ANALIZË / Deputetët që kishim

Gjergj Erebara March 19, 2016 17:00

ANALIZË / Deputetët që kishim

Një numër i madh deputetësh, por edhe kandidatësh për kryebashkiakë në zgjedhjet e ardhshme, duket se ngurrojnë shumë që të publikojnë një CV. Disa prej deputetëve nuk e kanë të publikuar një të tillë në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë ndërsa disa të tjerë duket se i ka kapur delli për shkollë në moshë të madhe, shpesh, pasi kanë marrë poste të rëndësishme publike si kryebashkiakë apo deputetë.

Situata nuk është aspak e re.

Statistikat e deputetëve sipas nivelit arsimor 1962-1987. Burimi: Vjetari statistikor i vitit 1987.

Statistikat e deputetëve sipas nivelit arsimor 1962-1987. Burimi: Vjetari statistikor i vitit 1987.

Në vitin 1962 shqiptarët votuan për 214 deputetë në Kuvendin Popullor, emri zyrtar i parlamentit të Shqipërisë deri në vitin 1998. Nga këto, më pak se gjysma kishin arsim të lartë dhe, besojeni apo jo, 14,5 për qind klasifikoheshin në statistikat zyrtare si “pa arsim tetëvjeçar”. Rreth 18 për qind kishin vetëm arsim tetëvjeçar.

Shifrat nuk janë njësoj të krahasueshme me kohën tonë për shkak se Universiteti i Tiranës në atë kohë qe në fillesat e veta ndërsa dhe arsimi fillor qe ende shumë larg nga të qenit universal. Në tri dekadat që pasuan, numri i deputetëve me shkollë të lartë u rrit ndërsa deputetët me arsim më të ulët ra. Megjithatë, në vitin 1982 Shqipëria zgjodhi 250 deputetë dhe nga këto ende 10 prej tyre qenë zyrtarisht “pa arsim tetëvjeçar”.

Vetëm në zgjedhjet e vitit 1987, Shqipëria shënoi përfundimit dhe për herë të parë zero deputetë pa arsim. Ndërkohë, pjesa e deputetëve me arsim tetëvjeçar dhe të mesëm mbeti në shifra të konsiderueshme, pavarësisht se tashmë Universiteti i Tiranës kishte disa dekada jetë dhe vendi kishte diplomuar sakaq rreth 30 mijë vetë. Për zgjedhjet e fundit të regjimit komunist, ato të vitit 1987, 13,6 për qind e 250 deputetëve qenë zyrtarisht me shkollë të mesme ndërsa 1.6 ër qind qenë me arsim tetëvjeçar.

Ka një dallim të madh se si Shqipëria raporton mbi statistikat e kuvendit para dhe pas viteve 1990.

Pjesëmarrja në votime dhe mbështetja plebishitare për kandidatët e paracaktuar të Frontit Demokratik u rrit paralelisht me rritjen e përqindjes së grave në Kuvend. Burimi: Vjetari Statistikor i Vitit 1987.

Pjesëmarrja në votime dhe mbështetja plebishitare për kandidatët e paracaktuar të Frontit Demokratik u rrit paralelisht me rritjen e përqindjes së grave në Kuvend. Burimi: Vjetari Statistikor i Vitit 1987.

Për shembull, vjetarët statistikorë të kohës së komunizmit rendisnin përbërjen e kuvendit sipas gjinisë, sipas grupmoshës dhe sipas nivelit arsimor. Vjetari i fundit i INSTAT i publikuar pak ditë më parë, i paraqet të dhënat mbi kuvendin vetëm në bazë të gjinisë. Është e vështirë të gjesh të dhëna për përbërjen e kuvendit sipas nivelit arsimor pas viteve 1990, pavarësisht se sot konsiderohet e pazakontë që një deputet të mos ketë arsim të lartë. Disa prej deputetëve, CV-të e të cilëve janë të publikuar në faqen zyrtare të kuvendit, u mungojnë të dhëna të detajuara mbi arsimin, psh vitet kur kanë kryer studimet apo universitetin që kanë ndjekur.

Sa i përket gjinisë, koha e komunizmit ironikisht mund të konsiderohet si periudha e artë për pjesëmarrjen e grave në politikë, sido që, kjo pjesëmarrje qe thjesht një gënjeshtër si për gratë, ashtu edhe për burrat. Megjithëse shqiptarët votonin në kohën e komunizmit, përmes votës së detyruar ata thjesht certifikonin kandidatin që e kishte përzgjedhur Partia e Punës. E njëjta gjë ndodh edhe sot. Shqiptarët mund të certifikojnë kandidatët që ka zgjedhur njëra apo tjetra parti.

Pjesa e grave deputete shënoi kulmin në vitin 1974. Shtimi i grave në parlament erdhi paralelisht me forcimin e mëtejshëm të diktaturës. Burimi: Vjetari Statistikor i Vitit 1987.

Pjesa e grave deputete shënoi kulmin në vitin 1974. Shtimi i grave në parlament erdhi paralelisht me forcimin e mëtejshëm të diktaturës. Burimi: Vjetari Statistikor i Vitit 1987.

Në zgjedhjet e para pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria pati 82 deputetë nga të cilët, 6 ose 7.3 për qind, ishin gra. Përqindja e grave u shtua vazhdimisht duke shënuar kulmin në vitin 1974, ndërkohë që dhuna dhe shkelja masive e të drejtave të njeriut u shumëfishua gjithashtu gjatë kësaj periudhe. Gjithsesi, statistikisht, Shqipëria kishte 83 deputete të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit 1974 nga 250 deputetë gjithsej. Me 33.6 për qind të parlamentit të përbërë nga gratë, Shqipëria ka gjasa që do të mbante vend të parë në botë për pjesëmarrjen e grave në politikë në atë kohë. Kjo pjesëmarrje masive e grave në politikë atëhere, njësoj si dhe sot, nuk shërben si një tregues i arritjeve të vendit në demokraci. / BIRN

Gjergj Erebara March 19, 2016 17:00
Komento

1 Koment

  1. labi March 19, 17:18

    Kjo eshte publiku me 2015…shihjani ndonjehere daten kur ripublikon Gjergji..

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim