Andrea Mema, gjëja më e vështirë është të jesh kundër rrymës

Bashkim Koçi August 16, 2015 15:18

Andrea Mema, gjëja më e vështirë është të jesh kundër rrymës

Nëse do që e tashmja të jetë ndryshe nga e shkuara, studio të shkuarën. Andrea Mema ishte pjesë e këtij kontingjenti të rinjsh durrsakë, që e kishin studiuar, madje e mbanin mbi supe peshën e rëndesës dhe të dhimbjes që u kish sjellë regjimi. Ndaj edhe ai “qiti pushkë” kundër pashallëkut që sundonte mbi popull qysh në moshën fare të re, kur nuk i kish dirsur ende faqja, kur për të kryer aksione “të rrezikut të madh”,   shkonte si mbështetës, si guerrilas i “skalionit të dytë”. Për vetëm pak muaj “stërvitje”, bëri emër, meritoi të thirrej nga njerëzit e thjeshtë “trimi i Durrësit”, ashtu siç konsideroheshin të tillë Lym Këta e Adnan Qatipi në kryeqytet, në Tiranë.

Gjëja më e vështirë është të jesh kundër rrymës. Është e vështirë sepse në të tilla raste të duhet të mbash mbi shpinë atë çka shumica e njerëzve të komunitetit ku punon e jeton e quan çmënduri, e konsideron gjë të mbrapshtë, njerëzisht të pamoralshme. Por Andrea Mema nuk i përfilli fjalët e rrugës, mbylli sy e vesh në emër të së ardhmes, të betimit që kishte bërë si atdhetar I betuar, i cili e meritoi të ishte tek të 200-ët e parë “komunista lule”.

Ky moral i ri do ta çonte aty ku kërkohej jo thjeshtë për të zbrazur një armë kundër pushtuesit, por që të kërkohej koka. Në këto kushte trimi kërkoi trimin. Në aksionin e parë në qytetin e Durrësit, për të eliminuar një tradhtar dhe bashkëpunëtor të rrezikshëm të pushtuesit nazifashist, Andrea ish në krah të Kajo Karafilit. Babë Myslimi e kish dërguar Kajën “për garanci”, për të mos dështuar aksioni, por edhe për të vënë në provë Andrea Memën nëse ishte “kapedan”, nëse rreshtohej tek ata që do të kishin fatin të ishin pjesë e Çetës së Pezës.

Lumturi ka në çdo kohë, në çdo vend dhe në shumë mënyra, por ajo varet nga njeriu-kur e kërkon, në cilin vend e kërkon dhe në ç’mënyrë e kërkon. Andrea Mema e kërkoi lumturinë në moshën e rinisë, kur energjitë I kishte të pashtershme; në vendin e tij, në Shqipëri e cila priste të çlirohej nga armiku pushtues; dhe në mënyrën më heroike, duke u përballur dhemb për dhemb me ata që po rrezikonin pushtimin e botës.

Ishte 18 prilli i vitit 1943, vetëm pak ditë që kish dalë mga burgu si “i rrezikshmi” i qeverisë, ku bashkë me 20 durrsakë të tjerë iu bashkëngjit Çetës së Babë Myslimit për të cilën “shihte ëndrra në gjumë” nëse do të vinte ndonjëherë dita të ishte pjesë e formacionit luftarak, aty ku luftonte Kajo Karafili. Djaloshi ëndërrimtar, vetëm 25 vjeç, e konsideronte Kajën si trim legjendë, si një Skënderbe. Këtë magji e kishin edhe djelmoshat e tjerë, vërsnikët e Andrea Memës. Maliq Muço (Hero i Popullit), Ibrahim Buzhiqi, Muharrem Kokomani, Fiqiri Sinojmeri, Shpend Dega, Ibrahim Balla, Vlash Prifti, Petraq Çuka, Prokop Meksi e të tjerë, u trimëruan sepse ndoqën shembullin e trimave si Kajo Karafili.

Nuk ka qëllim të madh pa sakrifica të mëdha. Për Andrea Memën kjo sentencë ishte dhe mbeti deviza e jetës, gjëja më e shenjtë për të qenë kryelartë në detyrat që iu ngarkuan në Luftën Çlirimtare. Ai e ktheu strehëzën e tij, shtëpinë, bazë të Nacionalçlirimtares, e cila për nga rëndësia që mori aty u urganizuan takime të luftëtarëve të spikatur si udhëheqës të Lëvizjes, siç ishin Telat Noga, Ndoc Mazi e Kazma Nushi. Një pllakës përkujtimore e cila i jep bukuri shtëpisë edhe sot e kësaj dite, mban të shkruar në mermer se aty u mblodh për herë të parë Celula e parë e qytetit të Durrësit. Eshtë fakt, gjithashtu, se partizani, të cilit i ishte ngarkuar detyra e ruajtjes të anëtarëve të qarkorit që mbledhja të zhvillohej normalisht, ishte artisti i madh durrsak, Nikolin Xhoja.

Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate, kujdesu ta shkruash mirë, sepse një faqe e keqe ndyn gjithë librin. Kjo thënie e bukur nga njerëz të mëdhenj mund të jetë ilustrim i shkëlqyer edhe për Andrea Memën. Nëse ndjekim karrierën e tij, nga veprimtar e organizator i thjeshtë i njësiteve guerileve në qytetin e Durrësit dhe detyrat më të larta që iu ngarkuan në Çetën e Pezës, Batalionin Territorial e deri tek formacioni i lartë ushtarak, atë të Brigadës së 22-të Sulmuese, vihet re qëndresa, ndershmëria, sakrifica për të mbetur qelibar, njeri që nuk e njohu kurrë pozicionin kokulur, të turpëruar. Në luftë Andreas iu caktuan pozicione të rëndësishme luftarake siç ish detyra e komisarit të Kompanisë, zv/komisar Batalioni të cilat iu desh t’i kryente me shumë përgjegjësi në një rrugëtim shumë të gjatë përpjekjesh me pushtuesit gjermanë, nga Peza në Vishegrad.

Më pas, kur vendi u çlirua, Andrea, si gjithmonë, mbeti “i skalionit të parë”, kuadri më i papërtuar për të drejtuar aty ku rreziku i jetës të ishte, as më shumë e as më pak, si në frontin e luftës me dyfek në krah. Aty ku u caktua Andrea Mema ishin vende drejtuese, të cilët kërkonin, përpos njerëz të ditur e të kënduar, por edhe të vendosur për t’u përballuar me egërsinë e kundërshtarëve, të të mundurve. Ai arriti të bëhej i suksesshëm sepse çdo gjë që ia caktonin për ta kryer e merrte seriozisht. Seriozisht dhe me plot besim punoi në detyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në rrethin e Durrësit, dhe po me atë përkushtim e devotshmëri në drejtimin e Drejtorisë më të rëndësishme të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë dhe si kryetar i Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Shijakut. Shijakasit e vjetër në moshë kujtojnë ende shpirtin e madh human që kishte Andrea Mema. Për sa vite që punoi e drejtoi në Shijak, ai u bë pjesë e shqetësimeve të familjeve në nevojë, i kudondodhur për mposhtjen e varfërisë tek njerëzit në nevojë.

Nderi nuk është bërë për t’u fituar, por për të mos u humbur. Kur i hedhim një vështrim dashamirës jetës së Andrea Memës kapet lehtësisht fakti që ky personalitet i lartë, i cili u gatua dhe u poq si i tillë në flakët e Luftës NÇ, mbeti në të gjitha ditët, muajt dhe vitet që jetoi, njeri shumë i nderuar për familjen, shoqërinë dhe Shqipërinë.

 

Bashkim Koçi August 16, 2015 15:18
Komento

1 Koment

  1. lato August 18, 03:02

    Ky s`paska qene kunder rrymes,por paska qene me rrymen e puneve te perbrendeshme!!!!Kush ka punuar ne organet e puneve te sigurimit i ka duart e lyme me mut.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*