në sasi më të paktë, ose më të shumtë. Shenjat paramenstruale si tensionim, dhimbje e gjinjve, fryrje barku, dhimbje koke, etj, janë më të theksuara dhe ikin me ardhjen e menstruacioneve. Disa femra mund të përjetojnë gjakderdhje të rënda dhe të zgjatura.

Ulje e aftësisë për të lindur

Gjatë menopauzës megjithëse femra mund të ketë menstruacione, aftësia e tyre për të ngelur shtatzënë pakësohet. Por, edhe nëse një femër nuk ka menstruacione për disa muaj, mundësia për të ngelur shtatzënë ekziston akoma.

Afshe të nxehta

Përshkruhen si një ndjenjë e papritur dhe e pakëndshme nxehtësie sidomos në fytyrë dhe qafë, por edhe në të gjithë trupin. Afshet e nxehta vijnë në mënyrë të menjëhershme dhe zakonisht zgjasin disa sekonda, apo disa minuta.

Disa femra mund t’i kenë ato për një vit, apo më tepër, por disa të tjera mund të mos i kenë kurrë. Djersitje mjaft e shtuar dhe të ngjethura të ftohta mund të ndjekin afshet e nxehta. Këto zgjasin për vite dhe zakonisht përmirësohen me kalimin e kohës, duke u bërë më pak të shpeshta dhe më pak të rënda.

Çrregullime të gjumit

Femrat në menopauzë kanë probleme me gjumin, mund të bëjnë gjumë sipërfaqësor, mund të zgjohen natën papritur të djersitura dhe të kenë të dridhura. Mungesa afatgjatë e gjumit nuk lejon që femra të çlodhet plotësisht, prandaj ajo ndihet tepër e lodhur dhe me humor të prishur.

Probleme vaginale dhe urinare

Për shkak se niveli i hormoneve bie, lubrifikimi i vaginës ulet dhe muret e saj thahen, hollohen dhe bëhen më pak elastike. Këto ndryshime e bëjnë marrëdhënien seksuale të dhimbshme dhe të pakëndshme, si dhe çojnë në infeksione të vagjinës, ose të fshikëzës urinare të uretrës. Disa femra kanë vështirësi për të mbajtur urinën, sidomos kur ato teshtijnë, kolliten, apo qeshin.

Ndryshime të humorit dhe nervozizëm

Shenjat e menopauzës si problemet e gjumit, afshet e nxehta, djersitja natën dhe lodhja, mund të ndikojnë në humorin dhe gjendjen emocionale të femrës. Disa femra kanë luhatje humori, nervozizëm, ndjenja të qari, ankthi dhe dëshpërimi. Megjithatë, jo të gjitha femrat mund t’i përjetojnë këto.

 Ndryshime në jetën seksuale

Gjatë menopauzës, femrat mund të përjetojnë ndryshime në jetën e tyre seksuale. Ndryshimet emocionale mund ta bëjnë femrën të ndihet më pak aktive, ose më pak të interesuar në marrëdhënien seksuale. Nga ana tjetër, djersitja natën mund të prishë gjumin dhe ta bëjë femrën shumë të lodhur për seks.

Osteoporozë

Në menopauzë rreziku për osteoporozë rritet. Kjo mund të çojë në thyerje të kockave dhe humbje të gjatësisë trupore. Ndaj kujdesi gjatë kësaj faze duhet të jetë maksimal, duke mos neglizhuar në asnjë moment konsultën me një mjek specialist.

Sëmundje kardiovaskulare

Para menopauzës, femrat kanë shkallë më të ulët të sëmundjeve të zemrës dhe infarktit sesa burrat. Pas menopauzës, shkalla e sëmundjeve të zemrës te femrat rritet, dhe pas moshës 65 vjeç bëhet e barabartë me atë të meshkujve.

Shtim në peshë dhe ndryshime në pamje

Humbja e masës muskulore dhe shtimi në peshë bëhet e zakonshme te femrat në vitet e menopauzës. Shumë femra kanë një shtim në peshë që mund të jetë 5 kg, ose më tepër, e cila bën të ndryshojë pamja e tyre fizike.

 Ndryshime të tjera

Disa femra mund të kenë probleme me përqendrimin, apo me kujtesën. Ekspertët nuk e dinë nëse këto ndryshime janë rezultat i nivelit të ulët të estrogjenit në menopauzë, apo janë rezultat i moshimit.

Analizat dhe kontrollet që duhet të bëni

Gjatë menopauzës, mjekët rekomandojnë një matje të densitetit kockor për osteoporozë. Është i rëndësishëm gjithashtu edhe kujdesi për shëndetin gjinekologjik. Shumica e femrave kanë nevojë për një Pap test çdo tre vjet, disa edhe më shpesh. Femrat duhet të pyesin mjekun se sa shpesh duhet të bëjnë mamografinë e gjirit.

Përveç këtyre, mjeku mund t’u kërkojë të bëjnë edhe ekzaminime të tjera gjinekologjike. Femrat gjithashtu mund të kenë nevojë të kontrollohen për disa probleme të veçanta si mosmbajta e urinës, tensioni i gjakut, etj. Shumë sëmundje kronike kanë tendencë të shfaqen në këtë periudhë, prandaj mjeku mund t’u rekomandojë edhe teste të tjera nëse është e nevojshme.

Hapat për parandalimin e efekteve anësore  

Menopauza është një proces natyral dhe nuk mund të parandalohet. Një femër nuk mund të shmangë menopauzën. Çdo femër do ta përjetojë atë. Megjithatë, ka mënyra që mund të minimizojnë, ose edhe të parandalojnë efektet e pakëndshme anësore gjatë viteve të menopauzës.

Këto mënyra përfshijnë kujdesin që duhet të tregoni gjatë kësaj periudhe me stilin e jetesës, veçanërisht me ushqimin dhe aktivitetin fizik, si dhe me përdorimin e duhur të trajtimeve medikamentoze në rastet kur mjeku specialist e gjykon të nevojshme.

Ndryshimet që duhet të bëni në stilin e jetesës

Sipas ekspertëve të ISHP-së, studimet tregojnë se ndryshimet në stilin e jetesës dhe disa medikamente mund të ndihmojnë për të lehtësuar simptomat e menopauzës, si dhe të përmirësojnë cilësinë e jetës së një femre. Për shumë femra ndryshimi i stilit të jetesës mund të jetë mjaft ndihmues, dhe ato mund të mos kenë nevojë për trajtim mjekësor nëse shenjat nuk i shqetësojnë.

Ndryshimet në stilin e jetesës përfshijnë: Kufizimin apo ndalimin e pirjes së duhanit, kufizimin e pirjes së kafesë, përdorimin e veshjeve praktike, kryerjen rregullisht të aktivitetit fizik, marrjen e mjaftueshme të vitaminës D, konsumin e kalciumit, praktikimin e një higjiene të mirë gjumi, lehtësimin nga stresi i përditshëm, etj.

Kur duhen përdorur medikamentet

Edhe pse për disa femra ndryshimi i stilit të jetesës lehtëson shenjat, për disa të tjera kjo nuk mjafton. Nëse shenjat e menopauzës vazhdojnë të bëhen shqetësuese, atëherë duhet kërkuar ndihmë mjekësore. Trajtimi i menopauzës është në varësi të shenjave dhe përfshin: Terapinë zëvendësuese hormonale, trajtimin e afsheve të nxehta, trajtimin e depresionit, osteoporozës, anemisë, tharjes së vaginës, etj.

Kështu, trajtimi i shqetësimeve të mësipërme dhe i çdo problemi tjetër shëndetësor, si dhe zakonet e shëndetshme të jetesës, ndihmojnë që femra ta kalojë sa më mirë këtë periudhë të jetës. Megjithëse menopauza është një fazë e natyrshme në jetën e një femre, është e rëndësishme që çdo femër të kontrollohet te mjeku.

Ndikimi i aktivitetit fizik

Përsa i përket ushtrimit fizik, mjekët rekomandojnë që të kryeni të paktën 35-40 minuta në shumicën e ditëve të javës, çka do të luante rol pozitiv në shëndetin e zemrës, si edhe për të përmirësuar shëndetin tuaj të përditshëm. Shërben për të mbajtur muskujt dhe kockat në lëvizje duke ndihmuar në parandalimin e osteoporozës. Ushtrimi fizik shton ndjenjën e relaksimit, të mirëqenies, shkarkimin e stresit të përditshëm, ndikon edhe në pakësimin e afsheve të nxehta.

Kujdesi për ushqimet

Lidhur me kujdesin që duhet të tregojmë për regjimin ushqimor, mjekët thonë se gjatë kësaj periudhe është mirë që të zgjidhni një varietet të gjerë ushqimesh, duke përfshirë shumë perime të freskëta, fruta, drithëra dhe racione të vogla mishi, kryesisht përdorni mish të bardhë (pulë, peshk).

Konsumoni qumësht të skremuar (me nivel të ulët yndyre), kos, djathë (jo më shumë se 70-100 gram në ditë) sepse produktet e bulmetit përmbajnë kalcium që ndikon në parandalimin e osteoporozës.

Edhe me frutat nuk duhet abuzuar se përmbajnë sheqer (maksimumi 600 gram në ditë) dhe i preferoni në vakte të ndërmjetme (paradite dhe pasdite).

Mos pini shumë kafe në ditë, mos përdorni alkool. I thoni stop duhanit për shkak të rrezikut lidhur me osteoporozën, sëmundjet koronare, kancerin e mushkërive, kancerin e gjirit, etj.

 

December 30, 2017 14:35
Komento

1 Koment

  1. Lira December 11, 15:38

    Cilat barna duhet ti perdorim ne menopauz.?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim